Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A janë cilësitë e renditura te Galatasve 5:22, 23 të vetmet aspekte të ‘frytit të frymës’?

Këto vargje renditin nëntë cilësi të krishtere: «Fryti i frymës së shenjtë është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, zemërmirësia, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.» Por këto nuk janë të vetmet cilësi të bukura që na ndihmon të zhvillojmë fryma e Perëndisë.

Vër re çfarë shkroi apostulli Pavël në vargjet pararendëse: «Veprat e trupit mëkatar . . . janë: imoraliteti seksual, ndyrësia, sjellja e pacipë, idhujtaria, spiritizmi, armiqësitë, grindjet, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, konfliktet, përçarjet, sektet, zilia, dehja, festat e shfrenuara dhe gjëra si këto.» (Gal. 5:19-21) Pra, Pavli mund të kishte renditur edhe gjëra të tjera ndër «veprat e trupit mëkatar», si ato që përmenden te Kolosianëve 3:5. Në mënyrë të ngjashme, pasi renditi nëntë cilësi të mira, ai tha: «Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.» Në gjuhën origjinale, shprehja «këtyre gjërave» mund të ketë edhe kuptimin «gjërave të tilla». Pra, Pavli nuk po përpiqej të rendiste të gjitha cilësitë e bukura që mund të zhvillojmë me ndihmën e frymës së shenjtë.

Kjo shihet qartë kur krahasojmë këtë listë me atë që i shkroi Pavli kongregacionit në Efes: «Fryti i dritës përbëhet nga çdo lloj mirësie, drejtësie dhe të vërtete.» (Efes. 5:8, 9) Pra, «mirësia» është pjesë e ‘frytit të dritës’ bashkë me drejtësinë dhe të vërtetën, por ajo është edhe aspekt i ‘frytit të frymës’.

Po njësoj, Pavli e nxiti Timoteun të ‘kërkonte me ngulm drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë’—gjashtë cilësi të shkëlqyera. (1 Tim. 6:11) Vetëm tri prej tyre (besimi, dashuria dhe butësia) përmenden si aspekte të ‘frytit të frymës’. Megjithatë, Timoteut do t’i nevojitej ndihma e frymës së shenjtë për të zhvilluar edhe cilësitë e tjera që përmenden: drejtësia, përkushtimi ndaj Perëndisë dhe qëndrueshmëria.—Krahaso Kolosianëve 3:12; 2 Pjetrit 1:5-7.

Kështu, te Galatasve 5:22, 23 nuk jepet një listë e plotë e cilësive të krishtere. Fryma e Perëndisë mund të na ndihmojë të zhvillojmë nëntë aspektet e renditura si «fryti i frymës». Por ka edhe cilësi të tjera që duhet të zhvillojmë ndërsa bëhemi të krishterë më të pjekur dhe ‘veshim personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’.—Efes. 4:24.