Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 35

Respekto vendin e të tjerëve në kongregacionin e Jehovait

Respekto vendin e të tjerëve në kongregacionin e Jehovait

«Syri s’ka sesi t’i thotë dorës: ‘S’kam nevojë për ty!’, ose koka s’ka sesi t’u thotë këmbëve: ‘Nuk kam nevojë për ju!’»—1 KOR. 12:21.

KËNGA 124 Të rrimë besnikë

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë i ka dhënë Jehovai çdo shërbëtori besnik?

JEHOVAI me dashuri i ka dhënë çdo shërbëtori besnik një vend në kongregacionin e tij. Edhe pse kemi role të ndryshme, të gjithë jemi të çmuar dhe të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Apostulli Pavël na ndihmon ta kuptojmë këtë mësim të rëndësishëm. Si?

2. Sipas Efesianëve 4:16, pse duhet ta çmojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë?

2 Siç tregon shkrimi kryesor i këtij artikulli, Pavli theksoi se asnjë nga ne nuk mund të thotë për një shërbëtor tjetër të Jehovait «s’kam nevojë për ty». (1 Kor. 12:21) Nëse duam që të ketë paqe në kongregacion, duhet ta çmojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë. (Lexo Efesianëve 4:16) Kur shërbejmë në unitet, secili ndien se të tjerët e duan, dhe kongregacioni bëhet më i fortë.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Cilat janë disa mënyra si të tregojmë respekt për vëllezërit e motrat në kongregacion? Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund të tregojnë pleqtë respekt për njëri-tjetrin. Pastaj do të shohim si mund të tregojmë të gjithë se i çmojmë vëllezërit dhe motrat që nuk janë të martuar. Dhe në fund, do të mësojmë si mund të tregojmë respekt për ata që ndoshta nuk e flasin rrjedhshëm gjuhën tonë.

TREGO RESPEKT PËR PLEQTË E TJERË

4. Siç këshilloi Pavli te Romakëve 12:10, çfarë duhet të bëjnë pleqtë?

4 Të gjithë pleqtë në kongregacion janë emëruar nga fryma e shenjtë e Jehovait. Ama secili ka dhunti dhe aftësi të ndryshme. (1 Kor. 12:17, 18) Disa mund të jenë emëruar nga pak kohë dhe nuk kanë shumë përvojë. Të tjerë mund të kenë kufizime për shkak të moshës dhe shëndetit. Megjithatë, asnjë plak nuk duhet të mendojë për një plak tjetër «s’kam nevojë për ty». Përkundrazi, çdo plak duhet të ndjekë këshillën që jep Pavli te Romakëve 12:10.—Lexoje.

Pleqtë tregojnë respekt për njëri-tjetrin duke dëgjuar me vëmendje (Shih paragrafët 5-6)

5. Si tregojnë respekt për njëri-tjetrin pleqtë, dhe pse është e rëndësishme ta bëjnë këtë?

5 Pleqtë tregojnë respekt për pleqtë e tjerë duke i dëgjuar me vëmendje. Kjo është e rëndësishme sidomos kur trupi i pleqve mblidhet për të diskutuar çështje serioze. Pse? Ja çfarë thoshte Kulla e Rojës e 1 tetorit 1988 (anglisht): «Pleqtë duhet ta pranojnë se, me anë të frymës së shenjtë, Krishti mund të veprojë te mendja e cilitdo plak në trupin e pleqve për të nxjerrë në pah atë parim nga Shkrimet, që do t’i ndihmojë pleqtë të përballojnë çfarëdo situate ose të marrin çfarëdo vendimi të rëndësishëm. (Vep. 15:6-15) Fryma e shenjtë nuk është monopol i një plaku të vetëm në trupin e pleqve.»

6. Si mund të punojnë pleqtë së bashku në unitet, dhe si nxjerr dobi kongregacioni kur veprojnë kështu?

6 Një plak që i respekton pleqtë e tjerë nuk përpiqet të flasë gjithnjë i pari në mbledhjet e pleqve. Nuk mbizotëron në bisedë dhe nuk mendon se opinioni i tij është gjithnjë i drejtë. Përkundrazi, e shpreh mendimin e tij me përulësi dhe modesti. I dëgjon me vëmendje komentet e të tjerëve. Mbi të gjitha, është i gatshëm të diskutojë rreth parimeve nga Shkrimet dhe të ndjekë drejtimin e ‘skllavit besnik e të mençur’. (Mat. 24:45-47) Kur pleqtë diskutojnë në një atmosferë ku mbizotëron dashuria dhe respekti, fryma e Perëndisë do të jetë mes tyre dhe do t’i drejtojë të marrin vendime që e forcojnë kongregacionin.—Jak. 3:17, 18.

TREGO RESPEKT PËR MOTRAT DHE VËLLEZËRIT E PAMARTUAR

7. Si i shihte Jezui të pamartuarit?

7 Në kongregacionet tona ka çifte të martuara dhe familje. Por ka edhe shumë vëllezër e motra që nuk janë martuar. Si duhet t’i shohim ata që janë beqarë? Me atë sy që i shihte Jezui. Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui nuk u martua. Ai qëndroi beqar dhe ia kushtoi gjithë kohën dhe vëmendjen caktimit të tij. Jezui nuk mësoi kurrë se është e domosdoshme që një i krishterë të martohet ose të rrijë beqar. Sidoqoftë, ai tha se disa të krishterë do të zgjidhnin të mos martoheshin. (Mat. 19:11, 12) * Jezui i respektonte ata që nuk ishin të martuar. Ai nuk i shihte beqarët si inferiorë ose sikur u mungonte diçka në jetë.

8. Sipas 1 Korintasve 7:7-9, cilën mundësi i inkurajoi Pavli të krishterët të peshonin?

8 Njësoj si Jezui, apostulli Pavël qëndroi i pamartuar gjatë shërbimit të tij. Pavli nuk mësoi kurrë se është e gabuar që një i krishterë të martohet. Ai e pranonte se ky është një vendim personal. Gjithsesi, Pavli i inkurajoi të krishterët të peshonin mundësinë për t’i shërbyer Jehovait si të pamartuar. (Lexo 1 Korintasve 7:7-9.) Pa dyshim, Pavli nuk mendonte se të krishterët beqarë qëndronin më poshtë se të tjerët. Në fakt, ai zgjodhi tamam një vëlla beqar, Timoteun e ri, që të kryente caktime me peshë në shërbimin e Jehovait. * (Filip. 2:19-22) Pra, është e gabuar të mendojmë se kualifikimi i një vëllai për një caktim teokratik përcaktohet thjesht nga fakti që është i martuar ose beqar.—1 Kor. 7:32-35, 38.

9. Çfarë mund të themi për martesën dhe beqarinë?

9 As Jezui, as Pavli nuk mësuan se të krishterët duhet të martohen apo se duhet të qëndrojnë beqarë. Çfarë mund të themi, atëherë, për martesën dhe beqarinë? Kulla e Rojës e 1 tetorit 2012 na jep një përgjigje të bukur. Ajo shpjegon: «Në të vërtetë, si martesa, edhe beqaria mund të përshkruhen si dhurata nga Perëndia. . . . Jehovai nuk e sheh [beqarinë] si arsye për turp a hidhërim.» Prandaj, le ta mbajmë në mendje këtë dhe t’i respektojmë motrat e vëllezërit e pamartuar në kongregacion.

Nëse i respektojmë ndjenjat e atyre që janë beqarë, çfarë duhet të shmangim? (Shih paragrafin 10)

10. Nëse i respektojmë motrat e vëllezërit beqarë, çfarë nuk do të bëjmë?

10 Si mund të tregojmë respekt për ndjenjat e motrave dhe vëllezërve të pamartuar? Bëjmë mirë të mbajmë në mendje se ata janë beqarë për arsye të ndryshme. Për shembull, disa kanë vendosur të mos martohen. Të tjerë do të donin të martoheshin, por thjesht nuk kanë gjetur njeriun e duhur. Kurse disa të tjerëve mund t’u ketë vdekur bashkëshorti. Cilado qoftë arsyeja, a është me vend që pjesëtarët e kongregacionit t’i pyesin motrat e vëllezërit beqarë pse nuk janë martuar ose t’u ofrojnë ndihmë që të gjejnë një bashkëshort? Natyrisht, disa beqarë mund ta kërkojnë këtë ndihmë. Por, nëse nuk e kanë kërkuar një ndihmë të tillë, si mund të ndihen nëse dikush ofrohet t’i ndihmojë për të gjetur bashkëshort? (1 Sel. 4:11; 1 Tim. 5:13) Le të shohim disa komente nga motra e vëllezër të pamartuar besnikë.

11-12. Po të mos bëjmë kujdes, si mund t’i shkurajojmë të pamartuarit?

11 Një mbikëqyrës qarkor beqar që është goxha i efektshëm në caktimin e tij mendon se beqaria ka shumë dobi. Prapëseprapë, tha se mund të jetë shkurajuese kur vëllezër e motra të nisur nga e mira e pyesin: «Pse nuk je martuar akoma?» Një vëlla beqar që shërben në një zyrë dege u shpreh: «Ndonjëherë disa vëllezër e motra më bëjnë të ndihem sikur beqarët janë gjynah. Kjo mund të bëjë që beqaria të duket si barrë e jo si dhuratë.»

12 Një motër beqare që shërben në Bethel tha: «Disa lajmëtarë kujtojnë se të gjithë beqarët kërkojnë të martohen ose se të gjithë beqarët e shohin çdo rast shoqëror si mundësi për të gjetur bashkëshort. Një herë shkova në një qytet tjetër për një caktim dhe qëlloi që atë pasdite kishte mbledhje. Motra ku po rrija më tha se në kongregacion kishte dy vëllezër të moshës sime. Ajo më siguroi se nuk po përpiqej të bënte mblesëri. Por sa vumë këmbë në Sallën e Mbretërisë, më çoi të takoja dy vëllezërit. S’do mend që të tre ne u ndiem goxha në siklet.»

13. Cilët shembuj e kanë inkurajuar një motër beqare?

13 Një motër tjetër beqare që shërben në Bethel u shpreh: «Njoh pioniere e pionierë beqarë prej vitesh që janë stabël nga ana emocionale, kanë synime të qarta, janë të gatshëm të ndihmojnë, të lumtur në shërbimin e tyre dhe një mbështetje e fortë për kongregacionin. Ata kanë një pikëpamje të ekuilibruar për beqarinë. Nuk ndihen as më të mirë se të tjerët ngaqë kanë qëndruar beqarë, as sikur nuk mund të jenë të lumtur ngaqë nuk kanë bashkëshort dhe fëmijë.» Kjo është bukuria e kongregacioneve tona, ku secili ndihet i respektuar dhe i vlerësuar. E ndien se të tjerët nuk e shohin as sikur është gjynah, as si objekt zilie. E ndien se as e shpërfillin, as e ngrenë në piedestal. Thjesht është i sigurt që motrat dhe vëllezërit e duan.

14. Si mund të tregojmë se i respektojmë beqarët?

14 Motrat e vëllezërit beqarë do të ndihen të kënaqur nëse vërejnë te ne çmueshmërinë për cilësitë e tyre të bukura e jo keqardhjen për faktin që janë beqarë. Në vend që të na vijë keq për ta, bëjmë mirë të çmojmë besnikërinë që tregojnë. Si rezultat, motrat e vëllezërit e pamartuar kurrë nuk do të ndihen sikur po u themi ‘s’kemi nevojë për ju’. (1 Kor. 12:21) Përkundrazi, do të ndihen të sigurt se i respektojmë dhe se jemi të lumtur që janë pjesë e kongregacionit.

TREGO RESPEKT PËR ATA QË NUK E FLASIN RRJEDHSHËM GJUHËN TËNDE

15. Çfarë ndryshimesh kanë bërë disa për të zgjeruar shërbimin?

15 Vitet e fundit, shumë lajmëtarë kanë mësuar një gjuhë tjetër për të zgjeruar shërbimin. Për këtë u është dashur të bëjnë ndryshime në jetë. Këta vëllezër e motra kanë ikur nga një kongregacion i gjuhës amtare për të shërbyer në një kongregacion të një gjuhe tjetër ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. (Vep. 16:9) Këtë vendim e kanë marrë për t’i shërbyer Jehovait më plotësisht. Ndonëse mund t’u duhen vite që ta flasin rrjedhshëm atë gjuhë, ndihmojnë në shumë mënyra. Me cilësitë e bukura dhe përvojën e tyre e forcojnë kongregacionin e i japin stabilitet. Këta vëllezër e motra vetëmohues janë të çmuar për ne!

16. Mbi ç’bazë e përcaktojnë pleqtë nëse një vëlla kualifikohet të shërbejë si plak ose shërbëtor kongregacioni?

16 Një trup pleqsh nuk duhet të ngurrojë ta rekomandojë një vëlla për të shërbyer si plak ose shërbëtor kongregacioni thjesht ngaqë nuk flet rrjedhshëm gjuhën e kongregacionit. Pleqtë e vlerësojnë një vëlla duke u bazuar te kualifikimet që përmenden në Shkrime për pleqtë ose shërbëtorët e kongregacionit dhe jo te mënyra si e flet gjuhën e kongregacionit.—1 Tim. 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9.

17. Çfarë vendimesh duhet të marrin disa prindër kur familja transferohet në një shtet tjetër?

17 Disa familje Dëshmitarësh janë transferuar në shtete të tjera për shkak të situatave të vështira në vendin e tyre ose për të gjetur punë. Prandaj, ka të ngjarë që fëmijët e tyre arsimohen në gjuhën e vendit ku kanë shkuar. Edhe prindërve mund t’u duhet ta mësojnë atë gjuhë për të gjetur punë. Po nëse ka një kongregacion ose grup në gjuhën e tyre amtare, në cilin kongregacion duhet të shkojë familja? Në një kongregacion ku flitet gjuha e vendit apo në një kongregacion të gjuhës amtare?

18. Në harmoni me Galatasve 6:5, si mund ta respektojmë vendimin e një kryefamiljari?

18 I takon kryefamiljarit të vendosë në cilin kongregacion do të shkojë familja e tij. Pra atij i duhet të peshojë se çfarë është më e mira për pjesëtarët e familjes. (Lexo Galatasve 6:5.) Ne duhet ta respektojmë dhe ta pranojmë vendimin e kryefamiljarit, sido që të jetë ai, dhe ta presim krahëhapur familjen në kongregacionin tonë.—Rom. 15:7.

19. Për çfarë duhet të lutet dhe të peshojë me kujdes kryefamiljari?

19 Disa familje mbase shërbejnë në një kongregacion ku flitet gjuha amtare e prindërve, por fëmijët mund të mos e flasin rrjedhshëm atë gjuhë. E nëse jetojnë në një zonë ku flitet gjuha e vendit, fëmijët mund ta kenë të vështirë t’i kuptojnë mbledhjet dhe të forcojnë miqësinë me Jehovain. Pse? Sepse ndoshta shkojnë në një shkollë ku flitet gjuha e vendit dhe jo gjuha amtare e prindërve. Në raste të tilla, kryefamiljari duhet të lutet dhe të peshojë me kujdes se ç’duhet të bëjë për t’i ndihmuar fëmijët të lidhen më fort me Jehovain dhe me vëllezërit e motrat. Prindërit ose duhet t’i ndihmojnë fëmijët të flasin rrjedhshëm gjuhën amtare, ose duhet të shqyrtojnë mundësinë për t’u transferuar në një kongregacion ku flitet gjuha që fëmijët e kuptojnë mirë. Çfarëdo vendimi të marrë kryefamiljari, kongregacioni ku ka zgjedhur të shkojnë, duhet ta respektojë dhe ta vlerësojë familjen.

Si mund ta tregojmë se i çmojmë ata që po mësojnë një gjuhë tjetër? (Shih paragrafin 20)

20. Si mund të tregojmë se i respektojmë vëllezërit e motrat që po mësojnë një gjuhë të re?

20 Pra, në shumë kongregacione ka vëllezër e motra që po përpiqen fort të mësojnë një gjuhë të re. Mbase e kanë të vështirë t’i gjejnë fjalët për të shprehur atë që mendojnë. Megjithatë, nëse shohim përtej mënyrës si e flasin gjuhën, do të vërejmë dashurinë e tyre për Jehovain dhe dëshirën për t’i shërbyer. Kur i dallojmë këto cilësi të bukura, i çmojmë e i respektojmë nga zemra këta vëllezër e motra. Nuk do të mendojmë ‘s’kemi nevojë për ju’ thjesht ngaqë nuk e flasin rrjedhshëm gjuhën tonë.

JEMI TË SHTRENJTË PËR JEHOVAIN

21-22. Cilin privilegj të pakrahasueshëm kemi?

21 Jehovai na ka dhënë privilegjin e pakrahasueshëm që të kemi një vend në kongregacionin e tij. Qofshim burra a gra, beqarë a të martuar, fëmijë a të rritur, e pavarësisht nëse e flasim një gjuhë rrjedhshëm a me vështirësi, jemi të shtrenjtë për Jehovain e për njëri-tjetrin.—Rom. 12:4, 5; Kolos. 3:10, 11.

22 Le të vazhdojmë të zbatojmë gjithë mësimet e bukura që kemi nxjerrë nga ilustrimi i Pavlit për trupin e njeriut. Kjo do të na ndihmojë të gjejmë më shumë mënyra që të forcojmë pjesëtarët e familjes së Jehovait dhe të vlerësojmë vendin e të tjerëve në kongregacion.

KËNGA 90 Inkurajoni njëri-tjetrin

^ par. 5 Shërbëtorët e Jehovait vijnë nga gjithfarë kulturash e ambientesh dhe luajnë role të ndryshme në kongregacion. Ky artikull do të na ndihmojë të kuptojmë pse është e rëndësishme të respektojmë çdo pjesëtar të familjes së Jehovait.

^ par. 7 Shprehja «janë bërë vetë eunukë» mund të përkthehet edhe «kanë zgjedhur të jetojnë si eunukë». Këtu fjala «eunuk» nuk ka kuptimin e mirëfilltë «një mashkull i tredhur». Përkundrazi, përdoret në kuptimin e figurshëm për dikë që ka zgjedhur vullnetarisht të mos martohet.

^ par. 8 Nuk mund ta themi me siguri se Timoteu nuk u martua kurrë.