Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 28

Ji i bindur se ke të vërtetën

Ji i bindur se ke të vërtetën

«Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje.»—2 TIM. 3:14.

KËNGA 56 Jetoje të vërtetën

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë nënkuptojmë kur themi «e vërteta»?

«SI E MORE të vërtetën?» «A je rritur në të vërtetën?» «Sa kohë ke në të vërtetën?» Ndoshta të kanë bërë pyetje të tilla a mbase ua ke bërë ti të tjerëve. Çfarë nënkuptojmë kur themi «e vërteta»? Zakonisht e kemi fjalën për bindjet tona, mënyrën si e adhurojmë Perëndinë dhe mënyrën si jetojmë. Ata që janë «në të vërtetën» e dinë çfarë mëson Bibla dhe jetojnë sipas parimeve të saj. Si rezultat, janë çliruar nga gënjeshtrat fetare dhe gëzojnë jetën më të lumtur që mund të bëjë sot një njeri i papërsosur.—Gjoni 8:32.

2. Sipas Gjonit 13:34, 35, çfarë mund ta tërheqë në fillim dikë drejt së vërtetës?

2 Çfarë të tërhoqi në fillim tek e vërteta? Ndoshta ishte sjellja e mirë e shërbëtorëve të Jehovait. (1 Pjet. 2:12) A mbase ishte dashuria që tregonin. Shumë vetave u ra në sy kjo në mbledhjen e parë që ndoqën, dhe mbi gjithçka tjetër që u tha në atë mbledhje, u la gjurmë të pashlyeshme në zemër ajo dashuri. Kjo nuk na habit sepse Jezui tha se dishepujt e tij do t’i dallonte dashuria për njëri-tjetrin. (Lexo Gjonin 13:34, 35.) Ama dashuria që vërejmë mes popullit të Perëndisë nuk mjafton për të pasur besim të fortë.

3. Ç’mund të ndodhë nëse besimi ynë bazohet vetëm te dashuria e krishterë që tregojnë vëllezërit e motrat?

3 Themeli i besimit tonë nuk duhet të jetë thjesht dashuria e krishterë që shfaqin shërbëtorët e Perëndisë. Pse? Ta zëmë se një bashkëbesimtar—ndoshta edhe një plak a një pionier—bën një mëkat serioz. Ose ndodh që një vëlla a një motër të lëndon në ndonjë mënyrë. Ose dikush bëhet apostat dhe pohon me forcë se ne nuk kemi të vërtetën. A do ta rrënojnë besimin tënd gjëra të tilla dhe a do të të shtyjnë të mos i shërbesh më Jehovait? Mësimi është ky: po ta bazosh besimin vetëm te mënyra si veprojnë të tjerët dhe jo te marrëdhënia me Jehovain, besimi yt nuk do të ketë themele të forta. Shtëpinë tënde të besimit duhet ta ndërtosh jo vetëm me materiale të buta si ndjenjat dhe emocionet, por edhe me logjikë të fortë e fakte bindëse. Duhet të sigurohesh se Bibla përmban të vërtetën për Jehovain.—Rom. 12:2.

4. Sipas Mateut 13:3-6, 20, 21, si reagojnë disa kur u sprovohet besimi?

4 Jezui tha se disa do ta pranonin të vërtetën «me gëzim», por kur të hasnin sprova, besimi i tyre do të venitej. (Lexo Mateun 13:3-6, 20, 21.) Mbase nuk e kishin kuptuar se të jesh dishepull i Jezuit përfshin sfida dhe vështirësi. (Mat. 16:24) Ose ndoshta mendonin se të jesh i krishterë do të thotë ta kesh jetën fushë me lule—një jetë pa probleme, vetëm me bekime. Por në këtë botë të papërsosur, vështirësitë janë të pashmangshme. Rrethanat mund të ndryshojnë dhe mund të na e zbehin për ca kohë gëzimin.—Psal. 6:6; Ekl. 9:11.

5. Ç’gjë tregon se shumica e vëllezërve dhe motrave janë të bindur që kanë të vërtetën?

5 Shumica e vëllezërve dhe motrave sot po tregojnë se janë të bindur që kanë të vërtetën. Në ç’mënyrë? Bindja e tyre nuk luhatet as kur një bashkëbesimtar i lëndon ose jeton në një mënyrë që bie ndesh me parimet e Biblës. (Psal. 119:165) Në çdo sprovë, besimi i tyre bëhet më i fortë, jo më i dobët. (Jak. 1:2-4) Si mund të zhvillosh edhe ti një besim kaq të fortë?

FITO «NJOHURINË E SAKTË TË PERËNDISË»

6. Ku e bazonin besimin e tyre dishepujt e shekullit të parë?

6 Dishepujt e shekullit të parë e bazonin besimin te njohuria nga Shkrimet dhe mësimet e Jezu Krishtit, pra tek ‘e vërteta e lajmit të mirë’. (Gal. 2:5) Kjo e vërtetë përbëhet nga të gjitha mësimet e krishtere, ku përfshihen edhe faktet që lidhen me flijimin shpërblyes të Jezuit dhe ringjalljen e tij. Apostulli Pavël ishte i bindur se këto mësime janë të vërteta. Nga e dimë këtë? Sepse ai provonte «me pjesë nga shkrimet se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit». (Vep. 17:2, 3) Dishepujt e shekullit të parë i pranonin ato mësime dhe mbështeteshin te ndihma e frymës së shenjtë për të kuptuar Fjalën e Perëndisë. Bënin kërkime që të siguroheshin se ato mësime bazoheshin te Shkrimet. (Vep. 17:11, 12; Hebr. 5:14) Nuk e ndërtonin besimin vetëm mbi ndjenjat dhe emocionet, e as i shërbenin Jehovait thjesht ngaqë ndiheshin mirë kur shoqëroheshin me bashkëbesimtarët. Përkundrazi, e ndërtonin besimin mbi themelin e ‘njohurisë së saktë të Perëndisë’.—Kolos. 1:9, 10.

7. Si do të na ndihmojë besimi i fortë te të vërtetat e Biblës?

7 Të vërtetat e Fjalës së Perëndisë mbeten përherë të pandryshueshme. (Psal. 119:160) Për shembull, ato nuk ndryshojnë nëse një bashkëbesimtar na ofendon ose bën një mëkat serioz. Nuk ndryshojnë as kur kalojmë vështirësi. Prandaj kemi nevojë t’i njohim thellë mësimet e Biblës dhe të bindemi se janë të vërteta. Besimi i fortë që bazohet te të vërtetat e Biblës do të na mbajë të palëkundur në kohë të vështira, ashtu si spiranca që mban të palëkundur një anije gjatë një stuhie të egër. Si ta forcosh bindjen se ke të vërtetën?

SIGUROHU PËR TË VËRTETAT QË BESON

8. Siç tregon 2 Timoteut 3:14, 15, si u bind Timoteu se kishte të vërtetën?

Timoteu ishte i bindur se kishte të vërtetën. Si arriti në atë përfundim? (Lexo 2 Timoteut 3:14, 15.) Mamaja dhe gjyshja ishin të parat që i mësuan Timoteut «shkrimet e shenjta». Por, patjetër, edhe vetë Timoteu harxhoi kohë dhe energji për t’i studiuar ato shkrime. Si rezultat, ‘u bind’ se ato përmbanin të vërtetën. Më vonë, Timoteu, mamaja dhe gjyshja e tij njohën mësimet e krishtere. Timoteut pa dyshim i la mbresë dashuria që tregonin dishepujt e Jezuit. Ai donte me gjithë zemër të shoqërohej me vëllezërit e motrat dhe të kujdesej për ta. (Filip. 2:19, 20) Megjithatë, besimi i tij nuk bazohej te ndjenjat për të tjerët, por te të vërtetat e Fjalës së Jehovait, që e afronin më shumë me Të. Edhe ti duhet të përdorësh logjikën për të arsyetuar rreth të vërtetave që mëson për Jehovain nga studimi i Shkrimeve.

9. Për cilat të vërteta themelore duhet të sigurohesh?

9 Në fillim, ke nevojë të sigurohesh të paktën për tri të vërteta themelore. Së pari, duhet të bindesh se Perëndia Jehova është Krijuesi i gjithçkaje. (Eks. 3:14, 15; Hebr. 3:4; Zbul. 4:11) Së dyti, duhet të sigurohesh se Bibla është mesazhi i Perëndisë për njerëzit. (2 Tim. 3:16, 17) Dhe së treti, duhet të bindesh se Jehovai ka një grup të organizuar njerëzish që e adhurojnë duke ndjekur drejtimin e Krishtit dhe se ai grup janë Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 43:10-12; Gjoni 14:6; Vep. 15:14) Të sigurohesh për këto të vërteta themelore, nuk do të thotë të kthehesh në një enciklopedi të Biblës. Synimi yt duhet të jetë të përdorësh ‘fuqinë për të arsyetuar’ që të forcosh bindjen se ke të vërtetën.—Rom. 12:1.

JI I PËRGATITUR TË BINDËSH TË TJERËT

10. Përveçse ta njohim të vërtetën vetë, për çfarë duhet të jemi të përgatitur?

10 Pasi të sigurohesh vetë për tri të vërtetat themelore që lidhen me Perëndinë, Biblën dhe popullin e Perëndisë, duhet të jesh i përgatitur t’ua provosh të tjerëve këto të vërteta me anë të Shkrimeve. Pse? Sepse, si dishepuj të Krishtit, kemi përgjegjësinë t’ua mësojmë të vërtetat që besojmë atyre që na dëgjojnë. * (1 Tim. 4:16) E ndërsa përpiqemi t’i ndihmojmë të tjerët të besojnë të vërtetat e Biblës, forcojmë edhe besimin tonë tek ato të vërteta.

11. Çfarë shembulli na la apostulli Pavël si mësues?

11 Apostulli Pavël i mësonte të tjerët «duke përdorur argumentime bindëse për Jezuin, si nga Ligji i Moisiut, edhe nga Profetët». (Vep. 28:23) Si ta imitojmë Pavlin kur u mësojmë njerëzve të vërtetën? Nuk mjafton të radhitim disa fakte. Duhet t’i ndihmojmë studentët e Biblës të arsyetojnë rreth Shkrimeve, që të lidhin miqësi me Jehovain. Duam ta pranojnë të vërtetën jo nga vlerësimi për ne, por ngaqë janë siguruar vetë se ajo që po mësojnë, është e vërteta për Perëndinë tonë të dashur.

Prindër, ndihmojini fëmijët të forcojnë besimin duke u mësuar «gjërat e thella të Perëndisë» (Shih paragrafët 12-13) *

12-13. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre të qëndrojnë në të vërtetën?

12 Ju prindër pa dyshim doni që fëmijët tuaj të qëndrojnë në të vërtetën. Ndoshta mendoni se po të kenë miq të mirë në kongregacion, do të bëjnë përparim. Mirëpo, që të jenë të bindur se kanë të vërtetën, fëmijëve tuaj u duhet diçka më shumë se miqtë e mirë. U duhet të kenë një marrëdhënie personale me Perëndinë dhe të jenë të sigurt se ajo që mëson Bibla është e vërteta.

13 Që t’u mësojnë fëmijëve të vërtetën për Perëndinë, prindërit duhet të japin shembullin duke qenë vetë studentë të mirë të Biblës. Duhet të lënë kohë për t’i bluar në mendje ato që mësojnë. Atëherë mund t’i mësojnë fëmijët të veprojnë njësoj. Është e nevojshme t’i mësojnë fëmijët të përdorin mjetet për studimin e Shkrimeve, tamam siç mësojnë një student të Biblës. Kështu do t’i ndihmojnë ta duan Jehovain dhe të kenë besim se ai përdor ‘skllavin besnik dhe të mençur’ për të na dhënë ushqim në kohën e duhur. (Mat. 24:45-47) Prindër, mos u mjaftoni duke u mësuar fëmijëve të vërtetat bazë të Biblës. Ndihmojini të zhvillojnë një besim të fortë duke u mësuar «gjërat e thella të Perëndisë» në atë masë që është e përshtatshme për moshën dhe aftësitë e tyre.—1 Kor. 2:10.

STUDIO PROFECITË E BIBLËS

14. Pse duhet t’i studiojmë profecitë e Biblës? (Shih edhe kutinë « A mund t’i shpjegosh këto profeci?»)

14 Profecitë janë pjesë e rëndësishme e Fjalës së Perëndisë dhe na ndihmojnë të zhvillojmë besim të fortë te Jehovai. Cilat profeci ta kanë forcuar besimin? Ndoshta do të përmendësh profecitë për «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1-5; Mat. 24:3, 7) Por cilat profeci të tjera që janë plotësuar mund të ta forcojnë bindjen se ke të vërtetën? Për shembull, a mund të shpjegosh si janë plotësuar dhe po plotësohen profecitë që gjenden në kapitullin 2 ose në kapitullin 11 të Danielit? * Nëse ka themele të forta te Bibla, besimi yt do të jetë i pathyeshëm. Mendo për shembullin e vëllezërve tanë që u përndoqën egërsisht në Gjermani gjatë Luftës II Botërore. Edhe pse nuk i kuptonin plotësisht profecitë e Biblës për ditët e fundit, ata kishin një besim të fortë që bazohej te Fjala e Perëndisë.

Studimi i Biblës, duke përfshirë edhe profecitë e saj, mund të na japë siguri në kohë sprove (Shih paragrafët 15-17) *

15-17. Si u dha forcë studimi i Biblës vëllezërve që u përndoqën nga nazistët?

15 Në Gjermaninë naziste, mijëra vëllezër e motra i futën në kampe përqendrimi. Hitleri dhe kreu i SS-ve, Hajnrih Himleri, i urrenin Dëshmitarët e Jehovait. Siç tregonte një motër, Himleri i tha një grupi motrash në një kamp përqendrimi: «Jehovai juaj mund të mbretërojë në qiell, por këtu në tokë komandojmë ne! Keni për ta parë kush do të mbetet më gjatë, ju apo ne!» Çfarë i ndihmoi shërbëtorët e Jehovait të qëndronin besnikë?

16 Ata studentë të Biblës e dinin se Mbretëria e Perëndisë kishte filluar të qeveriste në vitin 1914 dhe nuk çuditeshin që i përndiqnin egërsisht. Por ishin të bindur edhe se asnjë qeveri njerëzore nuk e ndal dot Jehovain të realizojë qëllimin e tij. Hitleri nuk e fshiu dot nga faqja e dheut adhurimin e vërtetë, e as formoi dot një qeveri që do të ishte më e fortë se Mbretëria e Perëndisë. Vëllezërit tanë kishin besim të patundur se, në një mënyrë a në një tjetër, sundimi i Hitlerit do të merrte fund.

17 Ajo që besonin ata vëllezër e motra ishte e vërtetë. S’kaloi shumë e regjimi nazist ra, dhe Hajnrih Himleri—njeriu që tha «këtu në tokë komandojmë ne»—po ia mbathte për të shpëtuar kokën. Në ikje e sipër, ai takoi vëllanë Lypke, që kishte qenë i burgosur dhe që e njihte. Zemërlëshuar dhe i dëshpëruar, Himleri e pyeti: «Hë o Student i Biblës, po tani ç’do të ndodhë?» Vëllai Lypke i shpjegoi Himlerit se Dëshmitarët e Jehovait nuk kishin pasur kurrë pikë dyshimi se regjimi nazist do të dështonte dhe ata do të çliroheshin. Himleri—njeriu që më parë shfrente gjithë të zezat kundër Dëshmitarëve të Jehovait—tani ishte pa fjalë. Pak kohë më vonë, ai vrau veten. Çfarë mësimi mund të nxjerrim? Studimi i Biblës, duke përfshirë edhe profecitë e saj, mund të na e bëjë të pathyeshëm besimin te Perëndia e të na japë siguri në kohë sprove.—2 Pjet. 1:19-21.

18. Siç tregon Gjoni 6:67, 68, pse na nevojitet «njohuria e saktë dhe aftësia e plotë dalluese» që përmendi Pavli?

18 Secili nga ne duhet të tregojë dashuri—ajo është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë. Por kemi nevojë edhe për ‘njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese’. (Filip. 1:9) Po të mos i kemi këto, mund të ndikohemi «nga çdo erë mësimi, nga dredhitë e njerëzve», ndër të cilët edhe apostatët. (Efes. 4:14) Në një rast kur shumë dishepuj nuk e ndoqën më Jezuin, apostulli Pjetër shprehu besimin e patundur se Jezui kishte «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme». (Lexo Gjonin 6:67, 68.) Ndonëse në atë kohë nuk i kuptonte të gjitha hollësitë e fjalëve të Jezuit, Pjetri qëndroi besnik sepse kishte kuptuar të vërtetën për Krishtin. Edhe ti mund ta forcosh bindjen se ajo që mëson Bibla është e vërteta. Atëherë besimi yt do të mbetet i pathyeshëm në çfarëdo sprove, e do të ndihmosh edhe të tjerët të kenë besim të fortë.—2 Gjon. 1, 2.

KËNGA 72 Të përhapim të vërtetën e Mbretërisë

^ par. 5 Ky artikull do të na ndihmojë të kuptojmë sa të çmuara janë të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Do të shqyrtojmë edhe disa mënyra si ta forcojmë bindjen se ajo që besojmë është e vërteta.

^ par. 10 Si ndihmë për të arsyetuar me të tjerët rreth mësimeve themelore të Biblës, shih rubrikën «Bisedë me një të interesuar», që doli në vitet 2010-2015 në Kullën e Rojës. Disa nga temat janë: «A është Jezui Perëndia?», «Kur filloi të qeveriste Mbretëria e Perëndisë?» dhe «A i ndëshkon Perëndia njerëzit në ferrin e zjarrtë?»

^ par. 14 Për një shqyrtim të këtyre profecive, shih Kullën e Rojës të 15 qershorit 2012 dhe të majit 2020.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë adhurimit familjar, prindërit studiojnë me fëmijët profecitë e Biblës për shtrëngimin e madh.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë shtrëngimit të madh, e njëjta familje nuk çuditet për gjërat që ndodhin.