Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i bëftë të suksesshme gjithë planet e tua!

Jehovai i bëftë të suksesshme gjithë planet e tua!

«Gjej kënaqësi të thellë tek Jehovai, dhe ai do të të japë çfarë të do zemra.»​—PSAL. 37:4.

KËNGËT: 135, 81

1. Ç’duhet të vendosë një i ri për të ardhmen, por pse nuk ka arsye që ta mbytë ankthi? (Shih figurën hapëse.)

JU TË RINJ ndoshta jeni dakord që para se të nisni një udhëtim, është e mençur të planifikoni se ku do të shkoni. Jeta është si një udhëtim, dhe koha për të planifikuar se ku dëshiron të shkosh është kur je i ri. Kuptohet, të bësh plane mund të jetë e vështirë. Një vajzë që quhet Hedhër thotë: «Është e frikshme. Duhet të vendosësh se ç’do të bësh me gjithë jetën tënde.» Por, merr kurajë. Jehovai u thotë shërbëtorëve të vet: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.»​—Isa. 41:10.

2. Nga e di se Jehovai do që ti të planifikosh për një të ardhme të lumtur?

2 Jehovai të nxit të planifikosh me mençuri për të ardhmen. (Ekl. 12:1; Mat. 6:20) Ai do që të jesh i lumtur. Këtë ta thonë pamjet e bukura, shijet plot lezet dhe tingujt e ëmbël të krijimit. Gjithashtu, mendo si interesohet ai për ne dhe si na mëson rrugën më fantastike në jetë. Atyre që hedhin poshtë këshillat e tij, Jehovai u thotë: «Zgjodhët të bënit gjëra që unë nuk i pëlqej. . . . Shërbëtorët e mi do të gëzojnë, kurse juve do t’ju vijë turp. Shërbëtorët e mi do të lëshojnë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës.» (Isa. 65:12-14) Jehovai merr lavdi kur shërbëtorët e tij bëjnë zgjedhje të mençura në jetë.​—Prov. 27:11.

PLANE QË DO TË TË BËJNË TË LUMTUR

3. Çfarë të rekomandon Jehovai?

3 Çfarë planesh të rekomandon Jehovai? Ai i ka krijuar njerëzit në mënyrë të tillë që të gjejnë lumturi duke njohur atë dhe duke i shërbyer me besnikëri. (Psal. 128:1; Mat. 5:3) Kjo është në kontrast të thellë me kafshët që krijoi, të cilat kënaqen thjesht duke ngrënë, duke pirë dhe duke lindur të vegjël. Perëndia do që ti të gjesh lumturi duke planifikuar edhe për gjëra të tjera, jo vetëm për ato me të cilat kënaqen kafshët. Krijuesi yt është «Perëndia i dashurisë», ‘Perëndia i lumtur’, që i bëri njerëzit «sipas shëmbëlltyrës së vet». (2 Kor. 13:11; 1 Tim. 1:11; Zan. 1:27) Teksa imiton Perëndinë tonë të dashur, do të jesh i lumtur. A e ke provuar ndonjëherë sa i vërtetë është shkrimi që thotë: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Vep. 20:35) Kjo është një e vërtetë thelbësore e jetës njerëzore. Prandaj, Jehovai do që t’i përqendrosh planet e tua te shfaqja e dashurisë për të tjerët dhe për Perëndinë.​—Lexo Mateun 22:36-39.

4, 5. Çfarë e bënte të lumtur Jezuin?

4 Jezu Krishti la shembullin e përsosur për ju të rinj. Kur ishte fëmijë, patjetër që ai luante dhe kënaqej. Fjala e Perëndisë thotë se ka «një kohë për të qeshur . . . dhe një kohë për të kërcyer». (Ekl. 3:4) Gjithashtu, Jezui afrohej me Jehovain duke studiuar Shkrimet. Kur ishte 12 vjeç, mësuesit në tempull mahniteshin me «kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij» për çështje frymore.​—Luka 2:42, 46, 47.

5 Kur u rrit, Jezui ishte njeri i lumtur. Çfarë e bënte të lumtur? E dinte se, ndër të tjera, Perëndia donte që ai ‘t’u shpallte lajmin e mirë të varfërve . . . dhe kthimin e shikimit të verbërve’. (Luka 4:18) Jezui bënte atë që kërkonte Perëndia prej tij, dhe kjo i sillte lumturi. Ja si shprehen ndjenjat e tij te Psalmi 40:8: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd.» Jezui ndiente kënaqësi kur u mësonte njerëzve për Atin e tij qiellor. (Lexo Lukën 10:21.) Në një rast, pasi mësoi një grua për adhurimin e vërtetë, ai u tha dishepujve të tij: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:31-34) Jezui tregonte dashuri për Perëndinë dhe për të tjerët, e kjo e bënte të lumtur. Kjo mund të të bëjë të lumtur edhe ty.

6. Pse ia vlen t’i diskutosh planet e tua për të ardhmen me bashkëbesimtarë me përvojë?

6 Shumë shërbëtorë të Jehovait kanë gëzuar një rini të lumtur duke shërbyer si pionierë. Pse të mos diskutosh për planet e tua me disa prej tyre? «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» (Prov. 15:22) Këta bashkëbesimtarë të pjekur mund të të tregojnë se shërbimi në kohë të plotë është një arsimim që të sjell dobi gjatë gjithë jetës. Pasi Ati i tij i kishte mësuar shumë gjëra në qiell, Jezui vazhdoi të mësonte gjatë shërbimit të tij në tokë. Për shembull, mësoi çfarë gëzimi është t’u prekësh zemrat njerëzve me lajmin e mirë, si edhe çfarë gëzimi është të mbash integritetin nën sprova. (Lexo Isainë 50:4; Hebr. 5:8; 12:2) Le të ndalemi te disa aspekte të shërbimit të plotkohor që mund të të bëjnë shumë të lumtur.

PSE JANË TË SUKSESSHËM ATA QË BËJNË DISHEPUJ

7. Pse shumë të rinj gjejnë kënaqësi në veprën e bërjes së dishepujve?

7 Jezui tha: ‘Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i mësuar.’ (Mat. 28:19, 20) Nëse planifikon të jesh një bërës dishepujsh, po zgjedh një karrierë që të sjell shumë kënaqësi, një karrierë që i jep lavdi Perëndisë. Si me çdo karrierë, të duhet kohë që t’ia marrësh dorën mirë. Kohët e fundit, një vëlla i quajtur Timothi, që filloi shërbimin si pionier kur ishte adoleshent, tha: «Më pëlqen t’i shërbej Jehovait në kohë të plotë, sepse kjo është mënyra si e shpreh dashurinë që kam për të. Në fillim, nuk nisja dot asnjë studim biblik, por më vonë u transferova në një territor tjetër dhe brenda një muaji fillova disa studime. Një nga studentët nisi të vinte në Sallën e Mbretërisë. Pasi ndoqa për dy muaj Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë, * mora një caktim të ri, ku kam filluar katër studime. Më pëlqen jashtë mase të mësoj njerëzit, pasi mund të shoh si ndryshojnë falë frymës së shenjtë.»​—1 Sel. 2:19.

8. Si janë përfshirë më plotësisht në veprën e bërjes së dishepujve disa Dëshmitarë të rinj në moshë?

8 Disa Dëshmitarë të rinj në moshë kanë mësuar një gjuhë të huaj. Për shembull, Xhejkobi nga Amerika e Veriut, shkruan: «Kur isha shtatë vjeç, shumë shokë e shoqe të klasës ishin vietnamezë. Doja t’u flisja për Jehovain, prandaj pas njëfarë kohe planifikova të mësoja gjuhën e tyre. Kryesisht mësoja duke krahasuar numrat e Kullës së Rojës në anglisht me ato në gjuhën vietnameze. Gjithashtu, zura miqësi me disa në një kongregacion fqinj të gjuhës vietnameze. Në moshën 18-vjeçare nisa shërbimin si pionier. Më vonë ndoqa Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë. Kjo më ka ndihmuar në caktimin që kam tani si pionier, ku jam i vetmi plak në një grup të gjuhës vietnameze. Shumë vietnamezë mahniten që kam mësuar gjuhën e tyre. Ata më ftojnë në shtëpi, dhe shpesh kam mundësi të studioj Biblën me ta. Disa kanë përparuar deri në pagëzim.»​—Krahaso Veprat 2:7, 8.

9. Pse vepra e bërjes së dishepujve është një arsimim i shkëlqyer?

9 Vepra e bërjes së dishepujve është një arsimim që të mëson të kesh shprehi të mira pune, aftësi komunikimi, siguri dhe takt. (Prov. 21:5; 2 Tim. 2:24) Por kjo vepër të mbush me gëzim sidomos ngaqë të ndihmon ta njohësh më mirë themelin biblik të besimit tënd. Gjithashtu, mëson si të bashkëpunosh ngushtësisht me Jehovain.​—1 Kor. 3:9.

10. Si mund ta provosh edhe ti gëzimin që sjell bërja e dishepujve edhe në një territor të vështirë?

10 Mund të kënaqesh në veprën e bërjes së dishepujve edhe nëse në territorin tënd pak veta e mirëpresin lajmin e mirë. Bërja e dishepujve është një punë në skuadër. Gjithë kongregacioni kërkon njerëzit e sinqertë. Edhe pse vetëm një vëlla ose motër mund të gjejë një person që me kohë bëhet dishepull, të gjithë morën pjesë në kërkim dhe të gjithë mund të marrin pjesë në atë gëzim. Për shembull, Brendoni shërbeu nëntë vjet si pionier në një territor indiferent. Ai thotë: «Më pëlqen të predikoj lajmin e mirë, sepse këtë na e kërkon Jehovai. Fillova shërbimin si pionier pak pas mbarimit të shkollës. Kënaqem kur inkurajoj vëllezërit e rinj në kongregacion dhe shoh që përparojnë në të vërtetën. Pasi ndoqa Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë, mora një caktim tjetër si pionier. Është e vërtetë se nuk kam gjetur kurrë ndonjë në territor që të ketë përparuar deri në pagëzim, por të tjerët kanë gjetur. Jam i lumtur që planifikova të merrja pjesë më plotësisht në veprën e bërjes së dishepujve.»​—Ekl. 11:6.

KU MUND TË TË ÇOJNË PLANET E TUA

11. Në cilën formë të shërbimit të shenjtë kanë gjetur kënaqësi shumë të rinj?

11 Ka plot mundësi për t’i shërbyer Jehovait. Për shembull, shumë të rinj marrin pjesë në veprën vullnetare të ndërtimit. Nevojiten me qindra Salla Mbretërie të reja. Ndërtimi i tyre është shërbim i shenjtë që i jep lavdi Perëndisë dhe mund të të bëjë të lumtur. Ashtu si me format e tjera të shërbimit të shenjtë, shoqërimi me bashkëpunëtorët e tu të jep gëzim. Vepra teokratike e ndërtimit është edhe një shkollë, pasi të mëson të bësh kujdes për sigurinë, të jesh punëtor i palodhur dhe të bashkëpunosh me ata që mbikëqyrin.

Ata që nisin shërbimin e plotkohor i presin shumë bekime (Shih paragrafët 11-13.)

12. Si mund t’u çelë rrugën mundësive të tjera shërbimi si pionier?

12 Një vëlla që quhet Kevin thotë: «Që kur isha i vogël, doja që një ditë t’i shërbej Jehovait në kohë të plotë. Si përfundim, nisa të shërbeja si pionier kur isha 19 vjeç. Mbaja veten duke punuar me orar të reduktuar për një vëlla që punonte në ndërtim. Mësova si të vija çati, dritare dhe dyer. Më vonë, kalova dy vjet në një skuadër që ndihmonte në raste uraganesh, dhe mora pjesë në rindërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe shtëpive të vëllezërve. Kur dëgjova sa nevojë kishte në veprën e ndërtimit në Afrikën e Jugut, bëra kërkesën dhe më ftuan të shkoja. Këtu në Afrikë, transferohem çdo pak javë nga një projekt për Sallat e Mbretërisë në tjetrin. Grupi i ndërtimit është si familje për mua. Jetojmë së bashku, studiojmë Biblën së bashku dhe punojmë së bashku. Kënaqem edhe kur predikoj çdo javë me vëllezërit vendës. Planet që bëra kur isha i vogël më kanë sjellë shumë lumturi në mënyra që as i kisha përfytyruar.»

13. Pse shërbimi në Bethel i bën të lumtur të rinjtë?

13 Disa që kanë punuar për t’i realizuar planet e tyre që t’i shërbejnë Jehovait në kohë të plotë, tani janë në Bethel. Shërbimi në Bethel është një jetë që të sjell lumturi, sepse çdo gjë që bën atje është për Jehovain. Familja Bethel ndihmon në sigurimin e ushqimit të bazuar në Bibël. Një bethelit që quhet Dastin tregon: «Kur isha nëntë vjeç vura si synim të shërbeja në kohë të plotë, dhe kur mbarova shkollën nisa shërbimin si pionier. Pas një viti e gjysmë, më ftuan në Bethel, ku mësova të vija në punë shtypshkronjën dhe më vonë të bëja programim kompjuterësh. Në Bethel kënaqem ndërsa dëgjoj drejtpërdrejt si po përparon vepra mbarëbotërore e bërjes së dishepujve. Më pëlqen sa s’thuhet të shërbej këtu, pasi ajo që bëjmë i ndihmon njerëzit të afrohen me Jehovain.»

ÇFARË PLANESH DO TË BËSH PËR TË ARDHMEN?

14. Si mund të bësh plane për të nisur shërbimin e plotkohor?

14 Si mund të planifikosh që të shërbesh në kohë të plotë? Ajo që do të të ndihmojë mbi gjithçka të jesh i suksesshëm ndërsa i shërben plotësisht Jehovait janë cilësitë e krishtere. Prandaj, studioje me zell Fjalën e Perëndisë, medito thellë për domethënien e saj dhe kërko mënyra si ta shprehësh besimin në mbledhjet e kongregacionit. Gjatë viteve të shkollës, mund të fitosh përvojë dhe aftësi për të predikuar lajmin e mirë. Mëso të tregosh interes për njerëzit duke i pyetur me takt për opinionin e tyre dhe duke e dëgjuar me vëmendje përgjigjen. Veç kësaj, mund të tregohesh i gatshëm të bësh gjëra të ndryshme në kongregacion, si për shembull të ndihmosh në pastrimin dhe mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Jehovai i përdor me kënaqësi ata që kanë një frymë të përulur e të gatshme. (Lexo Psalmin 110:3; Vep. 6:1-3) Apostulli Pavël e ftoi Timoteun në shërbimin misionar ngaqë ‘vëllezërit flitnin mirë për të’.​—Vep. 16:1-5.

15. Si mund të përgatitesh për të siguruar jetesën?

15 Në përgjithësi, shërbëtorëve në kohë të plotë u duhet të sigurojnë jetesën. (Vep. 18:2, 3) Ndoshta një kurs i shkurtër do të të kualifikojë për ndonjë punë me orar të reduktuar që është e kërkuar në vendin tënd. Ndërsa bën plane, këshillohu me mbikëqyrësin qarkor dhe me pionierët në qarkun tënd. Pyeti se çfarë punësh janë praktike për pionierët. Dhe, siç thotë Bibla, «lërja në dorë Jehovait punët e tua, dhe planet e tua do të jenë të sigurta».​—Prov. 16:3; 20:18.

16. Po t’i shërbesh Jehovait plotësisht në rini, si mund të të përgatitë kjo për përgjegjësi të tjera në të ardhmen?

16 Të jesh i sigurt se Jehovai do që ti ‘të rrokësh’ një të ardhme të lumtur. (Lexo 1 Timoteut 6:18, 19.) Shërbimi i plotkohor të jep mundësi të shoqërohesh me bashkëbesimtarë të tjerë që shërbejnë në kohë të plotë dhe të bëhesh një i krishterë më i pjekur. Shumë kanë provuar se shërbimi në kohë të plotë për Jehovain gjatë rinisë, i ka ndihmuar edhe të kenë një martesë më të suksesshme. Shpesh, ata që shërbenin si pionierë para martesës kanë mundur të vazhdojnë në këtë shërbim së bashku si çift.—Rom. 16:3, 4.

17, 18. Në ç’mënyrë përfshihet zemra kur bën plane?

17 Të bësh plane përfshin zemrën. Psalmi 20:4 thotë për Jehovain: «Të dhëntë ç’të dëshiron zemra, dhe plotësoftë të gjitha qëllimet [planet] e tua!» Prandaj, mendo se çfarë do që të bësh me jetën tënde. Shqyrto ç’po bën Jehovai në kohën tonë dhe si mund të bësh edhe ti pjesën tënde për t’i shërbyer. Pastaj, planifiko të bësh atë gjë që e kënaq Jehovain.

18 Duke i shërbyer plotësisht Jehovait do të ndiesh kënaqësi të thellë, sepse kjo lloj jete nderon Perëndinë. Po, «gjej kënaqësi të thellë tek Jehovai, dhe ai do të të japë çfarë të do zemra».​—Psal. 37:4.

^ par. 7 Zëvendësuar nga Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë.