Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 26

Ndihmoji të tjerët të përballojnë stresin

Ndihmoji të tjerët të përballojnë stresin

«Jini të gjithë të një mendjeje, tregoni ndjenja të përbashkëta, kini përzemërsi vëllazërore, jini zemërdhembshur, me mendje të përulur.»​—1 PJET. 3:8.

KËNGA 107 Modeli hyjnor i dashurisë

PËRMBLEDHJE *

1. Si mund ta imitojmë Atin tonë të dashur, Jehovain?

JEHOVAI ka dashuri të thellë për ne. (Gjoni 3:16) Duam ta imitojmë Atin tonë të shtrenjtë. Prandaj përpiqemi të tregojmë ‘ndjenja të përbashkëta, përzemërsi vëllazërore e të jemi zemërdhembshur’ ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë «të lidhur me ne në besim». (1 Pjet. 3:8; Gal. 6:10) Kur të tjerët në familjen e Jehovait kalojnë probleme stresuese, duam t’i ndihmojmë.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e familjes së Jehovait, do të ndeshin situata stresuese. (Mar. 10:29, 30) Ndërsa afrohet fundi i këtij sistemi, ka të ngjarë të hasim më shumë sprova. Si ta ndihmojmë njëri-tjetrin? Le të shohim ç’mund të mësojmë nga historia e Lotit, e Jobit dhe e Naomit. Do të ndalemi edhe te vështirësitë që hasin sot vëllezërit e motrat dhe do të shohim si mund t’i ndihmojmë t’u bëjnë ballë.

JI I DURUAR

3. Siç tregon 2 Pjetrit 2:7, 8, çfarë vendimi të keq mori Loti, dhe cilat ishin pasojat?

3 Loti mori një vendim të keq kur zgjodhi të jetonte mes banorëve jashtëzakonisht imoralë të Sodomës. (Lexo 2 Pjetrit 2:7, 8.) Rajoni ishte i begatë, por Loti e pagoi shtrenjtë transferimin në Sodomë. (Zan. 13:8-13; 14:12) Gruan e Lotit, me sa duket, e bëri aq shumë për vete ai qytet ose disa nga banorët e tij, sa nuk iu bind Jehovait. Ajo humbi jetën kur Perëndia bëri të binte zjarr e squfur mbi atë rajon. Mendo edhe për dy vajzat e Lotit. Burrat me të cilët ishin fejuar ato, vdiqën në Sodomë. Loti humbi shtëpinë, zotërimet dhe, ç’është më e dhimbshmja, të shoqen. (Zan. 19:12-14, 17, 26) A e humbi Jehovai durimin me Lotin gjatë asaj periudhe stresuese? Jo.

Me dhembshuri, Jehovai dërgoi engjëj që të shpëtonin Lotin dhe familjen e tij (Shih paragrafin 4)

4. Si tregoi durim me Lotin Jehovai? (Shih figurën e kopertinës.)

4 Edhe pse Loti zgjodhi të jetonte në Sodomë, Jehovai me dhembshuri dërgoi engjëj që ta shpëtonin atë dhe familjen e tij. Mirëpo, në vend që t’i bindej menjëherë urdhrit urgjent të engjëjve për të dalë nga Sodoma, Loti «po ngurronte». Engjëjve iu desh ta kapnin fort nga dora dhe ta ndihmonin atë e familjen e tij të iknin nga qyteti. (Zan. 19:15, 16) Pastaj engjëjt i thanë të vraponte për në rajonin malor. Por, në vend që t’i bindej Jehovait, Loti kërkoi të shkonte në një qytezë aty afër. (Zan. 19: 17-20) Jehovai e dëgjoi me durim dhe e lejoi të shkonte në atë qytezë. Më vonë Loti pati frikë të jetonte atje dhe u transferua në rajonin malor, tamam aty ku i kishte thënë Jehovai të shkonte në fillim. (Zan. 19:30) Çfarë durimi të jashtëzakonshëm tregoi Jehovai! Si mund ta imitojmë?

5-6. Si mund ta zbatojmë 1 Selanikasve 5:14 ndërsa imitojmë Perëndinë?

5 Ashtu si Loti, dikush në familjen e Jehovait mund të marrë vendime të pamenda dhe të hyjë në telashe serioze. Si do të reagonim në një rast të tillë? Mbase na vjen të themi se po korr atë që ka mbjellë, e kjo do të ishte e vërtetë. (Gal. 6:7) Ama, është më mirë të imitojmë mënyrën si e ndihmoi Jehovai Lotin. Si ta bëjmë këtë?

6 Jehovai i dërgoi engjëjt jo vetëm për ta paralajmëruar Lotin, por edhe për ta ndihmuar të shpëtonte nga katastrofa që ra mbi Sodomën. Po njësoj, nëse shohim se vëllai ynë po futet në telashe, mund të jetë e nevojshme ta paralajmërojmë. Por mbase kemi mundësi edhe ta ndihmojmë. Edhe nëse ai nuk i zbaton me shpejtësi këshillat e bazuara në Bibël që i jepen, duhet të jemi të duruar. Të imitojmë dy engjëjt. Në vend që të heqim dorë e t’i rrimë larg vëllait, duhet të kërkojmë mënyra praktike si ta ndihmojmë. (1 Gjon. 3:18) Mund të jetë e nevojshme që, në kuptimin e figurshëm, të tregohemi të gatshëm ta kapim për dore e ta ndihmojmë t’i zbatojë këshillat e mira që ka marrë.—Lexo 1 Selanikasve 5:14.

7. Si mund ta imitojmë mënyrën si e pa Jehovai Lotin?

7 Jehovai mund të ishte përqendruar te papërsosmëritë e Lotit. Por në vend të kësaj, ai e frymëzoi më vonë apostullin Pjetër ta quante Lotin një njeri të drejtë. Sa të lumtur jemi që Jehovai i anashkalon gabimet tona! (Psal. 130:3) A mund ta imitojmë mënyrën si e pa Jehovai Lotin? Po të përqendrohemi te cilësitë e mira të bashkëbesimtarëve, do të jemi më të duruar me ta. Kjo pastaj mund t’ua bëjë më të lehtë atyre ta pranojnë ndihmën që u ofrojmë.

JI I DHEMBSHUR

8. Çfarë do të na shtyjë të bëjmë dhembshuria?

8 Ndryshe nga Loti, Jobi nuk vuajti për shkak të ndonjë vendimi të keq që mori. Megjithatë, i ranë shumë të zeza: humbi zotërimet, vendin e nderuar që zinte në komunitet dhe shëndetin e mirë. Ç’është më e keqja, Jobit dhe gruas së tij u rrëmbeu vdekja të gjithë fëmijët. Veç kësaj, Jobin e akuzuan tre miq të rremë. Cila është një arsye pse tre ngushëlluesit e rremë të Jobit nuk ndien dhembshuri për të? Ata panë vetëm si dukej situata e tij në pamje të parë. Si pasojë, nxorën me vrap përfundime të gabuara dhe e gjykuan ashpër Jobin. Si ta shmangësh një gabim të tillë? Mbaj parasysh se vetëm Jehovai i di të gjitha faktet për situatën e një personi. Dëgjoje me vëmendje atë që vuan. Mos u mjafto duke dëgjuar fjalët që thotë; përpiqu edhe të ndiesh dhimbjen e tij. Vetëm atëherë do të arrish të tregosh empati nga zemra për vëllanë a motrën.

9. Çfarë do të na frenojë të bëjmë dhembshuria, dhe pse?

9 Dhembshuria do të na frenojë që të mos përhapim thashetheme të dëmshme për problemet që po kalojnë të tjerët. Kush merret me thashetheme nuk e forcon kongregacionin; e rrënon. (Prov. 20:19; Rom. 14:19) Ai nuk është mirëdashës, por flet pa u menduar, dhe me fjalët e tij mund ta lëndojë dikë që tashmë po vuan. (Prov. 12:18; Efes. 4:31, 32) Është shumë më mirë të dallojmë cilësitë e bukura të dikujt dhe të mendojmë si ta ndihmojmë t’u bëjë ballë sprovave.

Dëgjo me durim nëse një bashkëbesimtar thotë «fjalë të rrëmbyera» dhe thuaji fjalë ngushëlluese në momentin e duhur (Shih paragrafët 10-11) *

10. Çfarë na mëson ajo që thuhet te Jobi 6:2, 3?

10 Lexo Jobin 6:2, 3. Jobi ndonjëherë thoshte «fjalë të rrëmbyera». Por më vonë i tërhoqi disa nga fjalët që kishte thënë. (Jobi 42:6) Ashtu si Jobi, dikush që po kalon një situatë stresuese mund të flasë rrëmbyer e të thotë fjalë për të cilat bëhet pishman më vonë. Si duhet të reagojmë në raste të tilla? Të mos jemi kritikë, por të tregojmë dhembshuri. Të mbajmë parasysh se Jehovai nuk kishte si qëllim që ne të luftonim me problemet e streset që hasim sot. Prandaj e kuptojmë pse një shërbëtor besnik i Jehovait mund të flasë pa u menduar kur është tepër i stresuar. Edhe nëse thotë gjëra të pavërteta për Jehovain ose për ne, nuk duhet të zemërohemi shpejt me të ose ta gjykojmë për atë që thotë.—Prov. 19:11.

11. Si mund ta imitojnë pleqtë Elihun kur japin këshilla?

11 Nganjëherë, dikush që po përballon një problem stresues ka nevojë edhe për ndonjë këshillë ose disiplinë të dobishme. (Gal. 6:1) Si mund të veprojnë pleqtë në këtë situatë të vështirë? Është mirë të imitojnë Elihun, që e dëgjoi Jobin me shumë empati. (Jobi 33:6, 7) Elihu i dha këshilla Jobit vetëm pasi e kuptoi si mendonte. Pleqtë që ndjekin shembullin e Elihut, do të dëgjojnë me vëmendje dhe do të përpiqen ta kuptojnë situatën e dikujt. Pastaj, kur të japin këshilla, do të ketë më shumë gjasa t’i prekin zemrën dëgjuesit.

FOL NË MËNYRË NGUSHËLLUESE

12. Si ndikoi te Naomi vdekja e burrit dhe e dy djemve?

12 Naomi ishte një grua besnike që e donte Jehovain. Mirëpo, pasi i vdiq burri dhe dy djemtë, ajo donte ta ndryshonte emrin nga Naomi në «Mara», që do të thotë «e hidhur». (Rutha 1:3, 5, 20, shën., 21) Rutha, nusja e djalit, nuk iu nda Naomit në të gjitha sprovat. Rutha jo vetëm i dha ndihmë praktike, por edhe i foli në mënyrë ngushëlluese. Me fjalë të thjeshta e të sinqerta, i tha Naomit se e donte dhe se do ta mbështeste.—Rutha 1:16, 17.

13. Pse ata që u ka vdekur burri ose gruaja kanë nevojë për mbështetjen tonë?

13 Kur dikujt në familjen e bashkadhuruesve i vdes burri a gruaja, ka nevojë për mbështetjen tonë. Një çift i martuar mund të krahasohet me dy pemë që rriten pranë e pranë. Me kalimin e viteve, rrënjët e tyre gërshetohen me njëra-tjetrën. Kur njëra pemë çrrënjoset e vdes, pema tjetër mund të dëmtohet rëndë. Po njësoj, kur vdekja armike i rrëmben dikujt shokun a shoqen e jetës, ka të ngjarë ta mundojnë për një kohë të gjatë ndjenja të forta. Paola, * që i vdiq papritmas i shoqi, thotë: «M’u përmbys jeta dhe ndihesha e pafuqishme. Humba shokun tim më të ngushtë. Bisedoja për gjithçka me tim shoq. Ai gëzonte bashkë me mua dhe më mbështeste në kohë të vështira. Më dëgjonte me dhembshuri kur i zbrazja shqetësimet. Ndihesha vërtet sikur më kishin shkulur gjysmën time.»

Si mund t’i mbështetim ata që u ka vdekur burri a gruaja? (Shih paragrafët 14-15) *

14-15. Si mund ta ngushëllojmë dikë që i ka vdekur burri a gruaja?

14 Si mund ta ngushëllojmë dikë që i ka vdekur burri a gruaja? Hapi i parë i rëndësishëm është të flasim me të, edhe nëse jemi në siklet ose të pasigurt se çfarë të themi. Paola, e cituar më sipër, thotë: «E kuptoj se vdekja bën që njerëzit të ndihen si mbi gjemba. Kanë merak mos thonë diçka që mund të merret ters. Por më keq se të dëgjosh diçka të sikletshme është të mos dëgjosh asgjë.» Zakonisht një i pikëlluar nuk pret të themi diçka të thellë. Paola shprehet: «E vlerësoja kur miqtë më thoshin thjesht: ‘Më vjen keq për humbjen tënde!’»

15 Uilliami, që i vdiq gruaja para disa vitesh, thotë: «E çmoj kur të tjerët tregojnë çfarë gjërash të mira kujtojnë nga gruaja ime; kjo më siguron se njerëzit e donin dhe e respektonin. Më ndihmon jashtë mase kjo mbështetje që më japin. Më kënaqet zemra, sepse ime shoqe ishte shumë e shtrenjtë për mua dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime.» Një vejushë që quhet Bianka, shpjegon: «Gjej ngushëllim kur të tjerët luten me mua dhe më tregojnë një a dy shkrime. Më ndihmon kur ata flasin për burrin tim dhe kur më dëgjojnë ndërsa flas për të.»

16. (a) Ç’duhet të bëjmë për dikë që i ka vdekur një njeri i dashur? (b) Sipas Jakovit 1:27, çfarë përgjegjësie kemi?

16 Ashtu si Rutha që nuk iu nda vejushës Naomi, ne duhet të vazhdojmë t’i mbështetim ata që u ka vdekur një njeri i dashur. Paola, e përmendur më sipër, thotë: «Menjëherë pas vdekjes së burrit, shumë veta m’u gjendën pranë. Por me kalimin e kohës, jeta e tyre iu kthye rrjedhës normale. Ama, jeta ime kishte ndryshuar rrënjësisht. Është një ndihmë e jashtëzakonshme kur të tjerët e kuptojnë se një i pikëlluar ka nevojë ta mbështetin në muajt—madje edhe në vitet—pas vdekjes.» Sigurisht, çdo njeri është i ndryshëm. Disa duket se përshtaten relativisht shpejt me rrethanat e reja. Kurse për të tjerë, çdo aktivitet që bënin dikur me njeriun e tyre të dashur është një përkujtues i dhimbshëm i humbjes që kanë pësuar. Njerëzit e përjetojnë hidhërimin në mënyra të ndryshme. Le të kujtojmë se Jehovai na jep nderin dhe përgjegjësinë të kujdesemi për ata që u ka vdekur shoku a shoqja e jetës.—Lexo Jakovin 1:27.

17. Pse kanë nevojë për mbështetjen tonë ata që i ka braktisur burri a gruaja?

17 Disa përjetojnë një ankth e stres të tmerrshëm ngaqë i ka braktisur burri ose gruaja. Xhoana, që e la burri për një grua tjetër, thotë: «Dhimbja e divorcit ndoshta ishte më therëse se dhimbja që do të kisha ndier sikur bashkëshorti të kishte vdekur. Po të kishte vdekur në një aksident ose nga një sëmundje, do të ishte diçka që s’e kishte zgjedhur vetë. Por im shoq zgjodhi të më braktiste. Ndihesha e poshtëruar dhe e shkelur me këmbë.»

18. Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar ata që nuk e kanë më burrin a gruan?

18 Kur bëjmë me dashuri gjëra të vogla për ata që nuk e kanë më burrin a gruan, i sigurojmë se i duam. Ata kanë nevojë më shumë se kurrë për miq të mirë. (Prov. 17:17) Si mund ta tregosh se je miku i tyre? Mund t’i ftosh për një vakt të thjeshtë. Ose mund t’u ofrosh të kaloni ca kohë bashkë për t’u zbavitur a në shërbim. Një mundësi tjetër është t’i ftosh ndonjëherë në adhurimin familjar. Kështu do të bësh të lumtur Jehovain, sepse ai u rri «pranë zemërthyerve» dhe është «gjykatës [mbrojtës] i vejushave».—Psal. 34:18; 68:5.

19. Duke mbajtur parasysh 1 Pjetrit 3:8, çfarë je i vendosur të bësh?

19 Së shpejti, kur tokën ta qeverisë Mbretëria e Perëndisë, të gjitha «vuajtjet . . . do të jenë harruar». Sa të dëshiruar jemi për atë kohë kur «gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër»! (Isa. 65:16, 17) Derisa të vijë ajo ditë, le të mbështetim njëri-tjetrin dhe të tregojmë me fjalë e me vepra se i duam të gjithë vëllezërit e motrat në familjen e Jehovait.—Lexo 1 Pjetrit 3:8.

KËNGA 111 Arsyet e gëzimit tonë

^ par. 5 Loti, Jobi dhe Naomi i shërbyen Jehovait besnikërisht, por gjithsesi iu desh të kalonin situata stresuese. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë mund të mësojmë nga përvojat e tyre. Do të shohim edhe pse është e rëndësishme të jemi të duruar e të dhembshur dhe t’u flasim në mënyrë ngushëlluese bashkëbesimtarëve kur kalojnë vështirësi.

^ par. 13 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla është shumë i acaruar dhe thotë «fjalë të rrëmbyera», ndërsa një plak e dëgjon me durim. Më vonë, pasi vëllai i zemëruar është qetësuar, plaku e këshillon me dashuri.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift i ri kalon kohë me një vëlla që i ka vdekur gruaja nga pak kohë. Bisedojnë për kujtimet e bukura që kanë prej saj.