Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbaje zemrën te thesaret nga Jehovai

Mbaje zemrën te thesaret nga Jehovai

«Ku të jetë thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.»​—LUKA 12:34.

KËNGËT: 76, 59

1, 2. (a) Cilat janë tri thesare që na ka dhënë Jehovai? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

JEHOVAI është Personi më i pasur në univers. (1 Kron. 29:11, 12) Si një Atë bujar, ai u jep dorëhapur nga pasuritë e tij frymore të gjithë atyre që e dallojnë çfarë vlere të pashoqe kanë. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka dhënë këto thesare, ku përfshihen: (1) Mbretëria e Perëndisë, (2) shërbimi ynë jetëshpëtues dhe (3) të vërtetat e vyera që përmban Fjala e tij. Veçse, po të mos bëjmë kujdes, mund ta humbim çmueshmërinë për këto thesare dhe, si të thuash, t’i flakim tej. Që t’i ruajmë si dritën e syve, duhet t’i përdorim mirë këto thesare dhe duhet ta përtërijmë vazhdimisht dashurinë për to. Jezui tha: «Ku të jetë thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.»​—Luka 12:34.

2 Le të shohim si ta ushqejmë dhe ta ruajmë dashurinë e çmueshmërinë për Mbretërinë, për shërbimin dhe për të vërtetën. Teksa bëjmë këtë, medito si mund ta thellosh ti personalisht dashurinë për këto thesare nga Jehovai.

MBRETËRIA E PERËNDISË​—NJË MARGARITAR I VYER

3. Çfarë ishte i gatshëm të bënte tregtari në ilustrimin e Jezuit për të fituar margaritarin e vyer? (Shih figurën hapëse.)

3 Lexo Mateun 13:45, 46. Jezui bëri një ilustrim për një tregtar që kërkonte margaritarë. Doemos që ndër vite tregtari kishte blerë e shitur me qindra margaritarë. Ama tani kishte gjetur këtë margaritar kaq mahnitës, sa mjaftonte ta shihte dhe i hovte zemra nga gëzimi. Për ta blerë atë, ishte i gatshëm të shiste gjithçka që zotëronte. A e imagjinon dot sa i çmuar ishte për të ai margaritar?

4. Ç’do të bëjmë, nëse e duam Mbretërinë e Perëndisë aq sa ç’e donte tregtari margaritarin?

4 Ç’mësim nxjerrim nga kjo? E vërteta për Mbretërinë e Perëndisë është si ai margaritar i vyer. Nëse e duam aq sa ç’e donte tregtari margaritarin, do të jemi të gatshëm të heqim dorë nga çdo gjë për t’u bërë nënshtetas të Mbretërisë e për të mbetur të tillë. (Lexo Markun 10:28-30.) Të shohim shembullin e dy njerëzve që bënë tamam kështu.

5. Si e tregoi Zakeu vendosmërinë për të fituar Mbretërinë e Perëndisë?

5 Zakeu ishte një kryetaksambledhës që kish vënë pasuri duke zhvatur para. (Luka 19:1-9) Megjithatë, kur dëgjoi Jezuin të predikonte për Mbretërinë, ai njeri i padrejtë e dalloi vlerën e pashoqe të asaj që dëgjoi dhe veproi pa një pa dy. Zakeu tha i vendosur: «Zotëri, gjysmën e atyre që zotëroj, po ua jap të varfërve dhe çfarë t’i kem zhvatur ndokujt me anë të padive të rreme, po ia kthej katërfish.» Ai hoqi dorë me kënaqësi nga pasuria e vënë pandershmërisht dhe e flaku tej lakminë për gjëra materiale.

6. Çfarë ndryshimesh bëri Roza për t’u bërë nënshtetase e Mbretërisë së Perëndisë, dhe çfarë e nxiti për këtë?

6 Kur dëgjoi disa vjet më parë për Mbretërinë, Roza, siç po e quajmë këtu, ishte në një marrëdhënie lezbike. Ajo ishte presidente e një organizate që luftonte për të drejtat e homoseksualëve. Mirëpo, ndërsa studionte Biblën, Roza dalloi vlerën e pashoqe të së vërtetës për Mbretërinë e Perëndisë. Ama kuptoi edhe se duhej të bënte ndryshime rrënjësore. (1 Kor. 6:9, 10) Zemra e nxiti të hiqte dorë nga pozita e saj dhe t’i jepte fund marrëdhënies lezbike. Roza u pagëzua në vitin 2009, dhe vitin pasues filloi shërbimin si pioniere e rregullt. Dashuria e saj për Jehovain dhe për Mbretërinë ishte më e fortë se çdo dëshirë e mishit.​—Mar. 12:29, 30.

7. Si mund ta ruajmë dashurinë me gjithë shpirt për Mbretërinë e Perëndisë?

7 Natyrisht, shumë nga ne kemi bërë ndryshime rrënjësore në jetë për t’u bërë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë. (Rom. 12:2) Gjithsesi, puna jonë s’ka mbaruar ende. Duhet të rrimë syçelë e të mbrohemi nga ato gjëra që konkurrojnë kush e kush të na pushtojë zemrën, siç janë dëshira për gjëra materiale dhe çdo dëshirë seksuale imorale. (Prov. 4:23; Mat. 5:27-29) Për të na ndihmuar të ruajmë dashurinë me gjithë shpirt për Mbretërinë e tij, Jehovai na ka dhënë një thesar tjetër të vyer.

SHËRBIMI YNË JETËSHPËTUES

8. (a) Pse apostulli Pavël e përshkroi shërbimin si një «thesar në enë balte»? (b) Si e tregoi Pavli se e shihte si thesar shërbimin e tij?

8 Të kujtojmë se Jezui na ka caktuar detyrën të predikojmë dhe të mësojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 28:19, 20) Apostulli Pavël e kuptoi vlerën e rrallë që ka shërbimi. Ai e përshkroi shërbimin e besëlidhjes së re si një «thesar në enë balte». (2 Kor. 4:7; 1 Tim. 1:12) Ndonëse jemi thjesht enë balte të papërsosura, mesazhi që predikojmë mund të na japë jetën e përhershme neve dhe atyre që na dëgjojnë. Pavli e dinte mirë këtë, prandaj tha: «Çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që të bëhem pjesëmarrës i këtij lajmi bashkë me të tjerët.» (1 Kor. 9:23) E vërtet, dashuria për shërbimin e nxiti Pavlin të përpiqej me mish e me shpirt për të bërë dishepuj. (Lexo Romakëve 1:14, 15; 2 Timoteut 4:2.) Kjo e ndihmoi t’i bënte ballë kundërshtimit të egër. (1 Sel. 2:2) Si mund të tregojmë edhe ne një dashuri të tillë për shërbimin?

9. Cilat janë disa mënyra si mund ta tregojmë çmueshmërinë për shërbimin?

9 Një mënyrë si e tregoi Pavli çmueshmërinë për shërbimin ishte duke qenë syçelë për të shfrytëzuar çdo rast që t’u fliste të tjerëve. Ashtu si apostujt dhe të krishterët e hershëm, ne predikojmë në mënyrë joformale, publikisht dhe shtëpi më shtëpi. (Vep. 5:42; 20:20) Sipas rrethanave që kemi, kërkojmë mënyra për ta zgjeruar shërbimin, ndoshta duke shërbyer si pionierë ndihmës a të rregullt. Gjithashtu, mund të mësojmë një gjuhë të huaj ose të transferohemi në një zonë tjetër brenda vendit, a madje edhe në një shtet tjetër.​—Vep. 16:9, 10.

10. Si u bekua Irena për vendosmërinë e saj që të predikonte lajmin e mirë?

10 Të marrim shembullin e Irenës, një motër beqare në Shtetet e Bashkuara. Asaj i vlonte në zemër dëshira për t’u predikuar emigrantëve që flitnin rusisht. Kur filloi ta bënte këtë në vitin 1993, grupi i gjuhës ruse në qytetin e Nju-Jorkut kishte vetëm nja 20 lajmëtarë. Për afro 20 vjet, Irena është përpjekur me të gjitha forcat në fushën e asaj gjuhe. Ajo pranon: «Akoma nuk e flas shkëlqyer rusishten.» E megjithatë, Jehovai ka bekuar frymën e zellshme që ka treguar ajo dhe të tjerë si ajo. Sot në qytetin e Nju-Jorkut ka gjashtë kongregacione të gjuhës ruse. Pesëmbëdhjetë prej atyre me të cilët studioi Irena u pagëzuan. Disa shërbejnë si bethelitë, si pionierë dhe si pleq kongregacioni. Irena thotë: «Kur mendoj për synime të tjera që mund të kisha ndjekur, nuk gjej asnjë që do të më kishte falur më shumë gëzim.» Vërtet, ajo e sheh si thesar shërbimin.

A e sheh shërbimin si thesar dhe a duket kjo te programi yt javor? (Shih paragrafët 11, 12.)

11. Çfarë rezultatesh të mira vijnë kur vazhdojmë të predikojmë pavarësisht nga përndjekja?

11 Nëse e shohim si thesar shërbimin, do të imitojmë apostullin Pavël, duke vazhduar të predikojmë pavarësisht nga përndjekja. (Vep. 14:19-22) Gjatë viteve 30 dhe në fillim të viteve 40, vëllezërit tanë në Shtetet e Bashkuara u përballën me një kundërshtim të tmerrshëm. Prapëseprapë, ashtu si Pavli, qëndruan të palëkundur dhe vazhduan të predikonin. Për të mbrojtur të drejtën tonë që të predikojmë, vëllezërit zhvilluan shumë beteja ligjore. Në vitin 1943, duke folur për një fitore në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, vëlla Nejthën Nori tha: «Fitoret janë fryt i luftës suaj. Nëse lajmëtari nuk do të kishte vazhduar të predikonte, në Gjykatën e Lartë nuk do të shqyrtohej asnjë çështje; por tamam ngaqë ti, lajmëtar, ju vëllezër në mbarë botën, ecni para dhe nuk hiqni dorë, është bërë e mundur ta mposhtim përndjekjen. Pikërisht kjo fitore, pra qëndrimi i palëkundur i popullit të Zotërisë, bën që në fund të merret ky vendim.» I njëjti qëndrim i palëkundur i vëllezërve në vende të tjera ka çuar në fitore të ngjashme. Po, dashuria jonë për shërbimin mund të fitojë mbi përndjekjen.

12. Për çfarë je i vendosur në lidhje me shërbimin?

12 Nëse e shohim shërbimin si thesar të vyer nga Jehovai, kurrë s’do të kënaqemi thjesht duke «numëruar orët». Përkundrazi, do të bëjmë gjithë sa kemi në dorë që ‘të japim dëshmi të plotë për lajmin e mirë’. (Vep. 20:24; 2 Tim. 4:5) Por, çfarë t’u mësojmë të tjerëve? Le të ndalemi te një thesar tjetër nga Perëndia.

THESARI YNË ME TË VËRTETAT E ZBULUARA

13, 14. Çfarë është «thesari» që përmendi Jezui te Mateu 13:52, dhe si e pasurojmë atë?

13 Një thesar i tretë është bagazhi ynë me të vërtetat e zbuluara. Jehovai është Perëndia i së vërtetës. (2 Sam. 7:28; Psal. 31:5) Si Atë bujar, ai u jep të vërteta hyjnore atyre që i frikësohen. Që nga koha kur e dëgjuam për herë të parë të vërtetën, kemi pasur mundësi të grumbullojmë të vërteta nga Fjala e tij, Bibla, nga botimet tona e nga kongreset, asambletë dhe mbledhjet e përjavshme. Me kalimin e kohës, grumbullojmë atë që Jezui e quajti «thesari» me të vërteta të vjetra e të reja. (Lexo Mateun 13:52.) Jehovai do të na ndihmojë ta pasurojmë ‘thesarin’ tonë me të vërteta të reja të çmuara, nëse i kërkojmë ato siç do të rrëmonim për thesare të fshehura. (Lexo Proverbat 2:4-7.) Si e bëjmë këtë?

14 Duhet të zhvillojmë shprehi të mira studimi personal dhe të bëjmë kërkime të imtësishme në Fjalën e Perëndisë e në botimet tona. Kjo do të na ndihmojë të zbulojmë të vërteta që mund të jenë «të reja», në kuptimin që ne s’i dinim më parë. (Jos. 1:8, 9; Psal. 1:2, 3) Numri i parë i kësaj reviste, që doli në korrik 1879, thoshte: «Të vërtetën, që ngjason me një lule të vogël të thjeshtë në shkretëtirën e jetës, e kanë rrethuar dhe thuajse ia kanë zënë frymën barërat e këqija të mashtrimit që harlisen ngado. Nëse do që ta gjesh, duhet të rrish gjithë kohën syçelë. . . . Nëse do që ta kesh, duhet të përkulesh për ta marrë. Mos u kënaq me një lule të vetme të së vërtetës. . . . Mblidh ngaherë, kërko të tjera.» Po, duhet të jemi të etur që ta pasurojmë thesarin tonë me të vërteta hyjnore.

15. Pse disa të vërteta mund t’i quajmë «të vjetra», dhe cilat janë disa që i çmon në veçanti?

15 Kur nisëm të shoqëroheshim me popullin e Perëndisë, zbuluam disa të vërteta të vyera. Këto mund të quhen «të vjetra», në kuptimin që i njohim dhe i çmojmë qysh nga koha kur hodhëm hapat e parë në udhën e krishterë. Cilat janë disa nga këto të vërteta të çmuara? Mësuam se Jehovai është Krijuesi e Jetëdhënësi ynë dhe se ka një qëllim për njerëzimin. Mësuam edhe se Perëndia siguroi me dashuri flijimin shpërblyes të Birit të tij, në mënyrë që të çlirohemi nga mëkati e vdekja. Pastaj mësuam se Mbretëria e tij do t’u japë fund gjithë vuajtjeve dhe se kemi perspektivën të jetojmë përgjithmonë të lumtur e në paqe si nënshtetas të Mbretërisë.​—Gjoni 3:16; Zbul. 4:11; 21:3, 4.

16. Ç’duhet të bëjmë kur përditësohet kuptueshmëria për një të vërtetë?

16 Herë pas here, kuptueshmëria jonë për një profeci biblike a për ndonjë fragment nga Shkrimet mund të përditësohet. Në këto raste, duhet të lëmë kohë që ta studiojmë me kujdes e ta bluajmë në mend kuptueshmërinë e re. (Vep. 17:11; 1 Tim. 4:15) Ne përpiqemi të kuptojmë qartë jo vetëm ndryshimet e mëdha, por edhe dallimet e holla mes kuptueshmërisë së vjetër e të resë. Në këtë mënyrë, sigurohemi që e vërteta e re të zërë vend mirë në thesarin tonë. Pse ia vlejnë këto përpjekje?

17, 18. Si mund të na ndihmojë fryma e shenjtë?

17 Jezui shpjegoi se fryma e Perëndisë mund të na sjellë ndër mend gjërat që kemi mësuar. (Gjoni 14:25, 26) Si mund të na ndihmojë kjo si mësues që mësojmë publikisht lajmin e mirë? Të shohim rastin e një vëllai që quhet Piter. Në vitin 1970 ai ishte 19 vjeç dhe s’kishte shumë që po shërbente në Bethelin e Britanisë. Teksa predikonte shtëpi më shtëpi, takoi një burrë me mjekër që ishte te të 50-at. Piteri e pyeti nëse do t’i pëlqente të kuptonte Biblën. Disi i shokuar, burri ia ktheu se ndodhej para shtëpisë së një rabini jude. Për ta vënë në provë Piterin, rabini e pyeti: «Pa më thuaj, mor djalë, në çfarë gjuhe u shkrua libri i Danielit?» Piteri iu përgjigj: «Një pjesë e tij u shkrua në aramaisht.» Pastaj Piteri kujton: «Rabini u çudit që e dija përgjigjen. Por më i çudituri isha unë. Si e dija vallë atë përgjigje?! Kur shkova në shtëpi dhe kontrollova revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! të muajve të kaluar, gjeta një artikull që shpjegonte se Danieli u shkrua në gjuhën aramaike.» (Dan. 2:4 *) E pra, fryma e shenjtë mund të na sjellë ndër mend gjëra që i kemi lexuar më parë dhe që kanë zënë vend mirë në thesarin tonë.​—Luka 12:11, 12; 21:13-15.

18 Nëse e shohim si pasuri të vyer mençurinë nga Jehovai, zemra do të na shtyjë ta mbushim thesarin tonë me të vërteta​—të reja dhe të vjetra. E ndërsa vazhdon të na thellohet dashuria dhe çmueshmëria për mençurinë e Jehovait, do të jemi të pajisur më së miri për të mësuar të tjerët.

RUAJI THESARET E TUA

19. Pse duhet t’i ruajmë thesaret që na ka dhënë Jehovai?

19 Satanai dhe bota e tij po punojnë pa pushim që të na e venitin ose të na e zhdukin fare çmueshmërinë për thesaret nga Jehovai që kemi shqyrtuar në këtë artikull. Nuk jemi të imunizuar ndaj këtyre taktikave. Fare lehtë mund të na ndjellë karremi i premtimeve për një karrierë fitimprurëse, i ëndrrave për një jetë luksoze ose i dëshirës për t’u kapardisur me pasuritë materiale. Apostulli Gjon na kujton se kjo botë po kalon, bashkë me dëshirat e saj. (1 Gjon. 2:15-17) Prandaj, duhet të përpiqemi me të gjitha forcat që të mbrojmë zemrën tonë dhe të ruajmë dashurinë e çmueshmërinë për pasuritë nga Jehovai.

20. Çfarë je i vendosur të bësh për të ruajtur pasuritë që vijnë nga Jehovai?

20 Ji i gatshëm të heqësh dorë nga çdo gjë që mund t’i zërë vendin dashurisë me gjithë shpirt për Mbretërinë e Perëndisë. Vazhdo të predikosh me zell, pa e humbur kurrë çmueshmërinë për shërbimin tonë jetëshpëtues. Plot etje vazhdo të rrëmosh për të vërteta hyjnore. Ndërsa bën këtë, do të mbledhësh ‘një thesar në qiej, ku as hajduti nuk afrohet, as mola nuk bren. Sepse ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote’.​—Luka 12:33, 34.

^ par. 17 Danieli 2:4b deri 7:28 fillimisht u shkrua në gjuhën aramaike.