Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 20

Kush është sot «mbreti i veriut»?

Kush është sot «mbreti i veriut»?

«Do të shkojë drejt fundit të tij dhe s’do të ketë asnjë që ta ndihmojë.»—DAN. 11:45.

KËNGA 95 E vërteta ndrin gjithnjë e më shumë

PËRMBLEDHJE *

1-2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

KURRË në histori s’ka pasur kaq shumë dëshmi se po jetojmë në orët e fundit të ditëve të fundit. Së shpejti, Jehovai dhe Jezu Krishti do të shkatërrojnë të gjitha qeveritë që luftojnë kundër Mbretërisë. Para se të ndodhë kjo, mbreti i veriut dhe mbreti i jugut do të vazhdojnë luftën kundër njëri-tjetrit dhe kundër popullit të Perëndisë.

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë profecinë që gjendet te Danieli 11:40–12:1. Do të identifikojmë kush është sot mbreti i veriut dhe do të shohim pse mund t’i përballojmë me besim e zemër të qetë sprovat që kemi përpara.

SHFAQET NJË MBRET I RI I VERIUT

3-4. Kush është sot mbreti i veriut? Shpjegoni.

3 Pasi ra Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, shërbëtorët e Perëndisë në atë rajon të paanë gëzuan një periudhë lirie, ose siç thotë Danieli «pak ndihmë». (Dan. 11:34) Si rezultat, mund të predikonin lirisht, dhe s’kaloi shumë e numri i lajmëtarëve në ish-bllokun komunist arriti në qindra mijë. Gradualisht, Rusia dhe aleatët e saj u bënë mbreti i veriut. Siç e pamë në artikullin e kaluar, që të jetë mbreti i veriut ose mbreti i jugut, një qeveri duhet të bëjë tri gjëra: (1) të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te populli i Perëndisë, (2) të tregojë me veprimet e saj se është armike e Jehovait dhe e popullit të tij, dhe (3) të konkurrojë me mbretin rival.

4 Ja cilat janë arsyet pse themi që sot mbreti i veriut është Rusia dhe aleatët e saj: (1) Kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë te populli i Perëndisë, duke ndaluar veprën e predikimit dhe duke përndjekur qindra mijë vëllezër e motra në zonat nën pushtetin e tyre. (2) Këto veprime tregojnë se urrejnë Jehovain dhe popullin e tij. (3) Kanë qenë në konkurrencë me mbretin e jugut, fuqinë botërore anglo-amerikane. Le të shohim si e kanë përmbushur rolin e mbretit të veriut Rusia dhe aleatët e saj.

MBRETI I VERIUT DHE MBRETI I JUGUT VAZHDOJNË TË KACAFYTEN

5. Për cilën periudhë flet Danieli 11:40-43, dhe çfarë ndodh gjatë kësaj kohe?

5 Lexo Danielin 11:40-43. Te kjo pjesë e profecisë gjejmë një përmbledhje të kohës së fundit. Ky fragment thekson rivalitetin mes mbretit të veriut dhe mbretit të jugut. Siç paratha Danieli, në kohën e fundit, mbreti i jugut dhe mbreti i veriut ‘do të shtynin njëri-tjetrin’, ose ‘do të kacafyteshin me njëri-tjetrin’.—Dan. 11:40; shën.

6. Çfarë provash kemi se dy mbretërit kanë vazhduar të kacafyten me njëri-tjetrin?

Mbreti i veriut dhe mbreti i jugut vazhdojnë të konkurrojnë se kush do të ketë më shumë pushtet në botë. Për shembull, pas Luftës II Botërore, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij fituan pushtet mbi një pjesë të madhe të Evropës. Kjo e shtyu mbretin e jugut të formonte një aleancë ushtarake ndërkombëtare, të njohur si NATO-ja. Mbreti i veriut vazhdon të konkurrojë me mbretin e jugut në një garë armatimesh ku derdhet një lumë pará. Gjithashtu, dy mbretërit luftuan duke përkrahur armiqtë e njëri-tjetrit në luftërat dhe kryengritjet në Afrikë, Azi e Amerikën Latine. Vitet e fundit, Rusia dhe aleatët e saj e kanë shtrirë influencën e tyre anekënd globit. Ato kacafyten me mbretin e jugut edhe në një luftë kibernetike. Mbretërit e kanë akuzuar njëri-tjetrin se përdorin programe kompjuterike shkatërrimtare për të dëmtuar ekonominë dhe sistemin e tyre politik. Veç kësaj, siç paratha Danieli, mbreti i veriut vazhdon të sulmojë popullin e Perëndisë.—Dan. 11:41.

MBRETI I VERIUT HYN NË «VENDIN E STOLISË»

7. Çfarë është ‘vendi i Stolisë’?

7 Danieli 11:41 thotë se mbreti i veriut do të hyjë në «vendin e Stolisë». Çfarë është ky vend? Në kohët e lashta, Izraeli konsiderohej «më i bukuri i të gjitha vendeve». (Ezek. 20:6) Por ajo që ia shtonte vlerën mbi gjithçka, ishte fakti që aty adhurohej Perëndia i vërtetë, Jehovai. Që nga Festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s., ky «vend» nuk është një rajon i veçantë gjeografik. Nuk mund të jetë kështu, pasi shërbëtorët e Jehovait jetojnë anembanë botës. Sot ‘vendi i Stolisë’ nënkupton të gjitha aktivitetet e shërbëtorëve të Jehovait, ku përfshihet edhe adhurimi i Jehovait me anë të mbledhjeve dhe shërbimit.

8. Si ka hyrë në «vendin e Stolisë» mbreti i veriut?

8 Gjatë ditëve të fundit, mbreti i veriut ka hyrë shumë herë në «vendin e Stolisë». Për shembull, kur Gjermania naziste ishte mbreti i veriut, sidomos gjatë Luftës II Botërore, hyri në «vendin e Stolisë» duke i përndjekur e duke i vrarë shërbëtorët e Perëndisë. Pas Luftës II Botërore, kur Bashkimi Sovjetik u bë mbreti i veriut, hyri në «vendin e Stolisë» duke i përndjekur dhe internuar shërbëtorët e Perëndisë.

9. Si kanë hyrë në «vendin e Stolisë» Rusia dhe aleatët e saj vitet e fundit?

9 Vitet e fundit, edhe Rusia dhe aleatët e saj kanë hyrë në «vendin e Stolisë». Si? Në vitin 2017, ky mbret i sotëm i veriut ndaloi veprën e shërbëtorëve të Jehovait dhe burgosi disa vëllezër e motra. Gjithashtu ndaloi botimet tona, përfshirë edhe Përkthimin Bota e Re. Veç kësaj konfiskoi zyrën tonë të degës në Rusi, si edhe Salla Mbretërie e Salla Asamblesh. Pas këtyre veprimeve, në vitin 2018 Trupi Udhëheqës e identifikoi Rusinë dhe aleatët e saj si mbreti i veriut. Megjithatë, edhe kur përndiqen egërsisht, shërbëtorët e Jehovait nuk përfshihen kurrsesi në asnjë lëvizje për të përmbysur ose ndryshuar qeveritë njerëzore. Në vend të kësaj, ndjekin këshillën e Biblës që të luten «për të gjithë ata që janë në poste të larta», sidomos kur autoritetet marrin vendime që mund të ndikojnë te liria për të adhuruar Perëndinë.—1 Tim. 2:1, 2.

A DO TA ASGJËSOJË MBRETI I VERIUT MBRETIN E JUGUT?

10. A do ta asgjësojë mbreti i veriut mbretin e jugut? Shpjegoni.

10 Profecia te Danieli 11:40-45 përqendrohet kryesisht te veprimet e mbretit të veriut. A do të thotë kjo se mbreti i veriut do ta asgjësojë mbretin e jugut? Jo. Mbreti i jugut do të jetë ende «gjallë» kur Jehovai dhe Jezui të shfarosin të gjitha qeveritë njerëzore në luftën e Armagedonit. (Zbul. 19:20) Pse mund të jemi kaq të sigurt? Të shohim çfarë tregojnë profecitë e Danielit dhe të Zbulesës.

Në Armagedon, Mbretëria e Perëndisë, që krahasohet me një gur, do t’u japë fund qeverive njerëzore, të paraqitura këtu nga një shëmbëlltyrë gjigante (Shih paragrafin 11)

11. Çfarë tregon Danieli 2:43-45? (Shih figurën e kopertinës.)

11 Lexo Danielin 2:43-45. Profeti Daniel flet për një sërë qeverish njerëzore që kanë ushtruar ndikim te populli i Perëndisë. Ato përshkruhen si pjesët e një shëmbëlltyre gjigante prej metali. Këmbët e shëmbëlltyrës nga kyçet e poshtë janë prej hekuri të përzier me argjilë. Ato paraqesin qeverinë e fundit njerëzore, fuqinë botërore anglo-amerikane. Kjo profeci tregon se fuqia botërore anglo-amerikane do të jetë duke qeverisur ende kur Mbretëria e Perëndisë të godasë dhe t’i shfarosë qeveritë njerëzore.

12. Çfarë paraqet koka e shtatë e bishës, dhe pse është domethënëse kjo?

12 Edhe apostulli Gjon flet për një sërë fuqish botërore që kanë ushtruar ndikim te populli i Jehovait. Gjoni i përshkruan ato qeveri si një bishë me shtatë koka. Koka e shtatë e bishës paraqet fuqinë botërore anglo-amerikane. Kjo është domethënëse, sepse Shkrimet nuk tregojnë që bishës i del ndonjë kokë tjetër më pas. Koka e shtatë e bishës do të jetë ende në fuqi kur Krishti dhe ushtria e tij qiellore ta shfarosin me gjithë pjesën tjetër të bishës. *Zbul. 13:1, 2; 17:13, 14.

ÇFARË DO TË BËJË SË SHPEJTI MBRETI I VERIUT?

13-14. Kush është «Gogu i vendit të Magogut», dhe çfarë mund ta provokojë sulmin e tij kundër popullit të Perëndisë?

13 Një profeci që shkroi Ezekieli hedh dritë mbi atë që mund të ndodhë gjatë ditëve të fundit të mbretit të veriut dhe mbretit të jugut. Duket se profecitë tek Ezekieli 38:10-23; Danieli 2:43-45; 11:44–12:1 dhe Zbulesa 16:13-16, 21 flasin për të njëjtën periudhë dhe të njëjtat ngjarje. Nëse është kështu, mund të presim të ndodhin ngjarjet e mëposhtme.

14 Njëfarë kohe pasi të fillojë shtrëngimi i madh, «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të formojnë një koalicion kombesh. (Zbul. 16:13, 14; 19:19) Këtë koalicion Shkrimet e quajnë «Gogu i vendit të Magogut». (Ezek. 38:2) Koalicioni i kombeve do të bëjë një sulm final me të gjitha forcat kundër popullit të Perëndisë. Cila do të jetë shkëndija e atij sulmi? Duke folur për atë periudhë, apostulli Gjon pa një stuhi breshri me kokrra jashtëzakonisht të mëdha, që ranë mbi armiqtë e Perëndisë. Kjo stuhi breshri simbolike ka të ngjarë të jetë një mesazh fshikullues gjykimi që mund të predikojë populli i Jehovait. Ka mundësi që ky mesazh ta provokojë Gogun e Magogut të sulmojë popullin e Perëndisë me synimin që ta fshijë nga faqja e dheut.—Zbul. 16:21.

15-16. (a) Për cilat ngjarje mund të bëhet fjalë te Danieli 11:44, 45? (b) Çfarë do të ndodhë me mbretin e veriut dhe pjesën tjetër të Gogut të Magogut?

15 Ka të ngjarë që pikërisht për këtë mesazh fshikullues dhe për sulmin final nga armiqtë e Perëndisë, flet edhe Danieli 11:44, 45. (Lexoje.) Këtu Danieli thotë se mbretin e veriut do ta turbullojnë ‘lajme nga lindja dhe nga veriu’ dhe ai do të dalë me «tërbim të madh». Mbreti i veriut do të ketë si synim «të shfarosë shumë veta». Duket se ata «shumë veta» janë shërbëtorët e Jehovait. * Ka mundësi që këtu Danieli flet për sulmin final me të gjitha forcat kundër popullit të Perëndisë.

16 Ky sulm i mbretit të veriut, bashkë me gjithë qeveritë e tjera të botës, do të ndezë zemërimin e të Plotfuqishmit, e kështu do të shpërthejë lufta e Armagedonit. (Zbul. 16:14, 16) Atëherë mbreti i veriut, së bashku me kombet e tjera që përbëjnë Gogun e Magogut, do të marrë fund e s’do të ketë «asnjë që ta ndihmojë».—Dan. 11:45.

Në luftën e Armagedonit, Jezu Krishti dhe ushtria e tij qiellore do të shkatërrojnë botën e ligë të Satanait dhe do të shpëtojnë shërbëtorët e Perëndisë (Shih paragrafin 17)

17. (a) Kush është Mikaeli, «princi i madh», që përmendet te Danieli 12:1? (b) Çfarë bën sot dhe ç’do të bëjë së shpejti ai?

17 Vargu vijues në librin e Danielit jep më shumë hollësi se si do të marrë fund mbreti i veriut bashkë me aleatët e tij dhe si do të shpëtojmë ne. (Lexo Danielin 12:1.) Çfarë kuptimi ka ky varg? Mikael është një emër tjetër i Mbretit tonë që po qeveris, Krishtit Jezu. Ai ‘ka vepruar në dobi’ të popullit të Perëndisë që nga viti 1914, kur filloi të qeveriste në qiell Mbretëria. Së shpejti ai «do të ngrihet», ose do të veprojë për të shfarosur armiqtë e tij, në luftën e Armagedonit. Ajo luftë do të jetë ngjarja finale në periudhën që Danieli e quan «një kohë vuajtjesh» që s’ka të dytë në histori. Në profecinë që shkroi Gjoni te Zbulesa, periudha që përfundon me atë luftë quhet «shtrëngimi i madh».—Zbul. 6:2; 7:14.

A DO TA KESH EMRIN «TË SHKRUAR NË LIBËR»?

18. Pse mund ta presim të ardhmen me besim e zemër të qetë?

18 Mund ta presim të ardhmen me besim e zemër të qetë, sepse edhe Danieli edhe Gjoni na sigurojnë se Jehovai e Jezui do t’i shpëtojnë shërbëtorët e tyre gjatë asaj kohe vuajtjesh të pakrahasueshme. Danieli thotë se do të shpëtojnë ata që e kanë emrin «të shkruar në libër». (Dan. 12:1) Ç’mund të bëjmë që emri ynë të jetë në atë libër? Duhet të tregojmë qartë se kemi besim te Jezui, Qengji i Perëndisë. (Gjoni 1:29) Është e nevojshme të pagëzohemi në simbol të kushtimit ndaj Perëndisë. (1 Pjet. 3:21) Gjithashtu duhet të mbështetim Mbretërinë e Perëndisë duke bërë më të mirën që t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë për Jehovain.

19. Çfarë duhet të bëjmë tani, dhe pse?

19 Tani është koha të forcojmë besimin te Jehovai dhe tek organizata e tij. Tani është koha të mbështetim Mbretërinë e Perëndisë. Nëse veprojmë kështu, do të shpëtojmë kur Mbretëria e Perëndisë të shfarosë mbretin e veriut dhe mbretin e jugut.

KËNGA 149 Kënga e ngadhënjimit

^ par. 5 Kush është sot «mbreti i veriut» dhe si do të marrë fund? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të na forcojë besimin dhe të na ndihmojë të përgatitemi për sprovat që do të përballojmë së shpejti.

^ par. 15 Për më shumë informacione, shih Kullën e Rojës të 15 majit 2015, f. 29-30.