Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 9

Lejoje Jehovain të të qetësojë zemrën

Lejoje Jehovain të të qetësojë zemrën

«Kur ankthet më mbytnin, ti më ngushëlloje e më qetësoje.»—PSAL. 94:19, shën.

KËNGA 44 Lutja e të përvuajturit

PËRMBLEDHJE *

1. Cilat gjëra mund të shkaktojnë ankth, dhe si mund të ndikojë ankthi te ne?

A TË ka pushtuar ndonjëherë ankthi? * Mbase ndien ankth nga ndonjë fjalë a veprim lëndues i dikujt. Ose mund të jesh në ankth për diçka që ke thënë a ke bërë. Për shembull, ndoshta ke bërë një gabim dhe ke merak se Jehovai nuk do të të falë kurrë. E si për ta rënduar situatën, mbase mendon se, përderisa të ka mbytur ankthi, nuk ke besim e je njeri i keq. Por a është e vërtetë kjo?

2. Cilët shembuj nga Shkrimet tregojnë se të jesh në ankth, nuk do të thotë që s’ke besim?

2 Të shohim disa shembuj nga Shkrimet. Hana, që u bë nëna e profetit Samuel, ishte një grua me besim të fortë. Prapëseprapë e mbërtheu ankthi ngaqë dikush në familje e trajtonte keq. (1 Sam. 1:7) Apostulli Pavël kishte besim të patundur, e megjithatë e pushtonte «ankthi për të gjitha kongregacionet». (2 Kor. 11:28) Mbreti David kishte besim aq të fortë, sa zuri një vend të veçantë në zemrën e Jehovait. (Vep. 13:22) Gjithsesi, Davidi bëri gabime dhe, për shkak të tyre, ia gërryente shpirtin ankthi. (Psal. 38:4) Jehovai e ngushëlloi dhe e qetësoi secilin nga këta shërbëtorë të tij. Le të shohim çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tyre.

ÇFARË MËSOJMË NGA HANA BESNIKE

3. Si mund të na shkaktojnë ankth fjalët e të tjerëve?

3 Kur të tjerët na flasin vrazhdë ose bëjnë diçka që na lëndon, mund të ndiejmë ankth. Ndodh kështu sidomos kur ai që na lëndon, është një mik i ngushtë ose një i afërm. Ndoshta shqetësohemi se mos është prishur miqësia mes nesh. Ndonjëherë ai që na lëndon, mbase thotë fjalë të pamenduara që na duken si goditje shpate! (Prov. 12:18) Ose mund të ndodhë që dikush t’i përdorë me dashje fjalët si armë. Në këtë situatë u gjend një motër e re. Ajo thotë: «Disa vjet më parë, dikush që mendoja se e kisha mike të mirë, filloi të përhapte gënjeshtra për mua online. U lëndova dhe më pushtoi ankthi. S’arrija ta kuptoja pse po më godiste ashtu pas krahëve.» Nëse të ka lënduar një mik i ngushtë ose një i afërm, mund të mësosh shumë nga Hana.

4. Cilat probleme stresuese përballoi Hana?

4 Hana u përball me disa probleme stresuese. Për shumë vjet ajo nuk lindte fëmijë. (1 Sam. 1:2) Në kulturën izraelite, një grua që nuk bënte dot fëmijë, shihej si e mallkuar nga Perëndia. Prandaj Hana ndihej e poshtëruar. (Zan. 30:1, 2) Kishte edhe diçka që ia nxinte jetën akoma më shumë: i shoqi kishte një grua tjetër, Peninën, që lindte fëmijë. Penina e shihte Hanën si rivale dhe «e tallte pa pushim që ta lëndonte». (1 Sam. 1:6) Në fillim, Hana nuk po ia dilte ta përballonte atë situatë të rëndë. E kishte ‘shpirtin të hidhëruar’, aq sa «qante e nuk hante». (1 Sam. 1:7, 10) Si gjeti ngushëllim?

5. Si e ndihmoi lutja Hanën?

5 Hana ia zbrazi Jehovait në lutje ç’kishte në zemër. Pasi u lut, ia shpjegoi situatën e saj kryepriftit Eli, i cili i tha: «Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën!» Cili ishte rezultati? Hana «u largua, hëngri dhe nuk dukej më e dëshpëruar». (1 Sam. 1:17, 18) Lutja e ndihmoi Hanën të rifitonte paqe.

Ashtu si Hana, si mund ta rifitojmë e ta ruajmë paqen e brendshme? (Shih paragrafët 6-10)

6. Çfarë mund të mësojmë për lutjet nga Hana dhe nga Filipianëve 4:6, 7?

6 Mund të rifitojmë paqe nëse ngulmojmë në lutje. Hana foli gjerë e gjatë në lutje me Atin e saj qiellor. (1 Sam. 1:12) Edhe ne mund t’i lutemi gjerë e gjatë Jehovait për çdo ankth, frikë e dobësi që kemi. Kur lutemi, s’ka nevojë për fjali të përkryera ose për një gjuhë poetike. Madje mund të ndodhë që hidhërimin e zemrës ta shfrejmë mes ngashërimeve. Megjithatë, Jehovai nuk lodhet kurrë duke na dëgjuar. Përveçse të lutemi për problemet, kemi nevojë edhe të mbajmë parasysh këshillën e Filipianëve 4:6, 7. (Lexoje.) Pavli tha qartë se, kur lutemi, duhet edhe të falënderojmë Jehovain e t’i shprehim mirënjohjen. Kemi arsye pa fund për ta falënderuar. Mund ta falënderojmë, për shembull, për dhuratën e jetës, për veprat e krijimit, për dashurinë besnike dhe për shpresën e mrekullueshme që na ka dhënë. Po ç’mund të mësojmë tjetër nga Hana?

7. Çfarë zakoni kishin Hana dhe i shoqi?

7 Pavarësisht nga problemet e saj, Hana shkonte rregullisht me të shoqin në vendin ku adhurohej Jehovai, në Shiloh. (1 Sam. 1:1-5) Pikërisht kur ishte në tabernakull, kryeprifti Eli e inkurajoi Hanën duke i uruar nga zemra që Jehovai t’ia plotësonte lutjen.—1 Sam. 1:9, 17.

8. Si na ndihmojnë mbledhjet? Shpjegoni.

8 Mund të rifitojmë paqe nëse vazhdojmë t’i ndjekim mbledhjet. Në lutjen hapëse të mbledhjeve tona, shpesh kërkojmë që fryma e Perëndisë të jetë me ne. Paqja është pjesë e frytit të frymës. (Gal. 5:22) Kur shkojmë në mbledhje edhe pse jemi të stresuar, i japim Jehovait dhe vëllezërve e motrave mundësinë të na inkurajojnë e të na ndihmojnë të kemi paqe në mendje e në zemër. Lutjet dhe mbledhjet janë mënyra tepër të rëndësishme që përdor Jehovai për të na lehtësuar. (Hebr. 10:24, 25) Të shohim një mësim tjetër që mund të nxjerrim nga shembulli i Hanës.

9. Çfarë nuk ndryshoi në situatën e Hanës, por çfarë e ndihmoi atë?

9 Burimi i ankthit të Hanës nuk mori fund menjëherë. Pasi u kthye nga tabernakulli ku kishte adhuruar Jehovain, Hana duhej të jetonte akoma në të njëjtën shtëpi me Peninën. Dhe Bibla nuk thotë gjë se qëndrimi i Peninës kishte ndryshuar. Prandaj ka shumë gjasa që Hanës i duhej të duronte ende fjalët therëse të rivales së saj. Ama ajo e rifitoi dhe e ruajti paqen e brendshme. Ia vlen të kujtojmë se pasi i la gjërat në duart e Jehovait, Hanën nuk e brente më ankthi. Ajo e lejoi Jehovain ta ngushëllonte e ta qetësonte. Madje më vonë Jehovai e bekoi, dhe Hana u bë me fëmijë!—1 Sam. 1:19, 20; 2:21.

10. Çfarë mësojmë nga shembulli i Hanës?

10 Mund të rifitojmë paqe edhe nëse burimi i ankthit nuk merr fund. Disa probleme mund të vazhdojnë ndonëse lutemi me zjarr dhe ndjekim mbledhjet rregullisht. Por nga shembulli i Hanës mësojmë se asgjë nuk e pengon dot Jehovain të na e qetësojë zemrën e trazuar. Jehovai nuk do të na harrojë kurrë dhe herët a vonë do të na shpërblejë për besnikërinë.—Hebr. 11:6.

ÇFARË MËSOJMË NGA APOSTULLI PAVËL

11. Cilat gjëra ishin burim ankthi për Pavlin?

11 Pavli kishte plot arsye për të ndier ankth. Për shembull, ngaqë i donte vëllezërit e motrat, i rëndonin si gur në zemër problemet që kalonin. (2 Kor. 2:4; 11:28) Në caktimin si apostull, Pavli u përball me kundërshtarë që shpesh e rrahën dhe e flakën në burg. Iu desh të duronte edhe vështirësi të tjera që i shkaktonin ankth, si rastet kur kishte «pak» për të mbajtur frymën gjallë. (Filip. 4:12) Gjithashtu, deri atëherë i ishte shkatërruar të paktën tri herë anija në det, prandaj mund ta imagjinojmë sa ankth ndiente kur udhëtonte me anije. (2 Kor. 11:23-27) Çfarë e ndihmoi Pavlin ta përballonte ankthin?

12. Çfarë ia lehtësonte ankthin Pavlit?

12 Pavli ishte në ankth për vëllezërit e motrat kur u binin sprova, por nuk përpiqej t’i ndreqte vetë gjithë problemet e tyre. Pavli ishte modest. Ai u kërkonte ndihmë të tjerëve që të kujdeseshin për kongregacionet. Për shembull, u delegoi autoritet burrave të besueshëm si Timoteu dhe Titi. Ndihma që jepnin këta vëllezër, pa dyshim ia lehtësonte ankthin Pavlit.—Filip. 2:19, 20; Titit 1:1, 4, 5.

Siç na mëson shembulli i apostullit Pavël, ç’mund të bëjmë që të mos na mbytë ankthi? (Shih paragrafët 13-15)

13. Si mund ta imitojnë pleqtë Pavlin?

13 Kërkoju ndihmë të tjerëve. Ashtu si Pavli, shumë pleq të dhembshur sot ndiejnë ankth për pjesëtarët e kongregacionit që kalojnë sprova. Mirëpo një plak nuk është në gjendje t’i ndihmojë të gjithë. Modestia do ta nxitë ta ndajë ngarkesën me burra të tjerë të kualifikuar dhe të stërvitë vëllezër më të rinj, që ta ndihmojnë të kujdeset për kopenë e Perëndisë.—2 Tim. 2:2.

14. Për çfarë nuk merakosej Pavli, dhe ç’mund të mësojmë nga shembulli i tij?

14 Pranoje se ke nevojë për ngushëllim. Pavli ishte i përulur, ndaj kërkonte dhe pranonte inkurajim nga miqtë. Nuk kishte merak se mos të tjerët e shihnin si njeri të dobët nëse pranonte se i kishin dhënë zemër miqtë. Kur i shkroi Filemonit, i tha: «U gëzova dhe u ngushëllova shumë kur dëgjova për dashurinë tënde.» (Fil. 7) Pavli përmendi edhe bashkëpunëtorë të tjerë që kishin qenë burim i madh inkurajimi për të në momente të vështira. (Kolos. 4:7-11) Nëse e pranojmë me përulësi se kemi nevojë për inkurajim, vëllezërit e motrat do të na japin me kënaqësi mbështetjen e nevojshme.

15. Si gjeti lehtësim Pavli në një situatë stresuese?

15 Mbështetu te Fjala e Perëndisë. Pavli ishte i sigurt se do të gjente ngushëllim te Shkrimet. (Rom. 15:4) Ato do t’i jepnin edhe mençuri që të përballonte çdo sprovë. (2 Tim. 3:15, 16) Kur ishte i burgosur në Romë për herë të dytë, Pavli ndjeu se po i afrohej vdekja. Çfarë bëri në atë situatë stresuese? I kërkoi Timoteut të shkonte sa më shpejt tek ai dhe t’i çonte «rrotullat». (2 Tim. 4:6, 7, 9, 13) Pse? Se ka shumë të ngjarë që ato rrotulla të ishin fragmente nga Shkrimet Hebraike që mund t’i përdorte në studimin personal. Kur imitojmë Pavlin dhe e studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë, Jehovai do t’i përdorë Shkrimet për të na qetësuar zemrën, pavarësisht nga sprova që po kalojmë.

ÇFARË MËSOJMË NGA MBRETI DAVID

Ashtu si mbreti David, çfarë mund të na ndihmojë nëse bëjmë një gabim të rëndë? (Shih paragrafët 16-19)

16. Çfarë ankthi i shkaktoi vetes Davidi?

16 Davidi kishte arsye që ta brente ndërgjegjja. Ai kishte kryer kurorëshkelje me Betshebën, i kishte manovruar gjërat që burri i saj të vritej dhe për njëfarë kohe u përpoq t’i mbulonte ato krime. (2 Sam. 12:9) Në fillim Davidi e shpërfilli zërin e ndërgjegjes që e akuzonte. Si pasojë, jo vetëm dëmtoi miqësinë me Jehovain, por edhe hoqi stres të madh mendor e dhimbje fizike. (Psal. 32:3, 4) Çfarë e ndihmoi Davidin ta përballonte ankthin që i shkaktoi vetes, dhe çfarë mund të na ndihmojë edhe ne nëse bëjmë një gabim të rëndë?

17. Si del në pah pendimi i thellë i Davidit te Psalmi 51:1-4?

17 Lutju Jehovait të të falë. Si përfundim, Davidi iu lut Jehovait. Me pendim të thellë nga zemra, i tregoi gjithë mëkatet e veta. (Lexo Psalmin 51:1-4.) Sa i lehtësuar u ndie më në fund! (Psal. 32:1, 2, 4, 5) Nëse ndodh të bësh një gabim serioz, mos u përpiq ta fshehësh. Përkundrazi, tregoja hapur Jehovait në lutje atë që ke bërë. Kështu do të të lehtësohet disi ankthi që të shkaktojnë ndjenjat e fajit. Por nëse dëshiron ta ndreqësh miqësinë me Jehovain, nuk mjafton të lutesh; duhet diçka më shumë.

18. Si reagoi Davidi ndaj disiplinës?

18 Prano disiplinën. Kur Jehovai dërgoi profetin Natan për ta nxjerrë në shesh mëkatin e Davidit, Davidi nuk u justifikua e as u përpoq ta minimizonte fajin. E pranoi menjëherë se kishte mëkatuar jo vetëm kundër burrit të Betshebës por, mbi të gjitha, kundër Jehovait. Davidi e pranoi disiplinën e Jehovait, dhe Jehovai e fali. (2 Sam. 12:10-14) Nëse kemi bërë një mëkat serioz, kemi nevojë të flasim me ata që Jehovai i ka caktuar të kujdesen për ne si barinj. (Jak. 5:14, 15) Duhet edhe të luftojmë prirjen për t’u justifikuar. Sa më shpejt ta pranojmë e ta zbatojmë çfarëdo disipline që marrim, aq më shpejt do të rifitojmë paqen dhe gëzimin.

19. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

19 Ji i vendosur të mos i përsëritësh gabimet. Mbreti David e dinte se kishte nevojë për ndihmën e Jehovait që të mos i përsëriste gabimet. (Psal. 51:7, 10, 12) Pasi Jehovai e fali, Davidi ishte i vendosur t’i luftonte dëshirat dhe mendimet e gabuara. Si rrjedhojë, rifitoi paqen e brendshme.

20. Si mund ta tregojmë se e çmojmë faljen e Jehovait?

20 Tregojmë se e çmojmë faljen e Jehovait kur lutemi që ai të na falë, kur pranojmë disiplinën dhe kur përpiqemi me të gjitha forcat të mos i përsëritim gabimet. Kur bëjmë këta hapa, rifitojmë paqen e brendshme. Xhejmsi, një vëlla që bëri një mëkat të rëndë, e provoi se ndodh vërtet kështu. Ai thotë: «Kur ua tregova hapur pleqve mëkatin tim, m’u duk sikur u çlirova nga një barrë e rëndë. Fillova të ndieja sërish paqe mendore.» Sa na ngrohet zemra që «Jehovai u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që e kanë shpirtin të dërrmuar»!—Psal. 34:18.

21. Si mund ta lejojmë Jehovain të na qetësojë zemrën?

21 Sot fundi është te pragu, prandaj ka shumë mundësi të shtohen gjërat që na shkaktojnë ankth. Kur ke mendime që të futin ankth, kërko pa vonesë ndihmën e Jehovait në lutje. Studio me etje Biblën. Mëso nga shembulli i Hanës, i Pavlit dhe i Davidit. Kërkoji Atit tënd të të ndihmojë të kuptosh çfarë të shkakton ankth. (Psal. 139:23) Lejoje Jehovain të mbajë barrët që të rëndojnë në zemër, sidomos ato që i ke pak ose aspak në dorë. Atëherë do të ndihesh si psalmisti, që i këndoi Jehovait: «Kur ankthet më mbytnin, ti më ngushëlloje e më qetësoje.»—Psal. 94:19, shën.

KËNGA 4 «Jehovai është Bariu im»

^ par. 5 Hera-herës të gjithëve na zë ankthi për problemet që kalojmë. Ky artikull shqyrton shembullin e tre shërbëtorëve të Jehovait të përmendur në Bibël, që luftuan me ankthin. Gjithashtu tregon si e ngushëlloi dhe e qetësoi Jehovai secilin prej tyre.

^ par. 1 SHPJEGIMI I FJALËS: Ankthi është një ndjenjë frike ose shqetësimi. Mund të shkaktohet nga vështirësitë ekonomike, sëmundjet, problemet familjare ose telashe të tjera. Gjithashtu mund të na futin ankth gabimet e së kaluarës ose hallet që mendojmë se do të na bien në të ardhmen.