Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i njeh mirë faktet?

A i njeh mirë faktet?

‘Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se të dëgjojë [faktet], kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.’​—PROV. 18:13.

KËNGËT: 126, 95

1, 2. (a) Cilën aftësi të rëndësishme duhet të zhvillojmë, dhe pse? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

SI TË krishterë të vërtetë, duhet të zhvillojmë aftësinë për t’i peshuar informacionet dhe për të nxjerrë përfundime të sakta. (Prov. 3:21-23; 8:4, 5) Nëse nuk e zhvillojmë këtë aftësi, do të biem shumë më kollaj pre e përpjekjeve të Satanait dhe të botës së tij për të na shtrembëruar mënyrën si mendojmë. (Efes. 5:6; Kolos. 2:8) Sigurisht, mund të nxjerrim përfundimet e duhura vetëm nëse i dimë mirë faktet. Siç thotë Proverbat 18:13, ‘nëse dikush përgjigjet për një çështje para se të dëgjojë [faktet], kjo është për të marrëzi dhe poshtërim’.

2 Në këtë artikull, do të shqyrtojmë disa sfida që mund të hasim teksa përpiqemi të sigurohemi për faktet dhe të nxjerrim përfundimet e duhura. Veç kësaj, do të shqyrtojmë parime dhe shembuj praktikë nga Bibla që mund të na ndihmojnë të bëhemi më të aftë për t’i vlerësuar saktë informacionet.

MOS I BESO «ÇDO FJALE»

3. Pse duhet të zbatojmë parimin që gjejmë te Proverbat 14:15? (Shih figurën hapëse.)

3 Njerëzit sot bombardohen me informacione. Sitet e Internetit, televizioni dhe forma të tjera të medias, servirin një shumëllojshmëri idesh që duket se s’kanë fund. Gjithashtu, shumë veta marrin një lumë email-esh, mesazhesh e informacionesh nga miq dhe të njohur që nisen nga e mira. E meqë ndodh rëndom që njerëzit të përhapin me dashje informacione të gabuara dhe të shtrembërojnë faktet, kemi arsye të forta që të hapim sytë e të peshojmë me kujdes atë që dëgjojmë. Cili parim biblik mund të na ndihmojë? Proverbat 14:15 thotë: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»

4. Si na ndihmon Filipianëve 4:8, 9 të përzgjedhim materialet që lexojmë, dhe pse është jetësore të kemi informacione të sakta? (Shih edhe kutinë « Disa masa që na ndihmojnë të dimë faktet».)

4 Për të marrë vendime të mira, kemi nevojë për fakte të besueshme. Ndaj, duhet të jemi tepër të matur dhe t’i zgjedhim me kujdes informacionet që lexojmë. (Lexo Filipianëve 4:8, 9.) S’duhet të harxhojmë kohën duke parë site lajmesh jo të besueshme në Internet ose duke lexuar informacione të paverifikuara që qarkullojnë me email. Është veçanërisht e rëndësishme të shmangim sitet ku apostatët përhapin idetë e tyre. Gjithë qëllimi i tyre është t’u rrënojnë besimin shërbëtorëve të Perëndisë dhe të shtrembërojnë të vërtetën. Informacionet e çala do të çojnë në vendime të çala. Mos e nënvlerëso kurrë ndikimin e fuqishëm që mund të kenë në mendjen e në zemrën tënde informacionet mashtruese!​—1 Tim. 6:20, 21.

5. Cilin raport të rremë dëgjuan izraelitët, dhe si ndikoi kjo tek ata?

5 T’i zësh besë një informacioni të rremë mund të jetë shkatërrimtare. Për shembull, mendo për atë që ndodhi në kohën e Moisiut kur 10 nga 12 vëzhguesit që u dërguan të eksploronin Tokën e Premtuar, dhanë një raport negativ. (Num. 13:25-33) Si pasojë e raportit të tyre të ekzagjeruar dhe skandaloz, populli i Jehovait u shkurajua fare. (Num. 14:1-4) Pse reagoi ashtu? Mbase menduan se meqë shumica e vëzhguesve dhanë një raport negativ, tregimi i tyre duhej të ishte i vërtetë. Ata nuk pranuan t’ia vinin veshin raportit pozitiv të dy burrave të besueshëm, Josiut dhe Kalebit. (Num. 14:6-10) Në vend që të siguroheshin për faktet dhe të tregonin besim te Jehovai, ata zgjodhën të besonin raportin negativ. Sa gjë e marrë!

6. Pse nuk duhet të tronditemi nëse dëgjojmë gjëra skandaloze për shërbëtorët e Jehovait?

6 Duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm kur kemi të bëjmë me informacione për shërbëtorët e Jehovait. Mos harro kurrë se Satanai është paditësi i shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. (Zbul. 12:10) Prandaj, Jezui paralajmëroi se kundërshtarët ‘duke gënjyer do të thoshin çdo lloj gjëje të ligë’ kundër nesh. (Mat. 5:11) Nëse e marrim seriozisht këtë paralajmërim, nuk do të tronditemi kur të dëgjojmë gjëra skandaloze për shërbëtorët e Jehovait.

7. Çfarë duhet të shqyrtojmë para se të dërgojmë email-e ose mesazhe?

7 A ke qejf t’u dërgosh email-e dhe mesazhe miqve e të njohurve? Nëse është kështu, mbase ndihesh si një gazetar që dëshiron të raportojë i pari një ngjarje sensacionale, kur sheh diçka që sapo është publikuar në mjetet e informacionit ose kur dëgjon një përvojë. Megjithatë, para se ta dërgosh këtë mesazh ose email, pyet veten: «A jam i sigurt se informacioni që kam ndër mend të përhap është i vërtetë? A i di vërtet faktet?» Nëse nuk je i sigurt, mund të përhapësh pa dashje mes vëllezërve informacione të rreme. Nëse ke ndonjë dyshim, shtyp butonin «fshi», jo butonin «dërgo».

8. Çfarë kanë bërë kundërshtarët në disa vende, dhe si mund të bashkëpunojmë pa dashje me ta?

8 Ka edhe një rrezik tjetër kur dërgojmë email-e dhe mesazhe pa menduar gjatë. Në disa vende, vepra jonë është e kufizuar ose plotësisht e ndaluar. Kundërshtarët tanë në këto vende mund të përhapin me dashje informacione të kurdisura për të na frikësuar ose për të na shtyrë të mos i zëmë besë njëri-tjetrit. Mendo për atë që ndodhi në ish-Bashkimin Sovjetik. Policia sekrete, e njohur si KGB, hapi fjalë se disa vëllezër të mirënjohur kishin tradhtuar popullin e Jehovait. * Shumë veta i besuan ato fjalë të rreme, dhe si pasojë u shkëputën nga organizata e Jehovait. Sa e trishtueshme! Shyqyr që më vonë shumë prej tyre u kthyen! Ama disa nuk u kthyen kurrë. Besimi i tyre u rrënua. (1 Tim. 1:19) Si mund ta shmangim një fund të tillë shkatërrimtar? Mos përhap kurrsesi histori negative ose të pabaza. Mos ji naiv. Sigurohu që t’i dish mirë faktet.

INFORMACIONE TË PAPLOTA

9. Cila është një sfidë tjetër për të nxjerrë përfundime të sakta?

9 Historitë që përmbajnë gjysmë të vërteta ose informacione të paplota, janë një sfidë tjetër për të nxjerrë përfundime të sakta. Një histori që është vetëm 10 për qind e vërtetë është 100 për qind mashtruese. Ç’të bëjmë që të mos biem pre e historive mashtruese që mund të përmbajnë disa elemente të së vërtetës?​—Efes. 4:14.

10. Pse izraelitët gati u hodhën në luftë kundër vëllezërve të tyre, dhe si u shmang lufta?

10 Mendo pak çfarë ndodhi me izraelitët që banonin në perëndim të lumit Jordan në kohën e Josiut. (Jos. 22:9-34) Ata morën lajmin se izraelitët që jetonin në lindje të Jordanit (fisi i Rubenit, i Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut), kishin ndërtuar pranë Jordanit një altar të madh që binte në sy. Kjo pjesë e lajmit ishte e vërtetë. Duke u bazuar në këtë informacion të paplotë, izraelitët në viset perëndimore nxorën përfundimin se vëllezërit e tyre kishin ngritur krye kundër Jehovait, prandaj u mobilizuan për të luftuar kundër atyre që jetonin në lindje të lumit. (Lexo Josiun 22:9-12.) Po shyqyr që, para se të sulmonin, dërguan një delegacion me burra të besueshëm për të marrë vesh të gjitha faktet. Çfarë mësuan? Izraelitët nga fisi i Rubenit, i Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut nuk e kishin ndërtuar altarin për të bërë flijime, por në shenjë kujtimi, që në të ardhmen të gjithë ta dinin se edhe ata ishin shërbëtorë besnikë të Jehovait. Sa të lumtur duhet të jenë ndier ata izraelitë që nuk i masakruan vëllezërit e tyre duke u bazuar në informacione të paplota, por lanë kohë që të mësonin faktet!

11. (a) Si ra viktimë e një padrejtësie Mefibosheti? (b) Si mund ta kishte shmangur atë padrejtësi Davidi?

11 Si individë, edhe ne mund të biem viktimë e ndonjë padrejtësie ngaqë të tjerët përhapin informacione gjysmë të vërteta ose të paplota për ne. Mendo për rastin e mbretit David dhe Mefiboshetit. Davidi i tregoi bujari dhe dashamirësi Mefiboshetit duke i kthyer të gjitha tokat e gjyshit të tij, Saulit. (2 Sam. 9:6, 7) Mirëpo më vonë, Davidi dëgjoi fjalë jo të mira për Mefiboshetin. Pa e verifikuar këtë informacion, Davidi vendosi t’ia merrte Mefiboshetit gjithë pronat. (2 Sam. 16:1-4) Kur foli më në fund me Mefiboshetin, Davidi e kuptoi gabimin dhe i ktheu një pjesë të pronave. (2 Sam. 19:24-29) Por kjo padrejtësi mund të ishte shmangur nëse Davidi do të kishte lënë kohë që të mësonte faktet, në vend që të vepronte nxitimthi në bazë të informacioneve të paplota.

12, 13. (a) Si vepronte Jezui kur njerëzit përhapnin shpifje për të? (b) Ç’mund të bëjmë nëse dikush përhap një gënjeshtër për ne?

12 Por ç’të themi nëse ti vetë je viktimë e një akuze shpifëse? Kështu i ndodhi Jezuit dhe Gjon Pagëzorit. (Lexo Mateun 11:18, 19.) Si vepronte Jezui kur njerëzit përhapnin informacione të rreme për të? Ai nuk harxhonte gjithë kohën dhe energjitë për të mbrojtur veten. Në vend të kësaj, i nxiti dëgjuesit të shihnin faktet​—gjërat që bënte dhe gjërat që u mësonte të tjerëve. Siç tha Jezui, «mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta».​—Mat. 11:19.

13 Duhet të nxjerrim një mësim me vlerë nga Jezui. Ndonjëherë, njerëzit mund të thonë gjëra të padrejta ose të bëjnë komente kritike për ne. Mbase jemi të etur për drejtësi dhe dëshirojmë të bëjmë diçka për të zhbërë dëmin ndaj reputacionit tonë. Por ka diçka që mund të bëjmë. Nëse dikush përhap një gënjeshtër për ne, mund të jetojmë në mënyrë të tillë që askush të mos e besojë atë gënjeshtër. Siç tregon shembulli i Jezuit, sjellja jonë e drejtë e krishterë në rrjedhën e kohës, mund t’i fshijë gjysmë të vërtetat dhe akuzat e rreme.

SI E SHEH VETEN?

14, 15. Si mund të kthehet në një kurth mbështetja te kuptueshmëria jonë?

14 Të mbledhësh fakte të besueshme është vetëm një nga sfidat për të arritur përfundimet e duhura. Një sfidë tjetër e madhe është papërsosmëria njerëzore. Ç’të themi nëse i kemi shërbyer me besnikëri Jehovait për dekada të tëra? Mbase kemi zhvilluar në mënyrë të shkëlqyer aftësinë dalluese dhe aftësinë për të menduar. Ndoshta të tjerët na respektojnë shumë për gjykimin e shëndoshë. Por, a mund të ndodhë që kjo të kthehet në një kurth?

15 Po, nëse mbështetemi tepër te kuptueshmëria jonë, kjo mund të bëhet një kurth. Mënyra si mendojmë mund të fillojë të udhëhiqet nga ndjenjat dhe idetë personale. Mbase dalëngadalë na duket sikur mund ta kuptojmë tak-fak një situatë edhe nëse nuk i dimë të gjitha faktet. Sa gjë e rrezikshme! Bibla na paralajmëron qartë që të mos mbështetemi te kuptueshmëria jonë.​—Prov. 3:5, 6; 28:26.

16. Sipas një situate imagjinare, çfarë ndodhi në një restorant? Cilat përfundime të rrëmbyera nxori Tomi?

16 Të marrim një situatë imagjinare. Një mbrëmje Tomi, një plak me përvojë, është në një restorant. Tronditet kur sheh atje një plak tjetër, Xhonin, të ulur në një tavolinë me një grua që s’është e shoqja. Ai vë re se ata të dy po qeshin e po kënaqen pa masë në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe përqafohen me përzemërsi. Tomi shqetësohet gjithnjë e më shumë. A do të përfundojë në divorc gjithë kjo? Ç’do të bëhet me gruan e Xhonit? Po me fëmijët e tij? Tomi ka ndeshur edhe më parë situata të tilla që të copëtojnë zemrën. Si do të ndiheshe ti po ta kishe parë këtë skenë?

17. Sipas situatës imagjinare, çfarë mori vesh Tomi më vonë, dhe çfarë mësimi nxjerrim?

17 Por prit pak. Edhe pse Tomi ka nxjerrë shpejt përfundimin se Xhoni ka tradhtuar të shoqen, a i di vërtet faktet? Më vonë atë mbrëmje, Tomi i telefonon Xhonit. A e përfytyron dot sa lehtësohet Tomi kur merr vesh se ajo grua ishte motra nga gjaku e Xhonit, e cila kishte ardhur për vizitë nga një qytet tjetër. Ata nuk ishin takuar prej vitesh me njëri-tjetrin. Ajo ndodhej kalimthi në qytet vetëm për pak orë, prandaj Xhoni kishte mundësi ta takonte sa për të ngrënë së bashku një vakt në restorant. Gruaja e tij s’kishte mundësi të dilte me ta. Shyqyr që Tomi nuk i ka përhapur përfundimet e veta të gabuara. Ç’mësim nxjerrim nga kjo? Sado përvojë të kemi në jetën e krishterë, përvoja në vetvete nuk i zëvendëson kurrë faktet.

18. Si mund të na e mjegullojnë gjykimin përplasjet e personalitetit?

18 Një sfidë tjetër për t’i vlerësuar saktë informacionet, mund të jetë kur kemi përplasje personaliteti me një vëlla në kongregacion. Nëse e mbajmë vazhdimisht mendjen te mosmarrëveshjet mes nesh, mund të fillojmë ta shohim vëllanë me njëfarë dyshimi. Kështu, nëse dëgjojmë diçka negative për të, mbase jemi shumë të prirur ta besojmë. Cili është mësimi? Nëse ushqejmë ndjenja negative për vëllezërit tanë, kjo mund të na çojë në gjykime të shtrembëruara që nuk bazohen në fakte. (1 Tim. 6:4, 5) Që të mos na mjegullohet gjykimi, nuk duhet të lejojmë që zilia dhe xhelozia të zënë rrënjë në zemrën tonë. Në vend që t’u lëmë rrugë të lirë këtyre ndjenjave negative, le të mbajmë ndër mend se kemi detyrimin të duam vëllezërit tanë dhe t’i falim bujarisht nga zemra.​—Lexo Kolosianëve 3:12-14.

PARIMET BIBLIKE DO TË NA MBROJNË

19, 20. (a) Cilat parime biblike do të na ndihmojnë t’i vlerësojmë saktë informacionet? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

19 Sot është një sfidë të mësojmë faktet dhe t’i vlerësojmë saktë ato, për shkak të bollëkut të informacioneve të çala, fjalëve plot me gjysmë të vërteta dhe papërsosmërisë sonë. Çfarë do të na ndihmojë që t’i bëjmë ballë kësaj sfide? Duhet të njohim e të zbatojmë parimet e Biblës. Një nga këto parime thotë se është marrëzi e poshtërim të përgjigjemi për një çështje para se të dëgjojmë faktet. (Prov. 18:13) Një parim tjetër biblik na kujton se nuk duhet t’i besojmë çdo fjale pa e vënë në kandar. (Prov. 14:15) Dhe në fund, pavarësisht sa përvojë kemi në jetën e krishterë, duhet të bëjmë kujdes të mos mbështetemi te kuptueshmëria jonë. (Prov. 3:5, 6) Parimet biblike do të na mbrojnë nëse sigurohemi t’i marrim faktet nga burime të besueshme, që të nxjerrim përfundimet e duhura dhe të marrim vendime të mençura.

20 Por mbetet edhe një sfidë tjetër: prirja për t’i gjykuar gjërat duke u bazuar te pamja e jashtme. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë disa aspekte ku mund të biem në këtë grackë dhe do të shohim ç’mund të na ndihmojë që ta shmangim këtë.