Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E vërteta nuk sjell «paqen, por shpatën»

E vërteta nuk sjell «paqen, por shpatën»

«Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.»​—MAT. 10:34.

KËNGËT: 123, 128

1, 2. (a) Çfarë paqeje mund të gëzojmë tani? (b) Çfarë na pengon që të gjejmë paqe të plotë në këto kohë? (Shih figurën hapëse.)

TË GJITHË duam një jetë paqësore, pa ankthe. Sa mirënjohës jemi që Jehovai na jep ‘paqen e Perëndisë’, një qetësi e brendshme që mund të na mbrojë nga mendimet dhe ndjenjat trazuese! (Filip. 4:6, 7) Ngaqë i jemi kushtuar Jehovait gëzojmë edhe «paqe me Perëndinë», një marrëdhënie të mirë me të.​—Rom. 5:1.

2 Mirëpo, koha që ka vendosur Perëndia për të sjellë paqe të plotë nuk ka ardhur ende. Këto ditë të fundit kritike janë plot me konflikte, dhe sa e sa e njerëz kanë qëndrime që shkaktojnë grindje. (2 Tim. 3:1-4) Si shërbëtorë të Perëndisë, duhet edhe të luftojmë kundër Satanait dhe mësimeve të rreme që përhap ai. (2 Kor. 10:4, 5) Por kërcënimi më i madh ndaj paqes sonë mund të vijë nga të afërmit jobesimtarë. Disa mund të tallen me bindjet tona, të na akuzojnë se po përçajmë familjen ose të na kërcënojnë se s’do të jemi më pjesë e familjes po të mos heqim dorë nga besimi ynë. Si duhet ta shohim kundërshtimin nga familja? Si mund t’i përballojmë me sukses vështirësitë që sjell?

SI TA SHOHIM KUNDËRSHTIMIN NGA FAMILJA

3, 4. (a) Çfarë ndikimi kanë mësimet e Jezuit? (b) Kur do të ishte veçanërisht e vështirë për dikë të ndiqte Jezuin?

3 Jezui e dinte se mësimet e tij do t’i ndanin njerëzit dhe se dishepujve të tij do t’u duhej guxim që ta ndiqnin edhe mes kundërshtimeve. Këto kundërshtime mund të cenonin marrëdhëniet paqësore mes pjesëtarëve të familjes. Jezui tha: «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Sepse erdha të shkaktoj ndarje: birin kundër të atit, bijën kundër së ëmës dhe nusen kundër së vjehrrës. Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.»​—Mat. 10:34-36.

4 Me fjalët «mos mendoni se erdha të sjell paqen», Jezui donte të thoshte se disa nga dëgjuesit e tij duhej të mendonin për pasojat që do të kishin si dishepuj të tij. Mesazhi i tij mund t’i ndante njerëzit. Patjetër që motivi i Jezuit ishte të shpallte mesazhin e së vërtetës nga Perëndia, jo të dëmtonte marrëdhëniet mes njerëzve. (Gjoni 18:37) Megjithatë, një dishepull do ta kishte të vështirë të ndiqte me besnikëri mësimet e Krishtit nëse miqtë e ngushtë a pjesëtarët e familjes e hidhnin poshtë të vërtetën.

5. Çfarë kanë përjetuar dishepujt e Jezuit?

5 Jezui e përfshiu dhimbjen që shkakton kundërshtimi nga familja te vuajtjet që duhet të jenë të gatshëm të durojnë dishepujt e tij. (Mat. 10:38) Që të jenë të denjë për Krishtin, dishepujve të tij u është dashur të durojnë tallje ose madje edhe ndarjen nga familjet e tyre. E megjithatë, kanë fituar shumë më tepër se ç’kanë humbur.​—Lexo Markun 10:29, 30.

6. Çfarë s’duhet të harrojmë nëse të afërmit u kundërvihen përpjekjeve tona për të adhuruar Jehovain?

6 Edhe kur të afërmit u kundërvihen përpjekjeve tona për të adhuruar Jehovain, ne vazhdojmë t’i duam. Ama s’duhet të harrojmë se dashuria jonë për Perëndinë dhe për Krishtin zë vendin e parë. (Mat. 10:37) Duhet të mbajmë parasysh edhe se Satanai do të përpiqet ta përdorë përzemërsinë tonë për familjen që të na thyejë integritetin. Le të shqyrtojmë disa situata që përfshijnë kundërshtimin nga familja e të shohim si mund t’i përballojmë me sukses vështirësitë që shkaktojnë ato.

NJË BASHKËSHORT JOBESIMTAR

7. Si duhet ta shohin situatën e tyre ata që kanë bashkëshort jobesimtar?

7 Bibla paralajmëron se ata që martohen «do të kenë shtrëngim në mish». (1 Kor. 7:28) Nëse bashkëshorti yt është jobesimtar, mund të përjetosh më shumë stres e ankth se zakonisht në martesë. Gjithsesi, është e rëndësishme që ta shohësh situatën siç e sheh Jehovai. Fakti që bashkëshorti yt për momentin nuk dëshiron të ndjekë Krishtin, nuk është në vetvete arsye për t’u ndarë a divorcuar. (1 Kor. 7:12-16) Edhe pse burri jobesimtar mund të mos marrë drejtimin në adhurimin e vërtetë, duhet respektuar për hir të rolit të tij si kreu i familjes. Po njësoj, një Dëshmitar që e ka gruan jobesimtare duhet t’i tregojë asaj dashuri vetëmohuese dhe përzemërsi të butë.​—Efes. 5:22, 23, 28, 29.

8. Cilat pyetje mund t’i bësh vetes nëse bashkëshorti përpiqet të të kufizojë në adhurim?

8 Po nëse bashkëshorti përpiqet të të kufizojë në adhurimin tënd? Për shembull, një motre bashkëshorti i kërkoi të dilte në shërbim vetëm në ditë të caktuara të javës. Nëse gjendesh në një situatë të ngjashme, pyet veten: «A po më kërkon bashkëshorti që të mos e adhuroj më Perëndinë tim? Nëse jo, a mund t’i hap rrugë kërkesës së tij?» Arsyetueshmëria mund të të ndihmojë të shmangësh konfliktet e panevojshme në martesë.​—Filip. 4:5.

9. Si mund t’i mësojnë Dëshmitarët fëmijët e tyre të nderojnë prindin jobesimtar?

9 Edukimi i fëmijëve mund të jetë veçanërisht i vështirë nëse ke bashkëshort jobesimtar. Për shembull, ti duhet t’i mësosh fëmijët t’i binden urdhrit të Biblës: «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Efes. 6:1-3) Po ç’të themi nëse burri ose gruaja jote nuk ndjek normat e larta biblike për sjelljen? Lër shembullin duke e nderuar. Përqendrohu te cilësitë e mira që ka ai ose ajo, dhe shprehe vlerësimin për të. Mos thuaj gjëra negative për bashkëshortin në sy të fëmijëve. Në vend të kësaj, shpjegoju se çdo person duhet të zgjedhë nëse do t’i shërbejë Jehovait. Sjellja e mirë e fëmijëve mund ta tërheqë drejt adhurimit të vërtetë bashkëshortin jobesimtar.

Mësoju fëmijëve të vërtetën e Biblës sa herë të jetë e mundur (Shih paragrafin 10)

10. Si mund t’ua mësojnë prindërit Dëshmitarë fëmijëve të tyre të vërtetën e Biblës në një shtëpi të ndarë nga ana fetare?

10 Ndonjëherë bashkëshortët jobesimtarë kërkojnë që fëmijët të marrin pjesë në festa me origjinë pagane ose të mësojnë bindje të rreme fetare. Disa burra mund t’ia ndalojnë gruas Dëshmitare t’i mësojë fëmijët nga Bibla. Prapëseprapë, një grua Dëshmitare bën çfarë ka mundësi që t’u mësojë fëmijëve të vërtetën e Biblës. (Vep. 16:1; 2 Tim. 3:14, 15) Për shembull, burri mund të mos e lejojë gruan e vet Dëshmitare që të drejtojë një studim formal biblik me fëmijët e saj të mitur ose që t’i marrë në mbledhje. Ndërkohë që i respekton vendimet e tij, ajo prapë mund ta shprehë besimin e saj në prani të fëmijëve kur krijohen mundësi. Kështu i edukon fëmijët nga ana morale dhe u jep njohuri për Jehovain. (Vep. 4:19, 20) Patjetër që me kohë fëmijët e saj duhet të marrin vetë një vendim në lidhje me adhurimin.​—Ligj. 30:19, 20. *

TË AFËRM QË I KUNDËRVIHEN ADHURIMIT TË VËRTETË

11. Çfarë mund të shkaktojë probleme mes teje dhe të afërmve jo Dëshmitarë?

11 Në fillim, mbase nuk i kemi treguar familjes se po shoqëroheshim me Dëshmitarët e Jehovait. Mirëpo, teksa na rritej besimi, kuptuam se duhej të flitnim haptas për bindjet tona. (Mar. 8:38) Nëse qëndrimi yt i guximshëm ka sjellë probleme mes teje dhe të afërmve jo Dëshmitarë, ja disa hapa që mund të bësh për të pakësuar konfliktet ndërkohë që mban integritetin.

12. Pse mund të na kundërvihen të afërmit jobesimtarë, por si mund të tregojmë empati për ta?

12 Trego empati për të afërmit jobesimtarë. Ndoshta ne nuk na mban vendi nga gëzimi për të vërtetat e Biblës që kemi mësuar, mirëpo të afërmit gabimisht mund të mendojnë se na kanë mashtruar a se jemi bërë pjesë e ndonjë sekti. Mund të mendojnë se nuk i duam më ngaqë nuk marrim pjesë me ta në disa festa. Madje mund të kenë merak edhe për mirëqenien tonë të përhershme. Duhet të tregojmë empati duke u përpjekur t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tyre dhe duke i dëgjuar me vëmendje për të dalluar çfarë i shqetëson në të vërtetë. (Prov. 20:5) Apostulli Pavël bënte çmos të kuptonte «njerëz të çdo lloji» që t’u jepte lajmin e mirë. E njëjta metodë mund të na ndihmojë edhe ne.​—1 Kor. 9:19-23.

13. Si duhet të flasim me të afërmit jobesimtarë?

13 Fol me butësi. Bibla thotë: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir.» (Kolos. 4:6) Kur flasim me të afërmit, mund t’i kërkojmë Jehovait frymën e tij të shenjtë që të shfaqim frytin e saj. Të mos përpiqemi të hapim debat për çdo ide të rreme fetare që kanë. Nëse na lëndojnë me fjalët ose veprimet e tyre, mund të imitojmë shembullin e apostujve. Pavli shkroi: «Kur na shajnë, bekojmë; kur na përndjekin, durojmë; kur na përgojojnë, përgjërohemi [përgjigjemi me butësi].»​—1 Kor. 4:12, 13.

14. Ç’dobi vijnë kur mbajmë një sjellje të shkëlqyer?

14 Mbaj një sjellje të shkëlqyer. Ndonëse të folurit e butë na ndihmon në marrëdhëniet me të afërmit kundërshtarë, sjellja jonë e mirë mund të flasë akoma më tepër. (Lexo 1 Pjetrit 3:1, 2, 16.) Lër që të afërmit të shohin nga shembulli yt se Dëshmitarët e Jehovait kanë martesa të lumtura, kujdesen për fëmijët e tyre dhe bëjnë një jetë të pastër, të moralshme, domethënëse e të kënaqshme. Edhe sikur të afërmit tanë të mos e pranojnë kurrë të vërtetën, mund të ndiejmë gëzimin që vjen kur kënaqim Jehovain me besnikërinë tonë.

15. Si mund të planifikojmë që më parë për situatat që mund të çojnë në konflikte?

15 Planifiko që më parë. Mendo për situatat që mund të shkaktojnë konflikte dhe përcakto si t’i përballosh. (Prov. 12:16, 23) Një motër nga Australia tregon: «Vjehrri im e kundërshtonte me forcë të vërtetën. Para se të flitnim me të për ta pyetur si ishte, im shoq dhe unë i luteshim Jehovait të na ndihmonte që të mos ia kthenim me të njëjtën monedhë nëse acarohej. Përgatitnim çfarë temash të diskutonim që biseda të mbetej miqësore. Për të shmangur bisedat e gjata që zakonisht çonin në debate të zjarrta për fenë, caktonim një afat kohor për ato telefonata.»

16. Si t’i kapërcesh ndjenjat e fajit që mund të vijnë ngaqë mërzit të afërmit?

16 Sigurisht, s’mund të presësh të shmangësh çdo mosmarrëveshje me të afërmit jobesimtarë. Konflikte të tilla mund të të bëjnë të ndihesh në faj, sidomos ngaqë i do fort të afërmit dhe je përpjekur gjithmonë t’i kënaqësh. Nëse ndihesh kështu, bëj çmos ta vësh besnikërinë ndaj Jehovait para dashurisë për familjarët. Ky qëndrim mund t’i ndihmojë të afërmit e tu të kuptojnë se zbatimi i së vërtetës biblike është çështje me rëndësi jetësore. Sidoqoftë, mos harro se s’mund t’i detyrosh të tjerët të pranojnë të vërtetën. Në vend të kësaj, jepu mundësi të shohin në jetën tënde dobitë që vijnë kur ecën në udhën e Jehovait. Perëndia ynë i dashur u ofron atyre, ashtu siç na ka ofruar edhe neve, mundësinë për të zgjedhur në cilën udhë të ecin.​—Isa. 48:17, 18.

NËSE NJË FAMILJAR BRAKTIS JEHOVAIN

17, 18. Ç’mund të të ndihmojë t’ia dalësh mbanë nëse një familjar braktis Jehovain?

17 Kur një pjesëtar i familjes përjashtohet ose vetëpërjashtohet nga kongregacioni, mund të të duket si goditje e dhimbshme shpate. Si mund ta përballosh këtë dhimbje?

18 Mbaj programin që ke për adhurim. Merr forcë duke lexuar rregullisht Biblën, duke u përgatitur për mbledhje e duke marrë pjesë në to, duke dalë në shërbim dhe duke u lutur për forcë që të qëndrosh. (Jud. 20, 21) Po nëse kupton se nuk po merr pjesë me zemër në këto aktivitete, se po i bën gjërat thjesht mekanikisht? Mos u dorëzo! Një program i mirë adhurimi mund të të ndihmojë të marrësh nën kontroll mendimet dhe ndjenjat. Mendo për përvojën e shkrimtarit të Psalmit 73. Ai kishte zhvilluar një pikëpamje të gabuar dhe ishte trazuar shumë, ama arriti të ndreqte pikëpamjen e tij kur hyri në vendin e adhurimit të Perëndisë. (Psal. 73:16, 17) Adhurimi me besnikëri ndaj Jehovait mund të të ndihmojë po njësoj edhe ty.

19. Si mund të tregosh respekt për masën disiplinore të Jehovait?

19 Respekto disiplinën e Jehovait. Ndonëse për momentin është e dhimbshme, masa disiplinore nga Jehovai mund të sjellë rezultatet më të mira afatgjata për të gjithë, përfshirë keqbërësin. (Lexo Hebrenjve 12:11.) Për shembull, Jehovai na udhëzon ‘të mos përzihemi më në shoqëri’ me keqbërësit e papenduar. (1 Kor. 5:11-13) Pavarësisht se na dhemb në shpirt, duhet të shmangim komunikimin e panevojshëm me një familjar të përjashtuar nëpërmjet telefonatave, mesazheve, letrave, email-eve ose medias sociale.

20. Cilën shpresë duhet të mbajmë gjallë?

20 Mbaje gjallë shpresën. Dashuria «shpreson çdo gjë», madje shpreson edhe që kush ka braktisur Jehovain do të kthehet tek ai. (1 Kor. 13:7) Nëse sheh prova se një pjesëtar i familjes po ndryshon qëndrim, mund të lutesh që ai ose ajo të marrë forcë nga Shkrimet dhe t’i përgjigjet thirrjes së Jehovait: «Kthehu tek unë.»​—Isa. 44:22.

21. Ç’duhet të bësh nëse fakti që ndjek Jezuin ka shkaktuar ndarje në familjen tënde?

21 Jezui tha se po të vinim një njeri para tij, këdo qoftë, nuk do të ishim të denjë për të. Gjithsesi, ai ishte i bindur se dishepujt e tij do të kishin guximin t’i qëndronin besnikë pavarësisht nga kundërshtimi i familjes. Nëse fakti që po ndjek Jezuin ka sjellë një ‘shpatë’ në familjen tënde, mbështetu te Jehovai që të të ndihmojë t’i përballosh me sukses vështirësitë. (Isa. 41:10, 13) Gjej gëzim duke e ditur se Jehovai dhe Jezui janë të kënaqur me ty dhe se do të të shpërblejnë për besnikërinë që mban.

^ par. 10 Për më shumë informacion se si t’i edukosh fëmijët në një shtëpi të ndarë nga ana fetare, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2002.