Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla dhe e ardhmja jote

Bibla dhe e ardhmja jote

MENDO sikur një mbrëmje vonë po ecën në një shteg të errët. Ndonëse dielli ka perënduar prej kohësh, nuk ndihesh komplet i humbur, sepse ke një elektrik dore të fuqishëm. Kur e drejton poshtë, sheh qartë ku po i hedh këmbët. Kur e drejton përpara, drita e tij vezulluese depërton e ndriçon shtegun deri larg.

Në disa mënyra, Bibla është si ky elektrik. Siç e pamë në artikujt e mëparshëm, Fjala e Perëndisë mund të na ndihmojë të përballojmë gjërat që përjetojmë tani, problemet e përditshme në këtë botë të pasigurt. Mirëpo, ajo shkon më tej. Na ndriçon edhe të ardhmen, kështu që mund të shohim e të ndjekim një shteg që na çon drejt lumturisë dhe kënaqësisë së përhershme. (Psalmi 119:105) Si?

Le të shqyrtojmë dy mënyra si na jep Bibla një shpresë reale për të ardhmen: 1 na ndihmon të bëjmë një jetë me qëllim, dhe 2 na mëson si të lidhim miqësi të përjetshme me Krijuesin tonë.

1 JETË ME QËLLIM

Bibla siguron këshilla të besueshme për të përballuar problemet, por nuk është thjesht një libër autodidakt. Në vend që të na nxitë të përqendrohemi vetëm te shqetësimet tona, ajo na mëson të merakosemi edhe për të tjerët. Vetëm atëherë jeta jonë do të marrë vërtet kuptim.

Për shembull, le të shohim këtë parim biblik: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Të kujtohet ndonjë rast kur ke ndihmuar dikë që kishte nevojë për gjëra materiale? Ose mbase kur i kushtove kohë një miku që të hapi zemrën? A nuk u ndjeve i kënaqur që ia zbukurove ditën dikujt?

Lumturinë më të madhe e ndiejmë kur japim pa pritur diçka në këmbim. Një shkrimtar vërejti: «Është thuajse e pamundur të japësh nga vetja pa marrë në këmbim më tepër se ç’jep, me kusht që të japësh pa menduar për ndonjë shpërblim.» Prapëseprapë, kur japim nga vetja, sidomos atyre që s’kanë mundësi të na e kthejnë, do të shpërblehemi. Në të vërtetë po punojmë krah për krah me vetë Krijuesin, i cili këto veprime mirëdashëse i sheh si hua ndaj tij. (Proverbat 19:17) Ai e vlerëson pa masë atë çka bëjmë për të varfrit dhe premton se do të na shpërblejë me jetë të përhershme në parajsën në tokë, një shpresë tejet emocionuese për të ardhmen!​—Psalmi 37:29; Luka 14:12-14. *

Mbi të gjitha, Bibla na mëson se mund të bëjmë një jetë vërtet me qëllim, duke adhuruar Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Fjala e tij na nxit t’i japim lavdinë, nderimin dhe bindjen që meriton. (Eklisiastiu 12:13; Zbulesa 4:11) Kur veprojmë kështu, arrijmë diçka që është e jashtëzakonshme ta mendosh: mund të kënaqim Krijuesin tonë. Ja pse na nxit: «Ji i mençur . . . dhe gëzoma zemrën.» (Proverbat 27:11) Të mendojmë pak​—kur marrim vendime të mençura bazuar në parimet biblike, i gëzojmë zemrën Atit tonë të dashur qiellor. Pse? Sepse interesohet për ne dhe do që të nxjerrim dobi duke ndjekur drejtimin e tij. (Isaia 48:17, 18) Vërtet, a mund të kemi qëllim më të shkëlqyer në jetë se të adhurojmë Sovranin e universit e të jetojmë në një mënyrë që ia gëzon zemrën?

2 MIQËSI ME KRIJUESIN

Bibla na mëson edhe të lidhim miqësi me Krijuesin tonë. Shkrimet thonë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Ndonjëherë mbase dyshojmë nëse mund të bëhemi vërtet miq me Krijuesin e plotfuqishëm. Mirëpo, Bibla na siguron se, nëse ‘e kërkojmë Perëndinë, do ta gjejmë vërtet, sepse ai nuk është larg nga secili prej nesh’. (Veprat 17:27) Këshilla e Biblës për t’u bërë miq të Perëndisë është jashtë mase praktike për të ardhmen. Si?

Shqyrto këtë: sado të përpiqemi, askush prej nesh nuk mund t’u shpëtojë kthetrave të armikut të fundit, vdekjes. (1 Korintasve 15:26) Megjithatë, Zoti është i përjetshëm. Ai nuk do të vdesë kurrë dhe do që edhe miqtë e tij të mos vdesin kurrë. Bibla e përshkruan me këto fjalë të thjeshta e të bukura dëshirën e Jehovait për ata që e kërkojnë: «Zemra juaj le të rrahë përgjithmonë!»​—Psalmi 22:26.

Si ta krijosh këtë miqësi të përhershme me Perëndinë? Vazhdo të mësosh për të përmes faqeve të Fjalës së tij, Biblës. (Gjoni 17:3; 2 Timoteut 3:16) Kërkoji ndihmë që të kuptosh Shkrimet. Bibla na siguron se, nëse ‘vazhdojmë t’i kërkojmë Perëndisë’ mençuri me gjithë zemër, ai s’do të na e kursejë. * (Jakovi 1:5) Së fundi, përpiqu fort të zbatosh atë që mëson, duke e përdorur Fjalën e Perëndisë si «një llambë për këmbën [tënde]» dhe «një dritë për shtegun [tënd]» tani dhe në gjithë përjetësinë.​—Psalmi 119:105.

^ par. 8 Për më shumë informacion rreth premtimit të Perëndisë për jetën e përhershme në Parajsë, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 13 Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë një kurs biblik falas që mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë Shkrimet. Që të mësosh për këtë kurs, të lutemi shih videon Si zhvillohet një studim biblik? në jw.org. (Shih te BOTIME > VIDEO)

Perëndia është i përjetshëm dhe dëshiron që edhe miqtë e tij të jetojnë përgjithmonë