Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 13

Trego ndjenja të përbashkëta në shërbim

Trego ndjenja të përbashkëta në shërbim

«I shtyrë nga keqardhja për ta, . . . nisi t’u mësonte shumë gjëra.»—MAR. 6:34.

KËNGA 70 Kërkoni ata që e meritojnë

PËRMBLEDHJE *

1. Cili është një nga aspektet më prekëse të personalitetit të Jezuit? Shpjegoni.

NJË nga aspektet më prekëse të personalitetit të Jezuit, është aftësia për të kuptuar vështirësitë që përballojmë si njerëz të papërsosur. Kur ishte në tokë, Jezui ‘gëzonte me ata që gëzonin’ dhe ‘qante me ata që qanin’. (Rom. 12:15) Për shembull, kur 70 dishepujt u kthyen tërë gëzim pas një fushate të suksesshme predikimi, edhe Jezui «u mbush me gëzim». (Luka 10:17-21) Në krahun tjetër, kur pa sa të pikëlluar ishin nga vdekja e Lazarit njerëzit e tij të dashur, Jezui «rënkoi në frymë dhe u trazua».—Gjoni 11:33.

2. Çfarë e ndihmonte Jezuin të tregonte ndjenja të përbashkëta ndaj njerëzve?

2 Çfarë e ndihmonte atë njeri të përsosur të ishte aq i mëshirshëm e i dhembshur me njerëzit mëkatarë? Para së gjithash, Jezui i donte njerëzit. Siç u përmend në artikullin e kaluar, ai ‘i kishte [veçanërisht] për zemër bijtë e njerëzve’. (Prov. 8:31) Kjo dashuri për njerëzit e shtynte të njihte me hollësi mënyrën si mendon njeriu. Siç thotë apostulli Gjon, ai ‘e dinte se si ishin nga brenda’ njerëzit. (Gjoni 2:25) Jezui kishte dhembshuri të butë për të tjerët. Ata e ndienin se i donte dhe e mirëpritnin mesazhin për Mbretërinë. Sa më shumë të zhvillojmë ndjenja të tilla të buta për njerëzit, aq më të efektshëm do të jemi në shërbimin tonë.—2 Tim. 4:5.

3-4. (a) Nëse kemi ndjenja të përbashkëta, si do ta shohim shërbimin tonë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Ashtu si apostulli Pavël, edhe ne e dimë se e kemi për detyrë të predikojmë. (1 Kor. 9:16) Gjithsesi, nëse kemi ndjenja të përbashkëta, nuk do ta shohim shërbimin tonë vetëm si një detyrë. Do të kemi dëshirë t’u tregojmë njerëzve se interesohemi për ta dhe duam me gjithë zemër t’i ndihmojmë. E dimë se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (Vep. 20:35) Sa më shumë ta shohim shërbimin nga ky këndvështrim, aq më shumë do ta shijojmë.

4 Në këtë artikull do të shqyrtojmë si të tregojmë ndjenja të përbashkëta në shërbim. Së pari, do të shohim çfarë mund të mësojmë nga ndjenjat që provonte Jezui për njerëzit. Pastaj do të ndalemi te katër mënyra si mund ta imitojmë shembullin e tij.—1 Pjet. 2:21.

JEZUI TREGONTE NDJENJA TË PËRBASHKËTA NË SHËRBIM

Ndjenjat e përbashkëta e shtynin Jezuin të predikonte një mesazh ngushëllues (Shih paragrafët 5-6)

5-6. (a) Ndaj kujt tregonte ndjenja të përbashkëta Jezui? (b) Pse ndiente keqardhje Jezui për njerëzit që u predikonte, siç parathuhej tek Isaia 61:1, 2?

5 Të shohim një shembull si tregonte Jezui ndjenja të përbashkëta. Në një rast, Jezui dhe dishepujt e tij kishin predikuar pa u kursyer lajmin e mirë. Nuk kishin pasur «kohë as të hanin bukë». Ndaj Jezui i mori dishepujt për në «një vend të vetmuar, që të rrinin vetëm» dhe ‘të pushonin pak’. Mirëpo një turmë e madhe nxitoi dhe mbërriti para tyre në vendin ku po shkonin. Si reagoi Jezui kur arriti atje dhe pa njerëzit? «I shtyrë nga keqardhja * për ta, sepse ishin si dele pa bari, nisi t’u mësonte shumë gjëra.»—Mar. 6:30-34.

6 Të mendojmë për arsyen pse Jezui provonte keqardhje ose ndjenja të përbashkëta. Ai vuri re se ata njerëz «ishin si dele pa bari». Ndoshta vërejti se disa ishin të varfër dhe punonin tërë ditën për të mbajtur familjen. Të tjerë mbase vuanin nga vdekja e një njeriu të dashur. Nëse ishte kështu, ka shumë të ngjarë që Jezui e kuptonte situatën e tyre. Siç e pamë në artikullin e kaluar, ai mund t’i kishte hasur edhe vetë disa nga ato probleme. Meraku për të tjerët e shtynte Jezuin t’u jepte një mesazh ngushëllues.—Lexo Isainë 61:1, 2.

7. Si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit?

7 Çfarë mësojmë nga shembulli i Jezuit? Njësoj si ai, jemi të rrethuar nga njerëz që janë «si dele pa bari». Ata vuajnë nga shumë halle. Ne kemi atë që u nevojitet—mesazhin për Mbretërinë. (Zbul. 14:6) Prandaj imitojmë Zotërinë tonë dhe predikojmë lajmin e mirë ngaqë ‘na dhimbset i përvuajturi dhe i varfri’. (Psal. 72:13) Na vjen keq për njerëzit dhe duam të bëjmë diçka për t’i ndihmuar.

SI TË TREGOJMË NDJENJA TË PËRBASHKËTA

Mendo për nevojat e çdo individi (Shih paragrafët 8-9)

8. Cila është një mënyrë si të tregojmë ndjenja të përbashkëta në shërbim? Ilustrojeni.

8 Çfarë mund të na ndihmojë të tregojmë ndjenja të përbashkëta ndaj njerëzve që u predikojmë? Duhet ta vëmë veten në vendin e tyre dhe t’i trajtojmë siç do të na pëlqente të na trajtonin po të ishim në atë situatë. * (Mat. 7:12) Le të shohim katër mënyra si mund ta bëjmë këtë. Së pari, mendo për nevojat e çdo individi. Kur predikojmë lajmin e mirë, roli ynë ngjan me atë të një mjeku. Një mjek i mirë mendon për nevojat e çdo pacienti. Bën pyetje dhe dëgjon me vëmendje ndërsa pacienti përshkruan problemin ose simptomat e veta. Në vend që t’i japë mjekimin e parë që i vjen në mendje, mjeku mund të lërë kohë që të bëjë analiza për të përcaktuar problemin, e pastaj jep mjekimin e duhur. Po ashtu, ne nuk duhet të përdorim të njëjtën metodë me këdo që takojmë në shërbim. Në vend të kësaj, mbajmë parasysh rrethanat dhe pikëpamjet e çdo individi.

9. Për çfarë duhet të bëjmë kujdes? Shpjegoni.

9 Kur takon dikë në shërbim, bëj kujdes të mos supozosh se i njeh rrethanat e tij ose çfarë beson dhe pse e beson. (Prov. 18:13) Në vend të kësaj, ndihmoje të shprehet duke bërë pyetje me takt. (Prov. 20:5) Nëse është e përshtatshme në kulturën tuaj, pyete për punën, familjen, të kaluarën dhe pikëpamjet e tij. Kështu u japim mundësi njerëzve të na zbulojnë arsyet pse kanë nevojë për lajmin e mirë. Pasi e dimë këtë, mund të tregojmë ndjenja të përbashkëta për nevojat e tyre specifike dhe t’u japim ndihmën e duhur, ashtu si Jezui.—Krahaso 1 Korintasve 9:19-23.

Përfytyro si mund të jetë jeta e dikujt që i dëshmon (Shih paragrafët 10-11)

10-11. Në harmoni me 2 Korintasve 4:7, 8, cila është një mënyrë e dytë si të tregojmë ndjenja të përbashkëta? Jepni një shembull.

10 Së dyti, përpiqu të përfytyrosh si mund të jetë jeta e tyre. Në njëfarë mënyre, ne mund ta kuptojmë situatën ku ndodhen. Tekefundit nuk jemi të imunizuar ndaj problemeve që hasin të gjithë njerëzit e papërsosur. (1 Kor. 10:13) E dimë se jeta në këtë sistem mund të jetë tepër e vështirë. Ne qëndrojmë vetëm falë ndihmës së Jehovait. (Lexo 2 Korintasve 4:7, 8.) Por mendo për ata që luftojnë të mbijetojnë në këtë botë pa pasur miqësi të ngushtë me Jehovain. Ashtu si Jezui, ndiejmë keqardhje për ta, dhe kjo na shtyn t’u japim «lajmin e mirë për diçka më të mirë».—Isa. 52:7.

11 Të marrim shembullin e një vëllai që quhet Sergei. Para se të njihte të vërtetën, Sergei ishte tip shumë i mbyllur. E kishte tepër të vështirë të bisedonte me të tjerët. Me kohë, ai pranoi një studim biblik. Sergei thotë: «Ndërsa studioja Biblën, mësova se të krishterët e kanë për detyrë t’u flasin të tjerëve për besimin e tyre. Sinqerisht, mendoja se nuk do ta bëja dot kurrë këtë.» Sidoqoftë, ai mendonte për njerëzit që nuk e kishin dëgjuar ende të vërtetën dhe përfytyronte sa e vështirë duhej të ishte jeta e tyre ngaqë s’njihnin Jehovain. «Gjërat e reja që po mësoja më sillnin lumturi të madhe dhe paqe të brendshme,—thotë ai.—E dija se edhe të tjerët kishin nevojë t’i mësonin këto të vërteta.» Sa më shumë merakosej për ndjenjat e të tjerëve, aq më shumë i shtohej guximi për të predikuar. Sergei thotë: «Për habinë time të madhe, më rritej besimi te vetja kur u flitja të tjerëve për Biblën. Gjithashtu, duke bërë këtë, bindjet e reja më depërtonin thellë në zemër.» *

Disave mund t’u duhet kohë që të bëjnë përparim (Shih paragrafët 12-13)

12-13. Pse duhet të jemi të duruar me ata që mësojmë në shërbim? Ilustrojeni.

12 Së treti, ji i duruar me ata që mëson. Mos harro, ata mund të mos kenë menduar kurrë për disa nga të vërtetat biblike që ne i njohim në majë të gishtave. Gjithashtu, shumë veta kanë një lidhje të fortë emocionale me bindjet e tyre. Ndoshta i shohin pikëpamjet e tyre fetare si një urë që i bashkon me familjen, kulturën dhe komunitetin e tyre. Si mund t’i ndihmojmë?

13 Mendo për këtë krahasim: çfarë ndodh kur një urë e vjetër, thuajse e rrënuar duhet zëvendësuar? Shpesh ndërtohet një urë e re ndërkohë që vazhdon të përdoret ura e vjetër. Kur është gati ura e re, atëherë mund të prishet e vjetra. Po njësoj, nëse duam që njerëzit t’i lënë pas bindjet «e vjetra» që i kanë për zemër, së pari mund të duhet të ndërtojmë një çmueshmëri të fortë për të vërtetat «e reja»—mësimet biblike që në fillim nuk i njihnin. Vetëm atëherë do të jenë gati t’i braktisin bindjet e mëparshme. Për t’i ndihmuar të bëjnë ndryshime të tilla mund të duhet kohë.—Rom. 12:2.

14-15. Si mund t’i ndihmojmë ata që dinë pak ose asgjë për shpresën e jetës së përhershme në tokën parajsore? Jepni një shembull.

14 Nëse jemi të duruar me njerëzit në shërbim, nuk do të presim ta kuptojnë ose ta pranojnë të vërtetën e Biblës që herën e parë. Në vend të kësaj, ndjenjat e përbashkëta na shtyjnë t’i ndihmojmë të arsyetojnë rreth Shkrimeve për një periudhë kohe. Për shembull, të shohim si mund të arsyetojmë me dikë për shpresën e jetës së përhershme në tokën parajsore. Shumë veta dinë pak ose asgjë për këtë mësim. Ndoshta besojnë se vdekja është fundi i gjithçkaje. A mbase mendojnë se gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Si mund t’i ndihmojmë?

15 Një vëlla tregon një metodë që i duket e efektshme. Së pari, ai lexon Zanafillën 1:28. Pastaj e pyet të zotin e shtëpisë se ku donte Perëndia të jetonte familja njerëzore dhe në çfarë kushtesh. Shumica përgjigjen: «Në tokë, në kushte të mira.» Më tej, vëllai lexon Isainë 55:11 dhe pyet nëse ka ndryshuar qëllimi i Perëndisë. Shpesh i zoti i shtëpisë përgjigjet «jo». Në fund vëllai lexon Psalmin 37:10, 11 dhe pyet si do të jetë e ardhmja e njerëzimit. Duke arsyetuar në këtë mënyrë nga Shkrimet, ka ndihmuar mjaft veta të kuptojnë se Perëndia do ende që njerëzit e mirë të jetojnë përgjithmonë në një Parajsë në tokë.

Një veprim i vogël dashamirës, si dërgimi i një letre inkurajuese, mund të ndihmojë shumë (Shih paragrafët 16-17)

16-17. Duke mbajtur parasysh Proverbat 3:27, cilat janë disa mënyra praktike si të tregojmë ndjenja të përbashkëta? Ilustrojeni.

16 Së katërti, kërko mënyra praktike si të tregosh konsideratë. Për shembull, mos kemi shkuar në një moment që duket i papërshtatshëm për të zotin e shtëpisë? Mund të kërkojmë falje dhe të tregohemi të gatshëm të kthehemi në një moment më të volitshëm. Po nëse të zotit të shtëpisë i duhet ndihmë për diçka të vogël? Ose nëse nuk del dot nga shtëpia dhe ka nevojë që dikush t’i kryejë një punë? Në raste të tilla, ndoshta kemi mundësi të japim një dorë.—Lexo Proverbat 3:27.

17 Një motër pati rezultate të mira nga një veprim dashamirës në dukje i vogël. Ndjenjat e përbashkëta e shtynë t’i shkruante një letër një familjeje që i kishte vdekur fëmija. Letra përfshinte disa vargje ngushëlluese nga Shkrimet. Si u ndie familja nga ajo letër? Mamaja e pikëlluar shkroi: «Dje ishte një ditë e tmerrshme për mua. Nuk e merr dot me mend sa na ndihmoi letra jote. S’gjej fjalë të të falënderoj e as të përshkruaj sa na ngushëlloi. Duhet ta kem lexuar të paktën 20 herë dje letrën tënde. Ishte aq e dhembshur e inkurajuese, sa nuk arrija ta besoja. Të falënderojmë nga thellësia e zemrës!» S’ka dyshim se kur e vëmë veten në vendin e atyre që vuajnë e pastaj bëjmë diçka për t’i ndihmuar, shijojmë rezultate të mira.

MBAJ NJË PIKËPAMJE TË EKUILIBRUAR PËR ROLIN TËND

18. Në përputhje me 1 Korintasve 3:6, 7, cilën pikëpamje të ekuilibruar duam të mbajmë?

18 Natyrisht, duam të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për rolin tonë në shërbim. Ne mund të luajmë një rol për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë për Perëndinë, ama nuk kemi rolin më të rëndësishëm. (Lexo 1 Korintasve 3:6, 7.) Ai që i tërheq njerëzit është Jehovai. (Gjoni 6:44) Në fund, mënyra si reagon çdo individ ndaj lajmit të mirë do të varet nga gjendja e zemrës. (Mat. 13:4-8) Mos harro se shumica e njerëzve nuk e pranuan mesazhin e Jezuit—dhe ai ishte Mësuesi më i madh që njeh historia! Pra, s’ka pse të shkurajohemi nëse shumë nga ata që përpiqemi të ndihmojmë nuk e mirëpresin lajmin e mirë.

19. Cilat dobi vijnë kur tregojmë ndjenja të përbashkëta në shërbim?

19 Kur tregojmë ndjenja të përbashkëta në shërbim, do të kemi dobi. Do ta shijojmë më shumë veprën e predikimit. Do të provojmë më shumë lumturinë që vjen kur jep. Dhe ua bëjmë më të lehtë të pranojnë lajmin e mirë atyre që janë «të prirur për jetën e përhershme». (Vep. 13:48) Ndaj, «derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve». (Gal. 6:10) Kështu do të kemi gëzimin që po i japim lavdi Atit tonë qiellor.—Mat. 5:16.

KËNGA 64 Marrim pjesë me gëzim në korrje

^ par. 5 Kur tregojmë ndjenja të përbashkëta, mund të na shtohet gëzimi—e shpesh edhe rezultatet—në shërbim. Pse? Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë mësojmë nga shembulli i Jezuit dhe katër mënyra praktike si të tregojmë ndjenja të përbashkëta ndaj atyre që takojmë në veprën e predikimit.

^ par. 5 SHPJEGIMI I FJALËS: Në Bibël, fjala keqardhje ka kuptimin të provosh ndjenja të buta për dikë që vuan ose që e kanë trajtuar me ashpërsi. Ndjenja të tilla mund të të shtyjnë të bësh çfarëdo që ke në dorë për t’i ndihmuar njerëzit.

^ par. 8 Shih artikullin «Të zbatojmë Rregullën e Artë në shërbim» në Kullën e Rojës të 15 majit 2014.