Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

Fjalimet publike përhapin lajmin e mirë në Irlandë

Fjalimet publike përhapin lajmin e mirë në Irlandë

TEKSA anija udhëtonte në Belfast Lak, një gji deti, grupit të vogël të pasagjerëve në kuvertë i zuri syri kodrat e gjelbra të kredhura në dritën e agimit. Ishte maji i vitit 1910. Për njërin prej tyre, Çarls Rasëllin, ky ishte udhëtimi i pestë për në Irlandë. Para vëlla Rasëllit u shfaqën madhështore dy anije transoqeanike të stërmëdha që po ndërtoheshin, Titaniku që pësoi një fund tragjik dhe simotra e tij, anija Olimpik. * Matanë kantierit detar, rreth 12 Studentë të Biblës qëndronin në skelë në pritje të tij.

Rreth 20 vjet më parë, teksa kërkonte mënyrën më të efektshme për të përhapur lajmin e mirë në mbarë botën, vëlla Rasëlli kishte vendosur të ndërmerrte një sërë udhëtimesh jashtë Amerikës. Udhëtimin e parë e nisi me Irlandën, në korrik të vitit 1891. Në bordin e anijes Qyteti i Çikagos, ai kundronte perëndimin e diellit në brigjet e Kuinstaunit aty afër dhe fare mirë mund t’i jetë kujtuar si ia kishin përshkruar prindërit vendlindjen e tyre. Ndërsa përshkonin qytetet e rregullta dhe peizazhet e bukura, vëlla Rasëlli dhe shokët e tij të udhëtimit kuptuan se ajo fushë ishte ‘gati dhe priste të korrej’.

Vëlla Rasëlli e vizitoi Irlandën gjithsej shtatë herë. Me sa duket interesi që ishte ngjallur gjatë udhëtimit të parë bëri që qindra, e ndonjëherë mijëra veta, të shkonin e të dëgjonin fjalimet e tij në vizitat e mëvonshme. Kur e vizitoi për herë të dytë Irlandën, në maj të vitit 1903, tashmë mbledhjet publike në Belfast dhe Dublin njoftoheshin në gazetat vendëse. Rasëlli tha se «të pranishmit ishin tejet të vëmendshëm» ndaj fjalimit «Premtimi i vulosur me një be» që fliste për besimin e Abrahamit dhe bekimet e ardhshme që e prisnin njerëzimin.

Falë interesit të madh që gjetën atje, Rasëlli e përfshiu Irlandën edhe në udhëtimin e tretë në Evropë. Pesë vëllezër e përshëndetën kur zbriti në dokun e Belfastit një mëngjes prilli më 1908. Fjalimi publik i njoftuar në gazeta, me temë «Përmbysja e Perandorisë së Satanait» që u mbajt po atë ditë në mbrëmje, tërhoqi një «auditor inteligjent me rreth 300 veta». Një kundërshtari mes tyre iu mbyll goja shpejt falë përdorimit mjeshtëror të Shkrimeve. Në Dublin një kundërshtar më i flaktë—z. O’Konër, sekretar i YMCA-së (Shoqata e Djemve të Krishterë)—u përpoq të ngrinte kundër Studentëve të Biblës auditorin me më shumë se 1.000 veta. Çfarë ndodhi?

Le të kthehemi pas në kohë dhe të rindërtojmë në mendjen tonë atë që ka shumë të ngjarë të ketë ndodhur. Një burrë që dëshiron të gjejë të vërtetën e Biblës vendos të dëgjojë fjalimin publik të njoftuar në gazetën The Irish Times. Mezi gjen një vend për t’u ulur në sallën e mbushur dëng. Burri dëgjon tërë sy e veshë oratorin flokëzbardhur me mjekër që ka veshur një redingotë të zezë. Teksa mban fjalimin, oratori lëviz nëpër podium duke bërë shumë gjeste. Shkrim pas shkrimi ndërton në mënyrë sistematike temën dhe kështu atij burri i hapen veshët për të kuptuar të vërtetat e Biblës. Ndonëse s’ka pajisje akustike, zëri i oratorit arrin në çdo cep të sallës duke e mbajtur të përqendruar auditorin për një orë e gjysmë. Pastaj, në një pjesë me pyetje dhe përgjigje, O’Konëri dhe shokët e tij e sfidojnë, por Rasëlli e mbron me zotësi mesazhin me anë të Biblës. Auditori duartroket në shenjë miratimi. Kur situata qetësohet, burri i interesuar u afrohet vëllezërve për të mësuar më shumë. Sipas tregimeve të dëshmitarëve okularë, shumë njerëz e mësuan të vërtetën në këtë mënyrë.

Në maj 1909, vëlla Rasëlli u nis nga Nju-Jorku me anijen Mauritania për udhëtimin e tij të katërt. Ai mori me vete një stenograf, vëlla Huntsingerin, që ta shfrytëzonte kohën e udhëtimit përmes oqeanit për t’i diktuar artikuj të Kullës së Rojës. Fjalimi publik i vëlla Rasëllit në Belfast mblodhi 450 vendës, e afro 100 prej tyre iu desh të qëndronin në këmbë se nuk kishte vend.

Vëlla Çarls Rasëlli në bordin e Lusitanias

Udhëtimi i pestë, që përmendëm në fillim, u zhvillua në të njëjtën mënyrë. Pas fjalimit publik në Dublin, një teolog i njohur që e kishte sjellë O’Konëri mori përgjigje nga Shkrimet për pyetjet e tij, çka e kënaqi pa masë auditorin. Të nesërmen, udhëtarët morën anijen e shpejtë postare për në Liverpul, e pastaj hipën në Lusitanian e famshme për në Nju-Jork. *

Njoftim për një fjalim publik në The Irish Times, 20 maj 1910

Fjalimet publike të njoftuara në gazeta ishin pjesë e rëndësishme edhe e udhëtimit të gjashtë e të shtatë të vëlla Rasëllit më 1911. Në pranverë, 20 Studentë të Biblës në Belfast mirëpritën 2.000 veta që dëgjuan fjalimin «Jeta pas vdekjes». O’Konëri shkoi në Dublin me një tjetër shërbëtor fetar që ngrinte pyetje, por auditori duartrokiste për përgjigjet e bazuara në Shkrime. Në vjeshtë të po atij viti u vizituan edhe qytete të tjera dhe pjesëmarrja ishte e kënaqshme. O’Konëri bashkë me 100 sherrxhinj u munduan edhe një herë të prishnin mbledhjen në Dublin, mirëpo auditori përkrahu me entuziazëm oratorin.

Ndonëse asokohe mori drejtimin duke bërë fjalime publike, vëlla Rasëlli pranoi se «asnjë njeri nuk është i domosdoshëm», sepse «kjo nuk është vepër e njeriut; është vepër e Perëndisë». Fjalimet publike që njoftoheshin në gazeta​—pararendëset e Mbledhjes Publike—​krijuan mundësi të shkëlqyera për të paraqitur të vërtetat e Biblës. Cili ishte rezultati? Fjalimet publike ndihmuan që të përhapej lajmi i mirë, dhe në shumë qytete anekënd Irlandës u formuan kongregacione.​—Nga arkivat tanë në Britani.

^ par. 3 Brenda dy viteve Titaniku u fundos.

^ par. 9 Anija Lusitania u fundos nga një silur pranë bregut jugor të Irlandës në maj të 1915-ës.