Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndihmojmë «të ardhurit» që ‘t’i shërbejnë Jehovait me gëzim’

Të ndihmojmë «të ardhurit» që ‘t’i shërbejnë Jehovait me gëzim’

«Jehovai i mbron të ardhurit.»​—PSAL. 146:9.

KËNGËT: 17, 109

1, 2. (a) Cilat sprova hasin disa vëllezër e motra? (b) Cilat pyetje lindin?

«KUR nisi lufta civile në Burundi, familja jonë ishte në asamble,​—tregon një vëlla që quhet Lixhi.—​Shihnim njerëz që vraponin e shtinin me armë. Për të shpëtuar kokën, prindërit dhe ne 11 fëmijët ia mbathëm thuajse vetëm me rrobat e trupit. Disa nga familjarët e mi ia dolën të shkonin në një kamp refugjatësh në Malavi, që ndodhej më shumë se 1.600 kilometra larg. Kurse ne të tjerët u shpërndamë andej-këtej.»

2 Sot në mbarë botën, numri i refugjatëve që kanë ikur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës ose përndjekjes shkon në mbi 65.000.000​—numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë. * Mes tyre janë mijëra Dëshmitarë të Jehovait. Shumë kanë humbur njerëz të dashur dhe pothuajse gjithë gjërat që zotëronin. Çfarë vështirësish të tjera kanë hasur disa? Si mund t’i ndihmojmë këta vëllezër e motra që ‘t’i shërbejnë Jehovait me gëzim’ pavarësisht nga sprovat? (Psal. 100:2) Veç kësaj, si mund t’ua predikojmë me efektshmëri lajmin e mirë refugjatëve që s’e njohin ende Jehovain?

JETA E NJË REFUGJATI

3. Si u bënë refugjatë Jezui dhe shumë dishepuj të tij?

3 Pasi engjëlli i Jehovait e paralajmëroi Jozefin se mbreti Herod kishte ndër mend ta vriste Jezuin, Jezui i vogël dhe prindërit e tij u bënë refugjatë në Egjipt. Qëndruan atje derisa Herodi vdiq. (Mat. 2:13, 14, 19-21) Dekada më vonë, dishepujt e hershëm të Jezuit «u shpërndanë në mbarë viset e Judesë dhe të Samarisë» për shkak të përndjekjes. (Vep. 8:1) Jezui kishte parathënë se shumë dishepuj të tij do t’i dëbonin nga shtëpitë. Ai tha: «Kur t’ju përndjekin në një qytet, ikni te një tjetër.» (Mat. 10:23) Të ikësh nga shtëpia​—për çfarëdo arsye qoftë—​nuk është thuajse kurrë e lehtë.

4, 5. Cilat rreziqe hasin refugjatët (a) ndërsa ikin nga shtëpia? (b) ndërsa jetojnë në kamp?

4 Refugjatët mund të hasin rreziqe ndërsa ikin nga shtëpia a ndërsa jetojnë në një kamp refugjatësh. Gadi, vëllai i vogël i Lixhit, kujton: «Ecëm për javë të tëra duke kaluar qindra kufoma. Unë isha 12 vjeç. M’u ënjtën aq shumë këmbët sa i thashë familjes të vazhdonin rrugën pa mua. Por im atë, që as e çonte nëpër mend të më braktiste në duart e rebelëve, më mbajti gjatë rrugës. Mbijetuam dita-ditës, duke iu lutur Jehovait e duke u mbështetur me besim tek ai. Ndonjëherë ushqimi ynë ishin vetëm mangot që rriteshin përgjatë rrugës.»​—Filip. 4:12, 13.

5 Si përfundim, shumica e familjarëve të Lixhit kaluan vite të tëra në kampet e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara. Por nuk ishin të sigurt atje. Lixhi, që tani shërben si mbikëqyrës qarkor, tregon: «Shumica ishin të papunë. Merreshin me thashetheme, pinin, luanin bixhoz, vidhnin dhe ishin imoralë.» Që t’u rezistonin ndikimeve të këqija, Dëshmitarët në kampe duhej të zhyteshin plotësisht në aktivitetet e kongregacionit. (Hebr. 6:11, 12; 10:24, 25) Që ta mbanin të fortë marrëdhënien me Jehovain, e përdornin kohën me mençuri, dhe shumë prej tyre shërbenin si pionierë. Mbanin një qëndrim pozitiv duke sjellë ndër mend se, ashtu si udhëtimi i Izraelit në shkretëtirë, edhe qëndrimi i tyre në kamp do të merrte fund një ditë.​—2 Kor. 4:18.

T’U TREGOJMË DASHURI REFUGJATËVE

6, 7. (a) Ç’na motivon të bëjmë «dashuria e Perëndisë» kundrejt vëllezërve në nevojë? (b) Përmendni një shembull.

6 «Dashuria e Perëndisë» na motivon të tregojmë dashuri për të tjerët, sidomos kur janë në pikë të hallit. (Lexo 1 Gjonit 3:17, 18.) Në shekullin e parë kur të krishterët në Jude i kërcënoi një zi buke, kongregacioni u organizua që t’i ndihmonte. (Vep. 11:28, 29) Gjithashtu, apostujt Pavël dhe Pjetër u bënë thirrje të krishterëve të ishin mikpritës me njëri-tjetrin. (Rom. 12:13; 1 Pjet. 4:9) Nëse duhet të mikpresim vëllezërit që na vijnë për vizitë, sa më shumë duhet të mikpresim bashkëbesimtarët që e kanë jetën në rrezik dhe që i kanë përndjekur për shkak të besimit!​—Lexo Proverbat 3:27. *

7 Kohët e fundit, mijëra Dëshmitarëve të Jehovait​—burra, gra e fëmijë—​iu desh të shpërnguleshin për shkak të konflikteve dhe përndjekjes në Ukrainën Lindore. Mjerisht, disa i vranë. Por shumicën i pritën derëhapur Dëshmitarët në pjesë të tjera të Ukrainës dhe shumë të tjerë i strehuan bashkëbesimtarët në Rusi. Në të dyja këto shtete, ata qëndrojnë asnjanës në çështjet politike, pasi nuk janë «pjesë e botës», dhe vazhdojnë plot zell ‘të shpallin lajmin e mirë të fjalës’.—Gjoni 15:19; Vep. 8:4.

T’I NDIHMOJMË REFUGJATËT TË FORCOJNË BESIMIN

8, 9. (a) Çfarë vështirësish mund të hasin refugjatët në një shtet tjetër? (b) Pse kanë nevojë që t’i ndihmojmë me durim?

8 Ndërkohë që disa shpërngulen brenda vendit të tyre, shumë të tjerë përfundojnë në një ambient krejt të panjohur në një shtet tjetër. Edhe pse qeveritë mund të sigurojnë në njëfarë mase ushqime, rroba e strehim, refugjatëve mund t’u mungojnë ushqimet me të cilat janë mësuar. Ata që vijnë nga vende të ngrohta, mund të përballen për herë të parë në jetë me klimën e ftohtë dhe mbase nuk dinë si të vishen. Nëse kanë jetuar në fshat, mund të mos dinë si t’i përdorin pajisjet shtëpiake moderne.

9 Disa qeveri kanë programe për t’i ndihmuar refugjatët të përshtaten me rrethanat e reja. Mirëpo, shpesh pritet që brenda ca muajve refugjatët të mbajnë veten ekonomikisht. Ky proces tranzicioni mund t’u duket mbytës. Imagjino të përpiqesh të mësosh një gjuhë të re dhe të përshtatesh me ligje të reja e me norma të tjera për sa i përket mirësjelljes, përpikërisë, taksave, pagimit të faturave, shkollimit dhe disiplinimit të fëmijëve​—e të gjitha këto njëherësh! A mund t’i ndihmosh me durim e respekt vëllezërit e motrat që hasin vështirësi të tilla?​—Filip. 2:3, 4.

10. Si mund t’ua forcojmë besimin refugjatëve të sapoardhur? (Shih figurën hapëse.)

10 Veç kësaj, ndonjëherë autoritetet ua kanë bërë të vështirë vëllezërve tanë refugjatë të lidhen me kongregacionin. Disa agjenci i kanë kërcënuar se do t’u ndërpresin asistencën ose nuk do t’u japin azil nëse nuk pranojnë një punë që nuk i lejon të ndjekin mbledhjet. Ngaqë janë ndier të frikësuar e të pambrojtur, disa vëllezër janë dorëzuar para presioneve të tilla. Prandaj, është urgjente që t’i takojmë vëllezërit refugjatë sa më shpejt të jetë e mundur pasi mbërrijnë. Ata kanë nevojë të shohin se merakosemi për ta. Dhembshuria dhe ndihma jonë praktike mund t’ua forcojë besimin.​—Prov. 12:25; 17:17.

T’U JAPIM NDIHMË PRAKTIKE REFUGJATËVE

11. (a) Për çfarë kanë nevojë refugjatët në fillim? (b) Si mund të shfaqin mirënjohje refugjatët?

11 Në fillim, mbase duhet t’u sigurojmë vëllezërve tanë ushqim, veshje ose nevoja të tjera bazë. * Edhe gjeste të vogla, si për shembull t’i japim një vëllai një kollare, kanë shumë peshë. E kur refugjatët shfaqin mirënjohje, pa pretenduar kurrë ndonjë gjë, i ndihmojnë mikpritësit të ndiejnë gëzimin që vjen kur jep. Kuptohet, po të jetojnë pafundësisht vetëm falë bujarisë së të tjerëve, kjo mund t’u gërryejë refugjatëve respektin për veten dhe mund të dëmtojë marrëdhënien e tyre me vëllezërit. (2 Sel. 3:7-10) Gjithsesi, ata kanë vërtet nevojë për ndihmë praktike.

Si mund t’i ndihmojmë motrat e vëllezërit tanë që janë refugjatë? (Shih paragrafët 11-13.)

12, 13. (a) Si mund t’u japim ndihmë praktike refugjatëve? (b) Përmendni një shembull.

12 Për t’u dhënë ndihmë praktike refugjatëve nuk duhet një mal me para; duhen kryesisht koha dhe meraku ynë. Mund të jenë gjëra aq të thjeshta sa t’u tregojmë, për shembull, si të përdorin transportin publik, si e ku të blejnë ushqime të shëndetshme e jo të shtrenjta ose si të sigurojnë mjete a pajisje për të fituar disa të ardhura. Ç’është më e rëndësishmja, mund t’i ndihmoni të përfshihen plotësisht në kongregacionin e ri. Po të jetë e mundur, ofroni t’i shoqëroni për në mbledhje. Gjithashtu, shpjegojuni si mund t’ua predikojnë mesazhin e Mbretërisë njerëzve në territorin tuaj. Merrini me vete në shërbim motrat e vëllezërit refugjatë.

13 Kur katër adoleshentë refugjatë shkuan në një kongregacion, pleq të ndryshëm u mësuan të ngitnin makinën, të shtypnin në tastierë, të përpilonin CV për punë, si edhe ta programonin kohën që t’i shërbenin Jehovait plotësisht. (Gal. 6:10) Pa kaluar shumë, të katër djemtë u bënë pionierë. Ajo stërvitje, bashkë me përpjekjet e tyre për të ndjekur synime në shërbim të Jehovait, i ndihmoi të lulëzonin në të vërtetën dhe të mos i përpinte sistemi i Satanait.

14. (a) Cilit tundim duhet t’i bëjnë ballë refugjatët? (b) Përmendni një shembull.

14 Si gjithë shërbëtorët e Perëndisë, edhe refugjatët duhet t’i bëjnë ballë tundimit dhe presionit që të sigurojnë gjëra materiale duke komprometuar marrëdhënien me Jehovain. * Lixhi, i përmendur më sipër, dhe vëllezërit e motrat e tij kujtojnë se edhe kur po largoheshin nga shtëpia, i ati u dha disa mësime për besimin. Ai thotë: «Babai i hodhi një e nga një ato pak gjëra jo të domosdoshme që mbanim. Në fund, ngriti çantën bosh dhe tha me një buzëqeshje: ‘E shihni? S’ju duhet më shumë se kaq!’»​—Lexo 1 Timoteut 6:8.

T’U PLOTËSOJMË REFUGJATËVE NEVOJAT MË TË MËDHA

15, 16. Si mund t’i ndihmojmë refugjatët (a) të mbajnë një marrëdhënie të ngrohtë me Jehovain? (b) të ndihen mirë nga ana emocionale?

15 Më shumë se për ndihmë materiale, refugjatët kanë nevojë t’i ndihmojmë të mbajnë një marrëdhënie të ngrohtë me Jehovain dhe t’i mbështetim nga ana emocionale. (Mat. 4:4) Pleqtë mund t’u sigurojnë refugjatëve literaturë në gjuhën amtare dhe mund t’i ndihmojnë të lidhen me vëllezër që flasin gjuhën e tyre. Shumë refugjatë janë shkëputur nga familjet e tyre të mëdha, nga komuniteti dhe nga kongregacioni ku gëzonin lidhje të ngushta. Ata kanë nevojë ta ndiejnë dashurinë dhe dhembshurinë e Jehovait mes bashkëbesimtarëve. Përndryshe mund t’i tërheqë shoqëria me të afërmit e me bashkatdhetarët jobesimtarë me të cilët kanë kulturë e përvoja të përbashkëta. (1 Kor. 15:33) Duke i bërë të ndihen plotësisht të pranuar në gjirin e kongregacionit, kemi privilegjin të bashkëpunojmë me Jehovain që «i mbron të ardhurit».​—Psal. 146:9.

16 Siç ndodhi me Jezuin dhe familjen e tij, edhe refugjatët mund të mos kenë mundësi të kthehen në vendlindje për sa kohë ta kenë pushtetin ata që i shtypin. Veç kësaj, siç vëren Lixhi, «shumë prindërve që kanë parë familjarët e tyre të përdhunohen e të vriten s’ua bën zemra t’i kthejnë fëmijët atje ku kanë ndodhur këto tragjedi». Për t’i ndihmuar ata që kanë përjetuar trauma të tilla, vëllezërit në vendet ku shkojnë refugjatët duhet të kenë ‘ndjenja të përbashkëta, përzemërsi vëllazërore, zemërdhembshuri e mendje të përulur’. (1 Pjet. 3:8) Përndjekja ka bërë që disa refugjatë të mbyllen në vetvete, dhe mund t’u vijë zor të flasin për vuajtjet e tyre, sidomos në sy të fëmijëve. Pyet veten: «Po të isha në vend të tyre, si do të doja të më trajtonin?»​—Mat. 7:12.

T’U PREDIKOJMË REFUGJATËVE QË S’JANË DËSHMITARË

17. Si u sjell lehtësim refugjatëve vepra jonë e predikimit?

17 Sot shumë refugjatë vijnë nga vende ku vepra jonë e predikimit është e kufizuar. Falë Dëshmitarëve të zellshëm në vendet që pranojnë refugjatë, mijëra refugjatë po e dëgjojnë për herë të parë «fjalën e mbretërisë». (Mat. 13:19, 23) Shumë veta që janë «të ngarkuar» gjejnë freskim e u forcohet besimi te Perëndia në mbledhjet tona dhe e pranojnë shpejt se ‘Perëndia është vërtet mes nesh’.​—Mat. 11:28-30; 1 Kor. 14:25.

18, 19. Si mund të shfaqim mençuri kur u predikojmë refugjatëve?

18 Ata që u predikojnë refugjatëve duhet të jenë «të kujdesshëm», e madje «mendjehollë». (Mat. 10:16; Prov. 22:3) Dëgjoji me durim shqetësimet që kanë, por mos diskuto për politikë. Ndiq udhëzimet e zyrës së degës dhe të autoriteteve të vendit; mos e vër kurrë veten ose të tjerët në rrezik. Mëso dhe respekto ndjenjat dhe qëndrimin e refugjatëve ndaj çështjeve fetare e kulturore. Për shembull, njerëzit nga disa vende kanë opinione të forta lidhur me veshjen e përshtatshme për gratë. Prandaj, kur u predikon refugjatëve vishu në një mënyrë që nuk i ofendon.

19 Ashtu si samaritani i mirë në ilustrimin e Jezuit, duam t’i ndihmojmë njerëzit që vuajnë, përfshirë edhe ata që s’janë Dëshmitarë. (Luka 10:33-37) Mënyra më e shkëlqyer për ta bërë këtë është t’u japim lajmin e mirë. Një plak kongregacioni që ka ndihmuar shumë refugjatë vëren: «Është e rëndësishme ta bëjmë të qartë që në fillim se jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe se misioni ynë kryesor është t’i ndihmojmë për besimin te Perëndia, jo për anën materiale. Përndryshe, disa mund të shoqërohen me ne vetëm për të pasur leverdi.»

REZULTATE TË GËZUESHME

20, 21. (a) Ç’të mira vijnë kur u tregojmë dashuri të krishterë refugjatëve? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Dashuria e krishterë që tregojmë për «të ardhurit» sjell fryte të mira. Një motër tregonte se familja e saj iku nga Eritreja për shkak të përndjekjes. Pas tetë ditësh udhëtimi rraskapitës nëpër shkretëtirë, katër nga fëmijët e saj mbërritën në Sudan. Ajo thoshte: «Vëllezërit atje i trajtuan si të afërm të ngushtë dhe u siguruan ushqim, veshje, strehim dhe transport. Kush tjetër vallë do të mirëpriste në shtëpinë e vet të panjohur thjesht ngaqë adhurojnë të njëjtin Perëndi? Vetëm Dëshmitarët e Jehovait!»​—Lexo Gjonin 13:35.

21 Ç’të themi për gjithë ata fëmijë që vijnë me prindërit e tyre, qofshin refugjatë a emigrantë? Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund t’i ndihmojmë të gjithë ne që t’i shërbejnë Jehovait me gëzim.

^ par. 2 Në këtë artikull, termi «refugjatë» përdoret për ata që për shkak të konflikteve të armatosura, përndjekjes ose katastrofave janë shpërngulur​—qoftë përtej kufijve kombëtarë, qoftë brenda vendit të tyre. Sipas UNHCR-së (Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët), sot «1 në 113 njerëz» në mbarë botën janë «shpërngulur me forcë».

^ par. 6 Shih artikullin «Mos harro dashamirësinë ndaj të huajve» në Kullën e Rojës të tetorit 2016, f. 8-12.

^ par. 11 Sa më shpejt të jetë e mundur pasi një refugjat mbërrin në vend, pleqtë duhet të ndjekin drejtimin që jepet në librin Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, kapitulli 8, paragrafi 30. Pleqtë mund të kontaktojnë me kongregacionet në vende të tjera duke dërguar korrespondencë në degën përkatëse me anë të sitit jw.org. Ndërkohë, mund të pyesin me maturi për kongregacionin dhe shërbimin e një refugjati që të kuptojnë në çfarë gjendje është besimi i tij.

^ par. 14 Shih artikujt «Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve» dhe «Ki shumë guxim—Jehovai është ai që të ndihmon!» në Kullën e Rojës të 15 prillit 2014, f. 17-26.