Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 40

«Ruaje atë që të është besuar»

«Ruaje atë që të është besuar»

«O Timote, ruaje atë që të është besuar.»—1 TIM. 6:20.

KËNGA 29 Të sjelltë lavdi, Atë, e gjithë jeta jonë!

PËRMBLEDHJE *

1-2. Sipas 1 Timoteut 6:20, çfarë i ishte besuar Timoteut?

SHPESH ne i lëmë gjërat me vlerë nën kujdesin e të tjerëve. Për shembull, mund t’i depozitojmë paratë tona në bankë. Kur e bëjmë këtë, presim që ato të ruhen të sigurta, të mos humbin e të mos vidhen. Pra e kuptojmë çfarë përfshin t’i besojmë dikujt një gjë që e kemi të çmuar.

2 Lexo 1 Timoteut 6:20. Apostulli Pavël i kujtoi Timoteut se kishte marrë një dhuratë të çmuar—njohurinë e saktë se cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzimin. Timoteut i ishte besuar edhe privilegji të ‘predikonte fjalën’ dhe të ‘bënte veprën e ungjillëzuesit’. (2 Tim. 4:2, 5) Pavli e nxiti Timoteun ta ruante atë që i ishte besuar. Ashtu si Timoteut, ne na janë besuar gjëra të vyera. Çfarë janë këto? Dhe pse duhet ta ruajmë thesarin që na ka dhënë Jehovai?

TË JANË BESUAR TË VËRTETA TË ÇMUARA

3-4. Cilat janë disa arsye pse të vërtetat e Biblës janë të çmuara?

3 Me dashuri, Jehovai na ka dhënë njohuri të saktë për të vërtetat e çmuara që përmban Fjala e tij, Bibla. Këto të vërteta janë të çmuara sepse falë tyre mësojmë të kemi miqësi të fortë me Jehovain dhe kuptojmë çfarë sjell lumturi të vërtetë. Kur i pranojmë këto të vërteta dhe jetojmë në harmoni me to, çlirohemi nga skllavëria e mësimeve të rreme dhe e sjelljeve imorale.—1 Kor. 6:9-11.

4 Një arsye tjetër pse të vërtetat e Fjalës së Perëndisë janë të çmuara është se Jehovai ua zbulon vetëm njerëzve të përulur që janë «të prirur» drejt së vërtetës. (Vep. 13:48) Ata e pranojnë se Jehovai përdor skllavin besnik e të mençur për të na ushqyer me këto të vërteta sot. (Mat. 11:25; 24:45) Në fakt, është e pamundur t’i kuptojmë këto të vërteta pa pasur ndihmë, e ajo që mësojmë nuk ka të çmuar.—Prov. 3:13, 15.

5. Çfarë tjetër na ka besuar Jehovai?

5 Jehovai na ka besuar edhe privilegjin që t’ua mësojmë të tjerëve të vërtetën për të dhe për qëllimet e tij. (Mat. 24:14) Mesazhi që predikojmë ka vlerë të pashoqe se i ndihmon njerëzit të bëhen pjesë e familjes së Jehovait dhe u jep mundësi të jetojnë përgjithmonë. (1 Tim. 4:16) Sado të kemi mundësi të bëjmë në shërbim, pak apo shumë, po mbështetim veprën më të rëndësishme sot në tokë. (1 Tim. 2:3, 4) Çfarë nderi është të jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë!—1 Kor. 3:9.

RUAJE SI THESAR ATË QË TË ËSHTË BESUAR!

Timoteu duhej ta ruante si sytë e ballit të vërtetën ndërkohë që disa po largoheshin prej saj (Shih paragrafin 6)

6. Çfarë ndodhi me disa që nuk e vlerësuan privilegjin për të qenë bashkëpunëtorë të Perëndisë?

6 Disa bashkëkohës të Timoteut nuk e vlerësuan privilegjin për të qenë bashkëpunëtorë të Perëndisë. Për shembull, Dema donte këtë botë, prandaj hoqi dorë nga privilegji për të shërbyer përkrah Pavlit. (2 Tim. 4:10) Figeli dhe Hermogeni, me sa duket, e ndërprenë shërbimin ngaqë kishin frikë se do të përndiqeshin njësoj si Pavli. (2 Tim. 1:15) Himeneu, Aleksandri dhe Fileti u bënë apostatë dhe u larguan nga e vërteta. (1 Tim. 1:19, 20; 2 Tim. 2:16-18) Duket se të gjithë këta kishin pasur një marrëdhënie të fortë me Jehovain, por e humbën nga sytë atë që kishte vërtet vlerë.

7. Cilat taktika përdor Satanai kundër nesh?

7 Cilat janë disa taktika që përdor Satanai për të na shtyrë të heqim dorë nga thesaret që na ka besuar Jehovai? Të shohim disa prej tyre. Ai përdor zbavitjet dhe mediat për të reklamuar standarde, ide dhe sjellje me shpresën që të infektohemi prej tyre, e kështu të mos e mbajmë fort të vërtetën. Satanai përpiqet të na futë frikën me anë të presionit të shoqërisë ose përndjekjeve, në mënyrë që të mos predikojmë më. Gjithashtu përpiqet të na shtyjë të dëgjojmë idetë e apostatëve, ‘atë që gjoja quhet njohuri’, me qëllim që të braktisim të vërtetën.—1 Tim. 6:20, 21.

8. Çfarë mëson nga ajo që i ndodhi Danielit?

8 Po të mos bëjmë kujdes, dalëngadalë mund të largohemi nga e vërteta. Të shohim çfarë ndodhi me Danielin, * që i kishte shumë qejf videolojërat. Ai tregon: «Nisa të luaja kur isha nja 10 vjeç. Në fillim luaja me videolojëra thuajse të padëmshme. Por dalëngadalë fillova të luaja me lojëra të dhunshme e demonike.» Si përfundim, ai harxhonte gati 15 orë në ditë me videolojërat. Danieli thotë: «Thellë-thellë e dija se lloji i lojërave dhe koha që harxhoja me to, po më ftohnin me Jehovain. Megjithatë, gënjeja veten se nuk do të më gjente gjë po të mos i zbatoja parimet e Biblës.» Pra, si pasojë e ndikimit tinëzar të zbavitjeve mund të heqim dorë si pa kuptuar nga e vërteta, e si përfundim t’i humbim thesaret që na ka besuar Jehovai.

SI TA RUAJMË SI THESAR TË VËRTETËN

9. Sipas 1 Timoteut 1:18, 19, me çfarë e krahasoi Pavli Timoteun?

9 Lexo 1 Timoteut 1:18, 19. Pavli e krahasoi Timoteun me një ushtar dhe e nxiti ‘të vazhdonte të bënte luftën e shkëlqyer’. Kjo është një luftë e figurshme. Në cilat mënyra ngjajmë me ushtarët që marrin pjesë në një luftë? Cilat cilësi na duhet të zhvillojmë si ushtarë të Krishtit? Le të shohim pesë mësime që mund të nxjerrim nga ilustrimi i Pavlit. Këto mësime do të na ndihmojnë ta rrokim fort të vërtetën.

10. Çfarë është përkushtimi ndaj Perëndisë, dhe pse duhet ta zhvillojmë?

10 Forco përkushtimin ndaj Perëndisë. Një ushtar i mirë është besnik. Ai lufton me mish e me shpirt për të mbrojtur dikë që e do ose diçka që e ka të shtrenjtë. Pavli e inkurajoi Timoteun të zhvillonte përkushtimin ndaj Perëndisë—pra, nderim të thellë dhe dashuri besnike për Të. (1 Tim. 4:7) Sa më e fortë të jetë dashuria dhe përkushtimi ndaj Perëndisë, aq më e madhe do të jetë dëshira që ta ruajmë të vërtetën si dritën e syve.—1 Tim. 4:8-10; 6:6.

Pas një dite të lodhshme mund të na duhet ta detyrojmë veten që të ndjekim një mbledhje. Por sa bekime shijojmë pas kësaj! (Shih paragrafin 11)

11. Pse kemi nevojë për vetëdisiplinë?

11 Kultivo vetëdisiplinë. Një ushtari i duhet vetëdisiplinë për t’u stërvitur që të jetë gjithnjë gati për luftë. Timoteu ishte gjithnjë gati të luftonte kundër ndikimit të Satanait, sepse ndoqi këshillën e Pavlit që të ikte nga dëshirat e gabuara, të kërkonte me ngulm cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë dhe të shoqërohej me bashkëbesimtarët. (2 Tim. 2:22) Kjo kërkonte vetëdisiplinë. Edhe neve na duhet vetëdisiplinë për ta fituar luftën kundër dëshirave të gabuara. (Rom. 7:21-25) Veç kësaj, na duhet vetëdisiplinë që të vazhdojmë të punojmë për të zhveshur personalitetin e vjetër e për të veshur të riun. (Efes. 4:22, 24) E kur jemi të lodhur nga një ditë e gjatë, mund të na duhet ta detyrojmë veten që të ndjekim një mbledhje.—Hebr. 10:24, 25.

12. Në cilat mënyra mund të mësojmë ta përdorim me mjeshtëri Biblën?

12 Një ushtar ka nevojë për stërvitje. Që t’i përdorë armët me zotësi, duhet të praktikohet rregullisht. Po njësoj, ne duhet të mësojmë ta përdorim me zotësi Fjalën e Perëndisë. (2 Tim. 2:15) Disa aftësi mund t’i fitojmë në mbledhjet tona. Por, për t’i bindur të tjerët se të vërtetat e Biblës janë të çmuara, kemi nevojë të ndjekim një program të rregullt për studimin e saj. Duhet ta përdorim Fjalën e Perëndisë që të forcojmë besimin tonë. Për këtë nuk mjafton thjesht ta lexojmë. Duhet edhe ta bluajmë në mendje atë që lexojmë e të bëjmë kërkime në botimet tona, që t’i kuptojmë e t’i shpjegojmë siç duhet Shkrimet. (1 Tim. 4:13-15) Atëherë do të jemi të aftë ta përdorim Fjalën e Perëndisë për të mësuar të tjerët. Edhe në këtë rast, nuk mjafton thjesht të lexojmë një varg nga Bibla. Duam t’i ndihmojmë dëgjuesit të kapin kuptimin e atij vargu dhe si zbatohet në jetën e tyre. Duke ndjekur një program të rregullt për studimin personal të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, mund ta përdorim me mjeshtëri për të mësuar të tjerët.—2 Tim. 3:16, 17.

13. Pse duhet ta stërvitim aftësinë dalluese siç thuhet te Hebrenjve 5:14?

13 Stërvit aftësinë dalluese. Një ushtar duhet të jetë i aftë t’i parashikojë rreziqet e t’i shmangë. Edhe ne duhet të mësojmë të dallojmë situatat e rrezikshme, e pastaj të veprojmë për t’i shmangur. (Prov. 22:3; lexo Hebrenjve 5:14.) Për shembull, duhet t’i zgjedhim me mençuri zbavitjet dhe aktivitetet e kohës së lirë. Filmat dhe shfaqjet televizive shpesh paraqesin skena imorale. Sjellje të tilla e fyejnë Perëndinë dhe sjellin se s’bën pasoja. Prandaj, i shmangim zbavitjet që mund të na e gërryejnë avash-avash dashurinë për Perëndinë.—Efes. 5:5, 6.

14. Si e ndihmoi aftësia dalluese Danielin?

14 Danieli, i përmendur më sipër, filloi të dallonte se videolojërat e dhunshme dhe demonike me të cilat luante, po e vinin në rrezik. Ai bëri kërkime në Bibliotekën Watchtower për të gjetur materiale që do ta ndihmonin të përballonte problemin. Cili ishte rezultati? Vendosi të mos luante më me videolojëra të papërshtatshme. Anuloi abonimet në lojërat online dhe ndërpreu shoqërinë me lojtarët e tjerë. Danieli thotë: «Në vend që të luaja videolojëra, fillova ta kaloja kohën me aktivitete në natyrë dhe në shoqërinë e miqve nga kongregacioni.» Tani, Danieli shërben si pionier dhe si plak.

15. Pse janë të rrezikshme historitë e rreme?

15 Ashtu si Timoteu, edhe ne duhet të dallojmë sa të rrezikshme janë informacionet e rreme që përhapin apostatët. (1 Tim. 4:1, 7; 2 Tim. 2:16) Për shembull, ata mund të orvaten të përhapin histori të rreme për vëllezërit tanë ose të ngjallin dyshime për organizatën e Jehovait. Informacione të tilla mund të na e gërryejnë besimin. Duhet të bëjmë kujdes të mos mashtrohemi nga kjo propagandë. Pse? Sepse këto lloj historish i përhapin njerëz me «mendje të korruptuar e që nuk e kuptojnë më të vërtetën». Synimi i tyre është të hapin ‘diskutime e debate’. (1 Tim. 6:4, 5) Ata duan që t’i besojmë shpifjet e tyre dhe të na brejnë dyshime të liga për vëllezërit tanë.

16. Cilat shpërqendrime duhet të shmangim?

16 Shmang shpërqendrimet. Si «ushtar i shkëlqyer i Krishtit Jezu», Timoteu duhej të mbetej i përqendruar te shërbimi, e jo të hallakatej nga gjërat materiale dhe synimet e tjera. (2 Tim. 2:3, 4) Ashtu si Timoteu, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të shpërqendrohemi nga dëshira për më shumë gjëra materiale. «Fuqia mashtruese e pasurisë» mund ta mbytë dashurinë për Jehovain, çmueshmërinë për Fjalën e tij dhe dëshirën që t’u flasim të tjerëve për të vërtetën. (Mat. 13:22) Duhet ta mbajmë jetën të thjeshtë e t’i përdorim kohën dhe energjitë që të ‘vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë’.—Mat. 6:22-25, 33.

17-18. Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur miqësinë me Jehovain?

17 Ji gati të veprosh pa vonesë. Një ushtar duhet të planifikojë që më parë si do të mbrohet. Për të ruajtur thesaret që na ka besuar Jehovai, duhet të veprojmë pa vonesë kur pikasim një rrezik. Çfarë mund të na ndihmojë që ta bëjmë këtë? Duhet të planifikojmë që më parë si do të reagojmë përballë një rreziku.

18 Le ta ilustrojmë. Kur zhvillohet një aktivitet, auditorit shpesh i kërkohet të shohë ku është dalja më e afërt para se të nisë programi. Pse? Që të kenë mundësi të largohen pa vonesë në rast urgjence. Po njësoj, ne mund të planifikojmë që më parë nga cila «dalje» do të largohemi nëse na shfaqen para syve në Internet a në televizor skena imorale a me dhunë të egër ose materiale apostate. Po të përgatitemi për atë që mund të ndodhë, mund të veprojmë pa vonesë që të mbrojmë miqësinë me Jehovain dhe të mbetemi të pastër në sytë e tij.—Psal. 101:3; 1 Tim. 4:12.

19. Cilat bekime do të shijojmë nëse i ruajmë thesaret që na ka besuar Jehovai?

19 Duhet t’i ruajmë si sytë e ballit thesaret që na ka besuar Jehovai—të vërtetat e çmuara të Biblës dhe privilegjin për të mësuar të tjerët. Nëse i mbrojmë, do të kemi ndërgjegje të pastër, një jetë me kuptim dhe gëzimin që t’i ndihmojmë të tjerët të njohin Jehovain. Falë ndihmës së tij, do t’ia dalim ta ruajmë atë që na ka besuar.—1 Tim. 6:12, 19.

KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!

^ par. 5 Jehovai na ka dhënë dhuratën e çmuar që të njohim të vërtetën dhe t’ua mësojmë të tjerëve. Ky artikull do të na ndihmojë ta ruajmë si dritën e syve këtë dhuratë dhe të mos e humbim kurrë.

^ par. 8 Emri është ndryshuar.