Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do t’i zgjidhësh konfliktet dhe të nxitësh paqen?

A do t’i zgjidhësh konfliktet dhe të nxitësh paqen?

PERËNDIA JEHOVA i nxit shërbëtorët e tij ta shohin paqen si pasuri të vyer, ta bëjnë atë pjesë thelbësore të jetës. Cili është rezultati kur jemi paqësorë? Mes adhuruesve të vërtetë lulëzon paqja. E kjo ndihmon që kongregacioni i krishterë të jetë tërheqës për ata që duan të jetojnë pa konflikte.

Për shembull, një magjistar i shquar në Madagaskar vërente harmoninë që gëzonin Dëshmitarët e Jehovait. Ai thoshte me vete: «Nëse do të doja ndonjëherë të frekuentoja një fe, do të ishte fiks kjo.» Me kohë, ai hoqi dorë nga praktikat spiritiste, kaloi muaj të tërë për të bërë ndryshime në martesën e tij, e cila ishte në një gjendje që binte ndesh me Shkrimet, dhe u bë adhurues i Jehovait, Perëndisë së paqes.

Ashtu si ai burrë, çdo vit mijëra veta gjejnë brenda kongregacionit të krishterë atë paqe që e dëshirojnë me kaq zjarr. Megjithatë, Bibla e bën të qartë se po të ketë «xhelozi të hidhur dhe frymë grindjeje» në kongregacion, mund të prishen miqësi e të hapen telashe. (Jak. 3:14-16) Por sa mirë që Bibla na jep edhe këshilla të dobishme se si mund t’i shmangim këto probleme e të forcojmë paqen! Që të përgatitim terrenin për këto këshilla, le të ndalemi në fillim te disa situata që kanë ndodhur realisht.

PROBLEME DHE ZGJIDHJE

«E kisha të vështirë të shkoja mirë me një vëlla që punonte me mua. Një herë kur po i bërtitnim njëri-tjetrit, hynë dy veta dhe panë atë shpërthim zemërimi mes nesh.»​—KRISI.

«Një motër me të cilën dilja shpesh në predikim, befas nuk linte më takime shërbimi me mua. Pastaj as nuk më fliste fare me gojë. S’e kisha haberin përse.»​—XHANETA.

«Ishim tre veta që po bënim një bisedë telefonike. Njëri tha ‘mirupafshim’ dhe unë kujtova se s’ishte më në linjë. Atëherë i thashë tjetrit ca fjalë lënduese për të, mirëpo i pari akoma s’e kishte mbyllur telefonin.»​—MAJKËLLI.

«Në kongregacionin tonë, dy pioniere filluan të kishin probleme. Njëra zuri të qortonte tjetrën. Zënkat e tyre ishin shkurajuese për të tjerët.»​—GERI.

Mbase këto të duken incidente të vockla. Ama çdonjëri mund t’u shkaktonte një dhimbje të gjatë emocionale atyre që përfshiheshin e mund të cenonte për shumë kohë paqen në kongregacion. Por sa bukur që gjithë ata vëllezër e motra përdorën Biblën si udhërrëfyese dhe rivendosën paqen! Si mendon, cilat udhëzime biblike zbatuan me sukses ata?

«Mos e pezmatoni njëri-tjetrin udhës.» (Zan. 45:24) Këtë këshillë ia dha Jozefi vëllezërve të vet që po ktheheshin te babai. Sa fjalë të mençura! Kur dikush nuk i mban nën kontroll ndjenjat dhe ‘pezmatohet’ ose acarohet kollaj, mund t’u ngjallë zemërim të tjerëve. Krisi arriti të kuptonte se dobësitë e tij ishin krenaria dhe ngurrimi për të pranuar drejtimin. Me dëshirën për të ndryshuar, i kërkoi falje vëllait me të cilin ishte zënë dhe u përpoq me gjithë forcat që të mbante nën kontroll temperamentin. Duke vërejtur përpjekjet e Krisit për të ndryshuar, edhe shoku i punës bëri njësoj. Tani kënaqen teksa i shërbejnë Jehovait së bashku.

«Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim.» (Prov. 15:22) Xhaneta nxori përfundimin se duhej t’ia vinte veshin më shumë kësaj të vërtete. Ajo vendosi të fliste me motrën tjetër. Gjatë bisedës, Xhaneta e ftoi me takt që t’i tregonte haptas pse ndiente mëri. Në fillim, biseda ishte disi e tensionuar, por gjërat u përmirësuan ndërsa diskutonin me qetësi për problemin e tyre. Motra zbuloi se e kishte keqkuptuar një çështje ku Xhaneta as që kishte gisht fare. Ajo kërkoi falje dhe tani po i shërbejnë prapë Jehovait si një skuadër.

«Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd.» (Mat. 5:23, 24) Mbase të kujtohet kjo këshillë që dha Jezui gjatë Predikimit në Mal. Majkëlli s’e donte veten kur kuptoi sa e pamenduar dhe lënduese ishte sjellja e tij. Ishte i vendosur të përpiqej të rivendoste paqen. Me përulësi i kërkoi falje ballë për ballë vëllait që kishte lënduar. Cili ishte rezultati? Majkëlli thotë: «Vëllai më fali me gjithë zemër.» Miqësia mes tyre u rivendos.

«Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.» (Kolos. 3:12-14) Në rastin e dy motrave që ishin pioniere prej kohësh, një plak dashamirës i ndihmoi të reflektonin për pyetje të tilla si: «A kemi të drejtë ne të dyja t’u futim trishtimin të tjerëve për shkak të mosmarrëveshjes sonë? A kemi vërtet një arsye të vlefshme që të mos tregojmë durim me njëra-tjetrën dhe të mos vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait paqësisht?» Ato e pranuan këshillën e plakut dhe e zbatuan. Sot shkojnë mirë me njëra-tjetrën ndërsa predikojnë lajmin e mirë.

Zbatimi i këtij udhëzimi që sapo përmendëm, Kolosianëve 3:12-14, mund të jetë një pikënisje e mirë nëse të lëndon dikush. Shumë veta kanë parë se, duke treguar përulësi, thjesht mund të falin e të harrojnë. Nëse pas ca përpjekjesh duket se nevojitet diçka më tepër, a mund të zbatohet në parim Mateu 18:15? Kjo këshillë e Jezuit ka të bëjë me hapin që duhet hedhur kur dikush ka kryer një mëkat serioz kundër një tjetri. Por në parim, kjo mund të jetë rruga që duhet të ndjekësh. Thjesht shko te vëllai ose motra dhe me dashamirësi e me përulësi përpiquni ta diskutoni e ta zgjidhni problemin.

Patjetër që Bibla jep edhe sugjerime të tjera praktike. Në thelb të shumë prej tyre është shfaqja e ‘frytit të frymës . . . dashurisë, gëzimit, paqes, shpirtgjerësisë, mirëdashjes, mirësisë, besimit, butësisë dhe vetëkontrollit’. (Gal. 5:22, 23) Ashtu si vaji që lubrifikon një makineri, këto cilësi hyjnore ndihmojnë që procesi i rivendosjes së paqes të shkojë vaj.

LARMIA E PERSONALITETEVE E PASURON KONGREGACIONIN

Personaliteti​—tërësia e veçorive unike që ka secili nga ne dhe që ndryshojnë nga njëri te tjetri—​bën të mundur të krijojmë miqësi që na pasurojnë. Ama ndryshimet në personalitet mund të çojnë edhe në konflikte. Një plak me përvojë jep këtë shembull: «Për dikë që është tip i ndrojtur mund të jetë e vështirë të rrijë me një tip të hedhur dhe të shoqërisë. Ky mund të duket një ndryshim i parëndësishëm; megjithatë, mund të çojë në probleme serioze.» Gjithsesi, a je i mendimit se njerëzit që kanë personalitete krejt të ndryshme do të kenë se s’bën probleme? Le të shohim rastin e dy apostujve. Çfarë natyre ishte Pjetri? Mund ta mendojmë si tip impulsiv e që fliste troç. Po Gjoni? Mund ta përfytyrojmë si njeri të përzemërt dhe zakonisht të matur në fjalë e në veprime. Këto përfytyrime për dy apostujt nuk janë pa bazë. Pra, duket se ata kishin personalitete të ndryshme. Prapëseprapë, bashkëpunuan mirë me njëri-tjetrin. (Vep. 8:14; Gal. 2:9) Po njësoj, është e mundur që sot të krishterët me personalitete goxha të ndryshme të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Ndoshta në kongregacionin tënd është një bashkëbesimtar që të acaron me mënyrën si flet e si vepron. Gjithsesi, ti e di se Krishti vdiq edhe për të dhe se duhet të tregosh dashuri. (Gjoni 13:34, 35; Rom. 5:6-8) Prandaj, në vend që t’i heqësh vizën mundësisë për të lidhur miqësi me të ose të kesh prirjen ta shmangësh, pyet veten: «A po bën ai diçka që Shkrimet tregojnë qartë se është e gabuar? Mos po përpiqet me keqdashje të më shkaktojë dhimbje? Apo thjesht kemi personalitete të ndryshme?» Gjithashtu, një pyetje tepër e rëndësishme është kjo: «Nga cilat cilësi të mira që ka mund të përfitoj?»

Kjo pyetje e fundit është thelbësore. Nëse tjetri është i muhabetit ndërsa ti je tip që s’flet shumë, mendo me sa lehtësi i hap bisedat ai në shërbim. Mund ta ftosh që të dilni bashkë në shërbim dhe të shohësh se ç’mund të mësosh. Nëse ai tregohet shpesh bujar me të tjerët, ndërsa ti ke prirjen të jesh paksa dorështrënguar, pse të mos vëresh gëzimin që vjen kur u jep të moshuarve, të sëmurëve ose nevojtarëve? Pika është: edhe nëse keni personalitete të ndryshme, ti dhe vëllai yt mund të afroheni më shumë duke u përqendruar tek anët e mira. Kjo mbase nuk do t’ju bëjë shokë të ngushtë, por mund të ndihmojë që të afroheni dhe mund të shtojë paqen​—brenda teje dhe brenda kongregacionit në tërësi.

Ndoshta personalitetet e Evodisë dhe Sintikisë ose mënyra si silleshin ishin në dy pole të kundërta. E megjithatë, apostulli Pavël i nxiti të ishin «të një mendjeje në Zotërinë». (Filip. 4:2) A do të punosh edhe ti për të arritur këtë synim dhe synimin që lidhet me të​—paqen?

MOS LEJO QË KONFLIKTI TË ZGJATË

Ashtu si barërat e këqija që marrin dhenë në një kopsht me lule, edhe ndjenjat negative karshi të tjerëve ka shumë të ngjarë të keqësohen nëse nuk bëjmë çmos t’i çrrënjosim. Kur zemra e dikujt mbushet me mllef, kjo mund të ndikojë edhe te fryma e kongregacionit. Nëse e duam Jehovain dhe vëllezërit tanë, do të bëjmë gjithë sa kemi në dorë për të mos lejuar që mosmarrëveshjet personale të trazojnë ose të pakësojnë paqen e popullit të Perëndisë.

Nëse tregon përulësi dhe përpiqesh fort të bësh paqe, mund të gëzosh rezultate të shkëlqyera

Kur i trajtojmë konfliktet ose mosmarrëveshjet me synimin për të bërë paqe, mund të befasohemi nga rezultatet e shkëlqyera. Të shohim çfarë përjetoi një Dëshmitare. Ajo tregon: «Ndieja se një motër më trajtonte si të isha kalama. Kjo më gërricte nervat. Ndërsa më shtohej acarimi, fillova t’ia prisja shkurt. Thosha me vete: ‘Ajo nuk më tregon respektin që meritoj, prandaj as unë s’kam për ta respektuar.’»

Pastaj, kjo Dëshmitare nisi të mendonte për veprimet e veta. Ajo thotë: «Fillova të dalloja të metat e personalitetit tim dhe isha shumë e zhgënjyer me veten. Kuptova se duhej të ndreqja mënyrën si mendoja. Pasi iu luta Jehovait për këtë çështje, bleva një peshqesh të vogël për motrën dhe i shkrova një kartolinë që t’i kërkoja falje për qëndrimin tim të keq. U përqafuam dhe ramë dakord ta hidhnim pas krahëve atë çështje. Nuk kemi pasur më probleme.»

Njerëzit kanë tmerrësisht nevojë për paqe. Sidoqoftë, kur u rrezikohet pozita ose krenaria e tyre, shumë veta fillojnë të sillen në një mënyrë që nuk është paqësore. Kështu bëjnë shumë nga ata që nuk adhurojnë Jehovain, por mes adhuruesve që mbajnë emrin e tij duhet të mbizotërojnë paqja dhe uniteti. Perëndia e frymëzoi Pavlin të shkruante: «Ju përgjërohem që të ecni denjësisht për thirrjen tuaj, me përulësi të plotë mendjeje, me butësi dhe me shpirtgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin me dashuri dhe duke u përpjekur me zell që të ruani njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes.» (Efes. 4:1-3) Kjo ‘lidhje e paqes’ që na bashkon s’ka të çmuar. Le ta forcojmë, pra, dhe le të jemi të vendosur të zgjidhim çdo mosmarrëveshje që mund të nxjerrë kokë mes nesh.