Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 6

Jehovai, Ati ynë, na do me gjithë shpirt

Jehovai, Ati ynë, na do me gjithë shpirt

«Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë’.»—MAT. 6:9.

KËNGA 135 Ftesa e ngrohtë e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë duhej të bënte dikush para se të fliste me mbretin e Persisë?

IMAGJINO sikur jeton në Persi rreth 2.500 vjet më parë. Dëshiron të flasësh me mbretin për një çështje, prandaj udhëton për në qytetin mbretëror të Shushanit. Por as që guxon të flasësh me atë monark pa marrë më parë lejen e tij. Përndryshe, mund ta paguash me jetën tënde!—Est. 4:11.

2. Si dëshiron Jehovai të ndihemi kur duam të flasim me të?

2 Sa mirënjohës jemi që Jehovai nuk është si ai mbret i Persisë! Jehovai qëndron ku e ku më lart se çdo sundimtar njerëzor, por prapë na mirëpret në çdo kohë. Ai dëshiron të ndihemi të lirshëm të flasim me të. Për shembull, edhe pse mban tituj madhështorë, si Krijuesi i Madh, i Plotfuqishmi dhe Zotëria Sovran, Jehovai na fton ta thërrasim me fjalën e ngrohtë «Atë». (Mat. 6:9) Sa prekemi që Jehovai dëshiron të ndihemi kaq të afërt me të!

3. Pse mund ta quajmë Jehovain Atë, dhe çfarë do të shohim në këtë artikull?

3 Mund ta quajmë me të drejtë Jehovain Atë se ai është Burimi i jetës. (Psal. 36:9) Ngaqë është Ati ynë, kemi përgjegjësinë t’i bindemi. E kur bëjmë atë që na kërkon, gëzojmë bekime të mrekullueshme. (Hebr. 12:9) Këto bekime përfshijnë jetën e përhershme në qiell ose në tokë. Veç kësaj nxjerrim dobi edhe tani. Në këtë artikull do të shohim çfarë provash kemi që Jehovai është një Atë i dashur për ne sot dhe pse mund të jemi të sigurt që nuk do të na braktisë kurrë në të ardhmen. Por në fillim, le të shohim pse mund të jemi të sigurt që Ati ynë qiellor na do me gjithë shpirt dhe dëshiron të na ndihmojë.

JEHOVAI ËSHTË NJË ATË I DASHUR E I DHEMBSHUR

Jehovai dëshiron të të rrijë pranë, ashtu si një baba i dhembshur dëshiron t’u rrijë pranë fëmijëve të tij (Shih paragrafin 4)

4. Pse disa e kanë të vështirë ta shohin Jehovain si Atin e tyre?

4 A e ke të vështirë ta shohësh Perëndinë si Atin tënd? Disa mund të ndihen të vegjël e të papërfillshëm në krahasim me Jehovain. Ata dyshojnë nëse Perëndia i Plotfuqishëm merakoset për ta si individë. Megjithatë, Ati ynë i dashur nuk dëshiron të ndihemi kështu. Ai na ka dhuruar jetën dhe do që të jemi miq me të. Pasi e përmendi këtë të vërtetë, apostulli Pavël u tha dëgjuesve të tij në Athinë se Jehovai «nuk është larg nga secili prej nesh». (Vep. 17:24-29) Perëndia do që, kur të lutemi, secili nga ne të ndihet si një fëmijë që i vjen natyrshëm të flasë me prindin e vet të dashur e të dhembshur.

5. Çfarë mësojmë nga përvoja e një motre?

5 Të tjerë mund ta kenë të vështirë ta shohin Jehovain si Atë, sepse babai i tyre u ka treguar pak ose aspak dashuri dhe përzemërsi. Ja ç’thotë një motër: «Babai më fliste shumë vrazhdë. Prandaj, kur fillova të studioja Biblën, e kisha të vështirë të ndihesha e afërt me Atin qiellor. Por, pasi e njoha Jehovain, gjithçka ndryshoi.» A provon edhe ti ndjenja të tilla? Nëse po, ji i sigurt se edhe ti mund të arrish ta shohësh Jehovain si Atin më të mirë që ekziston.

6. Sipas Mateut 11:27, cila është një mënyrë si na ka ndihmuar Jehovai ta shohim si Atin tonë të dashur?

6 Një mënyrë si na ka ndihmuar Jehovai ta shohim si Atin tonë të dashur, është nëpërmjet fjalëve e veprimeve të Jezuit të dokumentuara në Bibël. (Lexo Mateun 11:27.) Jezui e pasqyroi në mënyrë kaq të përsosur personalitetin e Atit, saqë mund të thoshte: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Jezui e quajti shpesh Jehovain Atë. Vetëm në katër ungjijtë, e përdori këtë fjalë gati 190 herë për Jehovain. Pse e përdori kaq shpesh? Një arsye është që njerëzit të bindeshin se Jehovai është një Atë i dashur.—Gjoni 17:25, 26.

7. Çfarë mësojmë për Jehovain nga mënyra si e trajtonte Birin e tij?

7 Mendo çfarë mësojmë për Jehovain nga mënyra si e trajtonte Birin e tij, Jezuin. Jehovai i dëgjonte gjithnjë lutjet e Jezuit. Madje jo vetëm i dëgjonte, por edhe u përgjigjej. (Gjoni 11:41, 42) Pavarësisht sprovave që haste, Jezui e ndiente gjithmonë dashurinë dhe mbështetjen e Atit.—Luka 22:42, 43.

8. Cilat gjëra të nevojshme i siguronte Jehovai Jezuit?

8 Jezui e pranoi se Ati i tij ishte Burimi i jetës dhe Ai që i siguronte gjithçka për të jetuar, kur tha: «Unë jetoj falë Atit.» (Gjoni 6:57) Jezui kishte besim të plotë tek Ati, dhe Jehovai i siguronte gjërat e nevojshme materiale. Ç’është më e rëndësishmja, Jehovai i jepte çfarë i nevojitej për t’i qëndruar besnik.—Mat. 4:4.

9. Si e tregoi Jehovai se ishte një Atë i dashur e i dhembshur për Jezuin?

9 Si Atë i dashur, Jehovai u sigurua që Jezui ta dinte se kishte mbështetjen e tij. (Mat. 26:53; Gjoni 8:16) Edhe pse nuk e mbrojti Jezuin nga çdo gjë që mund ta lëndonte, Jehovai e ndihmoi t’u bënte ballë sprovave. Jezui e dinte mirë se çdo vuajtje që mund të hiqte, ishte e përkohshme. (Hebr. 12:2) Jehovai e tregoi dashurinë për Jezuin duke e dëgjuar, duke i siguruar ç’i nevojitej, duke e stërvitur dhe duke e mbështetur. (Gjoni 5:20; 8:28) Të shohim tani si na e tregon dashurinë Ati ynë qiellor në mënyra të ngjashme.

SI KUJDESET PËR NE ATI YNË I DASHUR

Një baba i dashur (1) i dëgjon, (2) u siguron ç’u nevojitet, (3) i stërvit dhe (4) i mbështet fëmijët e tij. Ati ynë i dashur qiellor kujdeset për ne në mënyra të ngjashme (Shih paragrafët 10-15) *

10. Sipas Psalmit 66:19, 20, si e tregon Jehovai se na do?

10 Jehovai i dëgjon lutjet tona. (Lexo Psalmin 66:19, 20.) Ai nuk na vë kufij për lutjet, madje na nxit të lutemi shpesh. (1 Sel. 5:17) Mund t’i lutemi me respekt Perëndisë tonë në çdo kohë, pavarësisht ku jemi. Ai nuk është kurrë i zënë për të na dëgjuar, përkundrazi, është gjithnjë i gatshëm të na kushtojë vëmendje. Kur e kuptojmë se Jehovai na i dëgjon lutjet, na thellohet dashuria për të. Psalmisti tha: «Sa e dua Jehovain, se zërin dhe përgjërimet m’i dëgjon!»—Psal. 116:1.

11. Si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona?

11 Ati ynë jo vetëm na i dëgjon lutjet, por edhe u përgjigjet. Apostulli Gjon na siguron se Perëndia «na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij». (1 Gjon. 5:14, 15) Sigurisht, Jehovai mund të mos u përgjigjet lutjeve tona ashtu siç mendojmë. Ai e di çfarë është më e mira për ne, prandaj ndonjëherë përgjigjet «jo» ose dëshiron të presim.—2 Kor. 12:7-9.

12-13. Cilat gjëra të nevojshme na siguron Ati ynë qiellor?

12 Jehovai siguron ç’na nevojitet. Ai bën atë që kërkon vetë nga të gjithë baballarët. (1 Tim. 5:8) Jehovai kujdeset për nevojat materiale të fëmijëve të tij dhe nuk dëshiron të jemi në ankth për ushqimin, veshjen a strehimin. (Mat. 6:32, 33; 7:11) Madje, si prind i dashur, ka marrë masa të plotësojë të gjitha nevojat tona në të ardhmen.

13 Mbi të gjitha, Jehovai siguron ç’na nevojitet për të pasur një marrëdhënie të mirë me të. Me anë të Fjalës së tij, na ka zbuluar të vërtetën për veten, qëllimin e tij, kuptimin e jetës dhe të ardhmen. Ai na kushtoi vëmendje personalisht kur filluam të mësonim të vërtetën, duke përdorur prindërit ose një mësues tjetër për të na ndihmuar ta njihnim. E nëpërmjet pleqve të përzemërt dhe bashkëbesimtarëve të pjekur, vazhdon të na ndihmojë të forcojmë miqësinë me të. Veç kësaj, Jehovai na arsimon me anë të mbledhjeve, ku mësojmë përkrah vëllezërve e motrave. Këto janë vetëm disa mënyra si tregon Jehovai merak atëror për të gjithë ne.—Psal. 32:8.

14. Pse na stërvit Jehovai, dhe si e bën këtë?

14 Jehovai na stërvit. Ndryshe nga Jezui, ne jemi të papërsosur. Prandaj, si pjesë të stërvitjes sonë, Ati ynë i dashur na disiplinon kur është e nevojshme. Fjala e tij na kujton: «Jehovai disiplinon atë që ka për zemër.» (Hebr. 12:6, 7) Jehovai na disiplinon në shumë mënyra. Për shembull, diçka që lexojmë në Fjalën e tij ose që dëgjojmë në mbledhje, mund të na ndreqë mënyrën si mendojmë a sillemi. Ose ndihma që na nevojitet, mund të na vijë nga pleqtë. Sido që të na disiplinojë, Jehovai motivohet gjithnjë nga dashuria.—Jer. 30:11.

15. Në cilat mënyra na mbron Jehovai?

15 Jehovai na mbështet gjatë sprovave. Ashtu si një baba i dhembshur u bëhet krah fëmijëve në kohë të vështira, edhe Ati ynë qiellor na mbështet gjatë sprovave. Ai na jep frymën e shenjtë për të na mbrojtur nga çdo gjë që rrezikon miqësinë tonë me të. (Luka 11:13) Jehovai na mbron edhe nga ana emocionale. Për shembull, na jep një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen, që na ndihmon t’u bëjmë ballë vështirësive. Mendo për këtë: çfarëdo e keqe të na ndodhë, Ati ynë i dashur do të na shërojë plotësisht çdo plagë. Çdo sprovë që kalojmë, është thjesht e përkohshme, por bekimet e Jehovait janë të përhershme.—2 Kor. 4:16-18.

ATI YNË NUK DO TË NA BRAKTISË KURRË

16. Çfarë ndodhi kur Adami nuk iu bind Atit të tij të dashur?

16 Mënyra si reagoi Jehovai ndaj problemeve që lindën në fillim brenda familjes së tij në tokë, provon se na do. Kur Adami nuk iu bind Atit qiellor, humbi vendin e tij brenda familjes së lumtur të Jehovait, si për vete edhe për pasardhësit. (Rom. 5:12; 7:14) Megjithatë, Jehovai ndërhyri për të ndihmuar familjen njerëzore.

17. Çfarë bëri Jehovai fill pas rebelimit të Adamit?

17 Jehovai e ndëshkoi Adamin, por nuk i la pa shpresë pasardhësit e tij që nuk kishin ardhur ende në jetë. Ai premtoi menjëherë se njerëzit e bindur do të bëheshin sërish pjesë e familjes së tij. (Zan. 3:15; Rom. 8:20, 21) Jehovai e bëri të mundur këtë me anë të flijimit shpërblyes të Birit të tij të shtrenjtë, Jezuit. Duke dhënë Birin e vet për ne, Jehovai tregoi sa fort na do.—Gjoni 3:16.

Nëse jemi larguar nga Perëndia por jemi penduar, Ati ynë i dashur, Jehovai, dëshiron me gjithë zemër të na presë krahëhapur (Shih paragrafin 18)

18. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai dëshiron të jemi fëmijët e tij, ndonëse mund të jemi larguar nga ai?

18 Ndonëse jemi të papërsosur, Jehovai na do brenda familjes së tij dhe kurrë nuk na konsideron si një barrë. Edhe pse mund ta zhgënjejmë ose mund të largohemi nga ai për njëfarë kohe, Jehovai nuk heq dorë nga ne. Jezui e ilustroi sa e thellë është dashuria atërore e Jehovait me anë të tregimit të djalit që humbi rrugën. (Luka 15:11-32) Babai në ilustrim nuk i humbi kurrë shpresat që djali i tij do të kthehej. Kur djali u kthye në shtëpi, babai e mirëpriti krahëhapur. Nëse jemi larguar nga Jehovai por jemi penduar, mund të jemi të sigurt se Ati ynë i dashur dëshiron me gjithë zemër të na presë krahëhapur.

19. Si do t’i ndreqë Jehovai dëmet e shkaktuara nga Adami?

19 Ati ynë do të ndreqë çdo dëm të shkaktuar nga Adami. Pas rebelimit të Adamit, Jehovai vuri si qëllim të birësonte 144.000 individë nga njerëzimi. Ata do të shërbejnë si mbretër dhe priftërinj në qiell me Birin e tij. Në botën e re, Jezui dhe këta bashkëqeveritarë do t’i ndihmojnë njerëzit e bindur të arrijnë përsosmërinë. Pasi të kalojnë një provë përfundimtare për bindjen, Perëndia do t’u japë jetën e përhershme. Atëherë Atit tonë do t’i bëhet zemra mal kur ta shohë tokën plot me bijat e bijtë e tij të përsosur. Ç’kohë e lavdishme do të jetë!

20. Në ç’mënyra ka treguar Jehovai se na do me gjithë shpirt, dhe çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Jehovai ka treguar se na do me gjithë shpirt. Ai është Ati ideal. Jehovai i dëgjon lutjet tona dhe siguron ç’na nevojitet nga ana materiale dhe për ta mbajtur të fortë miqësinë me të. Ai na stërvit dhe na mbështet. Gjithashtu ka rezervuar për ne bekime të mrekullueshme. Sa na ngrohet zemra që Ati ynë na do dhe kujdeset për ne! Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë disa mënyra se si edhe ne, fëmijët e tij, mund t’i tregojmë Jehovait se e duam me gjithë shpirt.

KËNGA 108 Dashuria besnike e Perëndisë

^ par. 5 Shpesh e shohim Jehovain si Krijuesin tonë dhe Sovranin e universit. Por kemi arsye të forta për ta parë edhe si një Atë të dashur e të dhembshur. Këto arsye do të shqyrtohen në këtë artikull. Do të mësojmë edhe pse mund të jemi të sigurt që Jehovai nuk do të na braktisë kurrë.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Secila nga katër figurat paraqet një baba me fëmijën e vet: (1) një baba dëgjon me vëmendje të birin, (2) një baba i siguron gjërat e nevojshme vajzës, (3) një baba stërvit djalin dhe (4) një baba i jep zemër të birit. Dora e Jehovait në sfond pas katër figurave na kujton se ai kujdeset për ne në mënyra të ngjashme.