Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A je i gatshëm të presësh me durim?

A je i gatshëm të presësh me durim?

«Edhe ju tregoni durim.»​—JAK. 5:8.

KËNGËT: 114, 79

1, 2. (a) Për ç’arsye mund të pyesim «deri kur»? (b) Pse shembulli i shërbëtorëve besnikë të lashtësisë na e ngroh zemrën?

«DERI kur?» Kjo ishte pyetja që ngritën profetët besnikë Isaia dhe Habakuk. (Isa. 6:11; Hab. 1:2) Kur kompozoi Psalmin 13, edhe mbreti David pyeti pesë herë: «Deri kur?» (Psal. 13:​1, 2) Madje edhe Zotëria ynë Jezu Krisht e bëri këtë pyetje kur njerëzit përreth treguan me qëndrimin e tyre se nuk kishin besim. (Mat. 17:17) Ndaj s’ka pse të çuditemi nëse hera-herës ndodh të bëjmë të njëjtën pyetje.

2 Çfarë mund të na shtyjë të pyesim «deri kur»? Ndoshta na është dashur të përballemi me ndonjë lloj padrejtësie. A mbase po luftojmë me moshën e thyer dhe sëmundjet ose me presionet e jetës në këto «kohë kritike» kaq «të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Ose ndoshta na ka ardhur në majë të hundës nga qëndrimet e gabuara të njerëzve përreth. Cilido qoftë shkaku, na e ngroh zemrën fakti që shërbëtorët besnikë të Jehovait në lashtësi u ndien të lirshëm të bënin të njëjtën pyetje që ndoshta na rëndon në mendje, dhe nuk u qortuan për këtë.

3. Ç’mund të na ndihmojë kur përballemi me rrethana të vështira?

3 Por, ç’mund të na ndihmojë kur ndeshim rrethana të tilla të vështira? Dishepulli Jakov, gjysmëvëllai i Jezuit, u frymëzua nga Perëndia të na thoshte: «Tregoni, pra, durim, vëllezër, deri në praninë e Zotërisë.» (Jak. 5:7) Po, të gjithë kemi nevojë për durim. Por, çfarë përfshin kjo cilësi hyjnore?

ÇFARË ËSHTË DURIMI?

4, 5. (a) Çfarë përfshin të jesh i duruar? (b) Si e ilustron dishepulli Jakov një aspekt të durimit? (Shih figurën hapëse.)

4 Sipas Biblës, durimi është produkt i frymës së shenjtë; pa ndihmën e Perëndisë, njerëzit e papërsosur nuk mund të tregojnë durim në masën e nevojshme. Durimi është një dhuratë nga Perëndia, dhe të jemi të duruar është një mënyrë e rëndësishme si të tregojmë dashurinë për të. Durimi është edhe shprehje e dashurisë për të tjerët. Padurimi i vazhdueshëm i dobëson marrëdhëniet e dashura me të tjerët; durimi i forcon. (1 Kor. 13:4; Gal. 5:22) Durimi, ose shpirtgjerësia, përfshin disa cilësi të tjera të krishtere. Për shembull, lidhet ngushtë me qëndrueshmërinë, e cila na ndihmon t’i durojmë rrethanat e vështira duke mbajtur një qëndrim pozitiv. (Kolos. 1:11; Jak. 1:​3, 4) Durimi mund të përfshijë edhe të mos hakmerremi kur vuajmë dhe të qëndrojmë të patundur e të paepur, çfarëdo problemi të hasim. Veç kësaj, Bibla na nxit të pranojmë me gatishmëri se kemi nevojë të presim. Ky aspekt i durimit del në pah te Jakovi 5:​7, 8. (Lexoje.)

5 Pse duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se kemi nevojë të presim që të veprojë Jehovai? Jakovi e krahason situatën tonë me atë të një bujku. Edhe pse punon me të gjitha forcat në mbjellje, bujku nuk e ka në dorë motin ose rritjen e bimëve. Nuk e përshpejton dot kohën. Bujku e pranon se i duhet të presë me durim «frytin e çmuar të tokës». Në mënyrë të ngjashme, ka shumë faktorë që nuk i kemi në dorë teksa presim plotësimin e premtimeve të Jehovait. (Mar. 13:​32, 33; Vep. 1:7) Ashtu si bujku, na duhet të presim me durim.

6. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i profetit Mikea?

6 Kushtet me të cilat përballemi sot ngjasojnë me ato të kohës së profetit Mikea. Ai jetoi gjatë sundimit të mbretit të lig Akaz, një periudhë kur kishte marrë dhenë korruptimi moral i çdo lloji. Në fakt, populli ishte bërë i zoti ‘për ta kryer sa më mirë të keqen’. (Lexo Mikenë 7:​1-3.) Mikea e kuptoi se ai vetë nuk i ndryshonte dot ato kushte. Pra, ç’mund të bënte? Ai na thotë: «Unë do t’i mbaj sytë te Jehovai. Do të rri në pritje [«do të tregoj një qëndrim pritës», shën.] të Perëndisë së shpëtimit tim. Perëndia im do të më dëgjojë.» (Mik. 7:7) Ashtu si Mikea, edhe ne duhet të kemi «një qëndrim pritës».

7. Pse nga ne kërkohet më tepër se thjesht të presim që Jehovai të plotësojë premtimet e tij?

7 Nëse kemi besim si ai i Mikesë, do të jemi të gatshëm të presim Jehovain. Situata jonë nuk është si ajo e një të burgosuri që pret në qeli orën e ekzekutimit. Ai është i detyruar të presë, dhe nuk e pret plot dëshirë përfundimin. Sa ndryshe është situata jonë! Ne jemi të gatshëm të presim Jehovain, sepse e dimë që ai do ta plotësojë premtimin për të na dhënë jetën e përhershme tamam në momentin e duhur, në momentin më të mirë! Prandaj ne ‘qëndrojmë plotësisht me shpirtgjerësi dhe gëzim’. (Kolos. 1:​11, 12) Po të vepronim ndryshe​—të pritnim duke u ankuar e duke u qarë që Jehovai nuk po vepron aq shpejt sa duhet ​—do t’i shkaktonim pakënaqësi Perëndisë tonë.​—Kolos. 3:12.

SHEMBUJ TË BESNIKËVE QË TREGUAN DURIM

8. Çfarë duhet të kujtojmë teksa meditojmë për shembujt e besnikëve të lashtësisë?

8 Do të jemi më të gatshëm të presim nëse kujtojmë gratë dhe burrat besnikë të lashtësisë, të cilët pritën me durim që Jehovai të plotësonte premtimet e tij. (Rom. 15:4) Tek meditojmë për shembullin e tyre, bëjmë mirë të kujtojmë sa kohë iu desh të pritnin, përse ishin të gatshëm të pritnin dhe çfarë bekimesh solli durimi i tyre.

Abrahamit iu desh të priste shumë vjet derisa lindën nipërit e tij Esau dhe Jakobi (Shih paragrafët 9, 10.)

9, 10. Për sa kohë u desh ta pritnin Jehovain Abrahami dhe Sara?

9 Të mendojmë për shembullin e Abrahamit dhe Sarës, të cilët janë mes «atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet». Shkrimet na thonë se «pasi kishte treguar durim», Abrahami mori premtimin që Jehovai do ta bekonte dhe do të shumonte pasardhësit e tij. (Hebr. 6:​12, 15) Pse Abrahamit i duhej të tregonte durim? Me pak fjalë, sepse do të duhej kohë që të plotësohej ai premtim. Besëlidhja që bëri Jehovai me Abrahamin filloi të hynte në fuqi më 14 nisan 1943 p.e.s. Kjo ndodhi kur ai dhe Sara bashkë me njerëzit e shtëpisë kaluan lumin Eufrat dhe hynë në Tokën e Premtuar. Pastaj Abrahamit iu desh të priste 25 vjet derisa lindi biri i tij Isaku në vitin 1918 p.e.s., dhe iu desh të priste edhe 60 vite të tjera derisa lindën nipërit e tij Esau dhe Jakobi më 1858 p.e.s.​—Hebr. 11:9.

10 Sa tokë trashëgoi Abrahami? Në Shkrime lexojmë: «Megjithatë, ai [Jehovai] nuk i dha asnjë trashëgimi [Abrahamit] në të, jo, as edhe një këmbë tokë, por premtoi t’ia jepte atë vend si pronë atij dhe farës së tij, kur ende nuk kishte fëmijë.» (Vep. 7:5) Vetëm pasi kaluan 430 vjet nga koha kur Abrahami kaloi Eufratin, pasardhësit e tij u organizuan në një komb që do të shtinte në dorë vendin.​—Dal. 12:​40-42; Gal. 3:17.

11. Pse ishte i gatshëm Abrahami të priste Jehovain, dhe çfarë bekimesh do të shijojë për durimin që tregoi?

11 Abrahami ishte i gatshëm të priste, sepse durimi i tij bazohej në besimin te Jehovai. (Lexo Hebrenjve 11:​8-12.) Abrahami priti me kënaqësi, edhe pse nuk e pa përmbushjen e plotë të premtimit në kohën e tij. Por imagjino pak gëzimin e Abrahamit kur të kthehet në jetë në tokën parajsore. Ai do të çuditet kur të shohë sa shumë vend zë në Bibël historia e tij dhe e pasardhësve të tij. * Vetëm të imagjinosh sa do të emocionohet kur të kuptojë për herë të parë rolin e tij jetësor në plotësimin e qëllimit të Jehovait për pasardhjen e premtuar! Pa dyshim që do të ndiejë se ia vlejti gjithë ajo pritje e gjatë.

12, 13. Pse iu desh durim Jozefit, dhe çfarë qëndrimi të shkëlqyer kishte?

12 Edhe Jozefi, stërnipi i Abrahamit, u tregua i gatshëm të priste me durim. Ai ishte viktimë e disa padrejtësive skandaloze. Në fillim, vëllezërit e vet e shitën si skllav kur ishte afro 17 vjeç. Pastaj, kundër tij u ngrit akuza e rreme se ishte orvatur të përdhunonte gruan e padronit, e kështu përfundoi me pranga në burg. (Zan. 39:​11-20; Psal. 105:​17, 18) Duket se në vend që të bekohej për veprimet e tij të drejta, ai po ndëshkohej. Mirëpo pas 13 vjetësh, gjithçka ndryshoi sa hap e mbyll sytë. Jozefin e liruan nga burgu dhe e ngritën në pozitë si sundimtari i dytë për nga rëndësia në Egjipt.​—Zan. 41:​14, 37-43; Vep. 7:​9, 10.

13 A u mbush me vrer Jozefi nga padrejtësitë që hoqi? A e humbi besimin te Perëndia i tij, Jehovai? Aspak. Çfarë e ndihmoi Jozefin të priste me durim? Ishte besimi i tij te Jehovai. Ai e dalloi dorën e Jehovait në situatën e tij. Ja si pasqyrohet kjo te fjalët që u tha vëllezërve të tij: «Mos kini frikë. Mos jam gjë Perëndia unë? Ju kishit ndër mend të më bënit keq, por Perëndia kishte ndër mend diçka të mirë, që të bënte atë që po ndodh sot: pra që të ruante gjallë shumë njerëz.» (Zan. 50:​19, 20) Si përfundim, Jozefi e kuptoi se ia vlejti që priti.

14, 15. (a) Pse është mbresëlënës durimi i Davidit? (b) Çfarë e ndihmoi Davidin të priste me durim?

14 Edhe mbreti David ra viktimë e shumë padrejtësive. Ndonëse Jehovai e mirosi në moshë të re që të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit, Davidit iu desh të priste rreth 15 vjet që të bëhej mbret mbi fisin e vet. (2 Sam. 2:​3, 4) Një pjesë të asaj periudhe, mbreti jobesnik Saul e ndoqi këmba-këmbës Davidin me synimin që ta vriste. * Për pasojë, Davidit iu desh të jetonte në arrati, nganjëherë në dhé të huaj e herë të tjera nëpër shpellat e shkretëtirës. Madje, edhe pasi Sauli u vra në luftë, Davidit prapë iu desh të priste afro shtatë vite të tjera para se të bëhej mbret mbi mbarë kombin e Izraelit.​—2 Sam. 5:​4, 5.

15 Pse ishe i gatshëm të priste me durim Davidi? Ai na e jep përgjigjen në po atë psalm ku pyeti pesë herë: «Deri kur?» Ja çfarë thotë ai: «Por unë kam besim te dashamirësia jote. Zemra ime le të gëzojë në shpëtimin që më sjell ti! Unë do t’i këndoj Jehovait, se më ka shpërblyer gjithnjë.» (Psal. 13:​5, 6) Davidi kishte besim te dashamirësia, ose te dashuria besnike, e Jehovait. Ai priste me gëzim çlirimin dhe meditonte si e kishte shpërblyer Jehovai në të kaluarën. Po, Davidi ishte i bindur se do t’ia vlente të priste.

Kur është fjala për të treguar durim, Jehovai nuk pret nga ne diçka që nuk është i gatshëm ta bëjë vetë

16, 17. Si na kanë lënë një shembull të shkëlqyer edhe Perëndia Jehova, edhe Jezu Krishti në gatishmërinë për të pritur?

16 Kur është fjala për të treguar durim, Jehovai nuk pret nga ne diçka që nuk është i gatshëm ta bëjë vetë. Ai ka lënë shembullin më të shkëlqyer të gatishmërisë për të pritur. (Lexo 2 Pjetrit 3:9.) Jehovai ka pritur me durim për mijëra vjet, me qëllim që çështjet morale të ngritura në kopshtin e Edenit të zgjidhen një herë e mirë. Ai «mezi pret» kohën kur emri i tij do të shenjtërohet plotësisht. Kjo do t’u sjellë bekime të paimagjinueshme atyre që me zjarr «presin të veprojë ai».​—Isa. 30:18.

17 Edhe Jezui ka qenë i gatshëm të presë. Ndonëse e kaloi sprovën e integritetit këtu në tokë dhe e paraqiti vlerën e flijimit të tij shpërblyes në vitin 33 të e.s., Jezuit iu desh të priste deri në vitin 1914 që të fillonte të mbretëronte. (Vep. 2:​33-35; Hebr. 10:​12, 13) Dhe vetëm në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar do të shfarosen plotësisht gjithë armiqtë e Jezuit. (1 Kor. 15:25) Një pritje vërtet e gjatë, por jemi të sigurt se kjo pritje do t’ia vlejë që ç’ke me të.

ÇFARË DO TË NA NDIHMOJË?

18, 19. Çfarë do të na ndihmojë që të jemi të gatshëm të presim me durim?

18 Pa dyshim, pra, që secili nga ne duhet të jetë i gatshëm të presë, të tregojë një qëndrim të duruar. Por, ç’do të na ndihmojë ta bëjmë këtë? Lutu për frymën e Perëndisë. Mos harro, durimi është një aspekt i frytit të frymës. (Efes. 3:16; 6:18; 1 Sel. 5:​17-19) Përgjëroju Jehovait të të ndihmojë të qëndrosh me durim.

19 Gjithashtu, mos harro çfarë i ndihmoi Abrahamin, Jozefin dhe Davidin që ta pritnin me durim plotësimin e premtimeve të Jehovait. Ishte besimi te Jehovai dhe siguria e plotë që ndienin nga fakti që ai u ishte bërë krah gjithnjë. Ata nuk u përqendruan thjesht te vetja dhe te rehatia personale. Teksa meditojmë se sa mirë u doli në fund, do të marrim zemër që të tregojmë edhe ne një qëndrim pritës.

20. Për çfarë duhet të jetë i vendosur secili nga ne?

20 Kështu, edhe pse përballemi me sprova e sfida, jemi të vendosur ‘të rrimë në pritje’. Vërtet, ka raste që mund të thërrasim: «Deri kur, o Jehova?» (Isa. 6:11) Por falë fuqisë së frymës së shenjtë të Perëndisë që na përtërin forcat, secili nga ne është i vendosur të bashkohet me këto fjalë të Jeremisë: «Jehovai është trashëgimia ime . . . prandaj do të rri në pritje të tij.»​—Vajt. 3:​21, 24.

^ par. 11 Afro 15 kapituj të librit të Zanafillës i janë kushtuar historisë së Abrahamit. Veç kësaj, shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke e përmendin Abrahamin mbi 70 herë.

^ par. 14 Edhe pse Jehovai e hodhi poshtë Saulin pasi kishte mbretëruar pak më shumë se dy vjet, Sauli u lejua të vazhdonte të mbretëronte edhe 38 vite të tjera, derisa vdiq.​—1 Sam. 13:1; Vep. 13:21.