Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 4

«Vetë fryma e Perëndisë jep dëshmi»

«Vetë fryma e Perëndisë jep dëshmi»

«Vetë fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë.»​—ROM. 8:16, nwt.

KËNGA 25 Zotërim i veçantë

PËRMBLEDHJE *

Në Ditën e Pesëdhjetë, Jehovai e derdhi frymën e tij të shenjtë në mënyrë mbresëlënëse mbi një grup me rreth 120 të krishterë (Shih paragrafët 1-2)

1-2. Cila ngjarje mbresëlënëse ndodh më 33 të e.s. në Festën e Ditës së Pesëdhjetë?

ËSHTË një mëngjes të diele në Jerusalem në vitin 33 të e.s. dhe është Festa e Ditës së Pesëdhjetë. Një grup prej afro 120 dishepujsh janë mbledhur në dhomën e sipërme të një shtëpie. (Vep. 1:13-15; 2:1) Pak ditë më parë, Jezui i ka udhëzuar të qëndrojnë në Jerusalem, sepse do të marrin një dhuratë të veçantë. (Vep. 1:4, 5) Çfarë ndodh më tej?

2 ‘Befas nga qielli dëgjohet një zhurmë, si ajo e një ere të furishme’, që mbush gjithë shtëpinë. Pastaj, mbi kokën e dishepujve shfaqen «ca si gjuhë zjarri» dhe të gjithë ‘mbushen me frymë të shenjtë’. (Vep. 2:2-4, nwt) Në këtë mënyrë mbresëlënëse, Jehovai derdh mbi këtë grup frymën e tij të shenjtë. (Vep. 1:8) Ata bëhen të parët që mirosen me frymë të shenjtë * dhe që marrin ftesën të qeverisin në qiell me Jezuin.

ÇFARË NDODH KUR DIKUSH MIROSET?

3. Pse dishepujt në Festën e Ditës së Pesëdhjetë nuk kishin asnjë dyshim se u mirosën me frymë të shenjtë?

3 Po të ishe një nga dishepujt e mbledhur në dhomën e sipërme, ajo ditë nuk do të të shlyhej kurrë nga kujtesa. Diçka që ngjante si gjuhë zjarri qëndroi mbi ty dhe fillove të flisje në gjuhë të huaj! (Vep. 2:5-12) Në mendjen tënde s’do të kishe fije dyshimi se ishe mirosur me frymë të shenjtë. Por, a mirosen të gjithë të mirosurit me frymë të shenjtë në të njëjtën mënyrë mbresëlënëse dhe në të njëjtin moment të jetës? Jo. Nga e dimë këtë?

4. A u mirosën në të njëjtin moment të jetës të gjithë të mirosurit në shekullin e parë? Shpjegoni.

4 Le të flasim për kohën kur miroset dikush. Ai grup me rreth 120 të krishterë nuk ishin të vetmit që u mirosën me frymë të shenjtë Ditën e Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Më vonë, po atë ditë, rreth 3.000 të tjerë e morën frymën e shenjtë që kishte premtuar Jezui. Ata u mirosën kur u pagëzuan. (Vep. 2:37, 38, 41) Por në vitet që pasuan, jo të gjithë të krishterët e mirosur u mirosën në momentin e pagëzimit. Samaritanët u mirosën njëfarë kohe pasi u pagëzuan. (Vep. 8:14-17) Kemi edhe rastin unik të Kornelit dhe njerëzve të shtëpisë së tij që u mirosën para se të pagëzoheshin.—Vep. 10:44-48.

5. Sipas 2 Korintasve 1:21, 22, çfarë ndodh kur dikush miroset me frymë të shenjtë?

5 Le të shohim edhe çfarë ndodh kur dikush miroset me frymë të shenjtë. Disa që mirosen, në fillim mund ta kenë të vështirë ta pranojnë se Jehovai i ka zgjedhur. Ndoshta vrasin mendjen: «Pse më zgjodhi mua?» Të mirosur të tjerë mund të mos ndihen kështu. Sido që të jetë, apostulli Pavël shpjegon çfarë ndodh me të gjithë të mirosurit: «Pasi besuat, ju u vulosët * nëpërmjet tij me frymën e shenjtë të premtuar, që është kapari i trashëgimisë sonë.» (Efes. 1:13, 14; shën., nwt) Pra, Jehovai përdor frymën e tij të shenjtë që t’ua bëjë plotësisht të qartë këtyre të krishterëve se i ka zgjedhur. Kështu, fryma e shenjtë është një «kapar [garanci ose premtim]» që u jepet për t’i siguruar se në të ardhmen do të jetojnë përgjithmonë në qiell, jo në tokë.—Lexo 2 Korintasve 1:21, 22.

6. Ç’duhet të bëjë një i mirosur që të marrë shpërblimin qiellor?

6 Nëse miroset, a e ka të garantuar një i krishterë shpërblimin qiellor? Jo. Ai është i sigurt se është zgjedhur të shkojë në qiell. Megjithatë, duhet të mbajë parasysh këtë këshillë: «Vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë që të siguroheni për thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, nëse vazhdoni t’i zhvilloni këto cilësi, nuk do të dështoni kurrsesi.» (2 Pjet. 1:10, nwt) Pra, edhe pse është zgjedhur ose e ka marrë thirrjen të shkojë në qiell, një i mirosur do ta marrë shpërblimin vetëm nëse qëndron besnik.—Filip. 3:12-14; Hebr. 3:1; Zbul. 2:10.

NGA VJEN SIGURIA SE ËSHTË MIROSUR?

7. Pse ndihen të sigurt të mirosurit se kanë thirrjen qiellore?

7 Por, nga vjen siguria e një të mirosuri se ka thirrjen qiellore? Përgjigjja shihet qartë te fjalët që u shkroi Pavli vëllezërve e motrave në Romë, të cilët ishin «thirrur për të qenë të shenjtë». Ai u tha: «Ju nuk morët një frymë skllavërie që të keni përsëri frikë, por morët një frymë birësimi me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Abba, o Atë!’ Dhe vetë fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë.» (Rom. 1:7; 8:15, 16, nwt) Pra, me anë të frymës së tij të shenjtë, Perëndia ua bën të qartë të mirosurve se kanë këtë thirrje qiellore.—1 Sel. 2:12.

8. Si e tregon 1 Gjonit 2:20, 27 se të mirosurit nuk kanë nevojë që dikush tjetër t’u vërtetojë se janë mirosur?

8 Jehovai nuk u lë asnjë fije dyshimi në mendje e në zemër atyre që marrin ftesën për të shkuar në qiell. (Lexo 1 Gjonit 2:20, 27.) Natyrisht, të mirosurit kanë nevojë si të gjithë që Jehovai t’i mësojë nëpërmjet kongregacionit. Por nuk kanë nevojë që ndokush të vërtetojë se janë mirosur. Jehovai ka përdorur forcën më të fuqishme në univers, frymën e tij të shenjtë, që t’ua bëjë plotësisht të qartë këtë!

‘LINDIN PËRSËRI’

9. Çfarë ndryshimesh përjeton dikush kur miroset, siç tregon Efesianëve 1:18?

9 Shumica e shërbëtorëve të Perëndisë sot mund ta kenë të vështirë të kuptojnë çfarë ndodh me dikë kur Perëndia e miros. Kjo është normale, përderisa vetë nuk janë mirosur. Perëndia i krijoi njerëzit që të jetonin përgjithmonë në tokë, jo në qiell. (Zan. 1:28; Psal. 37:29) Megjithatë, Jehovai ka zgjedhur disa për të jetuar në qiell. Kështu, kur i miros, ua ndryshon rrënjësisht shpresën dhe mënyrën si mendojnë, prandaj ata presin me zjarr të jetojnë në qiell.—Lexo Efesianëve 1:18.

10. Ç’do të thotë ‘të lindësh përsëri’? (Shih edhe shënimin.)

10 Kur dikush miroset me frymë të shenjtë, «lind përsëri» ose «lind nga qielli». * Jezui tregoi edhe se është e pamundur t’i shpjegosh saktësisht dikujt që nuk është mirosur, si ndihesh kur «lind përsëri» ose kur «lind nga fryma e shenjtë».—Gjoni 3:3-8, shën., nwt.

11. Shpjegoni si ndryshon mënyra si mendon dikush kur miroset.

11 Si ndryshon mënyra si mendon dikush kur miroset? Para se Jehovai t’i miroste, këta të krishterë e çmonin shpresën që të jetonin përgjithmonë në tokë. E pritnin me zjarr kohën kur Jehovai do ta zhdukte krejt ligësinë dhe do ta bënte tokën parajsë. Ndoshta përfytyronin si do të pritnin krahëhapur një familjar a një mik që u kishte vdekur. Por, pasi u mirosën, filluan të mendonin ndryshe. Përse? Nuk është që s’i kënaqte më shpresa për të jetuar në tokë. Nuk ndërruan mendje nga ndonjë stres a trazim emocional. Nuk menduan papritmas se do t’u dukej e mërzitshme të jetonin përgjithmonë në tokë. Përkundrazi, Jehovai përdori frymën e shenjtë për t’u ndryshuar mënyrën si mendojnë dhe shpresën.

12. Sipas 1 Pjetrit 1:3, 4, si ndihen të mirosurit për shpresën e tyre?

12 Dikush që është mirosur mund të ndihet i padenjë për këtë privilegj të çmuar. Ama nuk dyshon për asnjë çast se Jehovai e ka zgjedhur. Madje i gufon zemra nga gëzimi dhe mirënjohja kur mendon për shpresën që ka.—Lexo 1 Pjetrit 1:3, 4.

13. Si ndihen të mirosurit për jetën e tyre në tokë?

13 A do të thotë kjo se të mirosurit duan të vdesin? Apostulli Pavël iu përgjigj kësaj pyetjeje. Ai e krahasoi trupin e tyre njerëzor me një tendë dhe tha: «Faktikisht, ne që jemi në këtë tendë, rënkojmë dhe jemi të rënduar, jo ngaqë duam të zhveshim këtë tendë, por ngaqë duam të veshim tjetrën, me qëllim që jeta të përpijë trupat tanë të vdekshëm.» (2 Kor. 5:4, nwt) Nuk është puna që këta të krishterë s’i tërheq më kjo jetë dhe duan të marrë fund sa më shpejt. Përkundrazi, e gëzojnë jetën dhe duan ta përdorin çdo ditë për t’i shërbyer Jehovait bashkë me familjen dhe miqtë. Gjithsesi, çfarëdo të jenë duke bërë, e kujtojnë gjithmonë shpresën e lavdishme që kanë.—1 Kor. 15:53; 2 Pjet. 1:4; 1 Gjon. 3:2, 3; Zbul. 20:6.

A TË KA MIROSUR JEHOVAI?

14. Cilat gjëra nuk provojnë se dikush është mirosur me frymë të shenjtë?

14 Mbase vret mendjen nëse je mirosur me frymë të shenjtë. Atëherë, mendo për këto pyetje të rëndësishme: a ke dëshirë të zjarrtë të bësh vullnetin e Jehovait? A mendon se je jashtëzakonisht i zellshëm në shërbim? A i studion me etje Shkrimet dhe a të pëlqen të mësosh «gjërat e thella të Perëndisë»? (1 Kor. 2:10) A mendon se Jehovai të ka dhënë rezultate të mrekullueshme në shërbim? A e ndien thellë përgjegjësinë që t’i ndihmosh të tjerët të njohin Jehovain? A ke parë prova si Jehovai të ka ndihmuar shumë herë në jetë? Nëse u përgjigjesh me plot gojën «po» këtyre pyetjeve, a tregon kjo se tani ke thirrjen qiellore? Jo. Pse? Sepse të gjithë shërbëtorët e Perëndisë mund të ndihen kështu, qofshin të mirosur apo jo. E nëpërmjet frymës së shenjtë, Jehovai mund t’i japë të njëjtën fuqi secilit shërbëtor të tij, çfarëdo shprese të ketë. Ç’është e vërteta, nëse po vret mendjen në je mirosur apo jo me frymë të shenjtë, thjesht ky dyshim tregon se nuk je mirosur. Ata që Jehovai i ka thirrur, nuk vrasin mendjen nëse janë mirosur apo jo. Janë të sigurt për këtë!

Jehovai e përdori frymën e tij të shenjtë për t’u dhënë fuqi Abrahamit, Sarës, Davidit dhe Gjon Pagëzorit të bënin gjëra të mahnitshme, por nuk e përdori frymën për t’u dhënë shpresën të jetojnë në qiell (Shih paragrafët 15-16) *

15. Nga e dimë se jo të gjithë ata që kanë marrë frymën e Perëndisë, janë zgjedhur të shkojnë në qiell?

15 Bibla është plot me shembuj të njerëzve me besim që morën frymën e shenjtë; e megjithatë ata nuk kishin shpresën të jetonin në qiell. Davidin e udhëhiqte fryma e shenjtë. (1 Sam. 16:13) Ajo e ndihmoi të kuptonte gjëra të thella për Jehovain dhe e drejtoi të shkruante një pjesë të Biblës. (Mar. 12:36) Prapëseprapë, apostulli Pjetër tha se Davidi «nuk u ngjit në qiej». (Vep. 2:34) Gjon Pagëzori ishte ‘i mbushur me frymë të shenjtë’. (Luka 1:13-16) Jezui tha se nuk kishte njeri më të madh se Gjoni, por pastaj shtoi se Gjoni nuk do të bënte pjesë në Mbretërinë qiellore. (Mat. 11:10, 11) Jehovai e përdori frymën e tij të shenjtë për t’u dhënë fuqinë të bënin gjëra të mahnitshme, por nuk e përdori frymën për t’i zgjedhur të jetojnë në qiell. A do të thotë kjo që ishin më pak besnikë se ata që zgjidhen për të qeverisur në qiell? Jo. Thjesht do të thotë se Jehovai do t’i kthejë në jetë në tokën parajsore.—Gjoni 5:28, 29; Vep. 24:15.

16. Cilin shpërblim pret me padurim shumica e shërbëtorëve të Perëndisë sot?

16 Sot shumica e shërbëtorëve të Perëndisë në tokë nuk kanë shpresën të jetojnë në qiell. Ashtu si Abrahami, Sara, Davidi, Gjon Pagëzori dhe shumë burra e gra të lashtësisë, mezi presin të jetojnë në tokë si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë.—Hebr. 11:10.

17. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Meqë sot mes popullit të Perëndisë ka ende disa të mirosur, lindin natyrshëm disa pyetje. (Zbul. 12:17) Për shembull, ç’pikëpamje duhet të kenë për veten të mirosurit? Nëse dikush në kongregacionin tënd fillon të marrë simbolet në Përkujtim, si duhet ta trajtosh? Po nëse vazhdon të rritet numri i atyre që thonë se janë të mirosur, a duhet të merakosesh? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin tjetër.

^ par. 5 Që nga Dita e Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s., Jehovai u ka dhënë disa të krishterëve një shpresë të mrekullueshme—shpresën të qeverisin në qiell me Birin e tij. Por, pse ndihen të sigurt këta të krishterë se janë zgjedhur për këtë privilegj të jashtëzakonshëm? Çfarë ndodh kur dikush merr këtë ftesë? Ky artikull bazohet te një artikull që doli në Kullën e Rojës të janarit 2016. Ai do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve që ngjallin kureshtje.

^ par. 2 SHPJEGIMI I SHPREHJES: I mirosur me frymë të shenjtë. Jehovai e përdor frymën e tij të shenjtë për ta zgjedhur dikë të qeverisë në qiell me Jezuin. Me anë të frymës së tij, i jep një premtim për të ardhmen ose një ‘kapar’. (Efes. 1:13, 14) Këta të krishterë mund të thonë se fryma e shenjtë «jep dëshmi» ose ua bën të qartë se do të marrin shpërblimin qiellor.—Rom. 8:16.

^ par. 5 SHPJEGIMI I FJALËS: Vulos. Kjo vulosje bëhet përfundimtare ose para se i mirosuri të vdesë besnik, ose pak para se të shpërthejë «shtrëngimi i madh».—Efes. 4:30; Zbul. 7:2-4; shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të prillit 2016.

^ par. 10 Për më shumë shpjegime ç’do të thotë ‘të lindësh përsëri’, shih Kullën e Rojës, 1 prill 2009, f. 3-12.

KËNGA 27 Zbulimi i bijve të Perëndisë

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Qofshim të burgosur për besimin tonë, qofshim të lirë të predikojmë e të mësojmë të vërtetën, mund të presim me padurim të jetojmë në tokë si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë.