Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cilindër argjile ku gjendet emri i Belshazarit

A e dini?

A e dini?

Si e vërteton arkeologjia ekzistencën e Belshazarit dhe rolin e tij në Babiloni?

PËR shumë vjet, kritikët e Biblës pohonin se mbreti Belshazar, që përmendet në librin e Danielit, nuk ka ekzistuar kurrë. (Dan. 5:1) Mendonin kështu ngaqë arkeologët nuk gjenin dot asnjë dëshmi të ekzistencës së tij. Megjithatë, kjo ndryshoi në vitin 1854. Pse?

Atë vit, një konsull britanik që quhej Xhon Tejlër, eksploroi disa rrënoja në qytetin antik të Urit, në jug të Irakut të sotëm. Atje gjeti disa cilindra argjile në një kullë të madhe. Cilindrat, secili rreth 10 centimetra i gjatë, kanë mbishkrime kuneiforme. Një nga cilindrat përmbante një lutje që mbreti i Babilonisë, Nabonidi, dhe djali i tij i madh, Belshazari, të kishin jetë të gjatë. Edhe kritikëve iu desh ta pranonin: ky zbulim provon se Belshazari ka ekzistuar vërtet.

Megjithatë, Bibla thotë se Belshazari jo vetëm ka ekzistuar, por edhe ka qenë mbret. Edhe këtë herë, kritikët ishin skeptikë. Për shembull, shkencëtari i shekullit të 19-të Uilliam Talbot shkroi se disa pohonin që «Bel-sar-usuri [Belshazari] ishte bashkëregjent me të atin, Nabonidin. Por për këtë nuk ekziston as edhe një provë.»

Gjithsesi, kjo polemikë u zgjidh kur mbishkrimet në cilindra të tjerë argjile zbuluan se babai i Belshazarit, mbreti Nabonid, largohej nga kryeqyteti për vite të tëra. Çfarë ndodhte gjatë mungesës së tij? Një enciklopedi shpjegon: «Kur Nabonidi largohej nga vendi, ia besonte fronin dhe pjesën më të madhe të ushtrisë Belshazarit.» (Encyclopaedia Britannica) Pra, mund të thuhet se gjatë asaj periudhe, Belshazari ishte bashkëregjent i Babilonisë me Nabonidin. Ja pse arkeologu dhe gjuhëtari Alen Milard tha se ishte me vend që «Belshazari të quhej ‘mbret’ në librin e Danielit».

Pa dyshim, për shërbëtorët e Perëndisë, prova më e rëndësishme që libri i Danielit është i besueshëm dhe i frymëzuar nga Perëndia, gjendet brenda vetë Biblës.—2 Tim. 3:16.