Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 21

A je mirënjohës për dhuratat e Perëndisë?

A je mirënjohës për dhuratat e Perëndisë?

«Sa të shumta janë gjërat që ke bërë, o Jehova, Perëndia im! Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! Sa shumë ke menduar për ne!»—PSAL. 40:5.

KËNGA 5 Veprat mahnitëse të Jehovait

PËRMBLEDHJE *

1-2. Sipas Psalmit 40:5, çfarë dhuratash na ka bërë Jehovai, dhe pse do të ndalemi tek ato?

JEHOVAI është Perëndi bujar. Mendo për disa nga dhuratat që na ka bërë: shtëpia jonë e bukur dhe unike, toka; truri ynë i projektuar në mënyrë të mrekullueshme; dhe Fjala e tij e vyer, Bibla. Me anë të këtyre tri dhuratave, Jehovai na ka dhënë një vend ku të jetojmë, aftësinë që të mendojmë e të komunikojmë dhe përgjigje për pyetjet më të rëndësishme që mund të na lindin.—Lexo Psalmin 40:5.

2 Në këtë artikull do të flasim shkurtimisht për këto tri dhurata. Sa më shumë të meditojmë për to, aq më shumë do t’i çmojmë dhe aq më fort do të dëshirojmë ta kënaqim Krijuesin tonë të dashur, Jehovain. (Zbul. 4:11) Gjithashtu do të jemi më të aftë të arsyetojmë me ata që janë mashtruar nga doktrina e rreme e evolucionit.

PLANETI YNË UNIK

3. Pse është unike toka?

3 Mençuria e Perëndisë shihet qartë te mënyra si ka ndërtuar shtëpinë tonë, tokën. (Rom. 1:20; Hebr. 3:4) Planeti ynë nuk është i vetmi që rrotullohet rreth diellit, ama është unik sepse ka të gjitha kushtet e duhura për të jetuar njeriu.

4. Pse themi që toka është më e mirë se çdo anije e ndërtuar nga njeriu?

4 Në disa aspekte, toka jonë mes universit është si një anije që lundron në një oqean të paanë. Por ka edhe ndryshime thelbësore mes një anijeje të ndërtuar nga njeriu, plot me pasagjerë, dhe planetit tonë. Për shembull, sa kohë do të mbijetonin njerëzit në një anije, nëse do t’u duhej ta prodhonin vetë oksigjenin, ushqimin e ujin, dhe nëse nuk mund t’i hidhnin jashtë mbeturinat? S’do të kalonte shumë e ata pasagjerë do të vdisnin. Krejt ndryshe, toka mban në jetë miliarda krijesa. Ajo prodhon të gjithë oksigjenin, ushqimin dhe ujin që na nevojitet, e ne nuk mbetemi kurrë pa këto gjëra jetësore. Mbeturinat nuk hidhen jashtë planetit, e prapëseprapë toka mbetet e bukur dhe e banueshme. Si ka mundësi? Jehovai e ka projektuar tokën me aftësinë për t’i ricikluar të mirat e natyrës. Do t’u hedhim një sy dy cikleve të projektuara në mënyrë gjeniale: ciklit të oksigjenit dhe ciklit të ujit.

5. Çfarë është cikli i oksigjenit, dhe çfarë vërteton ai?

5 Oksigjeni është një gaz jetik për disa krijesa, ku përfshihet edhe njeriu. Këto krijesa të gjalla thithin rreth 100 miliardë ton oksigjen në vit dhe nxjerrin dyoksid karboni. Megjithatë, ato nuk e harxhojnë kurrë të gjithë oksigjenin, dhe atmosfera nuk mbingarkohet asnjëherë me «mbeturina», ose me dyoksid karboni. Pse? Sepse Jehovai bëri edhe krijesa të tjera—që nga pemët gjigante e deri tek algat e vogla—që thithin dyoksid karboni e nxjerrin oksigjen. Cikli i oksigjenit vërteton në kuptim të mirëfilltë atë që thuhet te Veprat 17:24, 25: ‘Perëndia u jep të gjithëve jetë dhe frymë.’

6. Çfarë është cikli i ujit, dhe çfarë tregon ai për Jehovain? (Shih edhe kutinë « Cikli i ujit—Dhuratë e Jehovait».)

6 Uji ekziston në formë të lëngët në tokë, ngaqë planeti ynë ndodhet fiks në largësinë e duhur nga dielli. Nëse do të ishte pakëz më afër, i gjithë uji do të avullonte, dhe toka do të bëhej një vend i zhuritur e pa jetë. Nëse do të ishte pakëz më larg diellit, i gjithë uji do të ngrinte, dhe toka do të bëhej një glob gjigant prej akulli. Por, ngaqë Jehovai e ka vendosur tokën në pozicionin ideal, cikli i ujit bën të mundur që në tokë të ketë jetë. Dielli ngroh ujin në oqeane, liqene e lumenj, dhe nga avulli i formuar krijohen retë. Çdo vit, nga nxehtësia e diellit avullojnë gati 500.000 kilometra kub ujë. Ky ujë qëndron në atmosferë afro dhjetë ditë e pastaj bie në formën e shiut ose të borës. Në fund, uji kthehet në oqeane, liqene e lumenj dhe cikli përsëritet nga e para. Ky cikël që funksionon për bukuri e nuk dëmton ambientin, tregon se Jehovai është i mençur e i fuqishëm.—Jobi 36:27, 28; Ekl. 1:7.

7. Cilat janë disa mënyra si të tregojmë çmueshmëri për dhuratën që përmendet te Psalmi 115:16?

7 Si mund ta thellojmë çmueshmërinë për planetin tonë të mrekullueshëm dhe gjithë të mirat që ka? (Lexo Psalmin 115:16) Një mënyrë është duke medituar për gjërat që ka bërë Jehovai. Kjo do të na motivojë t’ia shprehim mirënjohjen çdo ditë për të mirat që na ka dhënë. Veç kësaj, tregojmë se e çmojmë tokën duke e mbajtur sa më pastër ambientin ku jetojmë.

TRURI YNË UNIK

8. Pse themi që truri ynë është projektuar në mënyrë të mahnitshme?

8 Truri i njeriut është projektuar në mënyrë të mahnitshme. Kur ishim në bark të nënës, truri ynë u zhvillua sipas një plani të përcaktuar mirë, dhe çdo minutë formoheshin qindra mijë qeliza të reja nervore. Sipas studiuesve, truri i një të rrituri përmban gati 100 miliardë qeliza që quhen neurone. Këto qeliza janë sistemuar me efektshmëri në një «pako» që peshon afro 1 kilogram e gjysmë. Të shqyrtojmë vetëm disa nga aftësitë mbresëlënëse të trurit.

9. Çfarë provash ke se aftësia jonë për të folur është dhuratë nga Perëndia?

9 Aftësia jonë për të folur është një mrekulli. Mendo pak çfarë ndodh kur flasim. Për çdo fjalë që themi, trurit i duhet të koordinojë lëvizjen e rreth 100 muskujve në gjuhë, grykë, buzë, nofull dhe kraharor. Që fjalët të kuptohen, të gjithë këta muskuj duhet të lëvizin sipas një radhe precize. Për sa i përket aftësisë për të folur një gjuhë, një studim i botuar në vitin 2019 tregoi se foshnjat e sapolindura mund të njohin fjalë të veçanta dhe të reagojnë ndaj tyre. Kjo mbështet atë që besojnë shumë studiues—ne lindim me aftësinë që të dallojmë një gjuhë e ta mësojmë. Pa dyshim, aftësia jonë për të folur është dhuratë nga Perëndia.—Eks. 4:11.

10. Si mund ta tregojmë se e çmojmë aftësinë për të folur, që është dhuratë nga Perëndia?

10 Si mund ta tregojmë se e çmojmë dhuratën e të folurit? Një mënyrë është duke u shpjeguar atyre që përkrahin evolucionin pse ne besojmë që gjithçka e ka krijuar Perëndia. (Psal. 9:1; 1 Pjet. 3:15) Ata që përkrahin doktrinën e evolucionit duan të na mbushin mendjen se toka dhe jeta në të kanë ardhur rastësisht. Me anë të Biblës dhe disa pikave nga ky artikull, mund të flasim në mbrojtje të Atit tonë dhe t’u shpjegojmë atyre që na dëgjojnë pse jemi të bindur se Jehovai është Krijuesi i qiellit dhe i tokës.—Psal. 102:25; Isa. 40:25, 26.

11. Në cilin aspekt është i mahnitshëm truri ynë?

11 Aftësia jonë për të kujtuar të lë pa fjalë. Vite më parë, një shkencëtar llogariti se truri i njeriut ka aftësinë për të kujtuar aq informacion sa të mbushen 20 milion libra. Megjithatë, tani mendohet se kujtesa jonë ka një kapacitet shumë më të madh. Cilën aftësi tjetër unike kemi falë kujtesës?

12. Pse na dallon nga kafshët aftësia jonë për të nxjerrë mësime morale?

12 Nga të gjitha krijesat në tokë, vetëm njeriu ka aftësinë për të nxjerrë mësime morale duke kujtuar dhe analizuar ngjarjet e së shkuarës. Si pasojë, mund të mësojmë standarde më të larta dhe të ndryshojmë mënyrën si mendojmë e jetojmë. (1 Kor. 6:9-11; Kolos. 3:9, 10) Në fakt, ne mund ta stërvisim ndërgjegjen që të dallojë ndryshimin mes të drejtës dhe të gabuarës. (Hebr. 5:14) Mund të mësojmë të shfaqim dashuri, dhembshuri dhe mëshirë. Gjithashtu mund të mësojmë të imitojmë drejtësinë e Jehovait.

13. Në harmoni me Psalmin 77:11, 12, si duhet ta përdorim dhuratën e kujtesës?

13 Një mënyrë si e tregojmë se e çmojmë dhuratën e kujtesës është duke zgjedhur të kujtojmë të gjitha rastet kur Jehovai na ka ndihmuar dhe na ka dhënë zemër në të kaluarën. Kjo do të na forcojë sigurinë se ai do të na ndihmojë edhe në të ardhmen. (Lexo Psalmin 77:11, 12; 78:4, 7) Një mënyrë tjetër është duke kujtuar të mirat që bëjnë të tjerët për ne dhe duke qenë mirënjohës për to. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit mirënjohës ka më shumë të ngjarë të jenë të lumtur. Veç kësaj, bëjmë mirë të imitojmë Jehovain duke zgjedhur të harrojmë disa gjëra. Për shembull, Jehovai ka një kujtesë të përsosur, ama ai zgjedh t’i falë e t’i harrojë gabimet tona nëse pendohemi. (Psal. 25:7; 130:3, 4) Ai dëshiron të bëjmë të njëjtën gjë me të tjerët kur gabojnë ndaj nesh e na lëndojnë.—Mat. 6:14; Luka 17:3, 4.

Tregojmë çmueshmëri për trurin, që është dhuratë nga Jehovai, duke e përdorur për t’i dhënë lavdi atij (Shih paragrafin 14) *

14. Si mund të tregojmë çmueshmëri për trurin, këtë dhuratë të mrekullueshme?

14 Mund ta tregojmë çmueshmërinë për trurin, këtë dhuratë të mrekullueshme, duke e përdorur për t’i dhënë lavdi Atij që na e dha. Disa zgjedhin ta përdorin trurin për qëllime egoiste—t’i vendosin vetë standardet për të drejtën dhe të gabuarën. Por ai që na ka krijuar është Jehovai, prandaj është e arsyeshme të presim që standardet e tij të jenë më të mira se çdo standard që mund të vëmë ne vetë. (Rom. 12:1, 2) Kur jetojmë sipas standardeve të tij, gëzojmë paqe në jetë. (Isa. 48:17, 18) Gjithashtu kuptojmë qartë cili është qëllimi i jetës—t’i japim lavdi Krijuesit dhe ta bëjmë krenar Atin tonë.—Prov. 27:11.

BIBLA—NJË DHURATË UNIKE

15. Si e pasqyron Bibla, kjo dhuratë nga Jehovai, dashurinë e tij për njerëzit?

15 Bibla është një dhuratë e dashur nga Perëndia. Ati ynë qiellor frymëzoi njerëz që ta shkruanin, sepse ka merak të thellë për fëmijët e tij në tokë. Me anë të Biblës, Jehovai u përgjigjet pyetjeve më të rëndësishme që mund të kemi, si për shembull: Si erdhëm në ekzistencë? Cili është qëllimi i jetës? Si do të jetë e ardhmja? Jehovai do që të gjithë fëmijët e tij të mësojnë përgjigjet e këtyre pyetjeve, prandaj ndër shekuj ka nxitur njerëz që ta përkthejnë Biblën në shumë gjuhë. Sot, e gjithë Bibla ose pjesë të saj janë përkthyer në mbi 3.000 gjuhë! Bibla është libri më i përkthyer e më i përhapur në gjithë historinë njerëzore. Pavarësisht nga vendi ku jetojnë a nga gjuha që flasin, shumica e njerëzve kanë mundësi ta mësojnë mesazhin e Biblës në gjuhën amtare.—Shih kutinë « Bibla në gjuhët afrikane».

16. Sipas Mateut 28:19, 20, si mund ta tregojmë se e çmojmë Biblën?

16 Tregojmë se e çmojmë Biblën duke e lexuar çdo ditë, duke medituar për atë që na mëson dhe duke bërë çmos ta zbatojmë. Veç kësaj, ia shprehim mirënjohjen Perëndisë duke bërë më të mirën që t’ua tregojmë sa më shumë njerëzve mesazhin e Biblës.—Psal. 1:1-3; Mat. 24:14; lexo Mateun 28:19, 20.

17. Për cilat dhurata kemi folur në këtë artikull, dhe çfarë do të diskutojmë në artikullin tjetër?

17 Në këtë artikull, kemi folur për tri dhurata të Perëndisë: shtëpia jonë, toka; truri ynë i projektuar në mënyrë të mrekullueshme; dhe Fjala e tij e frymëzuar, Bibla. Por Jehovai na ka bërë edhe dhurata të tjera që nuk shihen. Për këto thesare të padukshme do të diskutojmë në artikullin tjetër.

KËNGA 12 Jehova, Atë i përkryer

^ par. 5 Ky artikull do të na thellojë çmueshmërinë për Jehovain dhe për tri dhurata që na ka bërë. Gjithashtu do të na ndihmojë të arsyetojmë me ata që dyshojnë se ka Perëndi.

^ par. 64 Përshkrimi i figurës: Një motër mëson një gjuhë të huaj që t’u shpjegojë emigrantëve të vërtetat e Fjalës së Perëndisë.