Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vegimet e Zakarisë​—Si ndikojnë te ti

Vegimet e Zakarisë​—Si ndikojnë te ti

«Kthehuni tek unë, . . . dhe unë do të kthehem te ju.»​—ZAK. 1:3.

KËNGËT: 89, 86

1-3. (a) Cila ishte gjendja e popullit të Jehovait kur nisi të profetizonte Zakaria? (b) Pse Jehovai i kërkoi popullit të tij ‘të kthehej tek ai’?

NJË rrotull që fluturon, një grua e mbyllur mirë në një enë dhe dy gra me krahë si të lejlekut që ngrihen fluturim në ajër​—imazhe të tilla mbresëlënëse i gjejmë në librin e Zakarisë. (Zak. 5:1, 7-9) Pse ia dha Jehovai këto vegime të fuqishme profetit të tij? Cila ishte gjendja e izraelitëve në atë kohë? Si ndikojnë te ne sot këto vegime që dokumentoi Zakaria?

2 Viti 537 p.e.s. ishte një vit i hareshëm për popullin e kushtuar të Jehovait: pas 70 vitesh të gjata robërie, u liruan nga Babilonia. Në hovin e entuziazmit të fillimit, ata iu përveshën punës për të rivendosur adhurimin e vërtetë në Jerusalem. Në vitin 536 p.e.s. u hodhën themelet e tempullit. Në atë rast, populli lëshonte një ‘britmë aq të fortë, sa zëri dëgjohej shumë larg’. (Ezd. 3:10-13) Mirëpo s’kaloi shumë dhe kundërshtimet ndaj atij projekti ndërtimi u intensifikuan. Të shkurajuar nga sfidat dhe vështirësitë e shumta, izraelitët e ndërprenë ndërtimin e tempullit dhe zunë të merreshin me shtëpitë e tyre e të kultivonin arat. Kaluan 16 vjet, dhe ndërtimi i tempullit të Jehovait ishte në vend numëro. Popullit të Jehovait i nevojitej një përkujtues që të kthehej tek Ai dhe të mos vinte më në vend të parë interesat personale. Jehovai donte të ktheheshin tek ai, ta adhuronin sërish pa frikë dhe me gjithë shpirt.

3 Për ta ndihmuar popullin e vet të kujtonte arsyen pse u liruan nga Babilonia, Perëndia dërgoi në vitin 520 p.e.s. profetin e tij Zakaria. Edhe vetë emri Zakaria, që do të thotë «Jehovai ka kujtuar», mund t’u ketë sjellë ndër mend një të vërtetë jetësore. Ndonëse ata e kishin harruar çfarë kishte bërë Jehovai për t’i shpëtuar, Perëndia e kujtonte ende popullin e vet. (Lexo Zakarinë 1:3, 4.) Ai i siguroi me dashuri se do t’i ndihmonte të rivendosnin adhurimin e pastër, por edhe i paralajmëroi prerë se nuk do ta toleronte adhurimin me gjysmë zemre. Le të shohim si e përdori Jehovai vegimin e gjashtë dhe të shtatë të Zakarisë për t’u ndezur dëshirën që të vepronin. Gjithashtu, të dallojmë çfarë mësimesh mund të nxjerrim sot nga kjo.

NDËSHKIMI HYJNOR PËR VJEDHJEN

4. Çfarë pa Zakaria në vegimin e gjashtë, dhe pse është domethënëse që rrotulla ishte e shkruar nga të dyja anët? (Shih figurën hapëse 1.)

4 Kapitulli 5 i Zakarisë nis me një vegim të pazakontë. (Lexo Zakarinë 5:1, 2.) Zakaria sheh të fluturojë në ajër një rrotull gati 9 metra e gjatë dhe 4 metra e gjysmë e gjerë! Rrotulla është e shpalosur dhe aty mund të lexohet një mesazh gjykimi i shkruar në të dyja anët e saj. (Zak. 5:3) Zakonisht rrotullat shkruheshin vetëm në njërën anë, ndaj është e qartë se kjo rrotull përmban një mesazh me peshë dhe serioz.

Mes popullit të Perëndisë s’ka vend për asnjë lloj vjedhjeje (Shih paragrafët 5-7.)

5, 6. Si e sheh Jehovai çdo lloj vjedhjeje?

5 Lexo Zakarinë 5:3, 4. Vërtet, të gjithë njerëzit do t’i japin llogari Jehovait, por akoma më tepër populli që mban emrin e tij. Ata që e duan Perëndinë e dinë mirë se çdo lloj vjedhjeje ‘do ta përdhoste emrin e Perëndisë së tyre’. (Prov. 30:8, 9) Pavarësisht se cili është motivi ose sa e justifikuar mund të duket vjedhja në disa rrethana, ai që vjedh vë dëshirën lakmitare para Perëndisë, duke vlerësuar së tepërmi gjërat materiale. Ai e minimizon ligjin e Perëndisë, duke e shpërfillur Jehovain dhe emrin e Tij si të mos kenë fare vlerë ose rëndësi.

6 A e vure re se Zakaria 5:3, 4 thotë që ‘mallkimi . . . do të hynte në shtëpinë e hajdutit . . . do ta kalonte natën në mes të shtëpisë së tij dhe do ta shfaroste atë’ shtëpi? Nuk ka bravë dhe lloz që ta pengojë gjykimin e pafavorshëm të Jehovait. Ai mund të depërtojë në çdo vend të fshehtë për të nxjerrë sheshit keqbërjet mes popullit të Jehovait. Edhe nëse dikush ia del ta fshehë vjedhjen nga autoritetet, punëdhënësit, pleqtë ose prindërit, s’ka si t’ia fshehë Perëndisë, i cili garanton se çdo vjedhje do të dalë në shesh. (Hebr. 4:13) Sa përtëritëse është të shoqërohesh me njerëz që kanë përherë merak të jenë të ndershëm «në çdo gjë»!—Hebr. 13:18.

7. Si mund të shpëtojmë nga mallkimi i rrotullës që fluturon?

7 Çdo lloj vjedhjeje e fyen Jehovain. Ne e quajmë nder të jetojmë sipas normave të larta morale të Jehovait, duke mbajtur një sjellje që nuk hedh baltë kurrsesi mbi emrin e tij. Në këtë mënyrë, mund t’ia dalim të shpëtojmë nga gjykimi i Jehovait kundër atyre që shkelin me dashje ligjin e tij.

TA MBAJMË FJALËN «DITË PËR DITË»

8-10. (a) Ç’do të thotë të bësh një be? (b) Cilin betim nuk mbajti mbreti Zedekia?

8 Mesazhi i shkruar në rrotullën që fluturon përmban më tej një paralajmërim për ata ‘që bëjnë be të rreme në emrin e Perëndisë’. (Zak. 5:4) Të zësh be do të thotë të bësh një betim për të vërtetuar se diçka është e vërtetë ose të japësh një premtim solemn se do të bësh a nuk do të bësh një gjë të caktuar.

9 Të bësh be në emrin e Jehovait është çështje shumë serioze. Tamam këtë bëri Zedekia, mbreti i fundit që u ul në fronin e Jerusalemit. Ai u betua për Jehovain se do të mbetej një vasal besnik i mbretit të Babilonisë. Mirëpo nuk e mbajti betimin. Për pasojë, Jehovai dha këtë gjykim për të: «Siç është e vërtetë që unë rroj, . . . [Zedekia] do të vdesë në mes të Babilonisë, në vendin e atij mbreti që vuri në fron atë që përbuzi betimin e tij dhe që prishi besëlidhjen me të.»​—Ezek. 17:16.

10 Mbreti Zedekia ishte betuar për emrin e Perëndisë, prandaj kishte detyrimin ndaj Jehovait që ta mbante atë betim. (2 Kron. 36:13) Në vend të kësaj, Zedekia iu drejtua për ndihmë Egjiptit në një orvatje të kotë që të çlirohej nga zgjedha e Babilonisë.​—Ezek. 17:11-15, 17, 18.

11, 12. (a) Cili është betimi më i rëndësishëm në gjithë jetën tonë? (b) Në cilat mënyra duhet të ndikojë në jetën tonë të përditshme betimi i kushtimit?

11 Jehovai ua vë veshin edhe premtimeve tona. Ai i sheh si serioze zotimet ose betimet që bëjmë, dhe për të pasur miratimin e tij, duhet t’i plotësojmë. (Psal. 76:11) Nga të gjitha premtimet tona, më i rëndësishmi është ai që bëjmë kur i kushtohemi Jehovait. Kushtimi është një betim solemn për t’i shërbyer Jehovait pa kushte.

12 Si mund ta mbajmë betimin tonë të kushtimit? Qëndrimi ynë gjatë sprovave, qofshin të mëdha a të vogla, duhet të tregojë se e marrim seriozisht premtimin solemn që ta lëvdojmë Jehovain «ditë për ditë». (Psal. 61:8) Për shembull, kur dikush në punë a në shkollë flirton me ne, a e shohim këtë si një mundësi që ‘të gjejmë ëndje në udhët e Jehovait’ duke i hedhur poshtë provokime të tilla? (Prov. 23:26) Nëse jetojmë në familje të ndarë nga ana fetare, a i kërkojmë ndihmë Jehovait që të mbajmë personalitetin e krishterë, edhe nëse askush përreth nesh nuk bën ndonjë përpjekje të tillë? A flasim përditë në lutje me Atin tonë të dashur qiellor, duke e falënderuar që na ka siguruar udhëheqjen e tij dhe që na do? A lëmë kohë çdo ditë për të lexuar Biblën? A nuk premtuam, në thelb, se do t’i bënim këto gjëra? Kjo është një çështje bindjeje. Pjesëmarrja me gjithë shpirt në adhurim tregon se e duam Jehovain dhe se i jemi kushtuar me të vërtetë. Adhurimi ynë është një mënyrë jetese, jo një formalitet sa për të thënë. Kur e mbajmë këtë premtim, është për të mirën tonë; besnikëria na çon drejt një të ardhmeje të sigurt.​—Ligj. 10:12, 13.

13. Ç’mund të mësojmë nga vegimi i gjashtë i Zakarisë?

13 Vegimi i gjashtë i Zakarisë na ka ndihmuar të kuptojmë se ata që e duan Jehovain s’duhet të përfshihen në asnjë lloj vjedhjeje ose të bëjnë betime të rreme. Gjithashtu, vërejtëm se me gjithë gabimet e izraelitëve, Jehovai nuk hoqi dorë prej tyre. Ai i kuptonte presionet që hasnin ndërsa ishin të rrethuar nga armiq. Jehovai na lë shembullin duke i mbajtur premtimet e veta, dhe do të na ndihmojë t’i mbajmë edhe ne premtimet tona. Një mënyrë si na ofron ndihmë është duke na dhënë shpresën se së shpejti do t’i japë fund gjithë ligësisë në mbarë botën. Këtë shpresë të shkëlqyer na e garanton vegimi tjetër i Zakarisë.

LIGËSIA ‘VIHET NË VENDIN QË I TAKON’

14, 15. (a) Çfarë sheh Zakaria në vegimin e shtatë? (Shih figurën hapëse 2.) (b) Çfarë paraqet gruaja brenda enës, ose ‘efës’, dhe pse është izoluar dhe mbyllur mirë?

14 Pasi Zakaria sheh rrotullën që fluturon, një engjëll i thotë ‘të ngrejë sytë’. Çfarë do të zbulojë tani vegimi i shtatë? Ai sheh të dalë një enë, që quhet ‘efë’. (Lexo Zakarinë 5:5-8.) Ena ka madhësi mesatare dhe një ‘kapak plumbi në formë rrethi’. Kur hiqet kapaku, Zakaria sheh se aty ‘rri ulur një grua’. Engjëlli shpjegon se gruaja brenda enës është «Ligësia». Imagjino tmerrin e Zakarisë kur sheh se ajo zvarritet për të dalë nga vendi ku është izoluar! Engjëlli vepron sa hap e mbyll sytë, duke e hedhur prapë gruan brenda dhe duke e mbyllur fort enën me kapakun e rëndë. Ç’kuptim ka kjo?

15 Kjo pjesë e vegimit thekson se Jehovai nuk do të tolerojë asnjë lloj ligësie mes popullit të vet. Ai do të kujdeset që ligësisë t’i vihet pritë dhe të hiqet me shpejtësi. (1 Kor. 5:13) Engjëlli na siguron për këtë duke e hedhur me forcë kapakun prej plumbi mbi enë.

Jehovai bëri çmos që ta mbante të kulluar adhurimin e pastër (Shih paragrafët 16-18.)

16. (a) Çfarë pa Zakaria të ndodhte më pas me enën? (Shih figurën hapëse 3.) (b) Ku e çojnë enën gratë me krahë?

16 Pastaj në skenë shfaqen dy gra që kanë krahë të fortë si të lejlekut. (Lexo Zakarinë 5:9-11.) Sa shumë ndryshojnë ato nga gruaja brenda enës! Këto gra i përdorin krahët e tyre të fortë që të zbresin vrik e të ngrenë enën ku është mbyllur «Ligësia». Ku e çojnë? Ato e vendosin Ligësinë në «vendin e Shinarit», pra në Babiloni. Po pse vallë e çojnë enën në Babiloni?

17, 18. (a) Pse Shinari është ‘vendi ku i takon’ të banojë ‘Ligësia’? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur në lidhje me ligësinë?

17 Për izraelitët në ditët e Zakarisë, Shinari do të ishte një vend i përshtatshëm ku të izolohej Ligësia. Zakaria dhe bashkatdhetarët e tij judenj mund të dëshmonin se në kohën e tyre Babilonia ishte vend i ligësisë. Ata ishin rritur mes praktikave të fëlliqura e idhujtare të atij qyteti dhe u ishte dashur të luftonin çdo ditë për t’i rezistuar frymës së asaj bote pagane. Sa të lehtësuar duhet të jenë ndier nga ai vegim që i garantonte se Jehovai do ta mbante të kulluar adhurimin e pastër!

18 Por vegimi u kujtoi judenjve edhe përgjegjësinë e tyre që ta mbanin të pastër adhurimin. Mes popullit të Jehovait nuk mund të lejohet dhe s’do të lejohet të depërtojë e të banojë ligësia. Pasi jemi futur nën strehën mbrojtëse e të dashur të organizatës së pastër të Perëndisë, kemi përgjegjësinë të ndihmojmë për ta mbajtur të pastër. A ndihemi të nxitur nga zemra që ta mbajmë të pastër «shtëpinë» tonë? Ligësia e çfarëdo lloji s’ka vend në parajsën që gëzon populli i Perëndisë.

NJË POPULL I PASTËR NDERON JEHOVAIN

19. Çfarë domethënie kanë për ne sot vegimet mbresëlënëse të Zakarisë?

19 Vegimi i gjashtë dhe i shtatë i Zakarisë janë një paralajmërim që i shkund ata që nuk heqin dorë nga sjellja e pandershme, një përkujtues se Jehovai nuk e toleron keqbërjen. Kurse adhuruesit e tij të sinqertë duhet ta urrejnë me gjithë shpirt ligësinë. Këto vegime janë edhe një garanci e dashur nga Ati ynë qiellor. Nëse bëjmë çmos të jemi ata lloj njerëzish që kanë miratimin dhe mbrojtjen e Perëndisë, s’do të na duhet të provojmë mallkimin vdekjeprurës. Përkundrazi, Jehovai do të na bekojë me kënaqësi. Të gjitha përpjekjet tona për të mbetur të pastër mes një bote të zhytur në ligësi do t’ia vlejnë. Të jemi të bindur se me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalim mbanë! Por, si të jemi të sigurt se adhurimi i vërtetë do të triumfojë në këtë botë plot paperëndishmëri? Çfarë garancie kemi se Jehovai do ta mbrojë organizatën e tij teksa afrohet shtrëngimi i madh? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin tjetër.