Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 40

Shërbe me zell në orët e fundit ‘të ditëve të fundit’

Shërbe me zell në orët e fundit ‘të ditëve të fundit’

«Bëhuni të palëkundur e të patundur. Kini gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë.»​—1 KOR. 15:58.

KËNGA 58 Të kërkojmë miqtë e paqes

PËRMBLEDHJE *

1. Pse jemi të bindur se po jetojmë në «ditët e fundit»?

NËSE ke lindur pas vitit 1914, atëherë ke jetuar gjatë ‘ditëve të fundit’ të këtij sistemi. (2 Tim. 3:1) Të gjithë kemi dëgjuar lajme rreth ngjarjeve që paratha Jezui për këtë periudhë. Ndër to janë luftërat, mungesat e ushqimit, tërmetet, murtajat, rritja e ligësisë dhe përndjekja e popullit të Jehovait. (Mat. 24:3, 7-9, 12; Luka 21:10-12) Kemi parë edhe që sjellja e njerëzve është siç paratha apostulli Pavël. (Shih kutinë « Si janë njerëzit sot».) Si adhurues të Jehovait, jemi të bindur se po jetojmë «në pjesën e fundit të ditëve» të fundit.—Mik. 4:1, shën., nwt.

2. Cilat pyetje kërkojnë përgjigje?

2 Meqë ka kaluar kaq shumë kohë që nga viti 1914, tani duhet të jemi në orët e fundit ‘të ditëve të fundit’. Përderisa fundi është kaq afër, kemi nevojë të dimë përgjigjet e disa pyetjeve të rëndësishme: Cilat ngjarje do të ndodhin nga fundi ‘i ditëve të fundit’? Çfarë pret Jehovai të bëjmë para se të ndodhin ato ngjarje?

Ç’DO TË NDODHË NË FUND ‘TË DITËVE TË FUNDIT’?

3. Sipas profecisë të 1 Selanikasve 5:1-3, cilën deklaratë do të bëjnë kombet?

3 Lexo 1 Selanikasve 5:1-3. «Dita e Jehovait» që përmend Pavli këtu, është periudha që fillon me sulmin kundër ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme, dhe përfundon me Armagedonin. (Zbul. 16:14, 16; 17:5) Tamam para se të fillojë kjo ‘ditë’, kombet do të bëjnë deklaratën «paqe dhe siguri». Udhëheqësit e botës përdorin herë pas here shprehje të ngjashme kur flasin për stabilizimin e marrëdhënieve mes shteteve. * Mirëpo, deklarata «paqe dhe siguri» që përmend Bibla, do të jetë ndryshe. Pse? Sepse atëherë njerëzit mund të mendojnë se udhëheqësit botërorë ia kanë dalë mbanë ta bëjnë botën një vend më të sigurt. Por në realitet, mbi ta do të bjerë «një shkatërrim i papritur» gjatë ‘shtrëngimit të madh’.—1 Sel. 5:3, nwt; Mat. 24:21.

Mos u mashtro nga deklarata e rreme e kombeve «paqe dhe siguri» (Shih paragrafët 3-6) *

4. (a) Çfarë duhet të presim e të shohim për deklaratën «paqe dhe siguri»? (b) Çfarë dimë tashmë për këtë deklaratë?

4 Ne dimë disa gjëra për deklaratën «paqe dhe siguri», por ka edhe gjëra që nuk i dimë. Nuk dimë çfarë do t’i shtyjë udhëheqësit e botës të bëjnë këtë deklaratë ose si do të bëhet. As nuk dimë nëse do të jetë një deklaratë e vetme apo një varg njoftimesh. Sido që të ndodhë, një gjë e dimë mirë: nuk duhet të gënjehemi e të besojmë se udhëheqësit e botës mund të arrijnë vërtet paqen botërore. Përkundrazi, Bibla na ka paralajmëruar të rrimë syhapur tamam për këtë deklaratë. Ajo është sinjali se pas pak do të nisë «dita e Jehovait»!

5. Si na ndihmon 1 Selanikasve 5:4-6 të jemi gati për ‘ditën e Jehovait’?

5 Lexo 1 Selanikasve 5:4-6. Nxitja e Pavlit na tregon ç’duhet të bëjmë që të jemi gati për ‘ditën e Jehovait’. Duhet «të mos flemë si të tjerët», por duhet «të rrimë zgjuar» e të jemi syçelë. Për shembull, duhet të jemi syçelë që të mos bëjmë kompromis me asnjanësinë tonë duke u përzier në çështjet politike të botës. Nëse përzihemi në to, mund të bëhemi «pjesë e botës». (Gjoni 15:19) E dimë mirë se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për paqen botërore.

6. Për çfarë duam t’i ndihmojmë të tjerët, dhe pse?

6 Përveçse të rrimë zgjuar vetë, duam të ndihmojmë edhe të tjerët të mos flenë, por të mësojnë çfarë parathotë Bibla se do të ndodhë në botë. Të mos harrojmë se, pasi të nisë shtrëngimi i madh, do të jetë tepër vonë që njerëzit të fillojnë të adhurojnë Jehovain. Ja pse vepra jonë e predikimit është kaq urgjente! *

JEPU ME ZELL PAS PREDIKIMIT

Kur predikojmë, u tregojmë njerëzve se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund ta bëjë botën një vend vërtet të sigurt (Shih paragrafët 7-9)

7. Çfarë pret Jehovai të bëjmë sot?

7 Në këtë pak kohë që mbetet para se të fillojë «dita» e tij, Jehovai pret të jepemi me zell pas veprës së predikimit. Duhet të sigurohemi se kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58) Jezui e paratha çfarë do të bënim. Kur foli për tërë gjërat e rëndësishme që do të ndodhnin gjatë ditëve të fundit, ai shtoi: «Gjithashtu, më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Mar. 13:4, 8, 10; Mat. 24:14) Mendo pak: çdo herë që del në shërbim, po bën pjesën tënde që të plotësohet kjo profeci e Biblës.

8. Si ka përparuar vepra e predikimit gjatë ditëve të fundit?

8 Ç’mund të themi për suksesin e veprës së predikimit? Kjo vepër po përparon vit pas viti. Për shembull, mendo për rritjen e numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë anembanë botës gjatë ditëve të fundit. Në vitin 1914, kishte 5.155 lajmëtarë në 43 vende. Sot janë rreth 8,5 milionë lajmëtarë në 240 vende! Por vepra jonë s’ka mbaruar ende. Duhet të vazhdojmë t’u tregojmë të tjerëve se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për tërë problemet e njerëzimit.—Psal. 145:11-13.

9. Pse duhet të vazhdojmë të predikojmë mesazhin për Mbretërinë?

9 Vepra e predikimit për Mbretërinë do të përfundojë vetëm kur të thotë Jehovai se ka marrë fund. Sa kohë mbetet që njerëzit të njohin Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin? (Gjoni 17:3) Nuk e dimë. Por dimë se, derisa të fillojë shtrëngimi i madh, kushdo që është ‘i prirur për jetën e përhershme’, ka ende mundësi ta pranojë lajmin e mirë. (Vep. 13:48) Si mund t’i ndihmojmë këta njerëz para se të jetë tepër vonë?

10. Çfarë ndihme na jep Jehovai për t’u mësuar njerëzve të vërtetën?

10 Nëpërmjet organizatës së tij, Jehovai po na jep gjithçka që na nevojitet për t’u mësuar njerëzve të vërtetën. Për shembull, çdo javë marrim stërvitje në mbledhjen e mesjavës. Kjo mbledhje na ndihmon të dimë çfarë të themi kur u predikojmë njerëzve dhe kur kthehemi t’i takojmë. Gjithashtu mësojmë si të studiojmë Biblën me ta. Organizata e Jehovait na ka siguruar edhe botimet e Çantës së mjeteve mësimore. Këto botime na ndihmojnë:

  • të hapim biseda

  • t’u ngjallim kureshtje njerëzve

  • t’i motivojmë që të duan të dinë më tepër

  • t’u mësojmë të vërtetën gjatë studimit

  • t’i ftojmë të interesuarit të vizitojnë sitin tonë e të vijnë në Sallën e Mbretërisë.

Natyrisht, nuk mjafton thjesht t’i kemi këto mjete. Duhet edhe t’i përdorim. * Për shembull, nëse bën një bisedë të bukur me një të interesuar dhe i lë një fletushkë a revistë, ai mund të lexojë vetë derisa ta takosh prapë. Është përgjegjësia e secilit nga ne të marrim pjesë me zell çdo muaj në veprën e predikimit për Mbretërinë.

11. Pse u krijua Kursi online për studimin e Biblës?

11 Një shembull tjetër si po i ndihmon Jehovai njerëzit të mësojnë të vërtetën, është Kursi online për studimin e Biblës në jw.org®. * Pse u krijua ky kurs? Çdo muaj, dhjetëra mijë njerëz anekënd botës kërkojnë në Internet çfarë mëson Bibla. Mësimet në sitin tonë mund t’i ndihmojnë të njohin të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Gjithashtu, disa nga ata që u predikojmë mbase ngurrojnë të studiojnë Biblën me ne. Në këto raste, mund t’u dërgosh një link të këtyre mësimeve ose t’ua tregosh këtë kurs në sitin tonë në një gjuhë që e kuptojnë.

12. Çfarë mund të mësojë dikush nga Kursi online për studimin e Biblës?

12 Kursi online për studimin e Biblës trajton këto tema kryesore: «Bibla dhe Autori i saj», «Personazhet kryesore të Biblës» dhe «Mesazhi shpresëdhënës i Biblës». Nën këto tema, gjejmë mësimet:

  • Si mund të të ndihmojë Bibla

  • Kush është Jehovai, Jezui dhe engjëjt

  • Pse i krijoi Perëndia njerëzit

  • Pse ka vuajtje dhe ligësi

Këto mësime shqyrtojnë edhe . . .

  • si do t’u japë fund vuajtjeve dhe vdekjes Jehovai

  • si do t’i kthejë në jetë të vdekurit

  • si do t’i zëvendësojë qeveritë e dështuara njerëzore me Mbretërinë e tij.

13. A e zëvendëson kursi online studimin e Biblës me një Dëshmitar? Shpjegoni.

13 Kursi online nuk e zëvendëson studimin e Biblës me një Dëshmitar. Jezui na e ka dhënë neve privilegjin të bëjmë dishepuj. Shpresojmë që të interesuarit t’i studiojnë mësimet online, ta çmojnë atë që mësojnë dhe të duan të dinë më tepër. Atëherë ndoshta do të pranojnë të studiojnë Biblën me ne. Në fund të çdo mësimi, lexuesit i bëhet ftesa të dërgojë një kërkesë për një instruktor që të studiojë Biblën me të. Nëpërmjet sitit tonë, marrim mesatarisht mbi 230 kërkesa në ditë në mbarë botën për të studiuar Biblën! Ky studim me një instruktor është jetësor!

VAZHDO TË PËRPIQESH TË BËSH DISHEPUJ

14. Sipas udhëzimeve të Jezuit te Mateu 28:19, 20, çfarë duhet të përpiqemi fort të bëjmë, dhe pse?

14 Lexo Mateun 28:19, 20. Kur drejtojmë studime, duhet të përpiqemi fort ‘të bëjmë dishepuj . . . , duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që na ka urdhëruar’ Jezui. Duhet t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë sa rëndësi ka të zgjedhin t’i shërbejnë Jehovait e të përkrahin Mbretërinë e tij. Për këtë duhet të përpiqemi t’i motivojmë që të jetojnë sipas së vërtetës duke e zbatuar atë që mësojnë, duke ia kushtuar jetën Jehovait e duke u pagëzuar. Vetëm atëherë do të mbijetojnë në ditën e Jehovait.—1 Pjet. 3:21.

15. Për çfarë nuk kemi kohë, dhe pse?

15 Siç u përmend më sipër, mbetet fare pak që të vijë fundi i këtij sistemi. Prandaj nuk ka kohë që të vazhdojmë të studiojmë Biblën me njerëz që duket qartë se nuk synojnë të bëhen dishepuj të Krishtit. (1 Kor. 9:26) Vepra jonë është urgjente! Ka ende shumë njerëz që kanë nevojë të dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë para se të jetë tepër vonë.

QËNDRO LARG TË GJITHA FEVE TË RREME

16. Sipas Zbulesës 18:2, 4, 5, 8, çfarë duhet të bëjmë të gjithë ne? (Shih edhe shënimin.)

16 Lexo Zbulesën 18:2, 4, 5, 8. Këto vargje zbulojnë diçka tjetër që pret Jehovai nga adhuruesit e tij. Gjithë të krishterët e vërtetë duhet të sigurohen se nuk po përzihen në asnjë mënyrë me Babiloninë e Madhe. Para se të njihte të vërtetën, një student i Biblës mund të ketë qenë pjesëtar i një feje të rreme. Mbase ndiqte shërbesat fetare dhe merrte pjesë në aktivitetet e saj. Ose ndoshta kontribuonte pará për atë organizatë. Studenti i Biblës duhet të shkëputë çdo lidhje me fenë e rreme para se të miratohet si lajmëtar i papagëzuar. Duhet të dorëzojë një letër dorëheqjeje ose ta ndërpresë plotësisht anëtarësinë në ish-kishën e tij a në ndonjë organizatë që ka lidhje me Babiloninë e Madhe. *

17. Ç’lloj punësh nuk duhet të bëjë një i krishterë i vërtetë, dhe pse?

17 Një i krishterë i vërtetë duhet të sigurohet se puna që bën, nuk ka kurrfarë lidhjeje me Babiloninë e Madhe. (2 Kor. 6:14-17) Për shembull, nuk duhet të jetë i punësuar nga një kishë. Veç kësaj, një shërbëtor i Jehovait i punësuar nga një biznes tjetër, nuk do të kalonte shumë kohë duke punuar në një ndërtesë që përkrah adhurimin e rremë. E nëse ka biznesin e vet, patjetër që s’do të përpiqej të gjente punë a të pranonte një ofertë pune në ndonjë pjesë të Babilonisë së Madhe. Pse mbajmë një qëndrim kaq të prerë? Sepse nuk duam të marrim pjesë në veprat dhe mëkatet e organizatave fetare që janë të papastra në sytë e Perëndisë.—Isa. 52:11. *

18. Si iu bind me besnikëri një vëlla parimeve të Biblës në lidhje me punën?

18 Vite më parë, një sipërmarrës i kërkoi një plaku të vetëpunësuar të bënte një punë të vogël zdrukthëtarie në një kishë të qytetit ku jetonte. Sipërmarrësi e dinte se vëllai kishte thënë gjithmonë se nuk do të punonte në kisha. Por kësaj here sipërmarrësi ishte në hall se s’po gjente asnjë për atë punë. Gjithsesi, vëllai iu bind me besnikëri parimeve të Biblës dhe e refuzoi punën. Javën pasuese, në gazetën e qytetit doli një fotografi e një zdrukthëtari tjetër që po vinte një kryq te kisha. Nëse vëllai do të kishte bërë kompromis, në gazetë mund të kishte dalë fotografia e tij. Mendo sa do ta kishte dëmtuar kjo reputacionin e tij mes bashkëbesimtarëve! Mendo edhe si do të ishte ndier Jehovai.

ÇFARË KEMI MËSUAR?

19-20. (a) Çfarë kemi mësuar në këtë artikull? (b) Çfarë tjetër kemi nevojë të mësojmë?

19 Sipas profecive të Biblës, ngjarja tjetër e rëndësishme që do të ndodhë së shpejti në skenën botërore, është deklarata e kombeve «paqe dhe siguri». Falë asaj që na ka mësuar Jehovai, e dimë se kombet nuk do të arrijnë paqe të vërtetë e të përhershme. Ç’duhet të bëjmë para se të ndodhë kjo ngjarje që do të pasohet nga «një shkatërrim i papritur»? Jehovai pret të predikojmë me zell mesazhin për Mbretërinë dhe të përpiqemi pareshtur të bëjmë dishepuj. Në të njëjtën kohë, duhet të qëndrojmë të ndarë nga të gjitha fetë e rreme. Kjo përfshin të mos jemi më anëtarë të tyre dhe të mos bëjmë punë që kanë lidhje me Babiloninë e Madhe.

20 Ka edhe ngjarje të tjera që do të ndodhin gjatë ‘ditëve të fundit’. Pra, ka edhe gjëra të tjera që pret Jehovai nga ne. Cilat janë këto dhe si mund të përgatitemi për çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen e afërt? Le ta shohim në artikullin tjetër.

KËNGA 71 Jemi ushtria e Jehovait!

^ par. 5 Së shpejti presim që kombet të deklarojnë se kanë arritur «paqe dhe siguri». Ky do të jetë sinjali se pas pak do të nisë shtrëngimi i madh. Çfarë pret Jehovai të bëjmë derisa të vijë ai moment? Ky artikull do të na ndihmojë të gjejmë përgjigjen.

^ par. 3 Për shembull, në sitin e tyre, Kombet e Bashkuara pohojnë se «ruajnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare».

^ par. 23 Për hollësi si t’i përdorësh botimet e Çantës së mjeteve mësimore, shih artikullin «T’u mësojmë të tjerëve të vërtetën» në Kullën e Rojës të tetorit 2018.

^ par. 11 Ky kurs ka dalë në anglisht e portugalisht dhe pritet të dalë edhe në gjuhë të tjera.

^ par. 16 Gjithashtu, nëse një organizatë që hap kampe rinore ose organizon aktivitete të kohës së lirë, ka lidhje me fenë e rreme, nuk duhet të bëjmë pjesë në të, si për shembull në YMCA (Shoqata Kristiane e Djemve) dhe YWCA (Shoqata Kristiane e Grave). Edhe pse disa degë të organizatave të tilla përpiqen ta minimizojnë aspektin fetar të aktiviteteve të tyre, në realitet janë organizata me rrënjë dhe qëllime fetare.

^ par. 17 Për një shqyrtim më të hollësishëm të pikëpamjes së Biblës për punët që kanë lidhje me organizatat fetare, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 prillit 1999.

^ par. 83 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Klientëve në një kafene u ngjall kureshtje lajmi në televizor për deklaratën «paqe dhe siguri». Një çift Dëshmitar, që po bën një pushim të shkurtër gjatë shërbimit, nuk mashtrohet nga ky lajm.