Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 16

Dëgjo, kupto dhe trego dhembshuri

Dëgjo, kupto dhe trego dhembshuri

«Mos gjykoni më nga ajo që duket, por gjykoni me drejtësi.»—GJONI 7:24.

KËNGA 101 Të punojmë së bashku në unitet

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë tregon Bibla për Jehovain, dhe pse na jep zemër kjo?

A DO të kishe qejf që njerëzit të të gjykonin nga ngjyra e lëkurës, tiparet e fytyrës ose pesha? Ka shumë të ngjarë që jo. Ja pse na ngrohet zemra që Jehovai nuk na gjykon nga çfarë shohin të tjerët! Për shembull, kur Samueli pati përballë djemtë e Jeseut, nuk pa atë që shihte Jehovai. Jehovai i kishte thënë Samuelit se një nga djemtë e Jeseut do të bëhej mbreti i Izraelit. Por cili? Kur pa Eliabin, djalin e madh, Samueli tha: «Me siguri ky është i mirosuri i Jehovait.» Eliabi kishte pamje mbreti. «Por Jehovai i tha Samuelit: ‘Mos i shiko pamjen dhe shtatin e lartë, sepse unë e kam hedhur poshtë.’» Cili është mësimi? Jehovai tha më tej: «Njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh në zemër.»—1 Sam. 16:1, 6, 7.

2. Pse nuk duhet të gjykojmë nga ajo që duket, siç thuhet te Gjoni 7:24? Ilustrojeni.

2 Si njerëz të papërsosur, të gjithë kemi prirjen t’i gjykojmë të tjerët nga pamja e jashtme. (Lexo Gjonin 7:24.) Por ajo që duket, na tregon fare pak për dikë. Ta ilustrojmë: edhe një mjek i zoti e me përvojë nuk mund të mësojë gjithçka thjesht duke e parë pacientin. Ai duhet ta dëgjojë me vëmendje për të mësuar problemet shëndetësore që ka pasur, formimin emocional dhe çfarë simptomash ka. Madje mjeku mund të rekomandojë një radiografi për të parë brenda trupit të pacientit. Po të mos i bëjë këto, mund të japë diagnozën e gabuar. Po njësoj, ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht një bashkëbesimtar vetëm nga ajo që duket. Duhet të përpiqemi të shohim përtej sipërfaqes e të kuptojmë ç’lloj njeriu është. Patjetër, ne nuk mund të lexojmë zemrat, prandaj kurrë nuk do t’i kuptojmë të tjerët aq mirë sa Jehovai. Megjithatë, mund të bëjmë çmos të imitojmë Jehovain. Si?

3. Si do të na ndihmojnë ngjarjet nga Bibla në këtë artikull që të imitojmë Jehovain?

3 Si i trajton Jehovai adhuruesit e tij? Ai i dëgjon. Gjithashtu mban parasysh rrethanat e tyre dhe çdo gjë që ka ndikuar tek ata. Veç kësaj u tregon dhembshuri. Do të shohim si e bëri Jehovai këtë në rastin e Jonait, Elijas, Agarës e Lotit, dhe do të shqyrtojmë si ta imitojmë në marrëdhëniet me vëllezërit e motrat.

DËGJO ME VËMENDJE

4. Pse mund të krijonim një opinion negativ për Jonain?

4 Nga këndvështrimi ynë i kufizuar, mund ta gjykonim Jonain si njeri që nuk i zihej besë, madje si të pabindur. Jehovai i dha një urdhër të qartë që të shpallte gjykimin në Ninevi. Por në vend që të bindej, Jonai hipi në një anije që shkonte në drejtim të kundërt, «larg Jehovait». (Jon. 1:1-3) A do t’i jepje Jonait një mundësi tjetër që të përmbushte atë caktim? Ndoshta jo. Megjithatë, Jehovai dalloi disa arsye për t’i dhënë një mundësi tjetër.—Jon. 3:1, 2.

5. Çfarë mëson për Jonain kur lexon fjalët e tij te Jonai 2:1, 2, 9?

5 Në lutjen që bëri, Jonai zbuloi ç’lloj njeriu ishte në të vërtetë. (Lexo Jonain 2:1, 2, 9.) Kjo lutje—pa dyshim një nga lutjet e shumta që bëri—na ndihmon të shohim tek ai shumë më tepër se një njeri që ia mbathi nga caktimi. Fjalët e tij tregojnë se ishte i përulur, mirënjohës dhe i vendosur t’i bindej Jehovait. Nuk habitemi që Jehovai pa përtej asaj që bëri Jonai, iu përgjigj lutjes së tij dhe vazhdoi ta përdorte si profet.

Nëse përpiqemi të mësojmë faktet, mund të jemi më të dhembshur (Shih paragrafin 6) *

6. Pse ia vlejnë përpjekjet për të dëgjuar me vëmendje?

6 t’i dëgjojmë me vëmendje të tjerët, kemi nevojë të jemi të përulur dhe të duruar. Ka të paktën tri arsye pse ia vlen të përpiqemi për këtë. Së pari, do të ketë më pak të ngjarë të nxjerrim shpejt përfundime të gabuara për të tjerët. Së dyti, mund të dallojmë ndjenjat dhe motivet e vëllezërve tanë, e kjo do të na ndihmojë të jemi më të dhembshur. E së treti, mund t’i ndihmojmë të tjerët ta kuptojnë më mirë veten. Ndonjëherë nuk i kuptojmë tamam ndjenjat tona derisa i shprehim me fjalë. (Prov. 20:5) Një plak kongregacioni në Azi pranon: «Një herë gabova ngaqë fola para se të dëgjoja. I thashë një motre se duhej të bënte komente më cilësore në mbledhje. Më vonë, mora vesh se ajo nuk di të lexojë mirë dhe i duhet të bëjë shumë përpjekje për të komentuar.» Sa e rëndësishme është që çdo plak ‘të dëgjojë’ faktet para se të japë një këshillë!—Prov. 18:13.

7. Çfarë mëson nga mënyra si e trajtoi Jehovai Elijan?

7 Disa vëllezër e motra e kanë të vështirë të flasin për ndjenjat e tyre për shkak të së kaluarës, të kulturës ose të personalitetit. Si mund t’ua bëjmë më të lehtë të na hapin zemrën? Kujto si e trajtoi Jehovai Elijan kur ia mbathi nga Jezebela. U deshën shumë ditë që Elija t’i hapej plotësisht Atit të tij qiellor për ndjenjat që provonte. Jehovai e dëgjoi me vëmendje. Më pas e inkurajoi e i dha një caktim të rëndësishëm. (1 Mbret. 19:1-18) Mund të duhet kohë që vëllezërit e motrat të ndihen rehat të na hapen, por vetëm atëherë do të arrijmë të kuptojmë si ndihen vërtet. Nëse imitojmë Jehovain duke qenë të duruar, mund të fitojmë besimin e tyre. Pastaj, kur të jenë gati të na flasin për ndjenjat e tyre, duhet t’i dëgjojmë me vëmendje.

NJIHI VËLLEZËRIT E MOTRAT

8. Sipas Zanafillës 16:7-13, si e ndihmoi Jehovai Agarën?

8 Agara, shërbyesja e Sarajës, u soll në mënyrë të pamend pasi u bë gruaja e Abramit. Ajo mbeti shtatzënë dhe pas kësaj filloi ta përçmonte Sarajën, e cila nuk lindte fëmijë. Situata e përkeqësua aq shumë saqë Saraja e detyroi Agarën t’ia mbathte. (Zan. 16:4-6) Nga këndvështrimi ynë si njerëz të papërsosur, Agara mund të na dukej thjesht një grua keqdashëse, e cila mori atë që kishte hak. Por Jehovai pa më shumë tek Agara, prandaj dërgoi tek ajo engjëllin e tij. Kur e gjeti, engjëlli e ndihmoi ta ndreqte qëndrimin dhe i tregoi se Jehovai do ta bekonte. Agara e kuptoi se Jehovai e kishte parë me vëmendje dhe dinte gjithçka për situatën e saj. U prek aq shumë sa tha: ‘Ti je një Perëndi që sheh, . . . ai që më sheh.’—Lexo Zanafillën 16:7-13.

9. Çfarë mbajti parasysh Perëndia në rastin e Agarës?

9 Çfarë pa Jehovai tek Agara? Ai e njihte mirë të kaluarën e saj dhe dinte gjithçka që kishte hequr. (Prov. 15:3) Agara ishte egjiptiane dhe jetonte në një familje hebreje. A ndihej ndonjëherë e mënjanuar? A e merrte malli për familjen dhe vendin e saj? Ajo nuk ishte gruaja e vetme e Abramit. Për një periudhë, disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë kishin më shumë se një grua. Por ky nuk ishte qëllimi fillestar i Jehovait. (Mat. 19:4-6) Prandaj s’është çudi që kjo situatë shkaktonte shpesh xhelozi dhe urrejtje brenda familjes. Edhe pse Jehovai nuk e justifikoi sjelljen pa respekt të Agarës ndaj Sarajës, jemi të sigurt se tregoi konsideratë për ndjenjat dhe rrethanat e saj.

Njihi më mirë vëllezërit e motrat (Shih paragrafët 10-12) *

10. Si mund t’i njohim më mirë vëllezërit e motrat?

10 Mund ta imitojmë Jehovain duke u përpjekur të kuptojmë njëri-tjetrin. Njihi më mirë vëllezërit dhe motrat. Bisedo me ta para e pas mbledhjes, dil me ta në shërbim dhe, nëse është e mundur, ftoji të hani diçka bashkë. Kështu ndoshta do të mësosh se një motër që të dukej jomiqësore, në të vërtetë është e ndrojtur, një vëlla që e mendoje materialist, është bujar, ose një familje që shpesh vjen me vonesë në mbledhje, po has kundërshtime. (Jobi 6:29) Sigurisht, nuk duhet ‘t’i futim hundët në punët e të tjerëve’. (1 Tim. 5:13) Megjithatë, është mirë të dimë diçka për vëllezërit e motrat dhe për rrethanat që kanë ndikuar në personalitetin e tyre.

11. Pse është e rëndësishme që pleqtë t’i njohin mirë delet?

11 Pleqtë në veçanti duhet t’i njohin mirë vëllezërit e motrat që janë nën kujdesin e tyre. Të shohim shembullin e Arturit, një vëllai që shërbente si mbikëqyrës qarkor. Bashkë me një plak tjetër, i shkuan për vizitë një motre që dukej tip i ndrojtur e i mbyllur. Arturi thotë: «Gjatë bisedës mësuam se burri i saj kishte vdekur pak kohë pas martese. Me gjithë vështirësitë, ajo rriti dy vajza që e duan Jehovain dhe kanë besim të fortë. Mirëpo, tani po humbte shikimin dhe vuante nga depresioni. Prapëseprapë, kishte dashuri të thellë për Jehovain dhe besim të fortë tek ai. Kuptuam se kishim shumë për të mësuar nga shembulli i mirë i asaj motre.» (Filip. 2:3) Ai mbikëqyrës qarkor imitoi shembullin e Jehovait. Jehovai i njeh delet e tij dhe e di mirë çfarë dhimbjesh heqin. (Eks. 3:7) Pleqtë që i njohin mirë delet, e kanë më të lehtë t’i ndihmojnë.

12. Si nxori dobi një motër në Azi pasi njohu më mirë një motër tjetër në kongregacion?

12 Kur përpiqesh ta njohësh një motër a vëlla që të duket acarues, ka më shumë të ngjarë të ndiesh dhembshuri për të. Të shohim një shembull. Një motër që jeton në Azi, thotë: «Një motër në kongregacionin tim fliste me zë shumë të lartë dhe kjo më dukej sjellje pa edukatë. Por kur dola me të në shërbim, mora vesh se më parë ndihmonte prindërit për të shitur peshk në pazar. Prandaj i duhej të fliste me zë të lartë për të tërhequr blerësit.» Motra shton: «Mësova se për t’i kuptuar vëllezërit e motrat, kam nevojë t’i njoh më mirë.» Kjo kërkon përpjekje. Megjithatë, kur ndjekim këshillën e Biblës që t’i hapim plotësisht dyert e zemrës, imitojmë Jehovain, i cili ka dashuri për «njerëz të çdo lloji».—1 Tim. 2:3, 4; 2 Kor. 6:11-13.

TREGO DHEMBSHURI

13. Sipas Zanafillës 19:15, 16, çfarë bënë engjëjt kur Loti po ngurronte, dhe pse?

13 Në një pikë kritike të jetës së tij, Loti ngurroi dhe nuk iu bind menjëherë udhëzimeve të Jehovait. Dy engjëj shkuan te Loti dhe e urdhëruan ta nxirrte familjen nga Sodoma. Pse? Ata i thanë: ‘Do ta shkatërrojmë këtë vend.’ (Zan. 19:12, 13) Të nesërmen në mëngjes, Loti me familjen e tij ishin akoma në shtëpi, prandaj engjëjt e paralajmëruan përsëri. Por ai «po ngurronte». Mund ta gjykojmë Lotin si njeri indiferent, madje të pabindur. Megjithatë, Jehovai nuk hoqi dorë nga Loti. Ai «ndiente shumë dhembshuri për të», prandaj engjëjt e kapën fort për dore bashkë me familjen e tij dhe i nxorën jashtë qytetit.—Lexo Zanafillën 19:15, 16.

14. Cilat mund të ishin arsyet pse Jehovai ndjeu dhembshuri për Lotin?

14 Mund të ketë pasur disa arsye pse Jehovai ndjeu dhembshuri për Lotin. Ndoshta Loti hezitonte të ikte nga shtëpia, ngaqë u trembej njerëzve jashtë qytetit. Kishte edhe rreziqe të tjera. Loti duhej të kishte dëgjuar për dy mbretërit që kishin rënë në gropat e bitumit, ose të ziftit, në një luginë aty pranë. (Zan. 14:8-12) Si bashkëshort dhe baba, Loti duhet të ketë qenë në merak për familjen e tij. Veç kësaj, ai ishte i pasur, prandaj shtëpia e tij në Sodomë mund të ketë qenë luksoze. (Zan. 13:5, 6) Pa dyshim, asnjë nga këta faktorë nuk e justifikonte Lotin që të mos i bindej menjëherë Jehovait. Gjithsesi, Jehovai pa përtej gabimit të Lotit dhe e konsideroi si ‘njeri të drejtë’.—2 Pjet. 2:7, 8.

Kur dëgjojmë me vëmendje, mund të kuptojmë si të tregojmë dhembshuri (Shih paragrafët 15-16) *

15. Në vend që t’i shohim me sy kritik veprimet e dikujt, çfarë duhet të bëjmë?

15 Në vend që t’i shohësh me sy kritik veprimet e dikujt, bëj çmos të kuptosh si ndihet. Këtë u përpoq të bënte Veronika, një motër në Evropë. Ajo tregon: «Një motër dukej gjithnjë me humor të keq dhe vazhdimisht veçohej nga të tjerët. Ndonjëherë kisha frikë t’i flisja. Por mendova: ‘Po të isha në vend të saj, do të kisha nevojë për një shoqe.’ Prandaj vendosa ta pyesja si ndihej. Ndërsa bisedonim, nisi të më hapte zemrën. Tani e kuptoj shumë më mirë atë motër.»

16. Pse duhet të lutemi për ndihmë që të zhvillojmë empati?

16 I vetmi që na kupton plotësisht, është Jehovai. (Prov. 15:11) Prandaj lutju të të ndihmojë t’i shohësh të tjerët siç i sheh ai dhe të kuptosh si t’u tregosh dhembshuri. Lutja e ndihmoi një motër që quhet Anxhela të kishte më shumë empati. Në kongregacionin e saj, një motër e kishte të vështirë të shkonte mirë me të tjerët. Anxhela pranon: «Fare kollaj mund të kisha rënë në grackën që ta kritikoja e të mos merresha më me atë motër. Por pastaj iu luta Jehovait të më ndihmonte që të kuptoja si ndihej.» A iu përgjigj Jehovai lutjes së Anxhelës? Ajo vazhdon: «Dolëm bashkë në shërbim dhe më pas folëm për orë të tëra. E dëgjova me dhembshuri. Tani e dua më shumë dhe jam e vendosur t’i bëhem krah.»

17. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

17 Nuk duhet të mendojmë se disa vëllezër e motra e meritojnë t’u tregojmë dhembshuri nga zemra, kurse disa të tjerë jo. Të gjithë luftojnë me probleme ashtu si Jonai, Elija, Agara dhe Loti. Ka raste që problemet i kanë shkaktuar vetë. Por të themi të drejtën, të gjithë e kemi bërë këtë ndonjëherë. Ja pse është logjike që Jehovai na kërkon të tregojmë empati për njëri-tjetrin. (1 Pjet. 3:8) Kur i bindemi Jehovait, forcojmë unitetin e familjes sonë mbarëbotërore kaq të larmishme e të pashoqe. Prandaj, le të jemi të vendosur të dëgjojmë, të kuptojmë e të tregojmë dhembshuri për njëri-tjetrin.

KËNGA 87 Ejani! Freskohuni!

^ par. 5 Si njerëz të papërsosur, kemi prirjen të nxjerrim me vrap përfundime për njerëzit dhe motivet e tyre. Kurse Jehovai «sheh në zemër». (1 Sam. 16:7) Në këtë artikull do të shqyrtojmë si i trajtoi ai me dashuri Jonain, Elijan, Agarën dhe Lotin. Gjithashtu artikulli do të na ndihmojë ta imitojmë Jehovain në marrëdhëniet me vëllezërit e motrat.

^ par. 52 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla i moshuar bezdiset që një vëlla më i ri vjen me vonesë në mbledhje. Por më pas merr vesh se erdhi vonë ngaqë kishte pësuar aksident.

^ par. 54 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Mbikëqyrësi i grupit të shërbimit në fillim mendon se një motër është tip jomiqësor dhe i ftohtë. Por më vonë mëson se është thjesht e ndrojtur dhe ndihet në siklet kur ka përreth njerëz që nuk i njeh mirë.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një motër kalon kohë me një motër tjetër dhe e njeh më mirë. Kështu kupton se ajo nuk është mospërfillëse dhe me luhatje humori siç iu duk kur u takuan për herë të parë në Sallën e Mbretërisë.