Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ki besim tek Udhëheqësi ynë aktiv​—Krishti

Ki besim tek Udhëheqësi ynë aktiv​—Krishti

«Keni vetëm një Udhëheqës, Krishtin.»​—MAT. 23:10.

KËNGËT: 16, 14

1, 2. Me cilat sfida u përball Josiu pas vdekjes së Moisiut?

JOSIUT i kumbonin akoma në vesh këto fjalë të Jehovait: «Moisiu, shërbëtori im, vdiq, ndaj ngrihu bashkë me tërë popullin, kalo Jordanin dhe hyr në vendin që po u jap.» (Jos. 1:1, 2) Çfarë ndryshimi i befasishëm për Josiun, që kishte qenë gati 40 vjet ndihmës i Moisiut!

2 Moisiu e kishte udhëhequr Izraelin për një kohë mjaft të gjatë, prandaj Josiu ndoshta vriste mendjen si do të reagonte populli i Perëndisë ndaj udhëheqjes së tij. (Ligj. 34:8, 10-12) Një vepër biblike referimi komenton për Josiun 1:1, 2: «Si në kohët e lashta, edhe në kohën tonë, një nga periudhat më të rrezikshme për sigurinë e një shteti është kalimi i udhëheqjes nga një palë te tjetra.»

3, 4. Nga e dimë se besimi i Josiut te Perëndia nuk çoi në zhgënjim, dhe cilën pyetje mund t’i bëjmë vetes?

3 Josiu duhet të ketë qenë me të drejtë i frikësuar. Megjithatë, brenda pak ditësh veproi me vendosmëri. (Jos. 1:9-11) Dhe besimi i tij te Perëndia nuk çoi në zhgënjim. Siç tregon Bibla, Jehovai i udhëhoqi vërtet Josiun dhe popullin e Tij, Izraelin, duke përdorur një engjëll si përfaqësues. Është e arsyeshme të mendojmë se ai engjëll ishte Fjala, ose Biri i parëlindur i Perëndisë.—Dal. 23:20-23; Gjoni 1:1.

4 Me ndihmën e Jehovait, Izraeli e përballoi me sukses periudhën e kalimit të udhëheqjes nga Moisiu te Josiu. Edhe ne jetojmë në kohë ndryshimesh historike, e ndoshta pyesim veten: «Ndërsa organizata e Perëndisë ecën para me shpejtësi të madhe, a kemi arsye të forta për pasur besim te Jezui si Udhëheqësi ynë i emëruar?» (Lexo Mateun 23:10.) Për të marrë përgjigje, le të shqyrtojmë në ç’mënyrë siguroi në të kaluarën Jehovai një udhëheqje të besueshme në kohë ndryshimesh.

KUSH E UDHËHOQI POPULLIN E PERËNDISË PËR NË KANAAN

5. Kë takoi Josiu ndërsa po i afrohej Jerikosë? (Shih figurën hapëse.)

5 Pak pasi Izraeli kaloi Jordanin, Josiu pati një takim të papritur. Teksa i afrohej Jerikosë, takoi një burrë me shpatë në dorë. Duke mos e ditur kush ishte i panjohuri, Josiu e pyeti: «Je me ne apo me kundërshtarët tanë?» Për çudinë e Josiut, luftëtari e zbuloi identitetin e vet: ishte pikërisht ‘princi [kreu, shën., NWT, botimi 2013] i ushtrisë së Jehovait’, që ishte gati të mbronte popullin e Perëndisë. (Lexo Josiun 5:13-15.) Ndonëse në vende të tjera Shkrimet tregojnë se Jehovai fliste drejtpërdrejt me Josiun, s’ka dyshim se Perëndia fliste nëpërmjet përfaqësuesit të tij engjëllor, siç kish bërë shpesh në të kaluarën.—Dal. 3:2-4; Jos. 4:1, 15; 5:2, 9; Vep. 7:38; Gal. 3:19.

6-8. (a) Pse disa udhëzime të Jehovait mund të jenë dukur të pazakonta nga pikëpamja njerëzore? (b) Nga e dimë se ato udhëzime ishin edhe të mençura, edhe në kohën e duhur? (Shih edhe shënimin.)

6 Ai Udhëheqës engjëllor i dha Josiut udhëzime të qarta se si ta pushtonte qytetin e Jerikosë. Në fillim, disa udhëzime mund të mos jenë dukur një strategji e mirë. Për shembull, Jehovai urdhëroi të rrethpriteshin të gjithë burrat, e si pasojë ata do të ishin të pamundur për disa ditë. A ishte vërtet ky momenti i duhur që të rrethpriteshin ata burra të aftë për luftë?—Zan. 34:24, 25; Jos. 5:2, 8.

7 Ata ushtarë izraelitë që s’mbronin dot veten, ka shumë mundësi që vritnin mendjen si do ta mbronin familjen e tyre nëse luftëtarët armiq mësynin kampin. Por befas u erdhi lajmi se Jerikoja ishte «krejtësisht e mbyllur nga frika që kishin prej bijve të Izraelit». (Jos. 6:1) Sa shumë duhet t’ua ketë forcuar besimin te drejtimi i Perëndisë kjo kthesë e papritur e ngjarjeve!

8 Veç kësaj, izraelitët morën urdhrin të mos e sulmonin Jerikonë, por të marshonin rreth e qark qytetit një herë në ditë për gjashtë ditë dhe shtatë herë ditën e shtatë. Disa ushtarë mbase kanë menduar: «Gjithë kjo kohë dhe energji të harxhuara kot!» Ama, Udhëheqësi i padukshëm i Izraelit e dinte për bukuri ç’po bënte. Strategjia e Jehovait jo vetëm u forcoi besimin izraelitëve, por edhe i kurseu nga një luftë ballore me ushtarët e fuqishëm të Jerikosë.​—Jos. 6:2-5; Hebr. 11:30. *

9. Pse duhet të ndjekim udhëzimet që marrim nga organizata e Perëndisë? Jepni një shembull.

9 Ç’mund të mësojmë nga ky tregim biblik? Hera-herës mund të mos i kuptojmë plotësisht arsyet e iniciativave të reja që ndërmerr organizata. Për shembull, në fillim ndoshta e shihnim me dyshim përdorimin e pajisjeve elektronike për studim personal, në shërbim dhe në mbledhje. Tani ka shumë të ngjarë që e kuptojmë sa e dobishme është t’i përdorim këto pajisje, nëse është e mundur. Kur shohim rezultatet pozitive të këtyre përmirësimeve, pavarësisht nga çdo dyshim që mund të kemi pasur, na forcohet besimi dhe uniteti.

UDHËHEQJA E KRISHTIT NË SHEKULLIN E PARË

10. Kush qëndronte pas mbledhjes së rëndësishme të trupit udhëheqës që u mbajt në Jerusalem?

10 Rreth 13 vjet pasi Korneli përqafoi besimin e krishterë, disa besimtarë judenj përkrahnin akoma rrethprerjen. (Vep. 15:1, 2) Kur në Antioki plasi një grindje për këtë, u morën masa që Pavli të shkonte për këtë çështje te trupi udhëheqës në Jerusalem. Por, kush qëndronte pas këtij drejtimi? Pavli tha: «U ngjita si rrjedhojë e një zbulese.» Është e qartë se Krishti i drejtoi gjërat në mënyrë që trupi udhëheqës ta zgjidhte debatin.​—Gal. 2:1-3.

Udhëheqja aktive e Krishtit ishte e dukshme në shekullin e parë (Shih paragrafët 10, 11.)

11. (a) Cila situatë vazhdoi të ekzistonte mes besimtarëve judenj lidhur me rrethprerjen? (b) Si u vu në provë gatishmëria e Pavlit për të mbështetur pleqtë në Jerusalem? (Shih edhe shënimin.)

11 Nën drejtimin e Krishtit, trupi udhëheqës e bëri të qartë se nuk ishte e nevojshme që të krishterët jojudenj të rrethpriteshin. (Vep. 15:19, 20) Mirëpo vite pas atij vendimi, shumë besimtarë judenj vazhdonin t’i rrethpritnin fëmijët. Kur pleqtë në Jerusalem dëgjuan që për Pavlin ishin hapur fjalë lart e poshtë se nuk zbatonte Ligjin e Moisiut, i dhanë disa udhëzime të papritura. * (Vep. 21:20-26) I kërkuan të merrte me vete katër burra e të shkonin në tempull, që njerëzit të nxirrnin përfundimin se Pavli ‘e mbante Ligjin’. Pavli mund ta kishte vënë në dyshim mençurinë e asaj që i kërkuan dhe mund të kundërshtonte se problemi i vërtetë qëndronte te të krishterët judenj që nuk e kuptonin qartë çështjen e rrethprerjes. Megjithatë, duke treguar se e mbështeste dëshirën e pleqve për të nxitur unitetin mes besimtarëve, Pavli iu bind me përulësi urdhrave që iu dhanë. Por ndoshta pyesim veten: «Pse lejoi Jezui që ajo çështje të mbetej e pazgjidhur aq gjatë, ndërkohë që vdekja e tij e kishte shfuqizuar Ligjin e Moisiut?»​—Kolos. 2:13, 14.

12. Cila mund të jetë arsyeja pse Krishti lejoi të kalonte kohë para se të zgjidhej çështja e rrethprerjes?

12 Disave u duhet kohë të përshtaten me një kuptueshmëri të qartësuar. Të krishterëve judenj u duhej kohë e mjaftueshme për të ndrequr pikëpamjen e tyre. (Gjoni 16:12) Disa e kishin të vështirë ta pranonin se rrethprerja nuk ishte më shenjë e një marrëdhënieje të veçantë me Perëndinë. (Zan. 17:9-12) Të tjerë, nga frika e përndjekjes, ngurronin të spikatnin si të ndryshëm në komunitetet judeje. (Gal. 6:12) Por, me kalimin e kohës, Krishti siguroi drejtim të mëtejshëm nëpërmjet letrave të frymëzuara që shkroi Pavli.​—Rom. 2:28, 29; Gal. 3:23-25.

KRISHTI PO E UDHËHEQ ENDE KONGREGACIONIN E TIJ

13. Ç’mund të na ndihmojë ta çmojmë udhëheqjen e Krishtit sot?

13 Kur nuk i kuptojmë plotësisht arsyet e disa ndryshimeve organizative, bëjmë mirë të meditojmë për mënyrën si e udhëhiqte Krishti popullin e Perëndisë në të kaluarën. Si në kohën e Josiut, edhe në shekullin e parë, Krishti ka siguruar gjithmonë drejtim të mençur që ta mbrojë popullin e Perëndisë si një të tërë, t’u forcojë besimin dhe të ruajë unitetin mes shërbëtorëve të Perëndisë.​—Hebr. 13:8.

14-16. Si pasqyrohet qartë te drejtimi i ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ meraku i Krishtit që ta ruajmë besimin të fortë?

14 Meraku i dashur i Jezuit që ne ta ruajmë besimin të fortë, pasqyrohet qartë te drejtimi në kohën e duhur që jep «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mat. 24:45) Marku, baba i katër fëmijëve, thotë: «Satanai po orvatet t’i dobësojë kongregacionet duke sulmuar familjet. Tani që inkurajohemi të drejtojmë çdo javë adhurimin familjar, mesazhi për kryefamiljarët është i qartë​—mbroni familjen tuaj!»

15 Kur e dallojmë drejtimin e Krishtit, ndiejmë sa thellë interesohet ai që të përparojmë. Patriku, që shërben si plak, shprehet: «Në fillim disave u dukej shkurajuese të mblidheshin në grupe të vogla shërbimi gjatë fundjavës. Por te kjo masë shihet qartë një nga cilësitë kryesore të Jezuit​—interesimi i tij për njerëzit e thjeshtë. Tani vëllezërit e motrat që nuk bien në sy ose që ishin më pak aktivë, ndihen më të vlerësuar e më të dobishëm dhe, si rezultat, kanë përparuar në të vërtetën.»

16 Përveçse kujdeset për nevojat tona në adhurimin e Jehovait, Krishti na ndihmon të mbetemi të përqendruar te vepra më e rëndësishme që po kryhet sot në tokë. (Lexo Markun 13:10.) Andrea, një plak i sapoemëruar, ka qenë përherë vigjilent ndaj ndryshimeve në drejtim brenda organizatës së Perëndisë. Ai thotë: «Pakësimi i personelit të zyrave të degëve, na kujton urgjencën e kohës dhe nevojën që t’i përqendrojmë energjitë tek aktiviteti i predikimit.»

TA MBËSHTETIM BESNIKËRISHT DREJTIMIN E KRISHTIT

17, 18. Pse është shpërblyese të reflektojmë për dobitë që kemi korrur nga përshtatja me ndryshimet e kohëve të fundit?

17 Siç e tregon drejtimi i tij aktiv, Mbreti ynë në fron, Jezu Krishti, pa dyshim që po mendon për të ardhmen. Prandaj, le të gëzojmë për dobitë që na sjell përshtatja me ndryshimet e kohëve të fundit. Mund të jetë inkurajuese të diskutoni gjatë adhurimit familjar se si keni nxjerrë dobi nga ndryshimet në mbledhjet javore ose në shërbim.

A po e ndihmon familjen tënde dhe të tjerët që të ecin në një hap me organizatën e Jehovait? (Shih paragrafët 17, 18.)

18 Nëse dallojmë frymën e udhëzimeve që marrim nga organizata e Jehovait dhe ndikimin e dobishëm që kanë te ne, ka shumë të ngjarë që ta ndjekim me kënaqësi atë drejtim. Patjetër e kuptojmë se pakësimi i sasisë së literaturës që shtypet kursen pará, dhe përdorimi i teknologjive të reja na jep mundësi ta çojmë para veprën e Mbretërisë anekënd botës. Kur e mbajmë në mendje këtë, ndoshta mund t’i përdorim më gjerësisht botimet elektronike dhe median, nëse është e mundur. Kështu, do të pasqyrojmë merakun e Krishtit që të ardhurat e organizatës të përdoren me mençuri.

19. Pse duhet ta mbështetim drejtimin e Krishtit?

19 Kur e mbështetim me gjithë shpirt drejtimin e Krishtit, u forcojmë besimin të tjerëve dhe i kontribuojmë unitetit. Ndërsa mediton për zvogëlimin e familjes mbarëbotërore Bethel, Andrea thotë: «Fryma e shkëlqyer e ish-bethelitëve që u përshtatën me ndryshime të tilla, më forcon besimin dhe më ngjall respekt. Ata ecin në një hap me karrocën e Jehovait duke gjetur gëzim në çdo caktim që u jepet.»

SHIH ME SYTË E BESIMIT UDHËHEQËSIN TONË E TREGO BESIM

20, 21. (a) Pse mund të kemi besim te Krishti, Udhëheqësi ynë? (b) Cilën pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Udhëheqësi ynë i emëruar, Jezu Krishti, së shpejti ‘do të plotësojë fitoren e tij’ dhe do të bëjë «gjëra të frikshme». (Zbul. 6:2; Psal. 45:4) Ndërkohë, ai po e përgatit popullin e Perëndisë për jetën pas përfundimit të këtij sistemi, kur secili nga ne do të marrë pjesë në veprën kolosale të mësimdhënies e të ndërtimit që do të ndodhë gjatë ringjalljes.

21 Mbreti ynë i mirosur do të na udhëheqë me sukses për në botën e re, nëse vazhdojmë të kemi besim absolut tek ai, pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave. (Lexo Psalmin 46:1-3.) Hera-herës ndoshta është një luftë kur përballemi me ndryshime, sidomos kur jeta jonë merr një kthesë të papritur. Si mund ta ruajmë, pra, paqen e brendshme dhe besimin e plotë te Jehovai? Kjo pyetje do të jetë tema e artikullit tjetër.

^ par. 8 Në rrënojat e Jerikosë, arkeologët gjetën rezerva të mëdha drithi, çka tregon se qyteti nuk kishte qenë i rrethuar për një kohë të gjatë. Gjithashtu, rezervat ushqimore nuk kishin mbaruar. Meqë izraelitëve iu ndalua ta plaçkitnin Jerikonë, ai ishte momenti i duhur që të pushtonin vendin, sepse ishte koha e korrjeve dhe në ara kishte ushqim me bollëk.​—Jos. 5:10-12.

^ par. 11 Shih kutinë «Pavli përballon me përulësi një sprovë» në Kullën e Rojës të 15 marsit 2003, f. 24.