Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Në fillim i varfër​—Në fund i pasur

Në fillim i varfër​—Në fund i pasur

Linda në një shtëpizë druri me një dhomë, në qytetin e vogël të Libertisë në Indianë, SHBA. Kur erdha në jetë unë, prindërit tashmë kishin tre fëmijë​—vëllanë tim të madh dhe dy motra. Më vonë, mamaja na lindi edhe dy vëllezër dhe një motër të vogël.

Shtëpiza e drurit ku linda

GJATË viteve të shkollës gjërat s’para ndryshonin. Shkollën e mbaroje me po ata nxënës që kishe nisur klasën e parë; madje, ua dije emrat shumicës së njerëzve në qytet, dhe ata dinin emrin tënd.

Isha një nga shtatë fëmijët, dhe në moshë të vogël mësova shumë për bujqësinë

Qyteza e Libertisë kishte përreth ferma të vogla dhe prodhimi kryesor ishte misri. Kur linda unë, babai punonte për një nga fermerët vendës. Në adoleshencë mësova të ngisja traktorin dhe të bëja punë të tjera të nevojshme në bujqësi.

Nuk e di si është të kesh një baba të ri në moshë. Kur linda, im atë ishte 56 vjeç, kurse mamaja 35. Sidoqoftë, babai ishte një burrë me trup të hollë, i shëndetshëm e i fortë që e donte punën e palodhur dhe na mësoi ta vlerësonim edhe të gjithë ne fëmijët. Ndonëse nuk vuri ndonjëherë pasuri, kishim gjithmonë një çati mbi kokë, veshje për trupin dhe ushqim për të ngrënë​—dhe na gjendej gjithnjë pranë. Ishte 93 vjeç kur vdiq. Mamaja vdiq në moshën 86-vjeçare. Asnjëri nuk i shërbente Jehovait. Nga familja, kam një vëlla që ka shërbyer me besnikëri si plak që kur nisi ky rregullim në fillim të viteve 70.

FËMIJËRIA DHE RINIA

Mamaja ishte shumë fetare. Na merrte me vete në kishën baptiste çdo të diel. Kur isha 12 vjeç dëgjova për herë të parë për Trinitetin. Plot kureshtje, pyeta mamanë: «Si mund të jetë Jezui edhe Biri edhe Ati në të njëjtën kohë?» Mbaj mend se m’u përgjigj: «Bir, ky është një mister. Nuk ka pse ta kuptojmë.» Për mua mister ishte që ç’ke me të. Prapëseprapë, kur isha rreth 14 vjeç u pagëzova në një përrua aty pranë​—dhe u zhyta tri herë për Trinitetin!

1952—Në moshën 17-vjeçare, para se të hyja në ushtri

Në shkollë të mesme, kisha një shok që ishte boksier profesionist, dhe më bindi të merresha me boks. Kështu fillova stërvitjen dhe u regjistrova në «Dorezat e Arta», një organizatë boksi. S’isha shumë i zoti, ndaj pas ca ndeshjesh e lashë fare. Më vonë, më rekrutuan në ushtrinë e SHBA-së dhe më dërguan në Gjermani. Ndërsa shërbeja atje, eprorët më dërguan në Akademinë e Nënoficerëve, ngaqë mendonin se kisha aftësi të lindura për të drejtuar. Donin që të bëja karrierë në ushtri. Nuk kisha pikë dëshire të qëndroja në ushtri, prandaj pasi mbarova shërbimin 2-vjeçar më 1956, më liruan nga detyra me nderime. Por s’kaloi shumë dhe u futa në një ushtri krejt të ndryshme.

1954-1956—Kalova dy vjet në ushtrinë e SHBA-së

NIS NJË JETË TË RE

Deri në atë moment të jetës kisha mësuar të isha disi maço, ose «burrë i vërtetë». Ideja se si duhet të jetë një burrë, siç paraqitej në filma e në shoqëri, kishte ndikuar goxha tek unë. Sipas mendimit tim, ata që predikonin nuk ishin edhe aq burrërorë. Por fillova të mësoja disa gjëra që ma ndryshuan komplet jetën. Një ditë, kur po kaloja në qytet me makinën time të kuqe kabriolet, më përshëndetën me dorë dy vajza. I njihja se ishin motrat e vogla të kunatit, burrit të motrës sime të madhe. Gjithsesi, ato dy vajza ishin Dëshmitare të Jehovait. Më përpara kisha pranuar prej tyre revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, por në përgjithësi mendoja se Kulla e Rojës ishte pak si tepër e thellë për shijet e mia. Mirëpo, këtë herë ato më ftuan në Studimin e Librit të Kongregacionit, një mbledhje e vogël për studimin dhe diskutimin e Biblës që mbahej në shtëpinë e tyre. U thashë se do ta mendoja. «Na premton?»​—më pyetën vajzat duke buzëqeshur. «Premtoj»,—​u thashë.

U bëra ca pishman që dhashë atë premtim, por s’kisha si të tërhiqesha. Prandaj atë mbrëmje shkova. Mbi gjithçka, më bënë përshtypje fëmijët. U habita sa shumë dinin për Biblën! Edhe pse kisha shkuar gjithë ato të diela në kishë me mamanë, dija fare pak nga Bibla. Tani isha i vendosur të mësoja më tepër. Pranova një studim biblik. Shumë shpejt mësova se emri personal i Perëndisë së Plotfuqishëm është Jehova. Vite më parë, kur e kisha pyetur mamanë për Dëshmitarët e Jehovait, thjesht më kishte thënë: «Ata seç adhurojnë njëfarë burri të moshuar që quhet Jehova.» Por, tani ndieja se po më hapeshin sytë!

Përparova shumë shpejt pasi e dija se kisha gjetur të vërtetën. Brenda nëntë muajsh nga ajo mbledhje e parë u pagëzova​—në mars të vitit 1957. Pikëpamja ime për jetën ndryshoi. Kur mendoj për qëndrimin e dikurshëm si maço, jam i lumtur që mësova çfarë thotë Bibla për burrërinë e vërtetë. Jezui ishte burrë i përsosur. Kishte aq forcë morale dhe fuqi fizike, sa çdo burrë «maço» do të dukej një hiç para tij. E megjithatë ai nuk përfshihej në sherre, por «pranoi ta mundonin», tamam siç ishte parathënë. (Isa. 53:2, 7) Mësova se një dishepull i vërtetë i Jezuit «duhet të jetë i ëmbël me të gjithë».​—2 Tim. 2:24.

Vitin tjetër, më 1958, fillova shërbimin si pionier. Mirëpo, shpejt m’u desh ta ndërpritja për pak kohë. Pse? Kisha vendosur të merrja një nuse​—Glorian, një nga ato dy zonjushat që më kishin ftuar në studimin e librit! S’jam bërë kurrë pishman për këtë vendim. Gloria ishte një xhevahir në atë kohë, dhe e tillë është akoma. Për mua, ajo është si «Diamanti i Shpresës»​—por në rastin tim nuk kam nevojë të shpresoj. Unë e mora për grua! Ja, le t’ju tregojë ajo diçka për veten:

«Në familjen tonë ishim 17 fëmijë. Mamaja ishte një Dëshmitare besnike. Vdiq kur unë isha 14 vjeçe. Pas vdekjes së mamasë, im atë filloi studim. Meqë mamaja nuk ishte më, babai bëri një marrëveshje me drejtorin e shkollës. Në atë kohë, motra ime e madhe ishte në vit të fundit të shkollës së mesme, dhe babai e pyeti drejtorin nëse ajo dhe unë mund të shkonim në shkollë një ditë njëra e një ditë tjetra. Kështu, me radhë, njëra nga ne do të qëndronte në shtëpi që të kujdesej për fëmijët më të vegjël dhe të përgatiste darkën për familjen para se babai të kthehej nga puna. Drejtori i shkollës pranoi dhe kjo marrëveshje vazhdoi deri kur motra ime mbaroi shkollën. Me ne studiuan dy familje Dëshmitarësh dhe 11 nga ne fëmijët u bëmë Dëshmitarë të Jehovait. E shijoja shërbimin, edhe pse kam luftuar gjithmonë me ndrojtjen. Gjatë viteve, Sami më ka ndihmuar në këtë aspekt.»

Unë dhe Gloria u martuam në shkurt të vitit 1959. Kënaqeshim në shërbimin si pionierë së bashku. Në korrik të atij viti, bëmë kërkesë për në Bethel, sepse na digjej zemra të shërbenim në selinë botërore. Intervistën na e bëri Sajmën Krejkëri, një vëlla i dashur. Na tha se në atë kohë, në Bethel nuk po merrnin çifte të martuara. Kurrë s’na u venit dëshira për të shërbyer në Bethel—por u deshën shumë vite që të plotësohej!

I shkruam selisë botërore dhe i kërkuam të na dërgonte ku kishte më shumë nevojë. Në përgjigje të kërkesës sonë, na dhanë vetëm një mundësi zgjedhjeje: qyteti Pajn-Blaf, Arkanzas. Në atë kohë, në Pajn-Blaf kishte dy kongregacione​—një me të bardhë dhe një «me ngjyrë», ose me zezakë. Ne na dërguan në kongregacionin «me ngjyrë», që kishte vetëm nja 14 lajmëtarë.

PËRBALLOJMË NDARJEN RACIALE DHE RACIZMIN

Mbase vritni mendjen pse praktikohej ndarja raciale edhe në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Përgjigjja me dy fjalë është se në ato kohë nuk kishte zgjidhje tjetër. Ekzistonin ligje që i ndalonin njerëzit e racave të ndryshme të rrinin bashkë, dhe dhuna ishte një kërcënim shumë real. Në mjaft vende, vëllezërit kishin arsye të forta të frikësoheshin se do t’u shkatërronin Sallën e Mbretërisë po të mblidheshin së bashku për adhurim dy raca. Gjëra të tilla ndodhnin vërtet. Nëse Dëshmitarët zezakë predikonin shtëpi më shtëpi në një lagje me të bardhë, i arrestonin​—dhe kishte shumë mundësi t’i rrihnin. Prandaj, që të kryenim veprën e predikimit, u bindeshim ligjeve, me shpresë se një ditë gjërat do të ndryshonin për mirë.

Shërbimi kishte sfidat e veta. Kur predikonim në një territor me zezakë, ndonjëherë pa dashje trokitnim te dera e një familjeje të bardhë. Duhej të vendosnim aty për aty nëse do të bënim një prezantim të shkurtër nga Shkrimet apo thjesht do të kërkonim falje për gabimin e do të largoheshim. Në disa vende, kështu funksiononin gjërat asokohe.

Natyrisht, duhej edhe të punonim fort që të mbanim veten teksa shërbenim si pionierë. Në shumicën e punëve paguheshim 3 dollarë në ditë. Gloria kishte disa shtëpi ku pastronte. Në një nga këto shtëpi më lejonin ta ndihmoja, e kështu ajo mund ta mbaronte punën për gjysmën e kohës. Na siguronin edhe drekën​—një vakt i ngrirë dhe i paketuar që quhej «Darka para TV-së». Unë dhe Gloria hanim së bashku para se të largoheshim. Çdo javë, Gloria hekuroste për një familje, kurse unë punoja në kopsht, pastroja dritaret dhe bëja punë të tjera përreth shtëpisë. Në shtëpinë e një familjeje të bardhë pastronim dritaret​—Gloria i pastronte nga brenda, unë nga jashtë. Kjo na merrte gjithë ditën, prandaj na jepnin drekë. Gloria hante brenda shtëpisë, por veçmas familjes, kurse unë haja jashtë në garazh. Por s’e kisha problem. Ushqimi ishte shumë i shijshëm. Ajo ishte një familje e mirë; thjesht ishin robër të atij sistemi, të atij mentaliteti. Më kujtohet një rast kur ndaluam në një pikë karburanti. Pasi mbushëm makinën me karburant, pyeta burrin që punonte aty nëse Gloria mund të përdorte tualetin. Më pa vëngër e më tha: «Është i mbyllur.»

VEPRA DASHAMIRËSIE TË PAHARRUESHME

Nga ana tjetër, kalonim momente të mrekullueshme me vëllezërit dhe e donim shumë shërbimin! Kur shkuam në fillim në Pajn-Blaf, jetuam në shtëpinë e një vëllai që asokohe ishte shërbëtor kongregacioni. Gruaja e tij ishte jobesimtare, dhe Gloria filloi të studionte Biblën me të. Ndërkohë, unë fillova studim me vajzën e tyre dhe me të shoqin. Nënë e bijë vendosën t’i shërbenin Jehovait dhe u pagëzuan.

Kishim miq të shtrenjtë në kongregacionin e të bardhëve. Ata na ftonin shpesh për darkë, por duhej ta bënin këtë në fshehtësinë e natës. Ku Kluks Klani, një organizatë që nxit racizmin dhe dhunën, ishte shumë aktiv në atë kohë. Më kujtohet kur pashë një burrë të ulur në verandën e shtëpisë një natë Hallouini që mbante veshur tërë krenari një çarçaf dhe një kapuç të bardhë, si anëtarët e Ku Kluks Klanit. Mirëpo e gjithë kjo nuk i pengoi vëllezërit të na tregonin dashamirësi. Një herë, në verë, na duheshin para për të shkuar në kongres dhe një vëlla pranoi të blinte makinën tonë Ford 1950, që të bënim udhëtimin. Një muaj më vonë, po ktheheshim të lodhur në shtëpi pasi kishim ecur në piskun e vapës për të predikuar në territor dhe për të drejtuar studime biblike. Kur arritëm, na priste një surprizë: makina jonë ishte e parkuar aty para! Në xhamin e përparmë kishte një shënim që thoshte: «Mund ta merrni përsëri makinën si një dhuratë nga unë. Vëllai juaj.»

Një vepër tjetër dashamirëse më la mbresa të pashlyeshme. Më 1962, më ftuan të ndiqja Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë në Lansingun Jugor, Nju-Jork. Ishte një muaj i tërë stërvitjeje për ata që mbikëqyrin kongregacionet, qarqet dhe krahinat. Mirëpo, kur mora ftesën isha pa punë dhe kishim shumë vështirësi ekonomike. Gjithsesi kisha bërë një intervistë pune në një kompani telefonike në Pajn-Blaf. Nëse do të më merrnin në punë, unë do të isha zezaku i parë që do të punoja për atë kompani. Më në fund më thanë se do të më merrnin në punë. Çfarë të bëja tani? Nuk kisha para për të shkuar në Nju-Jork. E mendova seriozisht të pranoja punën e të refuzoja ftesën për shkollën. Në fakt, po bëhesha gati të shkruaja letrën e refuzimit, kur ndodhi diçka që s’do ta harroj kurrë.

Një motër e kongregacionit që kishte burrë jobesimtar, trokiti në derën tonë një mëngjes herët dhe më dha një zarf. Ishte plot me para. Ajo dhe disa nga fëmijët e saj të vegjël kishin javë të tëra që ngriheshin shumë herët në mëngjes e shkonin në arat me pambuk për të pastruar barërat e këqija mes rreshtave, që të fitonin aq para sa të shkoja në Nju-Jork. Më tha: «Shko në shkollë dhe mëso sa më shumë të mundesh, pastaj kthehu dhe na mëso neve!» Më pas i kërkova kompanisë telefonike nëse mund të filloja punë atje pesë javë më vonë nga ç’ishte planifikuar. Përgjigjja ishte një «jo» e prerë. Por s’kishte rëndësi. Tashmë e kisha ndarë mendjen. Dhe jam shumë i lumtur që nuk e pranova atë punë!

Ja si e kujton Gloria kohën që kemi kaluar në Pajn-Blaf: «U dashurova me territorin! Kisha 15 deri në 20 studime biblike. Paradite predikonim shtëpi më shtëpi dhe pastaj, pjesën tjetër të ditës, drejtonim studime biblike, ndonjëherë deri në orën 11 të natës. Shërbimi ishte një kënaqësi e madhe! Do të kisha vazhduar me gjithë qejf në atë caktim. Më duhet ta pranoj se nuk doja të ndryshoja caktim e të fillonim veprën qarkore, por Jehovai kishte diçka tjetër në mendje.» Dhe ashtu ishte vërtet.

JETA NË VEPRËN UDHËTUESE

Ndërsa shërbenim si pionierë në Pajn-Blaf, plotësuam kërkesën për pionierë specialë. Kishim shumë shpresë se do të emëroheshim, sepse mbikëqyrësi ynë krahinor donte të ndihmonim një kongregacion më në jug, në Teksas, dhe donte të shkonim atje si pionierë specialë. Neve na tërhiqte ideja e këtij ndryshimi. Ndaj pritëm e pritëm, duke shpresuar për një përgjigje nga Shoqata, por kutia jonë postare ishte gjithmonë bosh. Si përfundim, një ditë erdhi një letër​—ishim caktuar në veprën udhëtuese! Ishte janar 1965. Vëllai Lion Uivër, që tani është koordinatori i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara, u emërua mbikëqyrës qarkor në të njëjtën kohë.

Isha në ankth për shërbimin si mbikëqyrës qarkor. Pak a shumë një vit më parë, mbikëqyrësi krahinor, Xhejms Tomson i Riu, kishte shqyrtuar kualifikimet e mia. Me dashamirësi më kishte treguar ca aspekte ku mund të përmirësoja duke përmendur disa aftësi që i duhen një mbikëqyrësi të mirë qarkor. Kisha kaluar vetëm pak kohë në veprën qarkore, kur kuptova se këshillat e tij ishin pa diskutim të nevojshme. Pasi u emërova, vëlla Tomsoni ishte mbikëqyrësi i parë krahinor me të cilin shërbeva. Mësova shumë nga ai vëlla i pjekur besnik.

E çmoj pa masë ndihmën që më dhanë vëllezër të pjekur besnikë

Në ato kohë, një mbikëqyrësi qarkor nuk i jepej shumë stërvitje. Unë kalova një javë duke vëzhguar një mbikëqyrës qarkor teksa bënte vizitën në një kongregacion. Javën vijuese ai më vëzhgoi teksa vizitoja një kongregacion tjetër. Pastaj më dha sugjerime dhe drejtim. Por, pas kësaj duhej të shërbenim vetëm. Më kujtohet që i thashë Glorias: «Duhet të ikë se s’bën tani?» Por me kohë kuptova një gjë të rëndësishme. Do të ketë gjithmonë vëllezër të mirë që mund të të ndihmojnë​—nëse i lejon të të ndihmojnë. Ende e çmoj pa masë ndihmën që më dhanë vëllezër të tillë me përvojë, si Xhejms Brauni, mbikëqyrës udhëtues në atë kohë, dhe Fred Raski nga familja Bethel.

Asokohe racizmi ishte në kulmin e tij. Një ditë, Ku Kluks Klani organizoi një marshim në një qytet në Tenesi ku ishim për vizitë. Mbaj mend një herë tjetër kur me grupin e shërbimit ndaluam për të pushuar pak në një restorant fast-food. U ngrita për të shkuar në tualetin e burrave dhe vura re se më ndoqi pas një tip me pamje të egër e me tatuazhe si ato që mbanin supremacistët e bardhë. Por një vëlla i bardhë, shumë më trupmadh se unë dhe se klienti me pamje të egër, erdhi pas nesh. «Çdo gjë në rregull vëlla Hërd?»​—më pyeti. Klienti tjetër iku nga sytë këmbët pa përdorur tualetin. Ndër vite kam vënë re se në të vërtetë paragjykimi s’ka të bëjë me ngjyrën e dikujt; ka të bëjë me mëkatin​—me mëkatin adamik që na ka infektuar të gjithëve. Dhe kam mësuar se një vëlla është vëllai yt pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, dhe do të vdesë për ty po të jetë nevoja.

NË FUND, I PASUR

Kaluam 33 vjet në veprën udhëtuese, nga të cilat 21 vitet e fundit, në veprën krahinore. Ishin vite të pasura e shpërblyese, plot me përvoja inkurajuese. Mirëpo na priste një tjetër shpërblim. Në gusht të 1997-s u bë realitet ëndrra jonë e vjetër. Na ftuan të shërbenim në Bethelin e Shteteve të Bashkuara—plot 38 vjet pasi kishim aplikuar për herë të parë. Muajin tjetër nisëm shërbimin në Bethel. Mendova se vëllezërit përgjegjës në Bethel donin që të ndihmoja vetëm përkohësisht, por nuk ndodhi kështu.

Gloria ishte një xhevahir kur u martova me të, dhe e tillë është akoma

Në fillim më caktuan në Repartin e Shërbimit. Ishte një përvojë që më mësoi shumë. Vëllezërve atje u duhet të japin drejtim për shumë pyetje delikate e të ndërlikuara të trupave të pleqve dhe mbikëqyrësve qarkorë anembanë vendit. E vlerësoja durimin e madh dhe gatishmërinë e vëllezërve për të më ndihmuar ndërsa më stërvitnin. Gjithsesi, mendoj se po të më caktonin përsëri atje, prapë do të isha fillestar.

Unë dhe Gloria e duam shumë jetën në Bethel. Kemi qenë gjithmonë tipa që zgjohemi herët dhe sigurisht që ky zakon të ndihmon në Bethel. Pak a shumë një vit më vonë, nisa të shërbeja si ndihmës i Komitetit të Shërbimit të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Pastaj më 1999, u emërova anëtar i Trupit Udhëheqës. Kam mësuar shumë gjëra në këtë caktim, por mësimi kryesor që kam nxjerrë është ky: ka prova të pamohueshme se kreu i kongregacionit të krishterë është Jezu Krishti​—jo ndonjë njeri!

Që nga 1999-a, kam pasur privilegjin të shërbej në Trupin Udhëheqës

Kur kthej kokën pas dhe mendoj për jetën time, ndonjëherë ndihem pak si profeti Amos. Jehovai e vuri re atë bari të thjeshtë që merrej me punë të rëndomtë sezonale si shpues i fiqve të Egjiptit​—një ushqim që bënte vetëm për të varfrit. Perëndia e emëroi Amosin profet, një caktim ku pa dyshim Jehovai e pasuroi shumë. (Amos 7:14, 15, shën.) Po njësoj, Jehovai më vuri re mua, birin e një bujku të varfër në Liberti, Indianë, dhe më derdhi bekime të pasura​—aq të shumta sa nuk arrij t’i numëroj! (Prov. 10:22) Vërtet, mbase në fillim jeta ime ishte e varfër nga ana materiale, por në fund është e pasur me thesare nga Jehovai, ku e ku më e pasur nga ç’mund të imagjinoja!