Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ki besim te Jehovai dhe bëj të mira»

«Ki besim te Jehovai dhe bëj të mira»

«Ki besim te Jehovai dhe bëj të mira, . . . dhe vepro me besnikëri.»​—PSAL. 37:3.

KËNGËT: 133, 63

1. Me cilat aftësi mbresëlënëse i krijoi Jehovai njerëzit?

JEHOVAI i krijoi njerëzit me aftësi mbresëlënëse. Na dha aftësi për të menduar që të zgjidhim problemet dhe të planifikojmë për të ardhmen. (Prov. 2:11) Na dha fuqi që t’i bëjmë realitet planet tona, e kështu të arrijmë synime të përshtatshme. (Filip. 2:13) Gjithashtu, na krijoi me një ndërgjegje​—me një ndjenjë të lindur për të drejtën e të gabuarën—​që mund të na ndihmojë të mos veprojmë keq dhe të ndreqim gabimet tona.​—Rom. 2:15.

2. Në ç’mënyrë pret Jehovai t’i përdorim aftësitë tona?

2 Jehovai pret t’i përdorim për mirë aftësitë tona. Pse? Sepse na do dhe e di se kur i shfrytëzojmë këto dhurata, kjo na sjell kënaqësi. Nëpërmjet Fjalës së tij, Jehovai na këshillon shpesh që t’i përdorim për mirë aftësitë tona. Për shembull, në Shkrimet Hebraike lexojmë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim»; dhe «gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde». (Prov. 21:5; Ekl. 9:10) Në Shkrimet e Krishtere Greke thuhet: «Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve»; dhe «secili nga ju ta përdorë dhuratën e vet në atë masë që ka marrë, që t’i bëni shërbim njëri-tjetrit». (Gal. 6:10; 1 Pjet. 4:10) Është e qartë se Jehovai do që të bëjmë ç’të mundemi për t’i sjellë dobi vetes dhe të tjerëve.

3. Çfarë kufizimesh kanë njerëzit?

3 Ndërkohë, Jehovai e di se njerëzit kanë kufizime. Me forcat tona, nuk i eliminojmë dot kurrë papërsosmërinë, mëkatin dhe vdekjen. Gjithashtu, nuk jemi në gjendje të kontrollojmë të tjerët, pasi të gjithë kanë vullnet të lirë. (1 Mbret. 8:46) Dhe sado njohuri e përvojë të fitojmë, gjithmonë do të jemi fëmijë në krahasim me Jehovain.​—Isa. 55:9.

Kur përballesh me probleme, «ki besim te Jehovai dhe bëj të mira»

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Në çdo rrethanë, duhet të mbështetemi te Jehovai për drejtim, me besimin se ai do të na dalë krah dhe do të bëjë për ne atë që s’e bëjmë dot për veten. Në të njëjtën kohë, duhet të bëjmë gjithë sa mundemi​—të bëjmë atë që duhet për të zgjidhur problemet e për të ndihmuar të tjerët. (Lexo Psalmin 37:3.) Me një fjalë, duhet edhe ‘të kemi besim te Jehovai’, edhe ‘të bëjmë të mira’; duhet ‘të veprojmë me besnikëri’. Në lidhje me këtë, le të shohim ç’mund të mësojmë nga shembulli i Noesë, i Davidit dhe i shërbëtorëve të tjerë besnikë të Jehovait që u mbështetën tek Ai dhe bënë atë që duhej. Siç do ta shohim, kjo përfshinte të dallonin atë që nuk mund të bënin nga ajo që mund të bënin, dhe pastaj të vepronin në përputhje me këtë.

KUR NA RRETHON LIGËSIA

5. Përshkruani situatën ku ndodhej Noeja.

5 Noeja jetoi në një botë ‘të mbushur me dhunë’ dhe imoralitet. (Zan. 6:4, 9-13) Ai e dinte se me kohë Jehovai do t’i jepte fund asaj bote të ligë. Prapëseprapë, Noenë duhet ta kenë torturuar ato kushte që tregonin përbuzje për Perëndinë. Në atë situatë, ai e dalloi se kishte disa gjëra që nuk mund t’i bënte, po edhe të tjera që mund t’i bënte.

Kundërshtimi në predikim (Shih paragrafët 6-9.)

6, 7. (a) Çfarë nuk mund të bënte Noeja? (b) Në ç’kuptim ndodhemi në një situatë të ngjashme me atë të Noesë?

6 Çfarë nuk mund të bënte Noeja: Ndonëse e predikoi me besnikëri mesazhin paralajmërues të Jehovait, Noeja nuk i detyronte dot njerëzit e ligj rreth e rrotull që ta pranonin atë mesazh, e as nuk e sillte dot më shpejt Përmbytjen. Noesë i duhej të besonte se Jehovai do ta mbante premtimin për t’i dhënë fund ligësisë, i bindur se Ai do ta bënte këtë tamam në kohën e duhur.​—Zan. 6:17.

7 Edhe ne jetojmë në një botë të mbushur me ligësi dhe e dimë se Jehovai ka premtuar ta shkatërrojë. (1 Gjon. 2:17) Ndërkohë, nuk i detyrojmë dot njerëzit ta pranojnë ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’. As nuk mund të bëjmë gjë për ta përshpejtuar fillimin e ‘shtrëngimit të madh’. (Mat. 24:14, 21) Ashtu si Noeja, na duhet një besim i fortë se Perëndia do të ndërhyjë së shpejti. (Psal. 37:10, 11) Jemi të bindur se Jehovai nuk do të lejojë që kjo botë e ligë të zgjatë as edhe një ditë më tepër nga ç’e kërkon qëllimi i tij.​—Hab. 2:3.

8. Si u përqendrua Noeja te gjërat që mund të bënte? (Shih figurën hapëse.)

8 Çfarë mund të bënte Noeja: Në vend që të dorëzohej për shkak të gjërave që s’mund t’i bënte, Noeja u përqendrua tek ato që mund të bënte. Si ‘predikues i drejtësisë’, shpalli me besnikëri mesazhin paralajmërues që i kishte dhënë Jehovai. (2 Pjet. 2:5) Pa dyshim që ajo vepër e ndihmoi Noenë ta mbante besimin të fortë. Përveç predikimit, ai i përdori aftësitë fizike e mendore edhe për të kryer një punë që i caktoi Perëndia: të ndërtonte një arkë.​—Lexo Hebrenjve 11:7.

9. Si mund ta imitojmë shembullin e Noesë?

9 Ashtu si Noeja, ne përpiqemi të kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58) Kjo vepër mund të përfshijë të ndërtojmë e të mirëmbajmë ndërtesat ku adhurojmë Perëndinë, të shërbejmë si vullnetarë në asamble e kongrese ose të përmbushim caktimet në një zyrë dege a në një zyrë rajonale përkthimi. Mbi të gjitha, zhytemi plotësisht në veprën e predikimit, të sigurt se kjo vepër na forcon shpresën për të ardhmen. Ja si u shpreh për këtë një motër besnike: «Kur u flet të tjerëve për bekimet e Mbretërisë së Perëndisë, kupton se ata nuk kanë absolutisht asnjë shpresë dhe se i shohin problemet e tyre si të përhershme.» Vërtet, pjesëmarrja në veprën e predikimit na përforcon pikëpamjen pozitive për të ardhmen dhe vendosmërinë që të mos dorëzohemi në garën e jetës.​—1 Kor. 9:24.

KUR GABOJMË

10. Përshkruani situatën ku ndodhej Davidi.

10 Jehovai e quajti mbretin David «një njeri siç ma do zemra». (Vep. 13:22) Në tërësi, jeta e Davidit u karakterizua nga besnikëria. Prapëseprapë, kishte raste kur bëri mëkate serioze. Ai kreu kurorëshkelje me Betshebën. Situata u keqësua ngaqë u orvat ta fshihte mëkatin duke e rregulluar punën që burri i saj, Uriahu, të vritej në betejë. Madje, letrën që çoi në vdekjen e Uriahut e dërgoi nëpërmjet atij vetë. (2 Sam. 11:1-21) Doemos, mëkatet e Davidit dolën në shesh. (Mar. 4:22) Si reagoi Davidi kur ndodhi kjo?

Mëkate të së kaluarës (Shih paragrafët 11-14.)

11, 12. (a) Çfarë nuk bënte dot Davidi pasi mëkatoi? (b) Çfarë mund të kemi besim se do të bëjë Jehovai për ne, nëse pendohemi për gabimet serioze?

11 Çfarë nuk mund të bënte Davidi: Davidi nuk mund ta zhbënte atë që kishte bërë. As nuk u shpëtonte dot pasojave të gabimeve të tij. Në fakt, disa nga ato pasoja do t’i vuante gjithë jetën. (2 Sam. 12:10-12, 14) Prandaj, Davidi kishte nevojë për besim. I duhej të besonte se, kur të pendohej sinqerisht, Jehovai do ta falte dhe do ta ndihmonte t’i përballonte pasojat e veprimeve të veta.

12 Si të papërsosur që jemi, të gjithë mëkatojmë. Disa gabime janë më serioze se të tjerat. Në disa raste, nuk i zhbëjmë dot gabimet tona. Mund të na duhet që thjesht të jetojmë me pasojat. (Gal. 6:7) Por ne e besojmë plotësisht atë që thotë Jehovai se, po të pendohemi, do të na mbështetë gjatë kohëve të vështira​—madje edhe kur këto vështirësi i kemi sjellë vetë.​—Lexo Isainë 1:18, 19; Veprat 3:19.

13. Si e mori veten frymësisht Davidi?

13 Çfarë mund të bënte Davidi: Davidi e lejoi Jehovain ta ndihmonte që ta merrte veten frymësisht​—të ndreqte marrëdhënien me Të. Një mënyrë si e bëri këtë ishte duke pranuar korrigjimin nga përfaqësuesi i Jehovait, profeti Natan. (2 Sam. 12:13) Veç kësaj, Davidi iu lut Jehovait: i rrëfeu mëkatet e veta dhe i shprehu dëshirën e sinqertë që të fitonte prapë miratimin e Tij. (Psal. 51:1-17) Në vend që ta paralizonte ndjenja e fajit, Davidi mësoi nga gabimet e veta. Në të vërtetë, ai nuk i përsëriti kurrë ato mëkate serioze. Vite më vonë, Davidi vdiq besnik dhe integriteti që tregoi gjithë jetën është skalitur në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën e Jehovait.​—Hebr. 11:32-34.

14. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Davidit?

14 Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Davidit? Nëse kryejmë një mëkat serioz, duhet të pendohemi sinqerisht dhe t’i kërkojmë falje Jehovait. Duhet t’ia rrëfejmë mëkatet tona. (1 Gjon. 1:9) Gjithashtu, duhet të flasim me pleqtë, të cilët mund të na ndihmojnë frymësisht. (Lexo Jakovin 5:14-16.) Kur shfrytëzojmë ndihmën që vë në dispozicion Jehovai, tregojmë se kemi besim te premtimi i tij që të na shërojë e të na falë. Pastaj, bëjmë mirë të mësojmë nga gabimet tona, të ecim para në shërbimin e Jehovait dhe ta presim plot besim të ardhmen.​—Hebr. 12:12, 13.

NË SITUATA TË TJERA

Probleme shëndetësore (Shih paragrafin 15.)

15. Çfarë mësojmë nga shembulli i Hanës?

15 Ka shumë të ngjarë të të vijnë ndër mend shërbëtorë të tjerë besnikë të lashtësisë që patën besim te Jehovai dhe njëkohësisht bënë atë që duhej. Për shembull, Hana nuk mund ta zgjidhte vetë problemin e shterpësisë. Por ajo kishte besim se Jehovai do ta ngushëllonte, prandaj vazhdoi ta adhuronte në tabernakull dhe t’i zbrazte zemrën në lutje. (1 Sam. 1:9-11) A nuk është një shembull i bukur për ne? Kur hasim probleme shëndetësore ose vështirësi të tjera që s’i kemi në dorë, ia hedhim ankthin Jehovait, me besim të plotë se ai interesohet për ne. (1 Pjet. 5:6, 7) Gjithashtu, bëjmë gjithë sa mundemi që të nxjerrim dobi nga mbledhjet dhe nga të mira të tjera që siguron organizata e Jehovait.​—Hebr. 10:24, 25.

Fëmijë që largohen nga e vërteta (Shih paragrafin 16.)

16. Ç’mund të mësojnë prindërit nga Samueli i moshuar?

16 Ç’të themi për ata prindër besnikë, fëmijët e të cilëve janë larguar nga e vërteta? Samueli i moshuar nuk i detyronte dot djemtë e tij të rritur t’u qëndronin besnikë normave të drejta që u kishte mësuar. (1 Sam. 8:1-3) I duhej t’i linte gjërat në duart e Jehovait. Gjithsesi, Samueli mund të ruante integritetin e vet dhe të kënaqte Atin e tij qiellor, Jehovain. (Prov. 27:11) Sot, mjaft prindër të krishterë ndodhen në një situatë të ngjashme. Ata kanë besim se, ashtu si babai në shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës, Jehovai rri gjithë kohën syçelë për të pritur krahëhapur mëkatarët që pendohen. (Luka 15:20) Në të njëjtën kohë, këta prindër përpiqen me tërë forcat për t’i qëndruar besnikë Jehovait, plot shpresë se shembulli i tyre do t’i nxitë fëmijët të kthehen brenda vathës.

Të ardhura të pakta (Shih paragrafin 17.)

17. Pse na jep zemër shembulli i vejushës nevojtare?

17 Të mendojmë edhe për vejushën nevojtare në kohën e Jezuit. (Lexo Lukën 21:1-4.) Ajo s’bënte dot asgjë për praktikat e korruptuara që zhvilloheshin në tempull. (Mat. 21:12, 13) Dhe ka të ngjarë që s’kishte shumë në dorë për të përmirësuar gjendjen e saj ekonomike. Prapëseprapë, i dha me dëshirë si kontribut ato «dy qindarka» që ishin «gjithçka që kishte për të jetuar». Ajo grua besnike tregoi besim me gjithë shpirt te Jehovai; e dinte mirë se po të vinte në vend të parë shërbimin e Jehovait, ai do t’i siguronte gjërat e nevojshme. Besimi e nxiti vejushën të mbështeste masën që ekzistonte atëherë për adhurimin e vërtetë. Ashtu si ajo, ne kemi besim se po të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë, Jehovai do të sigurohet që të kemi ç’na nevojitet.​—Mat. 6:33.

18. Jepni një shembull të një shërbëtori të Perëndisë në ditët tona që kishte qëndrimin e duhur.

18 Edhe shumë vëllezër e motra në ditët tona kanë treguar besim te Jehovai dhe kanë bërë atë që duhej. Të mendojmë për shembullin e një vëllai, Malkolmit, i cili qëndroi besnik deri kur vdiq në vitin 2015. Gjatë dekadave në shërbim të Jehovait, ai dhe e shoqja patën të përpjeta e të tatëpjeta në jetë. Ai tha: «Nganjëherë jeta është e paparashikueshme, e pasigurt, e madje mezi përballohet. Por, Jehovai i bekon ata që mbështeten tek ai.» Cila ishte këshilla e Malkolmit? «Lutu të jesh sa më i frytshëm dhe sa më aktiv në shërbim të Jehovait. Përqendrohu te gjërat që mund të bësh, jo tek ato që s’mundesh.» *

19. (a) Pse është me vend shkrimi që kemi për vitin 2017? (b) Si do ta zbatosh në jetën tënde shkrimin e vitit 2017?

19 Ndërsa ky sistem shkon «keq e më keq», mund të presim të përballemi me vështirësi gjithnjë e më të mëdha. (2 Tim. 3:1, 13) Ja pse është më e rëndësishme se kurrë që të mos lejojmë të na paralizojnë këto vështirësi. Në vend të kësaj, duhet të kultivojmë besim të fortë te Jehovai e njëkohësisht të bëjmë çfarëdo gjëje që mund të bëjmë. Sa me vend është, pra, shkrimi që kemi për vitin 2017: «Ki besim te Jehovai dhe bëj të mira.»​—Psal. 37:3.

Shkrimi i vitit për 2017-n: «Ki besim te Jehovai dhe bëj të mira»​—Psalmi 37:3