Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 14

Një sulm nga veriu!

Një sulm nga veriu!

«Një komb . . . u sul kundër vendit tim.»—JOE. 1:6.

KËNGA 95 Drita shkëlqen gjithnjë e më shumë

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë metode studimi ndoqën vëlla Rasëlli dhe shokët e tij, dhe pse ishte e efektshme?

MBI një shekull më parë, vëlla Rasëlli dhe shokët e tij, një grup i vogël studentësh të Fjalës së Perëndisë, filluan të mblidheshin bashkë. Donin të shihnin nëse mund të zbulonin ç’mëson vërtet Bibla për Perëndinë Jehova, Jezu Krishtin, gjendjen e të vdekurve dhe shpërblesën. Ndoqën një metodë studimi të thjeshtë. Dikush ngrinte një pyetje, e pastaj grupi shqyrtonte çdo shkrim që lidhej me atë temë. Në fund, mbanin shënim çfarë kishin mësuar. Falë bekimit të Jehovait, ata të krishterë të sinqertë zbuluan shumë të vërteta themelore të Biblës që janë të çmuara për ne sot e kësaj dite.

2. Pse ndonjëherë mund të nxjerrim përfundimin e gabuar kur përpiqemi të kuptojmë një profeci të Biblës?

2 Mirëpo, siç e panë shpejt ata Studentë të Biblës, një gjë është të kuptosh një doktrinë bazë të Biblës, por është krejt tjetër të kuptosh saktë një profeci të Biblës. Pse? Së pari, sepse profecitë e Biblës shpesh kuptohen më mirë ndërsa po plotësohen a pasi janë plotësuar. Por ka edhe një arsye tjetër. Për ta kuptuar saktë një profeci, duhet të shqyrtojmë kontekstin. Po të përqendrohemi vetëm te një aspekt i profecisë dhe ta shpërfillim pjesën tjetër, mund të nxjerrim përfundimin e gabuar. E kur kthejmë kokën pas, duket se kështu ka ndodhur me një profeci të librit të Joelit. Le ta shqyrtojmë këtë profeci dhe të shohim pse kemi nevojë ta ndryshojmë mënyrën si e kuptojmë.

3-4. Si e kemi kuptuar deri tani profecinë që gjendet te Joeli 2:7-9?

3 Lexo Joelin 2:7-9. Joeli parathotë se një re karkalecash do të shkretojë ‘vendin’ e Izraelit. Me dhëmbë e nofulla si të luanëve, këto insekte të pangopura do të gllabërojnë gjithçka që u del para! (Joe. 1:4, 6) Për shumë vjet, kemi shpjeguar se kjo profeci zbatohet për mënyrën si e kryen aktivitetin e predikimit populli i Jehovait, si një tufë karkalecash që s’e ndal dot gjë. Mendonim se ky aktivitet ka pasoja dërrmuese te «vendi», pra te njerëzit që janë nën pushtetin e udhëheqësve fetarë. *

4 Po të lexojmë vetëm Joelin 2:7-9, ky duket se është shpjegimi i saktë. Megjithatë, kur e shqyrtojmë profecinë në kontekst, bëhet e qartë se duhet kuptuar ndryshe. Të shqyrtojmë 4 arsye pse nevojitet ky ndryshim.

KATËR ARSYE PËR NJË NDRYSHIM

5-6. Cila pyetje lind kur shqyrtojmë (a) Joelin 2:20? (b) Joelin 2:25?

5 Në radhë të parë, vër re çfarë premtoi Jehovai për vërshimin e karkalecave: ‘Do ta dëboj shumë larg jush atë që vjen nga veriu [karkalecat].’ (Joe. 2:20) Nëse karkalecat paraqesin Dëshmitarët e Jehovait që i binden urdhrit të Jezuit për të predikuar e për të bërë dishepuj, pse Jehovai do të premtonte se do t’i dëbonte? (Ezek. 33:7-9; Mat. 28:19, 20) Është e qartë se Jehovai nuk dëbon shërbëtorët e tij besnikë, por dikë ose diçka që tregon armiqësi ndaj popullit të tij.

6 Arsyen e dytë e gjejmë te Joeli 2:25, ku Jehovai thotë: «Do t’ju dëmshpërblej për atë që në këto vite ka ngrënë karkaleci migrues, karkaleci pa krahë, karkaleci i pangopur dhe karkaleci gllabërues, ushtria ime e madhe që dërgova mes jush.» Pra Jehovai premton se ‘do të dëmshpërblejë’ për dëmin që kanë shkaktuar karkalecat. Nëse karkalecat paraqesin lajmëtarët e Mbretërisë, pse do të thuhej se mesazhi që predikojnë, sjell dëme? Në të vërtetë, ky mesazh jetëshpëtues mund t’i shtyjë disa të ligj të pendohen. (Ezek. 33:8, 19) Sa bekime do t’u sjellë kjo të penduarve!

7. Çfarë kuptojmë nga fjalët «pas kësaj» te Joeli 2:28, 29?

7 Lexo Joelin 2:28, 29. Të mendojmë për një arsye të tretë—radha e ngjarjeve në profeci. A e vure re se Jehovai thotë «pas kësaj do të derdh frymën time», pra pasi karkalecat ta kenë përfunduar detyrën e caktuar? Nëse karkalecat janë lajmëtarët e Mbretërisë, pse Jehovai do ta derdhte frymën e tij mbi ta pasi ta përfundonin veprën e predikimit? Pa ndihmën e frymës së fuqishme të Perëndisë, ata s’do t’ia kishin dalë kurrë të predikonin dekada të tëra përballë kundërshtimit dhe ndalimeve ndaj veprës së tyre.

Vëlla Radhërfordi dhe shërbëtorë të tjerë të mirosur shpallën me guxim gjykimet e Perëndisë kundër këtij sistemi të lig (Shih paragrafin 8)

8. Cilët paraqesin karkalecat e përshkruar te Zbulesa 9:1-11? (Shih figurën e kopertinës.)

8 Lexo Zbulesën 9:1-11. Të shohim tani arsyen e katërt. Më parë, vërshimin e karkalecave për të cilin flet Joeli e lidhnim me veprën tonë të predikimit, sepse në librin e Zbulesës gjendet një profeci e ngjashme. Ajo flet për një re karkalecash që e kanë fytyrën si të njeriut dhe ‘mbajnë në kokë kurora si prej ari’. (Zbul. 9:7) Për pesë muaj, që është jetëgjatësia mesatare e një karkaleci, ata mundojnë «njerëzit [armiqtë e Perëndisë] që nuk kanë vulën e Perëndisë në ballë». (Zbul. 9:4, 5) Ky është vërtet një përshkrim i shërbëtorëve të mirosur të Jehovait. Ata shpallin me guxim gjykimet e Perëndisë kundër këtij sistemi të lig, e kjo u shkakton vuajtje përkrahësve të tij.

9. Cilat janë ndryshimet e rëndësishme mes karkalecave që pa Joeli dhe atyre që përshkroi Gjoni?

9 Natyrisht, mes profecisë së Zbulesës dhe asaj të Joelit ka disa ngjashmëri. Ama ka edhe ndryshime të rëndësishme. Mendo pak: në profecinë e Joelit, karkalecat e shkretojnë bimësinë. (Joe. 1:4, 6, 7) Në vegimin e Gjonit, karkalecave u thuhet ‘të mos e dëmtojnë bimësinë e tokës’. (Zbul. 9:4) Karkalecat që pa Joeli, vijnë nga veriu. (Joe. 2:20) Ata që pa Gjoni, dalin nga një humnerë. (Zbul. 9:2, 3) Karkalecat që përshkruan Joeli, dëbohen. Te Zbulesa, karkalecat nuk dëbohen, por lejohen ta përfundojnë veprën e tyre. Asgjë në Shkrime nuk tregon se Jehovai është i pakënaqur me ta.—Shih kutinë « Profecitë për karkalecat—Të ngjashme por edhe të ndryshme».

10. Jepni një shembull nga Shkrimet që tregon se karkalecat për të cilët flasin Joeli dhe Gjoni, mund të paraqesin gjëra të ndryshme.

10 Këto ndryshime të rëndësishme na ndihmojnë të nxjerrim përfundimin se dy profecitë nuk janë të lidhura. A po themi se karkalecat që pa Joeli nuk janë njësoj si karkalecat e librit të Zbulesës? Po. Në Bibël ka raste që një simbol mbart kuptime të ndryshme në kontekste të ndryshme. Për shembull, te Zbulesa 5:5, Jezui quhet «Luani nga fisi i Judës», kurse te 1 Pjetrit 5:8, Djalli përshkruhet si «një luan që ulërin». Katër pikëpyetjet që ngre mënyra si e kuptonim deri tani profecinë e Joelit, tregojnë se nevojitet një shpjegim tjetër. Cili mund të jetë shpjegimi?

CILI ËSHTË KUPTIMI?

11. Si na ndihmon Joeli 1:6 dhe 2:1, 8, 11 të kuptojmë se kë paraqesin karkalecat?

11 Kur e shqyrtojmë në kontekst profecinë e Joelit, del në pah se profeti po parathoshte një sulm ushtarak. (Joe. 1:6; 2:1, 8, 11) Jehovai tha se do të përdorte ‘ushtrinë e tij të madhe’ (ushtarët babilonas) për të ndëshkuar izraelitët rebelë. (Joe. 2:25) Është me vend të thuhet se ajo ushtri sulmuese ‘vinte nga veriu’, sepse babilonasit e sulmuan Izraelin nga veriu. (Joe. 2:20) Kjo ushtri krahasohet me një tufë karkalecash të organizuar mirë. Ja çfarë thotë për ta Joeli: «Secili [ushtar] vazhdon në udhën e vet. . . . Turren në qytet e vrapojnë mbi mur. Ngjiten nëpër shtëpi e hyjnë nga dritaret si hajdutë.» (Joe. 2:8, 9) Përfytyro skenën: ushtarët kanë mbuluar dhenë e s’ka vend ku të fshihesh. Askush nuk i shpëton dot shpatës së babilonasve!

12. Si u plotësua profecia e Joelit për karkalecat?

12 Në vitin 607 p.e.s., babilonasit (ose kaldeasit) sulmuan si karkaleca qytetin e Jerusalemit. Bibla thotë: ‘Mbretit kaldeas, i cili vrau me shpatë të rinjtë . . . nuk iu dhimbs as i riu, as virgjëresha, as i moshuari, as i dobëti. Çdo gjë [Jehovai] e dha në duart e tij. Ai dogji shtëpinë e Perëndisë së vërtetë, rrëzoi murin e Jerusalemit, dogji tërë kullat e tij të fortifikuara dhe shkatërroi gjithçka me vlerë.’ (2 Kron. 36:17, 19) Ata që e shihnin vendin pas pushtimit babilonas, thoshin: «Është një vend i shkretë pa njeri dhe pa kafshë. Ai ka rënë në duart e kaldeasve.»—Jer. 32:43.

13. Shpjegoni domethënien e Jeremisë 16:16, 18.

13 Afro 200 vjet pas profecisë së Joelit, Jehovai paratha nëpërmjet Jeremisë diçka tjetër për atë sulm. Ai tha se do të bëhej një kërkim i kujdesshëm për të gjetur izraelitët që bënin ligësi, dhe askush s’do të shpëtonte pa u kapur. «‘Ja, unë do të thërras shumë peshkatarë,—thotë Jehovai. Ata do t’i peshkojnë. Pastaj do të dërgoj shumë gjuetarë, që do t’i kërkojnë në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkrepave. . . . Unë do të kërkoj një shpagim të plotë për fajin dhe mëkatet e tyre’». As oqeanet e as pyjet nuk do t’i fshihnin dot izraelitët e papenduar nga pushtuesit babilonas.—Jer. 16:16, 18.

NJË RIPËRTËRITJE

14. Kur u përmbush Joeli 2:28, 29?

14 Tani Joeli ka një sihariq për një ripërtëritje: toka do të japë sërish fryt me bollëk. (Joe. 2:23-26) Pastaj, në të ardhmen, do të vërshojë me bollëk ushqimi besimforcues. Jehovai thotë: «Do të derdh frymën time mbi çdo njeri, dhe djemtë e vajzat tuaja do të profetizojnë. . . . Ato ditë do të derdh frymën time madje edhe mbi skllevërit e skllavet e mia.» (Joe. 2:28, 29) Fryma e Perëndisë nuk u derdh menjëherë pasi izraelitët u kthyen nga Babilonia në atdheun e tyre. Kjo ndodhi shekuj më vonë, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Nga e dimë?

15. Sipas Veprave 2:16, 17, çfarë ndryshimi bëri Pjetri te Joeli 2:28, dhe çfarë tregon kjo?

15 Nën frymëzim, apostulli Pjetër tha se Joeli 2:28, 29 zbatohej për një ngjarje mahnitëse që ndodhi në atë Festë të Ditës së Pesëdhjetë. Rreth orës 9 të mëngjesit, Perëndia derdhi frymën e tij, dhe ata që u mbushën me frymë të shenjtë, nisën të flitnin «për gjërat madhështore të Perëndisë» në gjuhë të ndryshme. (Vep. 2:11) I frymëzuar nga Jehovai, Pjetri i ndryshoi pak fjalët e profecisë së Joelit kur e citoi. A e vure re çfarë ndryshimi bëri? (Lexo Veprat 2:16, 17.) Në vend që ta fillonte citimin me fjalët «pas kësaj», Pjetri tha «në ditët e fundit». Në këtë kontekst, ai e kishte fjalën për ditët e fundit të sistemit judaik, kur fryma e Perëndisë do të derdhej «mbi çdo njeri». Kjo tregon se profecia që gjendet te Joeli 2:28, 29, u plotësua goxha kohë pas kthimit të izraelitëve nga mërgimi.

16. Si ndikoi fryma e Perëndisë te vepra e predikimit në shekullin e parë, dhe si ka ndikuar sot?

16 Pas asaj ngjarjeje mbresëlënëse në shekullin e parë kur Perëndia derdhi frymën e tij, vepra e predikimit filloi të përparonte me hapa viganë. Kur u shkroi letrën kolosianëve rreth vitit 61 të e.s., apostulli Pavël mund të thoshte se lajmi i mirë u ishte predikuar «të gjitha krijesave nën qiell». (Kolos. 1:23) Shprehja ‘gjithë krijesat’ nënkuptonte botën që njihej në kohën e Pavlit. Me ndihmën e frymës së fuqishme të Jehovait, vepra e predikimit në kohën tonë është përhapur shumë më tepër, «deri në skajet e tokës»!—Vep. 13:47; shih kutinë « Do të derdh frymën time».

ÇFARË KA NDRYSHUAR?

17. Çfarë ka ndryshuar te mënyra si e kuptojmë profecinë e Joelit për karkalecat?

17 Çfarë ka ndryshuar? Tani e kuptojmë më saktë profecinë që gjendet te Joeli 2:7-9. Me dy fjalë, këto vargje nuk flasin për aktivitetin tonë të zellshëm të predikimit, por për sulmin e ushtrisë babilonase që pushtoi Jerusalemin në vitin 607 p.e.s.

18. Çfarë nuk ka ndryshuar në lidhje me popullin e Jehovait?

18 Çfarë nuk ka ndryshuar? Populli i Jehovait vazhdon ta predikojë kudo lajmin e mirë duke përdorur lloj-lloj metodash. (Mat. 24:14) Asnjë kufizim qeveritar nuk na pengon dot të kryejmë detyrën tonë për të predikuar. Falë bekimit të Jehovait, jemi më aktivë se kurrë ndërsa predikojmë me guxim lajmin e mirë për Mbretërinë. Me përulësi, mbështetemi pareshtur te Jehovai për të kuptuar profecitë e Biblës, sepse nuk kemi fije dyshimi se ai do të vazhdojë ‘të na drejtojë të kuptojmë gjithë të vërtetën’ në kohën e duhur!—Gjoni 16:13.

KËNGA 97 Jetë na jep Fjala e Jah

^ par. 5 Prej vitesh kemi besuar se profecia në kapitujt 1 dhe 2 të Joelit parathotë aktivitetin e predikimit në kohën tonë. Por ekzistojnë 4 arsye të forta pse kemi nevojë ta ndryshojmë mënyrën si e kuptojmë këtë pjesë të profecisë së Joelit. Cilat janë këto arsye?

^ par. 3 Për shembull, shih artikullin «Krijimi shpalos mençurinë e Jehovait» në Kullën e Rojës të 15 prillit 2009, p. 14-16.