Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 34

Si të përshtatesh me një caktim të ri

Si të përshtatesh me një caktim të ri

«Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»​—HEBR. 6:10.

KËNGA 38 Ai të bën të fortë

PËRMBLEDHJE *

1-3. Cilat janë disa arsye pse shërbëtorët në kohë të plotë mund të ndryshojnë caktim?

«PASI kishim kaluar 21 vite të mrekullueshme në caktimin misionar, të katër prindërit tanë u sëmurën,—kujtojnë Roberti dhe Meri-Xho.—Ishim të kënaqur të kujdeseshim për ta. Gjithsesi ishte e dhimbshme të linim pas atë vend ku kishim zemrën.»

2 «Kur morëm vesh se nuk do të ktheheshim dot në caktimin tonë për shkak të problemeve shëndetësore, shpërthyem në lot,—tregojnë Uilliami dhe Teri.—Ëndrra jonë për t’i shërbyer Jehovait në një vend tjetër mori fund.»

3 «E dinim se përndjekësit tanë donin ta mbyllnin zyrën e degës ku shërbeja,—thotë Aleksei.—Prapëseprapë, u tronditëm kur kjo ndodhi dhe na duhej të largoheshim nga Betheli.»

4. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Këtyre përvojave u shtohen edhe ato të mijëra bethelitëve e të të tjerëve që kanë marrë caktime të reja. * Për këta bashkëbesimtarë besnikë mund të jetë e vështirë të lënë një caktim që e kanë për zemër. Çfarë mund t’i ndihmojë ta përballojnë ndryshimin? Si mund t’u bëheni krah? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na ndihmojnë të gjithëve kur hasim ndryshime në jetë.

SI TA PËRBALLOSH NDRYSHIMIN

Pse mund të jetë e vështirë për shërbëtorët në kohë të plotë të ikin nga një caktim? (Shih paragrafin 5) *

5. Si mund të ndikojë te ne ndryshimi i caktimit?

5 Pavarësisht nëse shërbejmë në fushë a në Bethel, mund të zhvillojmë dashuri të thellë për njerëzit e madje edhe për vendin ku shërbejmë. Nëse për ndonjë arsye na duhet të largohemi, na copëtohet zemra. Na merr malli për vëllezërit që lëmë pas dhe kemi merak për ta, sidomos nëse na është dashur të ikim për shkak të përndjekjes. (Mat. 10:23; 2 Kor. 11:28, 29) Veç kësaj, kur nisim një caktim të ri ose edhe kur kthehemi në vendin tonë, shpesh hasim sfidën që të përshtatemi me një kulturë krejt të re. Roberti dhe Meri-Xho thonë: «Ishim çmësuar me kulturën tonë e madje edhe me predikimin në gjuhën amtare. Tani ndiheshim si të huaj atje.» Disa që ndryshojnë caktim, mund të ndeshin vështirësi ekonomike të papritura. Mbase ndihen të frikësuar, të pasigurt dhe të shkurajuar. Çfarë mund t’i ndihmojë?

Është jetësore të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain dhe të besojmë tek ai (Shih paragrafët 6-7) *

6. Si mund të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain?

6 Qëndro i lidhur ngushtë me Jehovain. (Jak. 4:8) Si mund ta bësh këtë? Mbështetu me besim tek ai si ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psal. 65:2) «Atij zbrazja zemrën»,—thotë Psalmi 62:8. Ai mund të bëjë «shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne». (Efes. 3:20) Jehovai nuk kufizohet vetëm tek ajo që i kërkojmë specifikisht në lutje. Ai mund të bëjë të papriturën—diçka që as e kemi imagjinuar—për të zgjidhur problemet tona.

7. (a) Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain? (b) Sipas Hebrenjve 6:10-12, cili do të jetë rezultati nëse vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait besnikërisht?

7 Që të qëndrosh i lidhur ngushtë me Jehovain, lexo Shkrimet çdo ditë dhe medito për to. Një ish-misionar thotë: «Mbaj një program të rregullt për adhurimin familjar dhe përgatitjen për mbledhje, siç bëje në caktimin e mëparshëm.» Gjithashtu vazhdo të bësh më të mirën në predikimin e lajmit të mirë në kongregacionin e ri. Jehovai nuk i harron ata që vazhdojnë t’i shërbejnë besnikërisht, edhe nëse nuk mund të bëjnë gjithçka që bënin më parë.—Lexo Hebrenjve 6:10-12.

8. Si mund të të ndihmojnë fjalët e 1 Gjonit 2:15-17 që të mbash një jetë të thjeshtë?

8 Mbaj një jetë të thjeshtë. Mos lejo që ankthet e botës së Satanait ‘ta mbytin’ ose ta ndalin shërbimin që i bën Jehovait. (Mat. 13:22) Rezistoji presionit të botës ose të miqve a të afërmve qëllimmirë për të kërkuar siguri financiare në sistemin e Satanait. (Lexo 1 Gjonit 2:15-17.) Beso te Jehovai, i cili premton se «në kohën e duhur» do të na sigurojë gjithçka që na duhet për ta mbajtur besimin të fortë, për të qenë të qetë emocionalisht dhe për të pasur gjërat e nevojshme.—Hebr. 4:16; 13:5, 6.

9. Sipas Proverbave 22:3, 7, pse është e rëndësishme të shmangim borxhet e panevojshme dhe çfarë mund të na ndihmojë të marrim vendime të mençura?

9 Shmang borxhet e panevojshme. (Lexo Proverbat 22:3, 7.) Transferimi mund të ketë shpenzime që nuk t’i merrte mendja dhe është kollaj të hysh në borxhe. Për t’u qëndruar sa më larg borxheve, mos bli me kredi gjëra që nuk të nevojiten vërtet. Kur jemi nën stres, si në rastet kur kujdesemi për një familjar të sëmurë, mund ta kemi të vështirë të vendosim sa para të marrim borxh. Në situata të tilla, mos harro se ‘lutjet dhe përgjërimet’ mund të të ndihmojnë të marrësh vendime të mençura. Në përgjigje të lutjeve të tua, Jehovai mund të të japë paqen që ‘do të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’, duke të të ndihmuar kështu t’i peshosh gjërat me qetësi.—Filip. 4:6, 7; 1 Pjet. 5:7.

10. Si mund të lidhim miqësi të reja?

10 Ruaj miqësitë e mira. Hapju për ndjenjat e tua dhe për gjërat që po kalon miqve të mirë, sidomos atyre që mund të kenë përjetuar gëzime dhe vështirësi të ngjashme. Kjo mund të të ndihmojë të shërohesh emocionalisht. (Ekl. 4:9, 10) Miqtë që zure në caktimin e mëparshëm do të mbeten miqtë e tu. Tani, në caktimin e ri, ke nevojë të zësh miq të rinj. Mos harro se, që të kesh një mik, duhet të jesh një mik. Si mund të lidhësh miqësi të reja? Tregoju të tjerëve përvojat e pasura që ke shijuar falë Jehovait, që ta ndiejnë sa gëzim të jep shërbimi i Jehovait. Edhe nëse disa në kongregacion nuk e kuptojnë entuziazmin tënd për shërbimin në kohë të plotë, të tjerë mund t’i bëjë për vete shembulli yt dhe mund të bëheni miq të mirë. Por bëj kujdes të mos tërheqësh tepër vëmendje tek arritjet e tua dhe të mos përqendrohesh te ndjenjat negative.

11. Si të mbash një martesë të lumtur?

11 Nëse ju është dashur ta ndërpritni caktimin për shkak të shëndetit të bashkëshortit, mos e fajëso. Nga ana tjetër, nëse i pate ti problemet me shëndetin, mos u ndie fajtor duke menduar se ke zhgënjyer bashkëshortin. Mos harro, ju jeni «një mish i vetëm» dhe keni premtuar para Jehovait se do të kujdeseni për njëri-tjetrin në çfarëdolloj situate. (Mat. 19:5, 6) Nëse e ndërpretë caktimin për shkak të një shtatzënie të paplanifikuar, sigurohuni që fëmija ta dijë se ai është më i rëndësishëm për ju nga ç’ishte caktimi. Thuajini vazhdimisht se e shihni si «shpërblim» nga Perëndia. (Psal. 127:3-5) E njëkohësisht flitini për përvojat shpërblyese që keni kaluar në atë caktim. Kjo mund ta motivojë ta përdorë jetën ashtu si ju, për t’i shërbyer me gëzim Jehovait.

SI MUND TË NDIHMOJNË TË TJERËT

12. (a) Si mund t’i ndihmojmë shërbëtorët në kohë të plotë të qëndrojnë në caktimet e tyre? (b) Si mund t’i ndihmojmë të përshtaten sa më lehtë në caktimin e ri?

12 Shumë kongregacione dhe individë meritojnë lavdërime, pasi bëjnë çmos t’i ndihmojnë ata që shërbejnë në kohë të plotë të qëndrojnë në caktimet e tyre. Këtë e bëjnë duke i inkurajuar të vazhdojnë në caktim, duke i mbështetur nga ana financiare a materiale ose duke i ndihmuar të kujdesen për familjarët që kanë në vendin e tyre. (Gal. 6:2) Nëse shërbëtorët në kohë të plotë caktohen në kongregacionin tënd, mos e shih këtë ndryshim caktimi si një tregues se kanë dështuar në ndonjë mënyrë a se kanë marrë disiplinë. * Në vend të kësaj, ndihmoji të përshtaten sa më lehtë. Mikpriti me ngrohtësi dhe lavdëroji për punën që kanë bërë, edhe nëse shëndeti i dobët i kufizon në atë që mund të bëjnë tani. Përpiqu t’i njohësh. Mëso nga bagazhi i pasur i njohurisë, i stërvitjes dhe i përvojës së tyre.

13. Si mund t’i ndihmojmë ata që marrin një caktim të ri?

13 Në fillim, ata që marrin një caktim të ri, mund të kenë nevojë t’i ndihmosh për strehimin, transportin, punën dhe nevoja të tjera bazë. Veç kësaj, mund të kenë nevojë të dinë informacionet më të fundit për gjërat e jetës së përditshme, si taksat dhe siguracionet. Ç’është më e rëndësishmja, ata kanë nevojë t’i kuptojmë, jo t’i mëshirojmë. Ndoshta po luftojnë me problemet e veta shëndetësore ose të një familjari. Mbase janë të hidhëruar nga vdekja e një njeriu të dashur. * Gjithashtu, edhe nëse nuk flasin për këtë, mund të jenë të hidhëruar ngaqë u mungon shoqëria e miqve në caktimin e mëparshëm. Duhet kohë për t’i përballuar këto ndjenja të thella që shpesh janë goxha turbulluese.

14. Si e ndihmuan lajmëtarët vendës një motër që të përshtatej me caktimin e ri?

14 Ndërkohë, mbështetja dhe shembulli yt mund t’i ndihmojë të përshtaten. Një motër që ka shërbyer shumë vite në një vend të huaj, thotë: «Në caktimin e mëparshëm drejtoja studime çdo ditë. Në caktimin e ri, mezi gjeja mundësi të hapja Biblën ose të tregoja një video në shërbim. Por lajmëtarët vendës më ftonin në rivizitat dhe në studimet e tyre. Shembulli i këtyre motrave e vëllezërve të zellshëm e të guximshëm, të cilët drejtonin studime që përparonin, më ndihmonte të kisha një pikëpamje më pozitive. Mësova të filloja biseda në territorin e ri. Gjithë kjo më ndihmoi të rigjeja gëzimin.»

VAZHDO PËRPARA!

Kërko mënyra për të zgjeruar shërbimin në territorin ku je tani (Shih paragrafët 15-16) *

15. Si mund të kesh sukses në caktimin e ri?

15 Ti mund të kesh sukses në caktimin e ri. Mos e shih ndryshimin si një dështim ose si një hap mbrapa. Përpiqu të dallosh dorën e Jehovait në jetën tënde dhe vazhdo të predikosh. Imito të krishterët besnikë të shekullit të parë. Kudo që ishin, ata ‘përshkonin tërë vendin, duke shpallur lajmin e mirë të fjalës’. (Vep. 8:1, 4) Përpjekjet e tua që të vazhdosh të predikosh, mund të japin fryte të mira. Për shembull, disa pionierë që i dëbuan nga një shtet, shkuan në një shtet fqinj ku kishte shumë nevojë edhe në fushën e gjuhës së tyre. Brenda pak muajsh u formuan grupe të reja që po rriteshin vrullshëm.

16. Si mund të gjesh gëzim në një caktim të ri?

16 «Gëzimi i Jehovait është kalaja», ose forca jonë. (Neh. 8:10) Burimi kryesor i gëzimit tonë duhet të jetë marrëdhënia me Jehovain e jo caktimi, sado i çmuar të jetë për ne. Ndaj vazhdo të ecësh me Jehovain dhe kërkoji mençuri, drejtim e mbështetje. Mos harro, caktimin e mëparshëm mësove ta doje ngaqë u përpoqe me gjithë zemër të ndihmoje njerëzit atje. Përpiqu me gjithë zemër në caktimin ku je dhe shih si do të të ndihmojë Jehovai ta duash edhe këtë caktim.—Ekl. 7:10.

17. Çfarë duhet të mbajmë parasysh për caktimin që kemi tani?

17 Të mos harrojmë: shërbimi që i bëjmë Jehovait është i përhershëm, kurse caktimi që kemi tani është i përkohshëm. Në botën e re, të gjithë mund të ndryshojmë caktim. Aleksei, i përmendur në fillim, mendon se përvojat e sotme po e përgatitin për ndryshime në të ardhmen. Ai thotë: «Gjithmonë e kam ditur se Jehovai dhe bota e re janë realë, por prapëseprapë dukeshin disi të largët. Tani Jehovain e kam tamam para syve dhe botën e re e shoh si stacionin e radhës në udhëtimin tim.» (Vep. 2:25) Çfarëdo caktimi të kemi, le të vazhdojmë të ecim me Jehovain. Ai nuk do të na braktisë kurrë, por do të na ndihmojë të gjejmë gëzim ndërsa bëjmë më të mirën në shërbimin e tij​—kudo qofshim.​—Isa. 41:13.

KËNGA 90 Inkurajoni njëri-tjetrin

^ par. 5 Ndonjëherë vëllezërve e motrave që shërbejnë në kohë të plotë, mund t’u duhet ta ndërpresin caktimin ose mund të marrin një caktim të ri. Në këtë artikull do të shqyrtojmë vështirësitë që hasin dhe çfarë mund t’i ndihmojë të përshtaten me rrethanat e reja. Do të shohim edhe çfarë mund të bëjnë të tjerët për t’i inkurajuar e për t’i mbështetur, si edhe parime që na ndihmojnë të gjithëve kur hasim ndryshime në jetë.

^ par. 4 Veç kësaj, kur mbushin një moshë të caktuar, shumë vëllezër me përgjegjësi ua kalojnë vëllezërve më të rinj përgjegjësitë e tyre. Shih artikujt «Vëllezër të moshuar—Jehovai e çmon besnikërinë tuaj», në Kullën e Rojës të shtatorit 2018, dhe «Ruaj paqen e brendshme edhe kur ndryshojnë rrethanat», në Kullën e Rojës të tetorit 2018.

^ par. 12 Pleqtë në kongregacionin ku kanë shërbyer, duhet të shkruajnë sa më shpejt një letër prezantimi, që ata të vazhdojnë pa vonesë shërbimin si pionier, si plak ose si shërbëtor ndihmës.

^ par. 13 Shih serinë «Ndihmë për të pikëlluarit», në Zgjohuni! 2018, nr. 3.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift që është i detyruar të ndërpresë caktimin misionar në vend të huaj, ndahet me lot në sy me kongregacionin.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi janë kthyer në vendin e tyre, i njëjti çift i lutet me ngulm Jehovait që t’i ndihmojë të përballojnë vështirësitë që hasin.

^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Me ndihmën e Jehovait, çifti rifillon shërbimin në kohë të plotë. Gjuhën që mësuan kur ishin misionarë, e përdorin për t’u dhënë lajmin e mirë emigrantëve që gjejnë në territorin e kongregacionit të ri.