Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 44

Ndërto miqësi të forta para se të vijë fundi

Ndërto miqësi të forta para se të vijë fundi

«Miku i vërtetë të do në çdo kohë.»​—PROV. 17:17, nwt.

KËNGA 101 Të punojmë së bashku në unitet

PËRMBLEDHJE *

Gjatë ‘shtrëngimit të madh’ do të kemi nevojë për miq të mirë (Shih paragrafin 2) *

1-2. Sipas 1 Pjetrit 4:7, 8, çfarë do të na ndihmojë t’i përballojmë vështirësitë?

NDËRSA zhytemi thellë në «ditët e fundit», mund të hasim probleme të rënda. (2 Tim. 3:1) Për shembull, pas një fushate zgjedhore, një vend në Afrikën Perëndimore ishte rrënuar nga trazirat civile e nga dhuna. Për më shumë se gjashtë muaj, vëllezërit dhe motrat nuk lëviznin dot lirisht ngaqë jetonin në një zonë luftimesh. Çfarë i ndihmoi t’i përballonin ato vështirësi? Disa u strehuan në shtëpitë e vëllezërve që jetonin në një zonë më të sigurt. Një vëlla u shpreh: «Sa i lehtësuar ndihesha që rrethohesha nga miq në atë situatë, sepse kishim mundësi t’i jepnim zemër njëri-tjetrit.»

2 Sa të lehtësuar do të ndihemi nëse kemi miq të mirë që na duan, kur të shpërthejë «shtrëngimi i madh»! (Zbul. 7:14) Ndaj është urgjente të ndërtojmë miqësi të forta tani. (Lexo 1 Pjetrit 4:7, 8.) Mund të mësojmë shumë nga Jeremia, që mbijetoi në periudhën para shkatërrimit të Jerusalemit me ndihmën e miqve. * Si mund ta imitojmë Jereminë?

MËSO NGA SHEMBULLI I JEREMISË

3. (a) Për cilën arsye mund të ishte veçuar Jeremia? (b) Për çfarë iu hap Jeremia sekretarit të tij, Barukut, dhe cili ishte rezultati?

3 Të paktën 40 vjet, Jeremia jetoi mes njerëzve jobesnikë, përfshirë fqinjët e ndoshta edhe disa të afërm nga qyteti i tij, Anatothi. (Jer. 11:21; 12:6) E megjithatë, ai nuk u veçua. Në fakt, Jeremia i foli hapur për ndjenjat e veta sekretarit të tij besnik, Barukut, e nëpërmjet tij të gjithëve ne. (Jer. 8:21; 9:1; 20:14-18; 45:1) Mund ta përfytyrojmë se, ndërsa Baruku hidhte me shkrim historinë e pasur të Jeremisë, mes tyre zhvillohej përzemërsi dhe respekt i thellë.—Jer. 20:1, 2; 26:7-11.

4. Çfarë i kërkoi Jehovai Jeremisë, dhe si e forcoi ai caktim miqësinë mes Jeremisë dhe Barukut?

4 Për vite të tëra, Jeremia i kishte paralajmëruar me guxim izraelitët për atë që do t’i ndodhte Jerusalemit. (Jer. 25:3) Në një përpjekje tjetër për ta nxitur popullin të pendohej, Jehovai i kërkoi Jeremisë t’i shkruante në një rrotull paralajmërimet e Tij. (Jer. 36:1-4) Ndërsa bashkëpunonin ngushtë për të kryer caktimin që u kishte ngarkuar Perëndia, i cili duhet të ketë zgjatur disa muaj, Jeremia dhe Baruku pa dyshim bënin biseda që u forconin besimin.

5. Si tregoi Baruku se ishte mik i mirë për Jereminë?

5 Kur erdhi koha të zbulohej çfarë ishte shkruar në rrotull, Jeremisë i duhej të kishte besim se miku i tij, Baruku, do ta lexonte mesazhin para popullit. (Jer. 36:5, 6) Baruku e përmbushi me guxim atë caktim të rrezikshëm. A e merr me mend sa krenar duhet të jetë ndier Jeremia kur Baruku shkoi në oborrin e tempullit dhe bëri atë që i ishte kërkuar? (Jer. 36:8-10) Princat e Judës e morën vesh çfarë kishte bërë Baruku dhe i kërkuan ta lexonte rrotullën edhe para tyre. (Jer. 36:14, 15) Ata vendosën t’i tregonin mbretit Jehojakim çfarë kishte thënë Jeremia. Nga meraku për Jereminë dhe Barukun, thanë: «Ti dhe Jeremia duhet të fshiheni; ikni dhe mos i tregoni askujt se ku jeni.» (Jer. 36:16-19, nwt) Një këshillë vërtet e mençur!

6. Si vepruan Jeremia dhe Baruku përballë kundërshtimit?

Mbreti Jehojakim u zemërua aq shumë kur dëgjoi fjalët që kishte shkruar Jeremia, sa e dogji rrotullën, dhe urdhëroi që Jeremia e Baruku të arrestoheshin. Gjithsesi, Jeremia nuk u step nga frika. Ai mori një rrotull tjetër, ia dha Barukut dhe, ndërsa i diktonte mesazhin e Jehovait, Baruku shkruante «tërë fjalët që ishin në rrotullën e parë, që dogji Jehojakimi, mbreti i Judës».—Jer. 36:26-28, 32, nwt.

7. Çfarë duhet të ketë ndodhur ndërsa Jeremia dhe Baruku bashkëpunonin me njëri-tjetrin?

7 Mes atyre që përballojnë një sprovë së bashku, shpesh krijohet një lidhje e fortë. Ndaj mund ta imagjinojmë se, ndërsa bashkëpunonin për të zëvendësuar rrotullën që shkatërroi mbreti i lig Jehojakim, Jeremia dhe Baruku njihnin e vlerësonin më shumë cilësitë e njëri-tjetrit. Si mund të na ndihmojë shembulli i këtyre dy besnikëve?

BISEDO NGA ZEMRA

8. Çfarë mund të na pengojë të zëmë miq të ngushtë, por pse nuk duhet të dorëzohemi?

8 Ndoshta e kemi të vështirë t’u hapemi të tjerëve, sepse dikush mund të na ketë lënduar në të kaluarën. (Prov. 18:19, 24) Ose ndoshta mendojmë se nuk kemi aq kohë dhe energji, sa të kultivojmë miqësi të ngushta. Megjithatë s’ka pse të dorëzohemi. Nëse duam që vëllezërit të na gjenden pranë në kohë sprovash, duhet të mësojmë t’u besojmë ndjenjat dhe mendimet tona sot. Ky është një hap i rëndësishëm për të zënë miq të vërtetë.—1 Pjet. 1:22.

9. (a) Si e tregoi Jezui se kishte besim te miqtë e tij? (b) Si mund të të ndihmojë komunikimi i hapur t’i forcosh miqësitë? Jepni një shembull.

9 Jezui tregoi se kishte besim te miqtë e tij duke biseduar hapur me ta. (Gjoni 15:15) Ne mund ta imitojmë duke ndarë me miqtë tanë gëzimet, trishtimet e zhgënjimet. Gjithashtu, po të dëgjosh me vëmendje kur dikush flet, mund të zbulosh se keni shumë mendime, ndjenja dhe synime të përbashkëta. Të marrim rastin e Sindit, një motër në të 20-at. Ajo zuri miqësi me një pioniere te të 60-at që quhet Mari-Luiza. Sindi dhe Mari-Luiza dalin bashkë në shërbim çdo të enjte paradite dhe flasin hapur për lloj-lloj temash. Sindi thotë: «Kënaqem kur hapem me miqtë për gjëra të rëndësishme, se kjo më ndihmon t’i njoh e t’i kuptoj më mirë.» Miqësitë lulëzojnë në atmosferën e ngrohtë që krijon komunikimi i hapur. Ashtu si Sindi, nëse merr iniciativën të bisedosh hapur e përzemërsisht me të tjerët, ka shumë të ngjarë ta forcosh miqësinë me ta.—Prov. 27:9.

BASHKËPUNO ME TË TJERËT

Miqtë e mirë bashkëpunojnë në shërbim (Shih paragrafin 10)

10. Sipas Proverbave 27:17, cilat dobi mund të vijnë kur shërbejmë përkrah bashkëbesimtarëve?

10 Siç ndodhi me Jereminë dhe Barukun, kur shërbejmë përkrah bashkëbesimtarëve dhe vërejmë cilësitë tërheqëse që kanë, mësojmë prej tyre e na bëhen më të afërt. (Lexo Proverbat 27:17.) Për shembull, si ndihesh kur je në shërbim dhe dëgjon vëllanë a motrën ta mbrojë me guxim besimin ose të flasë me bindje nga zemra për Jehovain dhe qëllimet e tij? Ka shumë të ngjarë të lidhesh edhe më fort me të.

11-12. Jepni një shembull se si mund të na ndihmojë bashkëpunimi në shërbim të forcojmë miqësitë.

11 Të shohim dy shembuj që tregojnë si na afron më shumë me njëri-tjetrin bashkëpunimi në shërbim. Adelina, një motër 23-vjeçare, i kërkoi një shoqes së saj, Kandisës, të shkonin bashkë në një territor ku predikohej rrallë. Ajo thotë: «Donim të shtonim zellin për shërbimin dhe ta shijonim më shumë. Të dyja kishim nevojë për diçka që të na motivonte të vazhdonim t’i jepnim më të mirën Jehovait.» Si nxorën dobi duke shërbyer së bashku? Adelina thotë: «Në fund të ditës, bisedonim si ndiheshim, çfarë na kishte prekur nga bisedat që kishim bërë dhe si e kishim ndier drejtimin e Jehovait në shërbim. Na kënaqnin këto biseda të thella dhe na ndihmonin ta njihnim më mirë njëra-tjetrën.»

12 Lejla dhe Mariana, dy motra beqare nga Franca, shkuan të shërbenin pesë javë në Bangui, kryeqyteti i zhurmshëm i Republikës së Afrikës Qendrore. Lejla kujton: «Unë dhe Mariana hasëm disa vështirësi, por falë komunikimit të mirë dhe dashurisë së sinqertë, miqësia jonë u forcua. Ndërsa vëreja sa elastike ishte Mariana në rrethanat e reja, sa i donte njerëzit dhe sa zell tregonte në shërbim, e admiroja gjithnjë e më shumë.» Nuk duhet medoemos të transferohesh në një shtet tjetër për t’i gëzuar këto dobi. Çdo herë që predikon në territorin tënd me një vëlla a motër, ke mundësi ta njohësh më mirë dhe të forcosh miqësinë me të.

PËRQENDROHU TE CILËSITË E MIRA DHE JI GATI TË FALËSH

13. Cilën vështirësi mund të hasim kur bashkëpunojmë ngushtë me vëllezërit e motrat?

13 Kur bashkëpunojmë ngushtë me vëllezërit e motrat, ndonjëherë dallojmë jo vetëm pikat e tyre të forta, por edhe dobësitë. Si mund ta përballojmë këtë vështirësi? T’i kthehemi edhe një herë shembullit të Jeremisë. Çfarë e ndihmoi atë të shihte cilësitë e mira te të tjerët dhe të anashkalonte të metat?

14. Çfarë mësoi Jeremia për Jehovain, dhe si e ndihmoi kjo?

14 Jeremia shkroi librin që mban emrin e tij e ka shumë të ngjarë edhe dy libra të tjerë të Biblës të njohur si 1 Mbretërve dhe 2 Mbretërve. Pa dyshim që ai caktim e ndihmoi të kuptonte më mirë sa mëshirë tregon Jehovai për njerëzit e papërsosur. Për shembull, ai e dinte se kur mbreti Akab u pendua për të këqijat që kishte bërë, Jehovai e kurseu që të mos shihte shfarosjen e gjithë familjes së vet sa ishte gjallë. (1 Mbret. 21:27-29) Po ashtu, Jeremia e dinte se Manaseu e fyeu Jehovain edhe më rëndë se Akabi. Megjithatë, Jehovai e fali Manaseun ngaqë u pendua. (2 Mbret. 21:16, 17; 2 Kron. 33:10-13) Këto histori duhet ta kenë ndihmuar Jereminë të imitonte durimin dhe mëshirën e Perëndisë në marrëdhëniet me miqtë e ngushtë.—Psal. 103:8, 9.

15. Si e imitoi Jeremia durimin e Jehovait kur Baruku u shpërqendrua?

15 Mendo pak si e trajtoi Jeremia Barukun kur u shpërqendrua përkohësisht nga caktimi. Në vend që ta prishte menjëherë miqësinë me Barukun, e ndihmoi duke i treguar mesazhin e dashur, por edhe të drejtpërdrejtë të Perëndisë për të. (Jer. 45:1-5) Ç’mund të mësojmë nga kjo ngjarje?

Miqtë e mirë e falin bujarisht njëri-tjetrin (Shih paragrafin 16)

16. Sipas Proverbave 17:9, çfarë duhet të bëjmë që të mos i humbim miqësitë?

16 Nuk është realiste të presim që vëllezërit e motrat të jenë të përsosur. Prandaj, pasi lidhim një miqësi të ngushtë, duhet të punojmë fort për ta ruajtur. Nëse miqtë tanë gabojnë, mund të jetë e nevojshme t’u japim këshilla të dashura, por edhe të sinqerta, që bazohen te Fjala e Perëndisë. (Psal. 141:5) E nëse na lëndojnë, duhet t’i falim. Pasi i kemi falur, duhet ta shmangim tundimin që në të ardhmen të flasim prapë për atë lëndim. (Lexo Proverbat 17:9.) Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në këto kohë kritike të përqendrohemi te pikat e forta të vëllezërve e motrave, jo te dobësitë e tyre! Kështu e forcojmë miqësinë me ta. Është jetësore ta bëjmë këtë sot, sepse gjatë shtrëngimit të madh do të kemi nevojë për miq të ngushtë.

TREGO DASHURI BESNIKE

17. Si tregoi Jeremia se ishte mik i vërtetë në ditë të vështira?

17 Profeti Jeremia tregoi se ishte mik i vërtetë në ditë të vështira. Për shembull, Ebed-Meleku, një zyrtar oborri, e shpëtoi Jereminë nga vdekja e sigurt në një sternë me llucë. Pas kësaj, Ebed-Meleku kishte frikë se princat do t’i bënin ndonjë të keqe. Kur e mori vesh këtë, Jeremia nuk ndenji gojëkyçur, me shpresën se në njëfarë mënyre miku i tij do t’ia dilte vetë. Ndonëse i burgosur, Jeremia bëri atë që mundej për mikun e tij Ebed-Melek dhe i tregoi premtimin ngushëllues të Jehovait.—Jer. 38:7-13; 39:15-18.

Miqtë e mirë ndihmojnë vëllezërit e motrat në nevojë (Shih paragrafin 18)

18. Sipas Proverbave 17:17, çfarë duhet të bëjmë kur një vëlla a motër kalon vështirësi?

18 Sot vëllezërit e motrat hasin lloj-lloj sprovash. Për shembull, shumë vuajnë nga katastrofat natyrore ose ato të shkaktuara nga njeriu. Në raste të tilla, disa nga ne mbase kemi mundësi t’i mirëpresim në shtëpi. Të tjerë ndoshta kanë mundësi të ndihmojnë nga ana financiare. Por të gjithë mund t’i lutemi Jehovait t’i ndihmojë vëllezërit e motrat. Nëse marrim vesh se një vëlla a motër është i shkurajuar, mbase nuk dimë ç’të themi a ç’të bëjmë. Por secili nga ne mund të ndihmojë. Për shembull, mund të kalojmë kohë me vëllanë a motrën. Mund ta dëgjojmë me dhembshuri. Gjithashtu mund t’i tregojmë shkrimin që na e ngroh më shumë zemrën. (Isa. 50:4) Ajo që ka më tepër rëndësi, është t’u gjendesh pranë miqve kur kanë nevojë për ty.—Lexo Proverbat 17:17.

19. Si do të na ndihmojnë në të ardhmen miqësitë e forta që lidhim sot?

19 Duhet të jemi të vendosur të lidhim miqësi të forta me vëllezërit e motrat sot dhe t’i ruajmë këto miqësi. Pse? Sepse armiqtë tanë do të përpiqen të na përçajnë nëpërmjet gënjeshtrave dhe shpifjeve. Ata do të provojnë të na kthejnë kundër njëri-tjetrit. Por përpjekjet e tyre do të shkojnë kot. Ata nuk do t’i thyejnë dot lidhjet e dashura mes nesh. Nuk do t’i prishin dot miqësitë tona, çfarëdo që të bëjnë. Këto miqësi të forta jo vetëm do të na ndihmojnë të përballojmë fundin e sistemit, por do të lulëzojnë në përjetësi!

KËNGA 24 Ejani në malin e Jehovait!

^ par. 5 Ndërsa afrohet fundi, të gjithë kemi nevojë të forcojmë miqësitë me bashkëbesimtarët. Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jeremisë. Do të shohim edhe si do të na ndihmojë zhvillimi i miqësive të ngushta sot kur të vijnë kohë të vështira.

^ par. 2 Ngjarjet në librin e Jeremisë nuk janë sipas radhës kronologjike.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Skenë që paraqet çfarë mund të ndodhë në të ardhmen gjatë ‘shtrëngimit të madh’. Disa vëllezër e motra strehohen në papafingon e shtëpisë së një vëllai. Ata marrin zemër nga miqësia e njëri-tjetrit në atë kohë të vështirë. Tri figurat e tjera tregojnë se të njëjtët vëllezër e motra kishin lidhur miqësi të forta mjaft kohë përpara fillimit të shtrëngimit të madh.