Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i prin popullit të tij

Jehovai i prin popullit të tij

«Jehovai do të të prijë vazhdimisht.»​—ISA. 58:11.

KËNGËT: 152, 22

1, 2. (a) Ku ndryshojnë ata që marrin drejtimin mes Dëshmitarëve të Jehovait nga ata që drejtojnë në fe të tjera? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në tjetrin?

«KUSH është udhëheqësi juaj?» Kjo është një pyetje që u bëhet shpesh Dëshmitarëve të Jehovait. E s’është për t’u çuditur. Në shumë fe, udhëheqësi ose kreu është një burrë a një grua. Në kontrast me këtë, ne u përgjigjemi me krenari atyre që na pyesin se Udhëheqësi ynë nuk është një njeri i papërsosur. Përkundrazi, ndjekim drejtimin e Krishtit të ringjallur, i cili ndjek drejtimin e Atit të tij, Jehovait.​—Mat. 23:10.

2 Gjithsesi, ekziston një grup i dukshëm burrash, «skllavi i besueshëm dhe i matur», që merr drejtimin mes popullit të Perëndisë sot. (Mat. 24:45) Atëherë, nga e dimë se është vërtet Jehovai ai që po na prin me anë të Birit të tij të padukshëm? Në këtë artikull dhe në tjetrin, do të shqyrtojmë si i ka udhëhequr Jehovai gjatë mijëvjeçarëve disa njerëz që të marrin drejtimin. Në këta dy artikuj do të shohim tri lloje dëshmish që tregojnë se pas atyre burrave ishte vërtet Jehovai, çka vërteton se ai ka qenë​—dhe është ende—​Udhëheqësi i vërtetë i popullit të tij.​—Isa. 58:11.

TEK ATA VEPRONTE FRYMA E SHENJTË

3. Çfarë i dha fuqi Moisiut që të udhëhiqte Izraelin?

3 Te përfaqësuesit e Perëndisë vepronte fryma e shenjtë. Të mendojmë për Moisiun, që u caktua të ishte udhëheqësi i izraelitëve. Çfarë e përgatiti për të kryer atë caktim me peshë? Jehovai «i dha frymën e Tij të shenjtë». (Lexo Isainë 63:11-14.) Duke i dhënë fuqi Moisiut me frymën e shenjtë, Jehovai vazhdoi t’i printe popullit të Tij.

4. Si mund ta dallonin izraelitët se Moisiu kishte frymën e Perëndisë? (Shih figurën hapëse.)

4 Por meqë fryma e shenjtë është një forcë e padukshme, si mund ta dallonin izraelitët se te Moisiu vepronte kjo frymë? Fryma e shenjtë e ndihmoi Moisiun të kryente mrekulli dhe të shpallte emrin e Perëndisë para faraonit. (Dal. 7:1-3) Gjithashtu, fryma e shenjtë prodhoi te Moisiu cilësi të bukura si dashuria, zemërbutësia dhe durimi​—cilësi që e kualifikuan të udhëhiqte izraelitët. Çfarë kontrasti me udhëheqësit zemërgurë dhe egoistë të vendeve të tjera! (Dal. 5:2, 6-9) Dëshmitë flitnin qartë: Jehovai e kishte zgjedhur Moisiun si udhëheqësin e popullit të Tij.

5. Shpjegoni si u dha fuqi Jehovai burrave të tjerë nga Izraeli që të udhëhiqnin popullin e tij.

5 Më vonë, me frymën e tij të shenjtë, Jehovai u dha fuqi burrave të tjerë që i caktoi të udhëhiqnin popullin e tij. «Josiu, biri i Nunit, ishte plot frymë mençurie.» (Ligj. 34:9) «Fryma e Jehovait pushtoi Gideonin.» (Gjyk. 6:34) Gjithashtu, «fryma e Jehovait nisi të vepronte te Davidi». (1 Sam. 16:13) Të gjithë ata burra u mbështetën për ndihmë te fryma e Perëndisë, dhe ajo frymë u dha fuqi të kryenin bëma që me forcën e tyre nuk do t’i kishin bërë dot. (Jos. 11:16, 17; Gjyk. 7:7, 22; 1 Sam. 17:37, 50) Si rrjedhojë, Jehovai mori me të drejtë lavdinë për ato vepra të fuqishme.

6. Pse donte Perëndia që populli i tij t’i respektonte udhëheqësit e Izraelit?

6 Si duhej të kishin reaguar izraelitët para dëshmive të qarta se tek ata burra vepronte fryma e shenjtë? Kur populli u ankua për udhëheqjen e Moisiut, Jehovai pyeti: «Deri kur do të më përbuzë [mua] ky popull?» (Num. 14:2, 11) E pra, Jehovai i zgjodhi Moisiun, Josiun, Gideonin dhe Davidin që ta përfaqësonin si Udhëheqës. Kur u bindej atyre burrave, populli në të vërtetë ndiqte Jehovain si Udhëheqës.

I NDIHMONIN ENGJËJT

7. Si e ndihmonin engjëjt Moisiun?

7 Përfaqësuesit e Perëndisë i ndihmonin engjëjt. (Lexo Hebrenjve 1:7, 14.) Jehovai përdori engjëj që t’i ngarkonte detyrën Moisiut, ta përgatiste e ta udhëhiqte. Perëndia e dërgoi Moisiun «jo vetëm si qeveritar, por edhe si çlirimtar, nëpërmjet engjëllit që iu shfaq te kaçuba». (Vep. 7:35) Jehovai ‘përcolli me anë të engjëjve’ Ligjin nëpërmjet të cilit Moisiu udhëzonte izraelitët. (Gal. 3:19) Veç kësaj, Jehovai i tha: «Drejtoje popullin atje ku të thashë, dhe engjëlli im do të shkojë para teje.» (Dal. 32:34) Bibla nuk thotë se izraelitët panë ndonjë engjëll me trup njerëzor që kryente ato detyra. Megjithatë, mënyra si e udhëzonte dhe e udhëhiqte Moisiu popullin tregoi qartë se ai kishte ndihmë mbinjerëzore.

8. Çfarë ndihme i dhanë engjëjt Josiut dhe Hezekisë?

8 Pas kohës së Moisiut, Josiu, që ishte pasuesi i tij, mori forcë nga «princi i ushtrisë së Jehovait» që t’i printe popullit të Perëndisë në luftë kundër kananitëve; dhe izraelitët korrën fitore. (Jos. 5:13-15; 6:2, 21) Më vonë, mbreti Hezekia u gjend përballë ushtrisë tmerrësisht të madhe asiriane që kërcënonte të pushtonte Jerusalemin. Brenda një nate, «engjëlli i Jehovait doli dhe goditi njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë veta».​—2 Mbret. 19:35.

9. A ishin papërsosmëritë e përfaqësuesve të Perëndisë një justifikim që izraelitët të mos ndiqnin drejtimin e tyre? Shpjegoni.

9 Dihet se engjëjt janë të përsosur, kurse njerëzit që ndihmuan nuk ishin të përsosur. Në një rast Moisiu nuk e shenjtëroi Jehovain. (Num. 20:12) Josiu u tregua neglizhent dhe nuk kërkoi drejtimin e Perëndisë para se të bënte një besëlidhje me gibeonitët. (Jos. 9:14, 15) Gjithashtu, për pak kohë, ‘zemra e Hezekisë u bë fodulle’. (2 Kron. 32:25, 26) Sidoqoftë, me gjithë papërsosmëritë e atyre burrave, nga izraelitët pritej të ndiqnin drejtimin e tyre. Jehovai i mbështeste ata burra nëpërmjet të dërguarve të tij mbinjerëzorë. Po, Jehovai i printe popullit të tij.

I UDHËHIQTE FJALA E PERËNDISË

10. Si e udhëhiqte Ligji i Perëndisë Moisiun?

10 Përfaqësuesit e Perëndisë i udhëhiqte Fjala e Tij. Ligjin që iu dha Izraelit, Bibla e quan ‘Ligji i Moisiut’. (1 Mbret. 2:3) Gjithsesi, Shkrimet tregojnë se në të vërtetë Ligjdhënësi ishte Jehovai, dhe Moisiu vetë i nënshtrohej atij Ligji. (2 Kron. 34:14) Për shembull, pasi Jehovai i dha udhëzime se si ta ngrinte tabernakullin, «Moisiu veproi në përputhje me gjithçka që i urdhëroi Jehovai. Ai bëri pikërisht ashtu».​—Dal. 40:1-16.

11, 12. (a) Çfarë kërkohej të bënin Josiu dhe mbretërit që drejtonin popullin e Perëndisë? (b) Si ndikoi Fjala e Perëndisë tek udhëheqësit e popullit të Tij?

11 Që kur filloi të udhëhiqte popullin, Josiu kishte Fjalën e shkruar të Perëndisë. Jehovai i tha: «Lexoje nën zë ditë e natë, që të veprosh me kujdes në përputhje me atë që është shkruar aty.» (Jos. 1:8) Më vonë, mbretërit që drejtonin popullin e Perëndisë ndiqnin një zakon të ngjashëm. Ata kishin detyrimin ta lexonin Ligjin çdo ditë, të shkruanin një kopje të tij e ‘të mbanin të gjitha fjalët e atij ligji dhe ato rregulla, duke i zbatuar’.​—Lexo Ligjin e përtërirë 17:18-20.

12 Si ndikoi Fjala e Perëndisë te burrat që merrnin drejtimin? Të mendojmë për shembullin e mbretit Josia. Pasi u gjet një dokument që përmbante Ligjin e Moisiut, sekretari filloi t’ia lexonte Josisë. * Si reagoi mbreti? «Me të dëgjuar fjalët e librit të ligjit, mbreti shqeu rrobat.» Por jo vetëm kaq. I udhëhequr nga Fjala e Perëndisë, Josia nisi një fushatë të vrullshme kundër idhujtarisë dhe organizoi një Pashkë si kurrë më parë. (2 Mbret. 22:11; 23:1-23) Ngaqë kishin si udhërrëfyese Fjalën e Perëndisë, Josia dhe udhëheqës të tjerë besnikë ishin të gatshëm ta ndryshonin e ta qartësonin drejtimin që i jepnin popullit të Perëndisë. Ato ndryshime ndihmuan që populli i lashtë i Perëndisë të ecte në harmoni me vullnetin e Tij.

13. Çfarë kontrasti ekzistonte mes udhëheqësve të popullit të Perëndisë dhe atyre të kombeve pagane?

13 Sa shumë ndryshonin ata mbretër besnikë nga udhëheqësit e kombeve të tjera, që drejtoheshin nga mençuria njerëzore dhe ndiqnin një strategji dritëshkurtër! Nën udhëheqjen kananite, populli bënte gjëra të pështira, që përfshinin incestin, homoseksualizmin, marrëdhëniet seksuale me kafshët, flijimin e fëmijëve dhe idhujtari të shëmtuar. (Lev. 18:6, 21-25) Veç kësaj, udhëheqësit e Babilonisë dhe të Egjiptit nuk ndiqnin rregullat e higjienës që i dha Perëndia Izraelit, të cilat kishin baza të forta shkencore. (Num. 19:13) Në kontrast me këtë, populli i lashtë i Perëndisë e shihte se si udhëheqësit e tij besnikë e nxitnin të ishte i pastër nga ana frymore, morale dhe fizike. Ishte e qartë se atyre u printe Jehovai.

14. Pse i disiplinoi Jehovai disa udhëheqës të popullit të tij?

14 Jo të gjithë mbretërit që qeverisnin popullin e lashtë të Perëndisë i ndiqnin udhëzimet e Tij. Ata që s’i bindeshin Jehovait refuzonin ta pranonin udhëheqjen e frymës së shenjtë të Perëndisë, të engjëjve të tij dhe të Fjalës së tij. Në disa raste, Jehovai i disiplinoi ose i zëvendësoi ata udhëheqës. (1 Sam. 13:13, 14) Kur erdhi koha që kishte caktuar ai vetë, emëroi dikë që do të qëndronte shumë më lart se çdo njeri që kishte përdorur gjer atëherë.

JEHOVAI EMËRON NJË UDHËHEQËS TË PËRSOSUR

15. (a) Si e treguan profetët se do të vinte një udhëheqës unik? (b) Kush ishte udhëheqësi i profetizuar?

15 Për shekuj të tërë, Jehovai profetizoi se do të emëronte për popullin e tij një udhëheqës me kualifikime unike. Moisiu u tha izraelitëve: «Jehovai, Perëndia juaj, do t’ju japë një profet si unë nga gjiri juaj, nga vëllezërit tuaj​—atë duhet të dëgjoni.» (Ligj. 18:15) Isaia paratha për Të se do të bëhej «udhëheqës dhe komandant». (Isa. 55:4) Po ashtu, Danieli shkroi nën frymëzim për ardhjen e ‘Mesisë, Udhëheqësit’. (Dan. 9:25) E si përfundim, Jezu Krishti e identifikoi veten si ‘Udhëheqësi’ i popullit të Perëndisë. (Lexo Mateun 23:10.) Dishepujt e tij e ndoqën me gatishmëri dhe thanë me bindje se ai ishte i zgjedhuri i Jehovait. (Gjoni 6:68, 69) Çfarë i bindi se Jezu Krishti ishte tamam ai nëpërmjet të cilit Jehovai po i printe popullit të tij?

16. Cilat prova tregonin se te Jezui vepronte fryma e shenjtë?

16 Te Jezui vepronte fryma e shenjtë. Kur Jezui u pagëzua, Gjon Pagëzori pa «qiejt të hapeshin dhe frymën të zbriste mbi të porsi një pëllumb». Pas kësaj, «fryma e shtyu që të shkonte në shkretëtirë». (Mar. 1:10-12) E më tej, gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë, fryma e shenjtë e Perëndisë i dha fuqi Jezuit të kryente mrekulli dhe të fliste me autoritet hyjnor. (Vep. 10:38) Veç kësaj, fryma e shenjtë prodhoi te Jezui një fryt të përsosur, që përfshinte dashurinë, gëzimin dhe besimin e pathyeshëm. (Gjoni 15:9; Hebr. 12:2) Asnjë udhëheqës tjetër nuk dha dëshmi të tilla bindëse. Pa dyshim, Jezui ishte i zgjedhuri i Jehovait.

Si e ndihmuan engjëjt Jezuin pak pas pagëzimit? (Shih paragrafin 17.)

17. Çfarë bënë engjëjt për të ndihmuar Jezuin?

17 Jezuin e ndihmonin engjëjt. Pak pasi Jezui u pagëzua, «erdhën engjëj dhe nisën t’i shërbenin». (Mat. 4:11) Disa orë para se të vdiste, «iu shfaq një engjëll nga qielli dhe e forcoi». (Luka 22:43) Jezui ishte i sigurt se Jehovai do të dërgonte engjëj për ta ndihmuar kurdo që t’i nevojitej ndihmë për të kryer vullnetin e Tij.​—Mat. 26:53.

18, 19. Si e udhëhiqte Fjala e Perëndisë Jezuin në jetën e tij dhe në atë që mësonte?

18 Jezuin e udhëhiqte Fjala e Perëndisë. Që në fillim të shërbimit të tij, Jezui lejoi ta drejtonin Shkrimet. (Mat. 4:4) Madje, bindja e tij ndaj Fjalës së Perëndisë arriti deri aty sa iu nënshtrua vdekjes në një shtyllë torture. Edhe në fjalët e fundit që tha para se të vdiste, ai përfshiu citime nga profecitë mesianike. (Mat. 27:46; Luka 23:46) Krejt ndryshe, udhëheqësit fetarë të asaj kohe e shpërfillnin Fjalën e Perëndisë sa herë që binte ndesh me traditat e tyre. Duke cituar fjalët që kishte thënë Jehovai nëpërmjet profetit Isaia, Jezui tha për ta: «Ky popull më nderon me buzë, e megjithatë zemra e tyre është larguar shumë nga unë. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.» (Mat. 15:7-9) A mund të zgjidhte vallë Jehovai ndonjë nga ata burra për të udhëhequr popullin e tij?!

19 Jezui lejoi që Fjala e Perëndisë ta udhëhiqte jo vetëm në atë që bënte, por edhe në atë që u mësonte të tjerëve. Përballë polemikave fetare, ai nuk bazohej as te mençuria e tij marramendëse, as te përvoja e pakrahasueshme që kishte. Përkundrazi, mbështeste Shkrimet si autoriteti absolut. (Mat. 22:33-40) E në vend që t’i dëfrente dëgjuesit me histori personale për jetën në qiell a për krijimin e universit, ai «ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve». (Luka 24:32, 45) Jezui e donte Fjalën e Perëndisë dhe vlonte nga dëshira që t’u fliste të tjerëve për të.

20. (a) Si e pranoi Jezui nënshtrimin e tij ndaj Perëndisë? (b) Ç’na mëson kontrasti mes Jezuit dhe Herod Agripës I për mënyrën si e zgjedh Jehovai një udhëheqës?

20 Edhe pse dëgjuesit e Jezuit mrekulloheshin me «fjalët plot hir» që thoshte, ai ia dha meritën Mësuesit të tij, Jehovait. (Luka 4:22) Kur një i pasur u përpoq t’i jepte lavdi Jezuit me titullin «Mësues i mirë», ai ia ktheu me modesti: «Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.» (Mar. 10:17, 18) Çfarë kontrasti me Herod Agripën I që u bë mbret, ose udhëheqës, i Judesë rreth tetë vjet më vonë! Në një pritje diplomatike, Herodi u vesh «me rrobat mbretërore». Turma e marrosur pas tij thërriste: «Zë perëndie, e jo njeriu!» Herodit do t’i jetë dukur ledhatues e i ëmbël ai lavdërim. Ç’ndodhi më pas? «Në çast, engjëlli i Jehovait e goditi, sepse nuk ia dha lavdinë Perëndisë. Ndërsa e brenin krimbat, ai dha frymë.» (Vep. 12:21-23) Pa dyshim, asnjë njeri që i shihte gjërat me sy objektiv nuk mund të nxirrte përfundimin se Herodin e kish zgjedhur Jehovai si udhëheqës. Nga ana tjetër, Jezui dha dëshmi të pakundërshtueshme se e kishte zgjedhur Perëndia, dhe ai i jepte lavdi pareshtur Jehovait si Udhëheqësi Suprem i popullit të tij.

21. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

21 Jehovai nuk kishte si qëllim që udhëheqja e Jezuit të zgjaste vetëm pak vjet. Pasi u ringjall, Jezui deklaroi: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë. . . . Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:18-20) Por, si krijesë e padukshme në qiell, në ç’mënyrë do ta udhëhiqte Jezui popullin e Perëndisë në tokë? Kë do të përdorte Jehovai që të punonte nën udhëheqjen e Krishtit dhe të merrte drejtimin mes popullit të Tij? Dhe si do të arrinin t’i dallonin të krishterët përfaqësuesit e tij? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.

^ par. 12 Ka të ngjarë që ky të ketë qenë dokumenti origjinal i shkruar nga Moisiu.