Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fryma jote vullnetare i dhëntë lavdi Jehovait!

Fryma jote vullnetare i dhëntë lavdi Jehovait!

«Meqë populli doli vullnetar, bekoni Jehovain!»​—GJYK. 5:2.

KËNGËT: 84, 75

1, 2. (a) Sipas Elifazit dhe Bildadit, si ndikon shërbimi ynë te Perëndia? (b) Si i bëri të qarta Jehovai ndjenjat e tij?

«Ç’I HYN në punë njeriu Perëndisë? Ç’i hyn në punë ai që ka gjykim të thellë? Ç’kënaqësi ka i Plotfuqishmi, edhe nëse ti je i drejtë? Ç’fiton ai, edhe nëse ti je i paqortueshëm në udhën tënde?» (Jobi 22:1-3) A e ke vrarë ndonjëherë mendjen për pyetje të tilla? Kur temaniti Elifaz ia bëri në fillim Jobit këto pyetje, pa dyshim që besonte se Perëndisë nuk i hyn në sy asgjë nga këto. Madje shoku i tij, shuahiti Bildad, argumentoi se është e pamundur që njerëzit të jenë të drejtë në sytë e Perëndisë.​—Lexo Jobin 25:4.

2 Këta ngushëllues të rremë pohuan se Jehovait nuk i hyjnë hiç në punë përpjekjet tona për t’i shërbyer me besnikëri, dhe se për Të ne nuk vlejmë më tepër se një molë, një vemje a një krimb. (Jobi 4:19; 25:6) Në pamje të parë, mund të duket sikur Elifazi dhe Bildadi shfaqën qëndrim të përulur. (Jobi 22:29) Në fund të fundit, nga maja e një mali të lartë ose nga dritarja e një avioni veprimet e njerëzve mund të duken të papërfillshme. Mirëpo, a është kjo mënyra si e sheh Jehovai kontributin tonë në veprën e Mbretërisë ndërsa vëzhgon Tokën nga këndvështrimi i tij tejet i lartë? Jehovai e bëri të qartë cilat ishin ndjenjat e tij kur qortoi Elifazin, Bildadin dhe Zofarin se thanë gënjeshtra, ndërkohë që gjeti kënaqësi te Jobi, duke e quajtur «shërbëtori im». (Jobi 42:7, 8) E pra, njeriu pa dyshim që ‘i hyn në punë Perëndisë’!

«ÇFARË I JEP TI ATIJ?»

3. Si u shpreh Elihu për përpjekjet tona në shërbim të Jehovait, dhe çfarë donte të thoshte?

3 Jehovai nuk e qortoi Elihun që pyeti: «Nëse vërtet je i drejtë, çfarë i jep ti atij [Perëndisë], ose ç’merr ai nga dora jote?» (Jobi 35:7) A donte të thoshte Elihu se përpjekjet tona në shërbim të Perëndisë janë të kota? Jo. Ai po thoshte se Jehovai nuk varet nga adhurimi ynë. Jehovai është i plotë, s’i mungon asgjë. Ne nuk e bëjmë dot më të pasur ose më të fuqishëm. Përkundrazi, çdo cilësi të mirë, talent ose pikë të fortë që kemi, na e ka dhënë Perëndia dhe ai vëren me vëmendje si e përdorim.

4. Me çfarë i krahason Jehovai veprat e mira që bëjmë për të tjerët?

4 Dashurinë besnike që tregohet ndaj shërbëtorëve të tij, Jehovai e sheh si të jetë shprehur ndaj atij vetë. Proverbat 19:17 thotë: «Kush i jep hir të varfrit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë.» A tregon ky shkrim se Jehovai i kushton vëmendje çdo vepre të mirë ndaj «të varfrit», pra ndaj dikujt që është në nevojë? A mund të nxjerrim përfundimin se Krijuesi i universit e quan veten borxhli ndaj njerëzve që u tregojnë mëshirë të tjerëve dhe se i sheh këto vepra si borxhe që i shpërblen me bekime dhe me miratimin e tij? Po. Madje këtë e konfirmoi edhe Biri i Perëndisë.​—Lexo Lukën 14:13, 14.

5. Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?

5 Jehovai e ftoi profetin Isaia të fliste në emër të Tij. Me këtë tregoi se gjen kënaqësi kur përdor njerëz besnikë që të luajnë një rol në plotësimin e qëllimit të Tij. (Isa. 6:8-10) Isaia e pranoi me gatishmëri këtë ftesë. Sot, mijëra veta po shfaqin frymën që tregoi ai kur tha «Ja ku jam! Më dërgo mua!» dhe po pranojnë caktime sfiduese në shërbim të Jehovait. Gjithsesi, ndoshta pyesim veten: «A kanë vërtet rëndësi përpjekjet që bëj unë? Vërtet, Jehovai është dashamirës që më lejon të dal vullnetar e të marr pjesë në veprën e tij. Por, a nuk do të sigurojë ai çfarëdo gjëje që duhet për t’u plotësuar Fjala e tij, pavarësisht sa vendos të bëj unë në shërbim të tij?» Të shohim si u përgjigjen këtyre pyetjeve ngjarjet që u zhvilluan në kohën e Deborës dhe Barakut.

TË PARALIZUAR NGA FRIKA, POR TË FORCUAR NGA PERËNDIA

6. Çfarë kontrasti ekzistonte mes izraelitëve që banonin në fshatra dhe ushtrisë së Jabinit?

Mbreti kananit Jabin i kishte «shtypur me ashpërsi» izraelitët për 20 vjet. Ata që banonin në fshatra kishin frikë madje të dilnin përjashta. Nga ana ushtarake, ishin të keqarmatosur, pasi nuk kishin as armë për të sulmuar as armaturë mbrojtëse, kurse armiqtë e tyre kishin 900 karroca lufte me kosa të hekurta.​—Gjyk. 4:1-3, 13; 5:6-8. *

7, 8. (a) Çfarë udhëzimesh i dha në fillim Jehovai Barakut? (b) Si e mposhti Izraeli ushtrinë e Jabinit? (Shih figurën hapëse.)

7 Megjithatë, nëpërmjet profeteshës Debora, Jehovai i dha Barakut këtë urdhër të qartë: «Shkoni e shpërndahuni në malin e Taborit. Merr me vete dhjetë mijë burra nga bijtë e Neftalit dhe nga bijtë e Zabulonit. Në luginën e përroit të Kishonit unë do të të nxjerr para Siserën, kreun e ushtrisë së Jabinit me karrocat e tij të luftës dhe me turmën e tij e do të ta jap në dorë.»​—Gjyk. 4:4-7.

8 Fjala mori dhenë. Vullnetarët u mblodhën në malin Tabor. Baraku i zbatoi pa humbur kohë udhëzimet e Jehovait. (Lexo Gjykatësit 4:14-16.) Gjatë betejës kryesore në Tanak, një rrebesh i beftë e ktheu në moçalishte zonën përreth. Baraku e ndoqi ushtrinë e Siserës deri në Haroshet, 24 kilometra larg. Diku gjatë rrugës, Sisera e braktisi karrocën e tij dikur të frikshme, por tani të pavlerë, dhe ia mbathi për në Zananim, që mbase ndodhej afër Kedeshit. Ai kërkoi strehë në tendën e Jaelës, gruas së kenitit Heber, dhe e mikpriti vetë Jaela. I sfilitur nga beteja, Siserën e zuri gjumi. Kështu u gjend i pambrojtur para veprimit guximtar e të vendosur të Jaelës që e vrau. (Gjyk. 4:17-21) Armiku i Izraelit u shpartallua! *

KONTRASTE NË QËNDRIMIN NDAJ SHËRBIMIT VULLNETAR

9. Çfarë hollësish jepen te Gjykatësit 5:20, 21 për betejën kundër Siserës?

9 Kapitujt 4 dhe 5 të Gjykatësve duhen studiuar së bashku, pasi secili zbulon hollësi që nuk gjenden te tjetri. Për shembull, te Gjykatësit 5:20, 21 thuhet: «Nga qielli luftuan yjet, luftuan kundër Siserës nga orbitat e tyre. Përroi i Kishonit i mori me vete.» A bëhet fjalë këtu për ndihmën e engjëjve apo mos ishte ndonjë shi meteorësh? Bibla nuk jep hollësi. Por, ç’gjë tjetër përveç ndërhyrjes hyjnore mund të ishte shkaku i shirave aq të rrëmbyer tamam në atë vend dhe fiks në atë moment, sa të përmbytnin 900 karroca lufte? Në fakt, te Gjykatësit 4:14, 15 fitorja i atribuohet tri herë Jehovait. Asnjë nga 10.000 vullnetarët izraelitë s’mund të mburrej se solli atë çlirim.

10, 11. Çfarë ishte ‘Merozi’, dhe pse u mallkua?

10 Por çuditërisht, në mes të këngës së fitores ku po lëvdonin Jehovain që u dha fitoren me një mrekulli, Debora dhe Baraku kënduan: «‘Mallkoni Merozin,​—tha engjëlli i Jehovait,—​mallkoni pareshtur banorët e tij, sepse nuk i erdhën në ndihmë Jehovait, nuk i erdhën në ndihmë Jehovait me të fuqishmit.’»​—Gjyk. 5:23.

11 Me sa duket, mallkimi kundër Merozit ishte aq i efektshëm, sa tani zor të thuhet me saktësi se çfarë ishte Merozi. Mos ishte një qytet, banorët e të cilit nuk dolën vullnetarë bashkë me ata që u mblodhën në fillim? Nëse ndodhej në rrugën nga ia mbathi Sisera, mos ndoshta banorët e tij patën mundësi ta pengonin, por nuk e shfrytëzuan rastin? A është e mundur të mos kishin dëgjuar gjë se Jehovai bëri thirrje për vullnetarë? Nga rajoni i tyre ishin mobilizuar dhjetë mijë veta për atë sulm. Ose imagjino banorët e Merozit tek shihnin atë luftëtar të pashpirt ndërsa vraponte mes për mes rrugëve të tyre i vetëm dhe i dëshpëruar. Kjo do të kishte qenë një mundësi e shkëlqyer që të përkrahnin qëllimin e Jehovait dhe të shijonin bekimin e tij. Por në atë moment kritik kur kishin në dorë të zgjidhnin nëse do të bënin diçka apo do të rrinin duarkryq, mos ndoshta ranë në indiferentizëm? Çfarë kontrasti do të kish qenë kjo me veprimin e guximshëm të Jaelës që përmendet fill në vargjet vijuese!​—Gjyk. 5:24-27.

12. Cili kontrast në qëndrime vihet re te Gjykatësit 5:9, 10, dhe si duhet të ndikojë kjo te ne sot?

12 Te Gjykatësit 5:9, 10 vërejmë një kontrast tjetër mes qëndrimit të atyre që marshuan me Barakun dhe qëndrimit të atyre që s’e bënë këtë. Debora dhe Baraku i lavdëruan «komandantët e Izraelit, që dolën vullnetarë mes popullit». Sa shumë ndryshonin nga ata që ‘shkonin hipur mbi gomarica kuqaloshe’ dhe ishin tepër krenarë për të marrë pjesë në betejë e nga ata që ‘uleshin mbi qilima luksozë’, të dashuruar pas një jete plot lukse! Krejt ndryshe nga ata që ‘shkonin rrugës’ dhe preferonin udhën e lehtë, ata që shkuan me Barakun ishin të gatshëm të luftonin në shpatet shkëmbore të Taborit dhe në luginën moçalore të Kishonit! Të gjithë atyre që rendnin pas kënaqësive, iu bë thirrja: «Mendoni!» Po, ata duhej të meditonin për mundësitë që u ikën nga duart duke mos ndihmuar në veprën e Jehovait. Këtë duhet të bëjë sot kushdo që frenohet ose ngurron t’i shërbejë plotësisht Perëndisë.

13. Si ndryshonte qëndrimi i fiseve të Rubenit, Danit dhe Asherit nga qëndrimi i Zabulonit dhe Neftalit?

13 Të gjithë vullnetarët e panë me sytë e tyre se si e madhëron Jehovai sovranitetin e tij. Ata kishin diçka domethënëse për të thënë ndërsa «tregonin veprat e drejta të Jehovait». (Gjyk. 5:11) Nga ana tjetër, fiset e Rubenit, të Danit dhe të Asherit u përmendën secili me emër te Gjykatësit 5:15-17 ngaqë u kushtonin më shumë rëndësi gjërave materiale​—si për shembull kopeve, anijeve dhe limaneve—​sesa veprës që po bëhej sipas urdhërimit të Jehovait. Në kontrast me ta, Zabuloni dhe Neftali ‘vunë në rrezik veten deri në vdekje’ për të mbështetur Deborën dhe Barakun. (Gjyk. 5:18) Ky kontrast në qëndrimin kundrejt shërbimit vullnetar na përcjell një mësim të rëndësishëm neve sot.

«BEKONI JEHOVAIN!»

14. Si e tregojmë sot se përkrahim sovranitetin e Jehovait?

14 Sot nuk na kërkohet të marrim pjesë në një luftë të mirëfilltë, ama kemi privilegjin të tregojmë guxim duke kryer me zell veprën e predikimit. Në organizatën e Jehovait ka nevojë më shumë se kurrë për vullnetarë. Miliona vëllezër, motra dhe të rinj ofrohen të shërbejnë në forma të ndryshme të shërbimit të plotkohor si pionierë, bethelitë, vullnetarë për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, dhe dalin vullnetarë për të ndihmuar në asamble e kongrese. Mendo edhe për pleqtë e kongregacionit që mbajnë përgjegjësi me peshë në Komitetet e Lidhjes me Spitalet dhe në organizimin e kongreseve. Mos ki pikë dyshimi se Jehovai e çmon thellësisht frymën e gatishmërisë që tregon ti dhe nuk do ta harrojë.​—Hebr. 6:10.

Para se të marrësh një vendim, mendo si do të ndikojë ai te familja jote dhe te kongregacioni (Shih paragrafin 15.)

15. Si mund ta dallojmë nëse po zhvillojmë qëndrim indiferent ndaj veprës së Jehovait?

15 Secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: «A ndihem rehat duke lënë që ta mbajnë të tjerët barrën më të madhe të punës? A po lejoj që vëmendja e tepruar ndaj gjërave materiale të më bëhet pengesë për frymën vullnetare? Ashtu si Baraku, Debora, Jaela dhe 10.000 vullnetarët, a kam besimin dhe guximin që të shfrytëzoj gjithë sa kam në dorë për të zbatuar urdhrin e qartë të Jehovait? Nëse po bluaj në mend të transferohem në një qytet a shtet tjetër ngaqë mendoj se do të kem leverdi ekonomike, a e shqyrtoj mirë në lutje si do të ndikojë kjo te familja ime dhe te kongregacioni?» *

16. Edhe pse Jehovai ka gjithçka, çfarë mund t’i japim?

16 Jehovai na vesh me dinjitet duke na dhënë mundësi të bëjmë pjesën tonë për të përkrahur sovranitetin e tij. Në fillim Djalli i joshi njerëzit të mbështetnin sovranitetin e tij si rival, prandaj, kur merr anën e sovranitetit të Jehovait, po i jep Satanait një mesazh ushtues e të qartë. Besimi dhe integriteti që të motivojnë të kesh një frymë vullnetare e kënaqin Jehovain. (Prov. 23:15, 16) Mbështetjen që tregon ti, Ai e përdor për t’iu përgjigjur Satanait që e sfidon. (Prov. 27:11) Kështu, duke u bindur me besnikëri, është sikur i jep Jehovait diçka që është e çmuar për të, dhe kjo ia mbush zemrën me gëzim.

17. Çfarë tregon Gjykatësit 5:31 për të ardhmen?

17 Së shpejti toka do të jetë plot me njerëz që preferojnë sovranitetin e Jehovait mbi çdo sovranitet tjetër. Sa na digjet zemra për atë ditë! Bashkë me Deborën dhe Barakun, ne këndojmë: «Vdekshin të gjithë armiqtë e tu, o Jehova! Ata që të duan qofshin si dielli kur lind me tërë forcën e tij!» (Gjyk. 5:31) Kjo kërkesë do të marrë përgjigje kur Jehovai t’i japë fund botës së ligë të Satanait. Kur të nisë beteja e Harmagedonit, nuk do të ketë nevojë për njerëz që të dalin vullnetarë për të shpartalluar armikun. Ajo do të jetë koha që ne ‘të rrimë pa lëvizur dhe të shohim se si do të na shpëtojë Jehovai’. (2 Kron. 20:17) Por ndërkohë, kemi plot mundësi që të përkrahim veprën e Jehovait me guxim dhe zell.

18. Si ndikon shërbimi yt vullnetar tek ata që nxjerrin dobi prej tij?

18 «Meqë populli doli vullnetar, bekoni Jehovain [jepini lavdi Jehovait]!» Pra, Debora dhe Baraku e hapën këngën e fitores me lëvdime që i drejtoheshin Më të Lartit, jo njerëzve. (Gjyk. 5:1, 2) Urojmë që edhe fryma jote vullnetare t’i nxitë të gjithë ata që nxjerrin dobi prej saj ‘t’i japin lavdi Jehovait’!

^ par. 6 Këto kosa me teh të mprehtë, të gjatë dhe ndonjëherë të lakuar dilnin anash karrocave, ndoshta nga boshti i tyre. E kush do të guxonte t’i afrohej kësaj makine lufte që të kallte frikën?

^ par. 8 Hollësi të tjera për këtë tregim emocionues gjenden në Kullën e Rojës të 1 gushtit 2015 në artikullin «‘U ngrita si nënë në Izrael’».

^ par. 15 Shih artikullin «Ankthi për paratë» në Kullën e Rojës të 1 korrikut 2015.