Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 31

A po pret «qytetin që ka themele të vërteta»?

A po pret «qytetin që ka themele të vërteta»?

«Ai priste qytetin që ka themele të vërteta, të cilin e projektoi dhe e ndërtoi Perëndia.»—HEBR. 11:10.

KËNGA 22 Mbretëria u bë —Le të vijë!

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë sakrificash kanë bërë shumë veta, dhe pse i kanë bërë?

MILIONA shërbëtorë të Perëndisë sot kanë bërë sakrifica. Shumë vëllezër e motra kanë zgjedhur të mos martohen. Veç kësaj, ka çifte të martuara që kanë vendosur të mos bëhen me fëmijë tani për tani. E mjaft familje kanë zgjedhur të mbajnë një jetë të thjeshtë. Këto vendime i kanë marrë për një arsye të rëndësishme—duan t’i shërbejnë sa më plotësisht Jehovait. Ata janë të kënaqur me atë që kanë, e njëkohësisht kanë besim se Jehovai do t’u sigurojë gjithçka që u nevojitet vërtet. A do të mbeten të zhgënjyer? Kurrsesi! Pse jemi të sigurt për këtë? Sepse historia tregon se Jehovai u siguron përherë shërbëtorëve të tij çdo gjë që u nevojitet. Për shembull, ai e bekoi Abrahamin, ‘atin e të gjithë atyre që kanë besim’.—Rom. 4:11.

2. (a) Sipas Hebrenjve 11:8-10, 16, pse Abrahami ishte i gatshëm të largohej nga Uri? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Abrahami e la me gatishmëri jetën e rehatshme në qytetin e Urit. Pse? Sepse priste «qytetin që ka themele të vërteta». (Lexo Hebrenjve 11:8-10, 16.) Çfarë është ky ‘qytet’? Cilat sfida hasi Abrahami ndërsa priste të ndërtohej ai qytet? Si mund ta imitojmë Abrahamin dhe të tjerë në kohën tonë që kanë ndjekur gjurmët e tij?

ÇFARË ËSHTË ‘QYTETI QË KA THEMELE TË VËRTETA’?

3. Çfarë është qyteti që priste Abrahami?

3 Qyteti që priste Abrahami është Mbretëria e Perëndisë. Kjo Mbretëri përbëhet nga Jezu Krishti dhe 144.000 të krishterë të mirosur. Pavli e quan Mbretërinë ‘qyteti i Perëndisë së gjallë, Jerusalemi qiellor’. (Hebr. 12:22; Zbul. 5:8-10; 14:1) Jezui i mësoi dishepujt e tij të luten të vijë kjo Mbretëri, që të bëhet vullneti i Perëndisë edhe në tokë, ashtu si në qiell.—Mat. 6:10.

4. Sipas Zanafillës 17:1, 2, 6, çfarë dinte Abrahami për qytetin, ose Mbretërinë, që kishte premtuar Perëndia?

4 A e dinte me hollësi Abrahami se si do të ‘ndërtohej’ Mbretëria e Perëndisë? Jo. Për shumë shekuj, ato hollësi ishin një ‘sekret i shenjtë’. (Efes. 1:8-10; Kolos. 1:26, 27) Gjithsesi, Abrahami dinte se disa pasardhës të tij do të bëheshin mbretër, sepse këtë ia kishte premtuar Jehovai. (Lexo Zanafillën 17:1, 2, 6.) Ai kishte besim aq të fortë te premtimet e Perëndisë, sa ishte sikur të shihte të Mirosurin, ose Mesinë, që do të bëhej Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Ja pse Jezui u tha judenjve të kohës së tij: «Abrahami, ati juaj, mezi e priste ditën kur do të vija unë; ai e pa këtë ditë dhe u gëzua shumë.» (Gjoni 8:56) Është e qartë se Abrahami e dinte që disa pasardhës të tij do të ishin pjesë e një Mbretërie të formuar nga Jehovai dhe priti me kënaqësi që Ai ta plotësonte premtimin.

Si e tregoi Abrahami besimin te premtimet e Jehovait? (Shih paragrafin 5)

5. Nga e dimë se Abrahami priste qytetin e projektuar nga Perëndia?

5 Si e tregoi Abrahami se priste qytetin, ose Mbretërinë, e projektuar nga Perëndia? Së pari, Abrahami nuk u bë nënshtetas i ndonjë mbretërie në tokë. Ai vazhdoi të bënte jetë shtegtari, pra zgjodhi të mos vendosej me banim në asnjë vend dhe nuk përkrahu kurrë ndonjë mbret njerëzor. Veç kësaj, nuk u përpoq të formonte vetë një mbretëri. Përkundrazi, vazhdoi t’i bindej Jehovait dhe priti që Ai ta plotësonte premtimin. Çfarë besimi të jashtëzakonshëm tregoi Abrahami! Le të ndalemi te disa sfida që hasi dhe të shohim çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij.

CILAT SFIDA HASI ABRAHAMI?

6. Çfarë qyteti ishte Uri?

6 Qyteti nga i cili iku Abrahami, ishte goxha i mbrojtur, i sofistikuar dhe i rehatshëm. Atë e mbronin fortifikata masive dhe e rrethonte nga tri anë një hendek. Banorët e Urit kishin goxha njohuri në letërsi dhe matematikë. E me sa duket, ai qytet ishte qendër tregtie, pasi atje janë gjetur shumë dokumente biznesi. Shtëpitë private ishin të ndërtuara me tulla, me mure të suvatuara e të lyera me gëlqere. Disa shtëpi kishin 13 a 14 dhoma dhe në mes një oborr të shtruar me kalldrëm.

7. Pse Abrahami duhej të kishte besim se Jehovai do ta mbronte atë dhe familjen e tij?

7 Abrahami duhej të kishte besim se Jehovai do ta mbronte atë dhe familjen e tij. Pse? Të mos harrojmë se ai dhe Sara lanë pas një shtëpi të rehatshme e të sigurt në qytetin e Urit për të banuar në tenda, mes fushave të Kananit. Abrahami dhe familja e tij nuk ishin më të mbrojtur nga mure të trasha dhe hendeqe të thella. Tani mund të binin fare lehtë pre e sulmeve të armiqve.

8. Cilat sfida ndeshi Abrahami në një periudhë të jetës?

8 Abrahami bëri vullnetin e Perëndisë, por në një periudhë të jetës po hiqte keq për të mbajtur familjen me bukë. Një zi buke e rëndë goditi pikërisht atë vend ku e kishte dërguar Jehovai. Aq e rëndë ishte ajo zi buke, sa Abrahami vendosi që, përkohësisht, të transferohej me familjen në Egjipt. Mirëpo, kur vajtën në Egjipt, faraoni, sundimtari i vendit, i mori gruan. Imagjino çfarë ankthi duhet të ketë ndier Abrahami derisa Jehovai ndërhyri dhe e detyroi faraonin t’ia kthente Sarën Abrahamit.—Zan. 12:10-19.

9. Çfarë hallesh familjare kishte Abrahami?

9 Abrahami kishte edhe halle familjare. Gruaja e tij e shtrenjtë, Sara, nuk mund të lindte fëmijë. Për dekada të tëra, e kishin zemrën helm nga ajo situatë. Më pas, Sara i dha Abrahamit shërbyesen e saj, Agarën, që ajo të lindte fëmijë për Abrahamin dhe Sarën. Por, kur mbeti shtatzënë dhe do të lindte Ismaelin, Agara filloi ta përbuzte Sarën. Situata u tensionua aq shumë sa Sara e detyroi Agarën të ikte nga shtëpia.—Zan. 16:1-6.

10. Cilat ngjarje ia sprovuan Abrahamit besimin te Jehovai?

10 Më në fund, Sara mbeti shtatzënë dhe i lindi Abrahamit një djalë, që ai e quajti Isak. Abrahami i donte të dy djemtë e tij, Ismaelin dhe Isakun. Mirëpo, ngaqë Ismaeli e keqtrajtonte Isakun, Abrahami u detyrua t’i largonte nga shtëpia Ismaelin dhe Agarën. (Zan. 21:9-14) Vite më vonë, Jehovai i kërkoi Abrahamit të flijonte Isakun. (Zan. 22:1, 2; Hebr. 11:17-19) Në të dyja rastet, Abrahami pati besim se në fund Jehovai do t’i plotësonte premtimet që kishte bërë për djemtë e tij.

11. Pse Abrahamit i duhej të priste me durim Jehovain?

11 Gjatë gjithë asaj kohe, Abrahami mësoi të priste Jehovain me durim. Kur iku nga Uri me gjithë familjen, ka të ngjarë të ishte mbi 70 vjeç. (Zan. 11:31–12:4) Pastaj, për afro 100 vjet, jetoi në tenda dhe udhëtoi anekënd Kananit. Abrahami jetoi 175 vjet. (Zan. 25:7) Megjithatë, nuk e pa plotësimin e premtimit të Jehovait se do t’u jepte pasardhësve të tij Kananin, vendin nëpër të cilin u end. Nuk arriti të shihte as sesi filloi të qeveriste Mbretëria, qyteti i Perëndisë. Gjithsesi, për Abrahamin thuhet se vdiq «i moshuar e i kënaqur». (Zan. 25:8) Me gjithë sfidat që hasi, Abrahami e mbajti besimin të fortë dhe priti me kënaqësi Jehovain. Çfarë e ndihmoi të qëndronte? Fakti që Jehovai e mbrojti dhe e trajtoi si mik gjatë gjithë jetës.—Zan. 15:1; Isa. 41:8; Jak. 2:22, 23.

Ashtu si Abrahami dhe Sara, si tregojnë besim dhe durim shërbëtorët e Perëndisë? (Shih paragrafin 12) *

12. Çfarë presim ne, dhe çfarë do të shqyrtojmë më tej?

12 Ashtu si Abrahami, edhe ne presim qytetin që ka themele të vërteta. Ama sot nuk presim më që ai qytet të ndërtohet. Mbretëria e Perëndisë filloi të qeveriste në vitin 1914 dhe tani ka pushtet të plotë në qiell. (Zbul. 12:7-10) Por ne presim që ajo të ketë pushtet të plotë edhe në tokë. Ndërsa presim të ndodhë kjo, na duhet të përballojmë shumë vështirësi të ngjashme me ato që ndeshën Abrahami dhe Sara. A kanë arritur shërbëtorët e Jehovait në ditët tona të imitojnë shembullin e Abrahamit? Jetëshkrimet e botuara në Kullën e Rojës nxjerrin në pah se, ashtu si Abrahami dhe Sara, shumë veta kanë treguar besim dhe durim. Le të ndalemi vetëm te dy-tre nga këto jetëshkrime dhe të shohim çfarë mund të mësojmë.

IMITUAN SHEMBULLIN E ABRAHAMIT

Bill Uolldeni ishte i gatshëm të bënte sakrifica dhe shijoi bekimet e Jehovait

13. Çfarë të mëson historia e vëllait Uollden?

13 Ji i gatshëm të bësh sakrifica. Që ta mbajmë të parën në jetë Mbretërinë, qytetin e Perëndisë, duhet të jemi si Abrahami—të gatshëm të bëjmë sakrifica për të kënaqur Perëndinë. (Mat. 6:33; Mar. 10:28-30) Mendo për shembullin e një vëllai që quhej Bill Uollden. * Në vitin 1942, kur ishte në prag të diplomimit si inxhinier ndërtimi në një universitet të Shteteve të Bashkuara, Billi filloi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait. Një pedagog i Billit e kishte rregulluar që ai të niste punë pas diplomimit. Por Billi nuk pranoi dhe i shpjegoi se kishte vendosur të hiqte dorë nga mundësia për të bërë karrierë, me qëllim që t’i shërbente më plotësisht Perëndisë. S’kaloi shumë dhe Billit i erdhi thirrja për në ushtri. Me respekt, refuzoi, dhe si pasojë e gjobitën me 10.000 dollarë dhe e dënuan me pesë vjet burg. Pas tri vitesh u lirua. Më vonë mori ftesën të ndiqte Shkollën e Galadit dhe shërbeu si misionar në Afrikë. Billi u martua me Evën dhe së bashku shërbyen në Afrikë, ku jeta nuk ishte e lehtë. Më pas u kthyen në Shtetet e Bashkuara që të kujdeseshin për mamanë e Billit. Ja ç’thotë Billi për jetën e tij: «Më mbushen sytë me lot kur mendoj për këtë privilegj të mrekullueshëm—Jehovai më ka përdorur më shumë se 70 vjet në shërbimin e tij. E falënderoj shpesh që më ka ndihmuar ta bëj këtë shërbim karrierën time.» A mund ta bësh edhe ti shërbimin në kohë të plotë karrierën tënde?

Eleni dhe Aristotelis Apostolidis ishin të sigurt se u dha forcë Jehovai

14-15. Çfarë të mëson historia e çiftit Apostolidis?

14 Mos prit një jetë pa telashe. Nga shembulli i Abrahamit, mësojmë se edhe ata që ia kushtojnë tërë jetën shërbimit të Jehovait, luftojnë me vështirësi. (Jak. 1:2; 1 Pjet. 5:9) Këtë e tregon edhe përvoja e Aristotelis Apostolidis. * Ai u pagëzua në vitin 1946 në Greqi. Më 1952 u fejua me një motër që quhej Eleni, e cila kishte të njëjtat synime si ai. Mirëpo Eleni u sëmur, dhe e diagnostikuan me tumor në tru. Tumorin ia hoqën, por vetëm pak vite pas martesës u rishfaq. Mjekët e operuan prapë, por Eleni mbeti pjesërisht e paralizuar dhe kishte shumë vështirësi në të folur. Ajo vazhdoi të ishte një lajmëtare e zellshme me gjithë sëmundjen dhe përndjekjet nga qeveria në atë kohë.

15 Aristotelisi u kujdes 30 vjet për të shoqen. Gjatë asaj kohe shërbente si plak, punonte në komitete kongresesh dhe ndihmoi në ndërtimin e një Salle Asamblesh. Më pas, në vitin 1987, Eleni pësoi një dëmtim të rëndë ndërsa predikonte. Për tri vite ishte në koma e pastaj vdiq. Aristotelisi e përmbledh me këto fjalë historinë e jetës së tij: «Gjatë viteve, rrethanat sprovuese, sfidat e rënda dhe ngjarjet e paparashikuara kanë kërkuar jashtëzakonisht shumë guxim dhe ngulmim. Megjithatë, Jehovai më ka dhënë gjithnjë forcën e nevojshme për t’i kapërcyer këto probleme.» (Psal. 94:18, 19) Sa fort i do Jehovai ata që japin më të mirën për të, edhe pse luftojnë me vështirësi!

Odri Hajdi mbajti një pikëpamje optimiste duke u përqendruar tek e ardhmja

16. Cilën këshillë të mençur i dha vëlla Nori gruas së tij?

16 Mbaji sytë tek e ardhmja. Abrahami i mbante sytë te bekimet që do t’i jepte Jehovai në të ardhmen, dhe kjo e ndihmoi të qëndronte i fortë mes vështirësive. Edhe motra Odri Hajd përpiqej të mbante një pikëpamje optimiste ndonëse burri i saj i parë, Nejthën Nori, vdiq nga kanceri dhe burri i dytë, Glen Hajdi, u sëmur rëndë me Alcajmer. * Ajo vetë tregonte se e ndihmoi diçka që i tha vëlla Nori vetëm pak javë para se të vdiste: «Nejthëni më kujtonte gjithmonë se ‘pas vdekjes shpresa jonë është e sigurt dhe nuk do të vuajmë më kurrë’. Pastaj më nxiste: ‘Mbaji sytë nga e ardhmja se atje do ta gjesh shpërblimin tënd. . . . Merru me punë—përpiqu që ta kalosh jetën tënde duke bërë diçka për të tjerët. Kjo do të të ndihmojë që të gjesh gëzim.’» Sa e dobishme është këshilla që të përpiqemi me gjithë shpirt t’u bëjmë të mira të tjerëve dhe ‘të gëzojmë në shpresë’!—Rom. 12:12.

17. (a) Pse kemi arsye të forta që t’i mbajmë sytë tek e ardhmja? (b) Nëse imitojmë qëndrimin e Mikesë, që del në pah te Mikea 7:7, si do të na ndihmojë kjo të gëzojmë bekime në të ardhmen?

17 Sot kemi më shumë arsye se kurrë që t’i mbajmë sytë tek e ardhmja. Ngjarjet botërore tregojnë qartë se jemi në pjesën finale të ditëve të fundit të këtij sistemi. Së shpejti, nuk do të na duhet më të presim që qyteti me themele të vërteta, Mbretëria, të ketë pushtet mbi mbarë tokën. Një nga bekimet e shumta që do të na mbushë me gëzim, do të jetë të takojmë njerëzit tanë të dashur kur të ringjallen. Në atë kohë, Jehovai do ta shpërblejë Abrahamin për besimin dhe durimin që tregoi, duke e ringjallur në tokë bashkë me familjen e tij. A do të jesh atje për t’i mirëpritur? Mund të jesh nëse, ashtu si Abrahami, je i gatshëm të bësh sakrifica për Mbretërinë e Perëndisë, nëse e mban besimin të fortë edhe mes vështirësive dhe nëse mëson të presësh me durim Jehovain.—Lexo Mikenë 7:7.

KËNGA 74 Bashkohuni në këngën e Mbretërisë!

^ par. 5 Kur presim plotësimin e një premtimi, mund të na sprovohet durimi—e në disa raste edhe besimi. Si mund të na ndihmojë shembulli i Abrahamit të jemi më të vendosur ta presim me durim plotësimin e premtimeve të Jehovait? Dhe çfarë shembulli të mirë kanë lënë disa shërbëtorë të Jehovait në ditët tona?

^ par. 13 Jetëshkrimi i vëllait Uollden doli në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 2013, f. 8-10.

^ par. 14 Jetëshkrimi i vëllait Apostolidis doli në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 2002, f. 24-28.

^ par. 16 Jetëshkrimi i motër Hajdit doli në Kullën e Rojës të 1 korrikut 2004, f. 23-29.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift i moshuar vazhdon t’i shërbejë me besnikëri Jehovait pavarësisht nga vështirësitë. Ata e mbajnë besimin të fortë duke u përqendruar te premtimet e Jehovait për të ardhmen.