Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 13

Kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin

Kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin

«Kini për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra.»​—1 PJET. 1:22.

KËNGA 109 Kini dashuri të zjarrtë nga zemra

PËRMBLEDHJE *

Natën e fundit me apostujt, Jezui e vuri theksin te dashuria (Shih paragrafët 1-2)

1. Cilin urdhër specifik u dha Jezui dishepujve? (Shih figurën e kopertinës.)

NATËN para se të vdiste, Jezui i urdhëroi specifikisht dishepujt: «Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin.» Pastaj shtoi: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.

2. Pse është e rëndësishme t’i tregojmë dashuri njëri-tjetrit?

2 Jezui tha se dishepujt e vërtetë do të identifikoheshin qartë nëse tregonin të njëjtën dashuri që shfaqi edhe ai. Ato fjalë janë po aq të vërteta sot, sa ç’ishin në shekullin e parë. Sa e rëndësishme është, pra, t’i kapërcejmë pengesat e t’i tregojmë dashuri njëri-tjetrit!

3. Çfarë do të shohim në këtë artikull?

3 Është e vështirë të kemi dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin ngaqë të gjithë jemi të papërsosur. Prapëseprapë, duhet të përpiqemi të imitojmë Krishtin. Në këtë artikull do të shohim si na ndihmon dashuria të jemi paqebërës, të paanshëm dhe mikpritës. Gjatë studimit, pyete veten: «Çfarë mësoj nga vëllezërit e motrat që kanë vazhduar t’i shfaqin dashuri njëri-tjetrit pavarësisht pengesave?»

JI PAQEBËRËS

4. Sipas Mateut 5:23, 24, pse duhet të bëjmë paqe me një vëlla që ka diçka kundër nesh?

4 Jezui na mësoi sa e rëndësishme është të bëjmë paqe me një vëlla që ka diçka kundër nesh. (Lexo Mateun 5:23, 24.) Ai theksoi se duhet të shkojmë mirë me njëri-tjetrin nëse duam të kënaqim Perëndinë. Jehovait i bëhet zemra mal kur përpiqemi me të gjitha forcat të bëjmë paqe me vëllezërit e motrat. Ai nuk e pranon adhurimin tonë nëse ushqejmë mëri dhe nuk duam as të marrim mundimin të bëjmë paqe.—1 Gjon. 4:20.

5. Pse e pati të vështirë një vëlla të bënte paqe?

5 Mbase na duket e vështirë të bëjmë paqe. Pse? Të shohim ç’i ndodhi Markut. * Kur një vëlla e kritikoi dhe tha ca fjalë të hidhura për të në kongregacion, Marku u lëndua. Si reagoi? Ai thotë: «M’u errën sytë e s’u përmbajta.» Mirëpo më vonë Marku u bë pishman që u soll ashtu dhe u përpoq t’i kërkonte falje vëllait e të bënte paqe. Ama vëllai nuk donte. Në fillim Marku mendoi: «E pse duhet të përpiqem unë të bëj paqe nëse ai nuk do?» Megjithatë, mbikëqyrësi qarkor e nxiti Markun të mos hiqte dorë. Çfarë bëri Marku?

6. (a) Si u përpoq vazhdimisht Marku të bënte paqe? (b) Si e zbatoi Marku Kolosianëve 3:13, 14?

6 Kur analizoi mënyrën si po arsyetonte, Marku kuptoi se nuk po tregohej i përulur e se shpesh i dukej vetja më i mirë se të tjerët. E dalloi se duhej të ndryshonte. (Kolos. 3:8, 9, 12) Me përulësi iu afrua vëllait dhe i kërkoi përsëri falje për sjelljen e tij. I shkroi edhe letra, ku i thoshte sa keq i vinte dhe se donte me gjithë shpirt të ishin prapë miq. I bëri edhe disa dhurata të vogla që mendonte se do t’i pëlqente. Po sa keq që vëllai vazhdonte të mbante mëri. Gjithsesi, Marku vazhdoi t’i bindej urdhrit të Jezuit që ta donte vëllanë e ta falte. (Lexo Kolosianëve 3:13, 14.) Edhe kur të tjerët nuk reagojnë mirë ndaj përpjekjeve tona për të bërë paqe, dashuria e vërtetë e krishterë do të na ndihmojë të vazhdojmë t’i falim e të lutemi që gjërat të ndryshojnë për mirë.—Mat. 18:21, 22; Gal. 6:9.

Duhet më shumë se një përpjekje që të shuajmë ndjenjat negative (Shih paragrafët 7-8) *

7. (a) Për çfarë na nxiti Jezui? (b) Cilën situatë të vështirë hasi një motër?

7 Jezui na nxiti të vazhdojmë t’i trajtojmë të tjerët ashtu si do të donim të na trajtonin. Ai tha edhe se nuk duhet të duam vetëm ata që na duan. (Luka 6:31-33) Por ta zëmë se dikush në kongregacion të shmang e nuk do që të të flasë, edhe pse ky rast është i pazakontë. Kjo i ndodhi Larës. Ajo thotë: «Një motër më shpërfillte dhe nuk e dija pse. Ndihesha në siklet dhe me zor shkoja në mbledhje.» Në fillim ajo mendonte: «Unë s’kam faj. Në fund të fundit edhe të tjerë në kongregacion e kanë vënë re se ajo është pak e çuditshme.»

8. Çfarë bëri Lara që të bënte paqe, dhe ç’mund të mësojmë nga eksperienca e saj?

8 Lara bëri përpjekje për të bërë paqe. Pasi iu lut Jehovait, vendosi të fliste me motrën. Të dyja folën për problemin, u përqafuan e bënë paqe. Tani çdo gjë dukej në rregull. Lara tregon: «Mirëpo më vonë motra filloi përsëri të sillej si më parë. S’dija ç’të bëja më.» Fillimisht Lara mendonte se do të ishte e lumtur vetëm nëse motra do të ndryshonte qëndrim. Gjithsesi, me kohë kuptoi se më e mira që mund të bënte, ishte të vazhdonte ta trajtonte motrën me dashuri dhe ‘ta falte bujarisht’. (Efes. 4:32–5:2) Lara i kujtoi vetes se dashuria e vërtetë e krishterë «nuk e mban llogari të keqen. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i bën ballë çdo gjëje.» (1 Kor. 13:5, 7, shën.) Tani e kishte mendjen të qetë. Pas ca kohësh, motra ishte më miqësore me të. Kur kërkon me ngulm të bësh paqe me vëllezërit e motrat dhe vazhdon t’i duash, të jesh i sigurt se «Perëndia i dashurisë dhe i paqes» do të jetë me ty.—2 Kor. 13:11.

JI I PAANSHËM

9. Sipas Veprave 10:34, 35, pse duhet të jemi të paanshëm?

9 Jehovai nuk është i anshëm. (Lexo Veprat 10:34, 35.) Kur jemi të paanshëm, tregojmë se jemi fëmijë të Perëndisë. Ne i bindemi urdhrit për të dashur të afërmin si veten dhe ruajmë paqen mes nesh.—Rom. 12:9, 10; Jak. 2:8, 9.

10-11. Si i kapërceu një motër ndjenjat negative?

10 Ama disa mund të mos e kenë të lehtë të jenë të paanshëm. Të shohim çfarë i ndodhi një motre me emrin Rutha. Kur ishte adoleshente, pati një përvojë të hidhur me dikë që vinte nga një vend tjetër. Si ndikoi tek ajo? Rutha pranon: «Urreja çdo gjë të atij vendi. Mendoja se të gjithë njerëzit nga ai vend ishin njësoj, e kështu mendoja edhe për vëllezërit e motrat.» Si i kapërceu Rutha ndjenjat negative?

11 Rutha e kuptoi se duhej të përpiqej fort të çrrënjoste mendimet negative. Ajo lexoi në Librin vjetor për atë vend dhe shtoi: «U përpoqa të mendoja pozitivisht për njerëzit e atij vendi dhe vura re se vëllezërit e motrat i shërbenin me gjithë shpirt Jehovait. E kuptova qartë se edhe ata janë pjesë e vëllazërisë sonë në mbarë botën.» Pak nga pak Rutha e kuptoi se duhej të shfaqte dashuri ndaj tyre. Ajo shpjegon: «Sa herë që takoja vëllezër e motra nga ai vend, bëja përpjekje të veçanta që të isha miqësore. Bisedoja me ta dhe fillova t’i njihja më mirë.» Si rezultat ajo thotë: «Me kohë, ndjenjat negative m’u shuan.»

Nëse kemi dashuri të zjarrtë për «gjithë vëllezërit në besim», nuk do të jemi të anshëm (Shih paragrafët 12-13) *

12. Çfarë problemi kishte një motër me emrin Sara?

12 Disa mund të jenë të anshëm pa e kuptuar fare. Sara, për shembull, mendonte se ishte e paanshme ngaqë nuk i gjykonte njerëzit nga raca, gjendja financiare apo përgjegjësitë në organizatë. Ama pranon: «Fillova të kuptoja se faktikisht mbaja anë.» Si? Ajo vinte nga një familje e arsimuar dhe preferonte të rrinte me ata që kishin të njëjtin formim. Një herë i tha një miku: «Më pëlqen të rri me ata vëllezër e motra që janë të arsimuar dhe nuk i mbaj afër ata që nuk janë.» Ishte e qartë që Sara duhej të ndryshonte qëndrim. Si?

13. Çfarë mund të mësojmë nga rasti i Sarës?

13 Një mbikëqyrës qarkor e ndihmoi Sarën të analizonte veten. Ajo thotë: «Ai më lavdëroi që shërbeja me besnikëri, bëja komente të menduara mirë dhe i njihja thellë Shkrimet. Pastaj më shpjegoi se ndërsa shtojmë njohurinë, kemi nevojë edhe të zhvillojmë cilësi të krishtere, si përulësia, modestia dhe mëshira.» Sara ua vuri veshin fjalëve të mbikëqyrësit. Ajo shton: «E kuptova se në fund të fundit më shumë rëndësi ka të jemi zemërmirë e të dashur.» Si rezultat filloi t’i shihte me sy tjetër vëllezërit e motrat. Ajo shpjegon: «U përpoqa të kuptoja çfarë cilësish kishin që Jehovai i çmonte kaq shumë.» Po ne? S’do të donim kurrë të ndiheshim më lart se të tjerët ngaqë jemi të arsimuar. Nëse kemi dashuri të zjarrtë për «gjithë vëllezërit në besim», nuk do të jemi të anshëm.—1 Pjet. 2:17.

JI MIKPRITËS

14. Sipas Hebrenjve 13:16, si ndihet Jehovai kur tregojmë mikpritje?

14 Jehovai e vlerëson jashtë mase mikpritjen. (Lexo Hebrenjve 13:16.) Ai e konsideron pjesë të adhurimit tonë, sidomos kur ndihmojmë ata që kanë nevojë. (Jak. 1:27; 2:14-17) Prandaj Shkrimet na nxitin ‘të ndjekim udhën e mikpritjes’. (Rom. 12:13) Kur jemi mikpritës, tregojmë se interesohemi vërtet për të tjerët, se i kemi për zemër dhe se duam të jemi miq me ta. Jehovai kënaqet kur i mirëpresim vëllezërit e motrat që të hanë a të pinë diçka të vogël ose kur kalojmë kohë e u kushtojmë vëmendje. (1 Pjet. 4:8-10) Mirëpo, disa gjëra mund të na e bëjnë të vështirë të tregojmë mikpritje.

«Në të kaluarën nuk isha e prirur të tregoja mikpritje, por ndryshova, e kjo më ka sjellë shumë gëzim» (Shih paragrafin 16) *

15-16. (a) Pse mund të hezitojnë disa të jenë mikpritës? (b) Çfarë e ndihmoi Editën të ishte mikpritëse?

15 Mund të hezitojmë të tregojmë mikpritje për shkak të rrethanave. Të shohim rastin e një vejushe me emrin Edita. Para se të bëhej Dëshmitare, preferonte të rrinte vetëm. Mendonte se të tjerët mund të ishin më mikpritës se ajo.

16 Pasi u bë Dëshmitare, Edita ndryshoi mendim dhe filloi të bënte përpjekje që të ishte mikpritëse. Ajo tregon: «Kur po ndërtohej Salla e re e Mbretërisë, një plak më tha se një çift po vinte që të ndihmonin me ndërtimin dhe më kërkoi nëse mund t’i strehoja për dy javë. Në atë moment m’u kujtua si e bekoi Jehovai vejushën nga Zarefati.» (1 Mbret. 17:12-16) Edita pranoi ta mikpriste çiftin. A mori bekime? Ajo shpjegon: «Dy javët u bënë dy muaj, e gjatë asaj kohe lidhëm një miqësi të ngushtë.» Jehovai e ka bekuar Editën edhe me miq të ngushtë në kongregacion. Tani ajo është pioniere dhe me kënaqësi i pret në shtëpi e i qeras me diçka të vogël vëllezërit e motrat me të cilët ka dalë në shërbim. Ajo thotë: «Ndihem mirë kur jap! E vërteta është se marr shumë bekime në këmbim.»—Hebr. 13:1, 2.

17. Çfarë kuptuan Luka dhe e shoqja?

17 Mbase tashmë jemi mikpritës, por a ka vend për përmirësim? Për shembull, Luka dhe e shoqja njihen si çift mikpritës. E kishin zakon të ftonin në shtëpi prindërit, të afërmit, miqtë e ngushtë dhe mbikëqyrësin qarkor me të shoqen. Gjithsesi, Luka thotë: «E kuptuam se po ftonim vetëm ata që ishin të afërt për ne.» Si ndryshuan Luka dhe e shoqja që të ishin më mikpritës edhe me të tjerët?

18. Si u treguan më mikpritës Luka dhe e shoqja edhe me të tjerët?

18 Luka dhe e shoqja e kuptuan çfarë do të thotë të jesh vërtet mikpritës kur menduan për fjalët e Jezuit: «Nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni?» (Mat. 5:45-47) E kuptuan se duhej të imitonin Jehovain, i cili është bujar me të gjithë. Ndaj vendosën të ftonin vëllezër e motra që nuk i kishin ftuar ndonjëherë. Luka thotë: «Tani të gjithëve na pëlqejnë shumë këto raste. Secili ndihet i inkurajuar dhe i forcuar.»

19. Si tregojmë se jemi dishepuj të Jezuit, dhe çfarë je i vendosur të bësh?

19 Kemi parë si na ndihmon dashuria e zjarrtë për njëri-tjetrin të jemi paqebërës, të paanshëm dhe mikpritës. Duhet t’i kapërcejmë ndjenjat negative dhe të kemi dashuri të zjarrtë nga zemra për vëllezërit e motrat. Nëse veprojmë kështu, do të jemi të lumtur e do të tregojmë se jemi vërtet dishepuj të Jezuit.—Gjoni 13:17, 35.

KËNGA 88 Më bëj të njoh udhët e tua

^ par. 5 Jezui tha se dashuria është shenja identifikuese e të krishterëve të vërtetë. Dashuria për vëllezërit e motrat na motivon të jemi paqebërës, të paanshëm dhe mikpritës. Kjo mund të mos jetë gjithnjë e lehtë. Në artikull jepen sugjerime praktike si të vazhdojmë të kemi dashuri të zjarrtë nga zemra për njëri-tjetrin.

^ par. 5 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Edhe pse nuk ia del që me përpjekjen e parë të zgjidhë një mosmarrëveshje, motra nuk dorëzohet. Përpjekjet e saj të pareshtura për të treguar dashuri, në fund japin rezultate të mira.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i moshuar ndihet i lënë mënjanë nga të tjerët në kongregacion.

^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër që fillimisht heziton të jetë mikpritëse, ndryshon mendim, e si rezultat ndihet më e lumtur.