Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«E di se do të ringjallet»

«E di se do të ringjallet»

«Miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj.»​—GJONI 11:11.

KËNGËT: 142, 129

1. Për çfarë ishte e sigurt Marta në lidhje me të vëllanë? (Shih figurën hapëse.)

MIKEN e ngushtë dhe dishepullen e Jezuit, Martën, e kish mbytur pikëllimi. Vëllai i saj, Lazari, kishte vdekur. A mund t’ia lehtësonte ndonjë gjë hidhërimin? Po. Jezui e siguroi me këto fjalë: «Yt vëlla do të ngrihet.» Ndoshta kjo nuk ia fashiti krejt pikëllimin, por Marta i besoi fjalët siguruese të Jezuit. Ajo tha: «E di se do të ringjallet ditën e fundit.» (Gjoni 11:20-24) Marta ishte e sigurt se kjo do të ndodhte në të ardhmen. Atëherë Jezui kreu një mrekulli. Ai e kthehu në jetë Lazarin pikërisht atë ditë.

2. Pse do të doje të kishe të njëjtën bindje si Marta?

2 Sot nuk kemi arsye të presim që Jezui ose Ati i tij të bëjnë një mrekulli të tillë për ne. Megjithatë, a je po aq i sigurt sa Marta se një njeriu yt i dashur do të ringjallet në të ardhmen? Mbase vdekja të ka rrëmbyer burrin a gruan, nënën, babanë ose një gjysh a gjyshe të dashur. Ose ndoshta je i pikëlluar për humbjen e fëmijës. Të digjet zemra ta përqafosh, të flasësh dhe të qeshësh me atë njeri të shtrenjtë. Sa mirë që, ashtu si Marta, edhe ti ke arsye të forta për të thënë: «E di se njeriu im i dashur do të ringjallet.» Gjithsesi, çdo të krishteri do t’i bëjë mirë të meditojë për arsyet pse kjo bindje ka baza.

3, 4. Si ia forcuan bindjen Martës ringjalljet që kishte bërë më parë Jezui?

3 Marta jetonte afër Jerusalemit, prandaj nuk ka gjasa ta kishte parë Jezuin të ringjallte birin e një vejushe pranë Nainit të Galilesë. Por ka shumë mundësi të kishte dëgjuar për këtë. E njëjta gjë mund të thuhet për rastin kur Jezui ktheu në jetë bijën e Jairit. Ata që ishin mbledhur në shtëpinë e vajzës «e dinin që ajo kishte vdekur». Megjithatë, Jezui kapi dorën e saj të pajetë dhe tha: «Vajzë, ngrihu!» E ajo u ngrit në çast. (Luka 7:11-17; 8:41, 42, 49-55) Marta dhe motra e saj, Maria, e dinin se Jezui mund të shëronte të sëmurët. Ja pse mendonin se po të kishte qenë atje Jezui, Lazari nuk do të kishte vdekur. Mirëpo tani që miku i shtrenjtë i Jezuit kish vdekur, çfarë priste Marta në të ardhmen? Të mos harrojmë se Marta tha që Lazari do të kthehej në jetë në të ardhmen, «ditën e fundit». Pse mund të ishte e sigurt për këtë? Dhe pse mund të jesh i sigurt ti se në të ardhmen do të ketë një ringjallje kur mund të kthehen në jetë edhe njerëzit e tu të shtrenjtë?

4 Ke arsye të forta që të jesh i bindur për këtë. Teksa shqyrtojmë disa prej tyre, mund të gjesh në Fjalën e Perëndisë pika që zakonisht nuk i ke lidhur me shpresën tënde të sigurt për t’i parë sërish njerëzit e dashur.

NGJARJE QË USHQEJNË SHPRESËN

5. Pse Marta ishte e bindur se Lazari do të ringjallej?

5 Vër re se Marta nuk tha: ‘Shpresoj se im vëlla do të ringjallet.’ Ajo tha: «E di se do të ringjallet.» Marta ishte e bindur për shkak të mrekullive që kishin ndodhur shumë kohë para se të fillonte shërbimin Jezui. Ajo kishte mësuar për ato mrekulli në shtëpi dhe në sinagogë gjatë fëmijërisë. Mund të kujtojmë tri nga këto ngjarje të dokumentuara në Shkrimet e frymëzuara.

6. Cilën mrekulli të jashtëzakonshme kreu Elija, dhe si lidhet kjo me Martën?

6 Ringjallja e parë ndodhi në kohën kur Perëndia i jepte fuqi profetit të tij Elija që të bënte mrekulli. Lart në veri në Zarefat, një qytet bregdetar fenikas, një vejushë e varfër i tregoi mikpritje profetit. Atëherë Perëndia, me anë të një mrekullie, bëri të mos i shteronin rezervat e miellit e të vajit, e kështu ajo dhe i biri mbetën gjallë. (1 Mbret. 17:8-16) Më vonë, djali i saj u sëmur dhe vdiq. Elija i vajti në ndihmë vejushës. Ai preku trupin e pajetë të djalit dhe u lut: «Perëndia im, të lutem, bëj që ky fëmijë të kthehet në jetë!» E ashtu ndodhi! Perëndia e dëgjoi Elijan, dhe fëmija u kthye në jetë. Ajo ishte ringjallja e parë e dokumentuar në Bibël. (Lexo 1 Mbretërve 17:17-24.) Marta pa dyshim që kishte dëgjuar për atë ngjarje mbresëlënëse.

7, 8. (a) Tregoni çfarë bëri Eliseu për t’i fashitur hidhërimin një gruaje. (b) Çfarë tregon për Jehovain mrekullia e Eliseut?

7 Ringjalljen e dytë të dokumentuar në Shkrime e kreu pasuesi i Elijas, profeti Elise. Një grua e mirënjohur izraelite në Shunem i tregoi mikpritje të rrallë Eliseut. Perëndia e shpërbleu me një djalë atë grua pa fëmijë dhe burrin e saj të moshuar, siç premtoi nëpërmjet profetit. Por disa vjet më vonë, i biri vdiq. Imagjino si iu copëtua zemra nga hidhërimi së ëmës. Pasi i mori leje të shoqit, ajo udhëtoi rreth 30 kilometra derisa gjeti Eliseun në malin Karmel. Profeti nisi shërbëtorin e vet Gehaz që të kthehej në Shunem para tyre. Mirëpo Gehazi nuk arriti ta kthente në jetë djalin e vdekur. Pastaj mbërriti nëna e pikëlluar bashkë me Eliseun.​—2 Mbret. 4:8-31.

8 Atje në shtëpinë në Shunem, pranë trupit të pajetë, Eliseu u lut. Me anë të një mrekullie, djali i vdekur u kthye në jetë dhe u ribashkua me të ëmën që tani s’mbahej nga gëzimi! (Lexo 2 Mbretërve 4:32-37.) Ka shumë të ngjarë që asaj t’i jetë kujtuar një lutje e Hanës, e cila kishte qenë shterpë. Kur e çoi Samuelin për të shërbyer në tabernakull, Hana u lut: «Jehovai . . . të zbret në Sheol dhe të ngre.» (1 Sam. 2:6) E pra, Perëndia e ngriti vërtet djalin në Shunem, duke provuar se ka aftësinë të ringjallë.

9. Shpjegoni si u përfshi Eliseu në ringjalljen e tretë të dokumentuar në Bibël.

9 Por, kjo nuk është ngjarja e fundit mbresëlënëse që lidhet me Eliseun. Pasi kishte shërbyer mbi 50 vjet si profet, atë «e zuri një sëmundje, nga e cila më vonë vdiq». Kohë më pas, kur nga kufoma e Eliseut kishin mbetur veç eshtrat, në vend hyri një bandë armike. Ndërkohë, disa izraelitë po shkonin të varrosnin një burrë. Në vrap e sipër për t’u shpëtuar armiqve, ata e hodhën të vdekurin në varrin ku ishin eshtrat e Eliseut. Shkrimet thonë: «Kur trupi i të vdekurit preku eshtrat e Eliseut, ai u kthye menjëherë në jetë dhe u ngrit në këmbë.» (2 Mbret. 13:14, 20, 21) Mendo sa domethënëse duhej të ishin për Martën tregimet për ato ringjallje! S’ka dyshim se Perëndia ka fuqi mbi vdekjen. Gjithashtu, reflekto se çfarë domethënieje duhet të kenë ato për ty. Këto tregime pa diskutim që duhet të të bindin se fuqia e Perëndisë është e pafund, e pakufishme.

NGJARJE TË SHEKULLIT TË PARË

10. Çfarë bëri Pjetri për një bashkëbesimtare që kishte vdekur?

10 Edhe në Shkrimet e Krishtere Greke lexojmë se ringjalljet ndodhnin kur ishin të pranishëm përfaqësues të Perëndisë. Për shembull, Jezui kreu ringjallje afër qytetit të Nainit dhe në shtëpinë e Jairit. Kohë më vonë, apostulli Pjetër ringjalli të krishteren Dorka (që quhej edhe Tabita). Pjetri shkoi në vendin ku kishin vënë trupin e saj para se ta varrosnin. Aty pranë trupit të pajetë, Pjetri u lut. Pastaj tha: «Tabita, ngrihu!» Ajo u kthye në jetë menjëherë, dhe Pjetri «ua nxori para të gjallë» bashkëbesimtarëve. Aq bindëse ishte ajo ngjarje, sa «shumë veta filluan të besonin në Zotërinë». Ata mund të jepnin dëshmi në përgjithësi për Zotërinë, por edhe dëshmi specifike për fuqinë e Jehovait që të ringjallë të vdekurit.​—Vep. 9:36-42.

11. Çfarë raportoi mjeku Lukë për një djalë të ri, dhe si ndikoi ajo ngjarje te të tjerët?

11 Të tjerë panë me sytë e tyre një ringjallje tjetër. Një herë, apostulli Pavël ishte në një mbledhje në një dhomë të sipërme në qytetin e Troadës, në atë zonë që sot njihet si Turqia Veriperëndimore. Pavli foli deri në mesnatë. Një djalë i ri që quhej Eutik po dëgjonte ulur në një dritare. Mirëpo, e mundi gjumi dhe ra nga kati i tretë poshtë. Ndoshta mjeku Lukë ishte i pari që arriti tek Eutiku dhe bëri një ekzaminim mjekësor: Eutiku nuk ishte thjesht i plagosur e pa ndjenja​—ai kishte vdekur! Pavli zbriti poshtë, e pushtoi trupin e tij dhe pastaj bëri këtë deklaratë drithëruese: «Ai është prapë gjallë!» Sa thellë duhet t’i ketë prekur ajo mrekulli dëshmitarët okularë! Ata e panë vetë se djaloshi kishte vdekur e pastaj u ringjall, ndaj ishin «jashtëzakonisht të ngushëlluar».​—Vep. 20:7-12.

NJË SHPRESË ME THEMELE TË FORTA

12, 13. Duke pasur parasysh ringjalljet për të cilat folëm, cilat pyetje duhet të shqyrtojmë?

12 Tregimet e përmendura më sipër duhet të të japin diçka që e kishte Marta​—sigurinë se Perëndia dhe Jetëdhënësi ynë është i aftë ta kthejë në jetë një të vdekur. Veçse është interesante që në secilin nga ato raste ishte i pranishëm një shërbëtor besnik i Perëndisë, si Elija, Jezui ose Pjetri. Ajo ishte koha kur Jehovai kryente mrekulli. Por, ç’të themi për ata që vdiqën në periudha të tjera të historisë? Besnikët që jetuan në një kohë kur Perëndia nuk kryente ringjallje, a mund të pritnin që Ai t’i ngrinte të vdekurit në të ardhmen? A mund të ndiheshin edhe ata si Marta, që tha: «E di se [im vëlla] do të ringjallet ditën e fundit.» Po pse ajo kishte këtë bindje, dhe pse mund ta kesh edhe ti?

13 Në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë ka një sërë fragmentesh që tregojnë se shërbëtorët besnikë të Jehovait ishin të sigurt se në të ardhmen do të vinte koha e ringjalljes. Le të shohim disa nga këto tregime.

14. Ç’na mëson për ringjalljen tregimi për Abrahamin?

14 Mendo për urdhrin që i dha Perëndia Abrahamit në lidhje me Isakun, trashëgimtarin e shumëpritur. Jehovai i tha: «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë, Isakun, dhe . . . flijoje si një blatim të djegur.» (Zan. 22:2) Imagjino çfarë ndjenjash do t’i ketë ngjallur ai urdhër Abrahamit! Jehovai kishte premtuar se nëpërmjet farës së Abrahamit do të merrnin bekime të gjitha kombet. (Zan. 13:14-16; 18:18; Rom. 4:17, 18) Gjithashtu, Jehovai tha se bekimi do të vinte «nëpërmjet Isakut». (Zan. 21:12) Por, si mund të ndodhte kjo nëse Abrahami e flijonte Isakun? Nën frymëzim, Pavli shpjegoi se Abrahami besonte që Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte Isakun nga vdekja. (Lexo Hebrenjve 11:17-19.) Bibla nuk thotë që Abrahami mendonte se, po të bindej, Isaku do të kthehej në jetë brenda pak orësh, një dite a një jave. Abrahami nuk kishte si ta dinte se kur do të ngrihej nga vdekja i biri. Ama ai kishte besim se Jehovai do ta ringjallte Isakun.

15. Çfarë shprese tha se kishte patriarku Job?

15 Edhe patriarku Job priste një ringjallje në të ardhmen. Ai e dinte se kur një pemë pritet, mbin sërish dhe mund të jetë si një bimë e re. Me njeriun nuk ndodh kështu. (Jobi 14:7-12; 19:25-27) Nëse vdes, ai nuk mund të ngrihet vetë nga varri e të jetojë sërish. (2 Sam. 12:23; Psal. 89:48) Natyrisht, kjo s’do të thoshte se Perëndia nuk mund ta ringjallte një njeri. Në fakt, Jobi besonte se Jehovai do të vinte një afat e do ta kujtonte. (Lexo Jobin 14:13-15.) Jobi s’kishte si ta dinte kur do të vinte ajo kohë. Megjithatë, kishte besim se Ai që krijoi jetën njerëzore mund ta kujtonte e ta ringjallte, dhe se do ta bënte këtë.

16. Si i dha zemër një engjëll profetit Daniel?

16 Një besnik tjetër që njohim nga Shkrimet Hebraike është Danieli. Ai i shërbeu besnikërisht Perëndisë për shumë dekada, dhe Jehovai e mbështeti. Në një rast, një lajmëtar engjëllor e inkurajoi Danielin, atë ‘njeri shumë të vyer’, ‘të kishte paqe’ dhe ‘të ishte i fortë’.​—Dan. 9:22, 23; 10:11, 18, 19.

17, 18. Çfarë premtimi iu dha Danielit për të ardhmen?

17 Kur Danieli ishte gati 100 vjeç dhe po i afrohej fundit të jetës, mund të ketë vrarë mendjen se ç’do të ndodhte me të në të ardhmen. A do të jetonte sërish? Pa diskutim! Në fund të librit të Danielit, lexojmë këtë premtim që i bëri Perëndia: «Ti shko drejt fundit tënd. Do të prehesh.» (Dan. 12:13) Danieli i moshuar e dinte se të vdekurit prehen dhe se nuk ka asnjë «plan, as njohuri, as mençuri» në varr. Danieli do të shkonte atje pas pak. (Ekl. 9:10) Por ky nuk do të ishte fundi i tij. Atij iu premtua një e ardhme.

18 Mesazhi që iu dha profetit Daniel vazhdonte kështu: «Do të çohesh për të marrë pjesën tënde në fund të ditëve.» Atij nuk iu tregua asnjë datë ose afat. Danieli do të shkonte drejt fundit të tij dhe do të prehej në gjumin e vdekjes. Por, fjalët se në të ardhmen ‘do të çohej për të marrë pjesën e tij’ ishin një premtim i qartë për një ringjallje të ardhshme​—shumë kohë pasi të kishte vdekur. Ajo do të ndodhte «në fund të ditëve».

Njësoj si Marta, edhe ti mund të jesh i sigurt se ringjallja do të ndodhë (Shih paragrafët 19, 20.)

19, 20. (a) Si lidhet gjithë sa kemi shqyrtuar me fjalët që i tha Marta Jezuit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë më tej?

19 Pa diskutim, Marta kishte arsye të forta për të qenë e sigurt se vëllai i saj besnik, Lazari, ‘do të ringjallej ditën e fundit’. Premtimi që iu bë Danielit, si edhe bindja që pasqyrohet te përgjigjja që i ktheu Marta Jezuit, duhet të na japin siguri sot. Ringjallja do të ndodhë!

20 Kemi parë se ngjarjet reale të së kaluarës provojnë që është e mundur të ndodhë ringjallja​—të vdekurit mund të kthehen prapë në jetë. Veç kësaj, burrat dhe gratë që i shërbenin Perëndisë pritnin një ringjallje në të ardhmen. Mirëpo, a kemi prova se një ringjallje mund të ndodhte shumë kohë pasi ishte premtuar? Nëse po, kjo do të na japë edhe më shumë arsye që, ashtu si Marta, ta presim me padurim kohën e ringjalljes. Por, kur do të vijë ajo kohë? Këto pika do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.