Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush jep me bujari është njeri i lumtur

Kush jep me bujari është njeri i lumtur

«Ka . . . lumturi të japësh.»​—VEP. 20:35.

KËNGËT: 76, 110

1. Si dëshmon krijimi për bujarinë e Jehovait?

EDHE pse ishte krejt vetëm para se të fillonte të krijonte, Jehovai nuk mendoi vetëm për veten. Përkundrazi, u dha dhuratën e jetës krijesave me aftësi për të arsyetuar në qiell e në tokë. «Perëndisë së lumtur», Jehovait, i pëlqen pa masë të japë gjëra të mira. (1 Tim. 1:11; Jak. 1:17) E meqë dëshiron që edhe ne të jemi të lumtur, na mëson të jemi bujarë.—Rom. 1:20.

2, 3. (a) Pse ndihemi të lumtur kur japim? (b) Çfarë do të shqyrtojmë?

2 Perëndia e bëri njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet. (Zan. 1:27) Pra, ne u krijuam në mënyrë të tillë që të pasqyrojmë personalitetin e tij. Ndaj, që të jemi të lumtur e të gjejmë kënaqësi në jetë, duhet të imitojmë shembullin e Jehovait duke u interesuar për të tjerët e duke dhënë me bujari. (Filip. 2:3, 4; Jak. 1:5) Pse? Për një arsye fare të thjeshtë: sepse Jehovai me dashuri i krijoi njerëzit në këtë mënyrë. Pavarësisht nga papërsosmëria jonë, ne mund t’ia dalim të imitojmë bujarinë e Jehovait.

3 Bibla na tregon si të jemi dhënës bujarë. Le të shqyrtojmë disa mësime që na japin Shkrimet për këtë. Do të shohim pse kur jemi bujarë gëzojmë miratimin e Perëndisë dhe si na ndihmon kultivimi i kësaj cilësie të përmbushim rolin që na ka caktuar Perëndia. Do të shqyrtojmë edhe si lidhet bujaria me lumturinë tonë dhe pse duhet të vazhdojmë ta kultivojmë këtë cilësi.

SI TË GËZOJMË MIRATIMIN E PERËNDISË

4, 5. Çfarë shembulli bujarie na kanë lënë Jehovai dhe Jezui?

4 Jehovai do që krijesat e tij njerëzore ta imitojnë, prandaj i gëzon zemra kur jemi bujarë. (Efes. 5:1) Nga mënyra si jemi krijuar dhe nga bukuria e bollëku që na rrethojnë në natyrë, shihet fare qartë se Perëndia do që njerëzit të jenë të lumtur. (Psal. 104:24; 139:13-16) Kështu, kur përpiqemi të bëjmë të lumtur të tjerët, nderojmë Jehovain.

5 Si të krishterë të vërtetë ne imitojmë Krishtin, që na la shembullin e përsosur se si mund të jetë bujar njeriu. Vetë Jezui tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mat. 20:28) Prandaj apostulli Pavël i nxiti të krishterët: «Mbani po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti Jezu . . . [Ai] e zbrazi veten dhe mori formë skllavi.» (Filip. 2:5, 7) Secili nga ne bën mirë të pyesë veten: «A mund ta ndjek shembullin e Jezuit akoma më me kujdes nga ç’po e ndjek tani?»—Lexo 1 Pjetrit 2:21.

6. Çfarë mësimi na dha Jezui në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë? (Shih figurën hapëse.)

6 Ne mund të gëzojmë miratimin e Jehovait duke imituar shembullin e përsosur të tij e të Krishtit, pra duke u merakosur për mirëqenien e të tjerëve dhe duke kërkuar mënyra si të kujdesemi për nevojat e tyre. Në fakt, në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, Jezui e bëri të qartë se priste që dishepujt e tij të bënin çmos të ndihmonin të tjerët, edhe ata me një prejardhje tjetër. (Lexo Lukën 10:29-37.) A të kujtohet çfarë e shtyu Jezuin të tregonte shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë? Ishte kjo pyetje që ngriti një jude: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Përgjigjja e Jezuit tregon se duhet të jemi të gatshëm të japim me bujari si samaritani nëse duam të gëzojmë miratimin e Perëndisë.

7. Si lidhet egoizmi ose altruizmi që tregojmë ne me çështjen universale?

7 Të krishterët kanë shumë arsye të forta që të jenë bujarë. Për shembull, kjo cilësi lidhet me çështjen që ngriti Satanai në kopshtin e Edenit. Në ç’mënyrë? Satanai tha se Adami dhe Eva​—e në kuptim më të gjerë gjithë njerëzimi—​do të ishin më mirë po të përqendroheshin te vetja dhe t’i vinin interesat e tyre para bindjes ndaj Perëndisë. Eva veproi e shtyrë nga një dëshirë egoiste për të qenë si Perëndia. Adami shfaqi një dëshirë egoiste për të kënaqur Evën. (Zan. 3:4-6) Rezultatet e vendimeve të tyre duken sheshit. Egoizmi nuk sjell lumturi, po krejt të kundërtën. Ndërsa kur jemi bujarë, tregojmë se jemi të bindur që mënyra si vepron Perëndia është më e mira.

PËRMBUSH ROLIN QË U KA CAKTUAR PERËNDIA SHËRBËTORËVE TË TIJ

8. Pse çifti i parë njerëzor duhej të kishte pasur dëshirë t’u jepte të tjerëve?

8 Perëndia i dha çiftit të parë njerëzor udhëzime që duhej t’i kishin bërë të mendonin për mirëqenien e të tjerëve, ndonëse ishin vetëm në kopshtin e Edenit. Jehovai i bekoi Adamin dhe Evën e i nxiti të shumoheshin, të mbushnin tokën e ta nënshtronin. (Zan. 1:28) Ashtu siç merakosej thellë Krijuesi për mirëqenien e krijimit të tij, edhe prindërit e parë njerëzorë duhej të kishin pasur merak për lumturinë e fëmijëve të tyre që do të vinin në jetë. Parajsa duhej shtrirë anekënd tokës për dobinë e pasardhësve të Adamit. Ai projekt kolosal do të kërkonte bashkëpunimin e familjes së tij gjithnjë e në rritje.

9. Pse puna për zgjerimin e Parajsës do të kishte sjellë lumturi?

9 Kur të punonin për të zgjeruar Parajsën, njerëzit e përsosur duhej të bashkëpunonin plotësisht me Jehovain për të realizuar qëllimet e tij, e kështu do të hynin në pushimin e tij. (Hebr. 4:11) Imagjino sa kënaqësi e shpërblime do t’u sillte ai projekt! Duke dhënë nga vetja për të mirën e të tjerëve, do të provonin bekime fantastike dhe kënaqësi të pafund.

10, 11. Si mund ta përmbushim detyrën për të predikuar e për të bërë dishepuj?

10 Sot Jehovai u ka caktuar shërbëtorëve të tij veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Që ta përmbushim këtë detyrë, duhet të merakosemi sinqerisht për të mirën e të tjerëve. Mund të ngulmojmë në këtë vepër vetëm nëse kemi motivin e duhur​—dashuri për Perëndinë dhe dashuri për njerëzit.

11 Në shekullin e parë të e.s., Pavli tha se ai dhe disa shokë të tij të ngushtë të shërbimit ishin «bashkëpunëtorë të Perëndisë», për shkak të rolit të tyre në mbjelljen dhe ujitjen e farës të së vërtetës për Mbretërinë. (1 Kor. 3:6, 9) Edhe ne sot mund të jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» duke dhënë me bujari nga koha, të ardhurat dhe energjitë tona në veprën e predikimit që na ka ngarkuar Perëndia. Çfarë privilegji të papërshkrueshëm kemi!

Pak gjëra në jetë sjellin më shumë kënaqësi se të ndihmosh njerëzit me çmueshmëri të kuptojnë të vërtetat biblike (Shih paragrafin 12.)

12, 13. Cilat do të përmendje ti mes shpërblimeve që sjell bërja e dishepujve?

12 Kur japim bujarisht nga koha dhe energjitë tona në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve, provojmë një gëzim të thellë. Shumë veta që kanë pasur privilegjin të drejtojnë studime biblike që përparojnë, do të të thonë se pak gjëra në jetë janë më shpërblyese se kjo. Ndien lumturi të thellë kur sheh si u ndrijnë sytë njerëzve që kanë çmueshmëri ndërsa kuptojnë të vërtetat biblike, kur sheh t’u rritet besimi, të bëjnë ndryshime dhe të fillojnë të flasin për të vërtetën me të tjerët. Edhe Jezui u ndie shumë i lumtur kur 70 lajmëtarët që kishte dërguar të predikonin, «u kthyen të gëzuar» për shkak të rezultateve të mira që kishin pasur.​—Luka 10:17-21.

13 Lajmëtarët në mbarë botën gëzojnë kur shohin se mesazhi i Biblës ndikon për mirë në jetën e njerëzve. Të marrim rastin e Anës, një motër e re beqare, që e zgjeroi shërbimin duke u transferuar në një zonë të Evropës Lindore ku ka shumë nevojë për lajmëtarë. * Ajo shkruan: «Këtu ke plot mundësi të drejtosh studime biblike, dhe më pëlqen sa s’thuhet kjo. Shërbimi më mbush me gëzim. Kur kthehem në shtëpi, s’kam kohë të përqendrohem te vetja. Mendoj për njerëzit me të cilët studioj​—për ankthet dhe hallet e tyre. Përpiqem të gjej mënyra si t’u jap zemër dhe si t’i ndihmoj në mënyra praktike. Dhe jam bindur plotësisht se ‘ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh’.»​—Vep. 20:35.

Kur vizitojmë çdo shtëpi në territorin tonë, u japim mundësi njerëzve t’i përgjigjen mesazhit për Mbretërinë (Shih paragrafin 14.)

14. Si mund të gjesh kënaqësi në shërbim, edhe nëse pak veta e mirëpresin lajmin e mirë?

14 Ne mund të gjejmë lumturi kur u japim mundësi njerëzve t’i përgjigjen mesazhit të lajmit të mirë, edhe nëse ata zgjedhin të mos dëgjojnë. Tekefundit, detyra jonë sot ngjan me atë të profetit Ezekiel, të cilit Jehovai i tha: «Tregoju fjalët e mia, pavarësisht në të dëgjojnë apo jo.» (Ezek. 2:7; Isa. 43:10) Edhe nëse disa nuk e vlerësojnë mesazhin tonë, Jehovai i vlerëson përpjekjet tona. (Lexo Hebrenjve 6:10.) Një lajmëtar shfaqi një qëndrim të shkëlqyer ndaj predikimit. Ai shkroi për shërbimin e tij: «Ne kemi mbjellë, kemi ujitur dhe jemi lutur duke shpresuar se Jehovai do të bëjë të rritet interesi i njerëzve.»​—1 Kor. 3:6.

SI TË JESH I LUMTUR

15. Si reagojnë shumë njerëz ndaj bujarisë, dhe si duhet të ndikojë reagimi i tyre te mënyra si veprojmë?

15 Jezui do që të gjejmë lumturi duke qenë bujarë. Shumë njerëz reagojnë mirë ndaj bujarisë. «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin,​—na nxit Jezui.—​Do t’ju derdhin në prehër një masë të shkëlqyer, të ngjeshur, të tundur dhe që derdhet nga buzët. Sepse do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.» (Luka 6:38) Natyrisht, jo të gjithë reagojnë mirë kur japim me bujari. Por kur janë mirënjohës, mirënjohja e tyre mund të bëhet shkëndija e një reaksioni zinxhir. Ndaj bëje zakon të japësh, pavarësisht nëse duket se të tjerët e vlerësojnë këtë apo jo. Nuk i dihet kurrë sa të mira mund të sjellë edhe vetëm një gjest bujar nga ana jote.

16. Çfarë duhet të na motivojë kur tregojmë bujari?

16 Kush është vërtet bujar, nuk jep për të marrë diçka në këmbim. Jezui kishte ndër mend këtë kur na mësoi: «Kur të shtrosh gosti, fto të varfrit, sakatët, të çalët dhe të verbrit. Atëherë do të jesh i lumtur, sepse ata s’kanë me se të ta shpërblejnë.» (Luka 14:13, 14) Një shkrimtar i frymëzuar i Biblës tha: «Kush ka sy dashamirës [njeriu bujar], do të bekohet.» Një tjetër shkroi: «Lum ai që mendon për të varfrin!» (Prov. 22:9; Psal. 41:1) Vërtet, ne duhet të japim sepse gjejmë kënaqësi kur ndihmojmë të tjerët.

17. Cilat janë disa mënyra si mund të japësh e të ndihesh i lumtur?

17 Kur citoi fjalët e Jezuit «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh», Pavli nuk e kishte fjalën vetëm për dhënien e gjërave materiale, por edhe për t’u dhënë inkurajim, drejtim e ndihmë atyre që kanë nevojë. (Vep. 20:31-35) Me fjalët dhe shembullin e tij, apostulli na mësoi të japim nga vetja​—nga koha jonë, energjitë tona, vëmendja jonë dhe dashuria jonë.

18. Çfarë konkluzioni kanë nxjerrë shumë studiues për bujarinë?

18 Edhe studiuesit në fushën e shkencave sociale kanë vërejtur se njerëzit ndihen të lumtur kur japin. Sipas një artikulli, «njerëzit thonë se ndihen jashtëzakonisht më të lumtur pasi bëjnë diçka të dashur për të tjerët». Siç thonë studiuesit, kur ndihmojmë të tjerët ndiejmë se jeta jonë merr «më shumë kuptim e qëllim», «sepse kjo plotëson nevoja themelore të njeriut». Prandaj specialistët shpesh u rekomandojnë njerëzve të bëjnë punë vullnetare për të mirën e shëndetit dhe të lumturisë së tyre. Këto zbulime s’janë ndonjë çudi për ata që e pranojnë Biblën si Fjalën e Krijuesit të dashur të njerëzimit, Jehovait.​—2 Tim. 3:16, 17.

VAZHDO TA KULTIVOSH BUJARINË

19, 20. Çfarë arsyesh ke që të duash të jesh bujar?

19 Mund të jetë një sfidë të mbajmë një frymë bujare kur jemi të rrethuar nga njerëz që vënë interesat e tyre para interesave të të tjerëve. Sidoqoftë, Jezui tha se dy urdhërimet më të mëdha janë të duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen e forcën tonë dhe t’i duam të tjerët si veten. (Mar. 12:28-31) Siç e kemi parë në këtë artikull, ata që e duan Jehovain, e imitojnë. Jehovai u jep të tjerëve, e po ashtu bën edhe Jezui. Ata na nxitin të veprojmë njësoj, sepse kjo do të na bëjë vërtet të lumtur. Nëse bëjmë çmos të shfaqim këtë frymë bujare qoftë në marrëdhënien me Perëndinë, qoftë në marrëdhëniet me njerëzit, do të nderojmë Jehovain dhe do t’i sjellim dobi vetes e të tjerëve.

20 Pa dyshim që tashmë po përpiqesh fort të japësh nga vetja për të ndihmuar të tjerët, sidomos bashkëbesimtarët. (Gal. 6:10) Nëse vazhdon ta bësh këtë, pa diskutim që të tjerët do të të duan e do të të çmojnë, dhe si rezultat do të ndihesh i lumtur. «Shpirti bujar do të majmet, dhe kush ujit me bollëk, edhe ai vetë do të ujitet me bollëk»,​—thotë Proverbat 11:25. Natyrisht, dhënia me altruizëm, mirëdashja dhe bujaria mund të shfaqen në shumë mënyra e në shumë aspekte të jetës e të shërbimit të krishterë, dhe sjellin rezultate shpërblyese. Në artikullin tjetër do të eksplorojmë disa nga këto mënyra dhe aspekte.

^ par. 13 Emri është ndryshuar.