Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 43

Jehovai i prin organizatës së tij

Jehovai i prin organizatës së tij

«‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqinë e njeriut, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive.»—ZAK. 4:6.

KËNGA 40 Kujt i përket?

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë duhet të vazhdojnë të bëjnë Dëshmitarët e pagëzuar?

A JE pagëzuar? Nëse po, ke treguar para të gjithëve se ke besim te Jehovai dhe dëshiron t’i shërbesh bashkë me organizatën e tij. * Natyrisht, duhet të vazhdosh ta forcosh besimin te Jehovai. Gjithashtu, duhet të vazhdosh ta forcosh bindjen se Jehovai po e përdor organizatën e tij sot.

2-3. Në ç’mënyrë po i prin Jehovai organizatës së tij sot? Jepni shembuj.

2 Sot, Jehovai i prin organizatës së tij në një mënyrë që pasqyron personalitetin, qëllimin dhe standardet e tij. Le të shqyrtojmë tri cilësi të Jehovait që pasqyron organizata e tij.

3 Së pari, «Perëndia nuk është i anshëm.» (Vep. 10:34) Dashuria e shtyu Jehovain të jepte Birin e vet si ‘shpërblesë për të gjithë’. (1 Tim. 2:6; Gjoni 3:16) Jehovai i përdor adhuruesit e tij për t’u dhënë lajmin e mirë të gjithë atyre që duan ta dëgjojnë, duke ndihmuar kështu sa më shumë njerëz të nxjerrin dobi nga shpërblesa. Së dyti, Jehovai është Perëndi i organizimit dhe i paqes. (1 Kor. 14:33, 40) Prandaj duhet të presim që adhuruesit e tij të jenë një grup që bashkëpunon në mënyrë të organizuar e në paqe. Së treti, Jehovai është ‘Mësuesi i Madh’. (Isa. 30:20, 21) Ja pse organizata e tij punon pa u kursyer për t’u mësuar të tjerëve Fjalën e frymëzuar të Jehovait, si në kongregacion, edhe në shërbim. Si spikatnin këto tri aspekte të personalitetit të Jehovait mes kongregacionit të krishterë të shekullit të parë? Si pasqyrohen nga organizata e tij sot? Dhe si mund të të ndihmojë ty fryma e shenjtë ndërsa shërben me organizatën e Jehovait?

PERËNDIA NUK ËSHTË I ANSHËM

4. Siç tregon Veprat 1:8, cilin urdhër u dha Jezui dishepujve të tij, dhe çfarë ndihme do të merrnin?

4 Në shekullin e parë: Mesazhi që predikonte Jezui u jepte shpresë të gjithë njerëzve. (Luka 4:43) Ai i urdhëroi dishepujt e tij ta vazhdonin veprën që nisi e të jepnin dëshmi «deri në skajin më të largët të tokës». (Lexo Veprat 1:8.) Natyrisht, atë vepër ishte e pamundur ta bënin me forcat e tyre. Do të kishin nevojë për frymën e shenjtë—për ‘ndihmësin’ që u kishte premtuar Jezui.—Gjoni 14:26; Zak. 4:6.

5-6. Në cilat mënyra i ndihmoi fryma e shenjtë dishepujt e Jezuit?

5 Dishepujt e Jezuit e morën frymën e shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Me ndihmën e frymës, filluan menjëherë predikimin dhe, brenda një kohe të shkurtër, mijëra veta e pranuan lajmin e mirë. (Vep. 2:41; 4:4) Kur filloi përndjekja, dishepujt nuk u paralizuan nga frika, por u mbështetën për ndihmë te Perëndia. Ata iu lutën: «Bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim.» Pas kësaj u mbushën me frymë të shenjtë dhe vazhduan ‘ta thoshin fjalën e Perëndisë me guxim’.—Vep. 4:18-20, 29, 31.

6 Dishepujt e Jezuit hasën edhe vështirësi të tjera. Për shembull, atëherë ekzistonin pak kopje të Shkrimeve dhe nuk kishin botime që i ndihmonin në studim si ne sot. Gjithashtu, njerëzit që takonin në shërbim flitnin një larmi gjuhësh. Përballë gjithë këtyre vështirësive, ata dishepuj të zellshëm bënë atë që dukej e pamundur—brenda pak dekadash, ua kishin predikuar lajmin e mirë «të gjitha krijesave nën qiell».—Kolos. 1:6, 23.

7. Si e dinin shërbëtorët e Jehovait mbi 100 vjet më parë se çfarë priste ai prej tyre, dhe si reaguan?

7 Në ditët tona: Jehovai vazhdon t’i prijë dhe t’i japë fuqi popullit të tij. Këtë drejtim na e jep kryesisht nëpërmjet Fjalës së frymëzuar nga fryma e shenjtë. Atje gjejmë historinë e shërbimit të Jezuit dhe urdhrin që dishepujt e tij ta vazhdonin veprën që nisi. (Mat. 28:19, 20) Që në korrik të vitit 1881, kjo revistë thoshte: «Ne nuk u thirrëm, as u mirosëm për t’u mbuluar me lavdi e pasuri, por që të japim e të mos kursehemi dhe që të predikojmë lajmin e mirë.» Në broshurën Kujt i është besuar vepra, që doli në vitin 1919, thuhej: «Kjo vepër duket kolosale, por është vepra e Zotërisë, dhe kemi për ta bërë me forcën e tij.» Tamam si të krishterët e hershëm, ata vëllezër treguan guxim dhe nuk u kursyen për veprën, të sigurt se fryma e shenjtë do t’i ndihmonte t’i predikonin çdo lloj njeriu. Ne sot vazhdojmë të kemi të njëjtën siguri.

Organizata e Jehovait ka përdorur mjetet më të shkëlqyera që ekzistojnë për të përhapur lajmin e mirë (Shih paragrafët 8-9)

8-9. Çfarë metodash ka përdorur organizata e Jehovait për të çuar para veprën e predikimit?

8 Organizata e Jehovait ka përdorur mjetet më të shkëlqyera që ekzistojnë për të përhapur lajmin e mirë. Ndër to kanë qenë botimet e shtypura, «Fotodrama e krijimit», gramafonat, makinat me altoparlantë, programet radiofonike dhe, kohët e fundit, teknologjia digjitale. Veç kësaj, organizata e Perëndisë po zhvillon veprën më të madhe të përkthimit në histori! Pse? Me qëllim që çdo lloj njeriu të ketë mundësi ta dëgjojë lajmin e mirë në gjuhën e zemrës. Jehovai është i paanshëm; ai paratha se lajmi i mirë do t’i predikohej «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbul. 14:6, 7) Jehovai do që çdokujt t’i jepet mundësia ta dëgjojë mesazhin për Mbretërinë.

9 Por si i bëhet për ata që është e vështirë t’i takojmë, ndoshta ngaqë jetojnë në pallate me sisteme të sigurisë së lartë? Për t’u predikuar sa më shumë njerëzve, organizata e Jehovait ka filluar të përdorë forma të ndryshme të dëshmisë publike. Për shembull, më 2001, Trupi Udhëheqës miratoi të përdoreshin stenda literature dhe mjete të tjera të dëshmisë publike në Francë, e më vonë edhe në vende të tjera. Rezultatet ishin të mira. Në vitin 2011, u ndërmor një iniciativë për dëshminë në metropol në Shtetet e Bashkuara, në një nga lagjet më të populluara të qytetit të Nju-Jorkut. Gjatë vitit të parë, u shpërndanë 102.129 libra dhe 68.911 revista. Gjithashtu, 4.701 veta kërkuan të studionin Biblën! U pa qartë se kjo formë dëshmie kishte mbështetjen e frymës së shenjtë. Prandaj, Trupi Udhëheqës miratoi të përdoreshin stendat e literaturës në mbarë botën.

10. Si mund të bëhemi më të zotë në shërbim?

10 Çfarë mund të bësh ti: Përfito plotësisht nga stërvitja që siguron Jehovai nëpërmjet mbledhjeve. Prediko rregullisht me grupin tënd të shërbimit. Vëllezërit dhe motrat e grupit mund të të ndihmojnë të bëhesh më i zoti në predikim e mësimdhënie dhe mund të të japin zemër me shembullin e tyre. Ngulmo në shërbim, me gjithë vështirësitë. Siç na e kujton shkrimi kryesor i këtij artikulli, ne arrijmë të bëjmë vullnetin e Perëndisë jo falë forcës sonë, por falë fuqisë që na jep fryma e shenjtë. (Zak. 4:6) Në fund të fundit, ne po bëjmë veprën e Perëndisë.

JEHOVAI ËSHTË PERËNDI I ORGANIZIMIT DHE I PAQES

11. Si punoi në unitet trupi udhëheqës i shekullit të parë që populli i Perëndisë të ishte i organizuar dhe në paqe?

11 Në shekullin e parë: Trupi udhëheqës në Jerusalem punoi në unitet që populli i Perëndisë të vazhdonte të ishte i organizuar e në paqe. (Vep. 2:42) Për shembull, rreth vitit 49 të e.s, kur lindi debati për rrethprerjen, trupi udhëheqës e shqyrtoi çështjen nën drejtimin e frymës së shenjtë. Nëse kongregacioni do të kishte mbetur i përçarë në atë çështje, kjo do të ishte bërë pengesë për veprën e predikimit. Apostujt dhe pleqtë ishin judenj, ama nuk u ndikuan nga tradita judaike, as nga ata që e përkrahnin me zjarr. Përkundrazi, kërkuan drejtim nga Fjala e Perëndisë dhe u lutën për ndihmën e frymës së shenjtë. (Vep. 15:1, 2, 5-20, 28) Rezultati? Jehovai e bekoi vendimin e tyre, në kongregacion mbretëroi paqja e uniteti dhe vepra e predikimit vazhdoi të përparonte.—Vep. 15:30, 31; 16:4, 5.

12. Ç’gjë tregon se organizata e Jehovait sot është e organizuar dhe në paqe?

12 Në ditët tona: Organizata e Jehovait e ka ndihmuar popullin e Tij të vazhdojë të jetë i organizuar e në paqe. Që në vitin 1895, numri i 15 nëntorit i revistës Kulla e Rojës e Sionit dhe Lajmëtarja e pranisë së Krishtit kishte artikullin me titull «Si ka hije dhe me rregull», i bazuar te 1 Korintasve 14:40. Në artikull thuhej: «Apostujt i shkruan gjerë e gjatë për organizimin Kishës së hershme . . . Është e rëndësishme të vazhdojmë ta vëmë vath në vesh ‘gjithçka që u shkrua kohë më parë për mësimin tonë’.» (Rom. 15:4) Ashtu si të krishterët e hershëm, edhe organizata e Jehovait sot punon me gjithë shpirt që kongregacionet të jenë të organizuara e në paqe. Ta ilustrojmë: nëse të rastis të ndjekësh Studimin e Kullës së Rojës në ndonjë kongregacion tjetër—madje edhe në një shtet tjetër—ti e di mirë si do të zhvillohet studimi dhe cili artikull do të studiohet. Ndihesh menjëherë si në shtëpinë tënde! Vërtet, nuk ka forcë në botë që mund të sjellë këtë unitet të vyer përveç frymës së Perëndisë!—Sof. 3:9, shën.

13. Duke pasur në mendje Jakovin 3:17, cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

13 Çfarë mund të bësh ti: Jehovai do që shërbëtorët e tij të ruajnë «njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes». (Efes. 4:1-3) Prandaj pyet veten: «A nxit unitetin dhe paqen në kongregacion? A u bindem atyre që marrin drejtimin? A mund të mbështeten të tjerët tek unë, sidomos nëse kam përgjegjësi në kongregacion? A jam i përpiktë, i gjindshëm dhe i gatshëm të shërbej?» (Lexo Jakovin 3:17.) Nëse kupton se mund të përmirësohesh në ndonjë pikë, lutu për frymën e shenjtë. Sa më shumë ta lejosh frymën e Jehovait të të modelojë personalitetin e të ndikojë te veprimet e tua, aq më i dashur e më i çmuar do të jesh për vëllezërit dhe motrat.

JEHOVAI NA ARSIMON DHE NA PAJIS MIRË

14. Si e arsimoi Jehovai popullin e tij në shekullin e parë, në harmoni me Kolosianëve 1:9, 10?

14 Në shekullin e parë: Jehovai e arsimon me shumë kënaqësi popullin e tij. (Psal. 32:8) Ai do që ta njohim, ta duam dhe të jetojmë përgjithmonë si fëmijët e tij të shtrenjtë. E gjithë kjo do të ishte e pamundur pa arsimimin që siguron ai. (Gjoni 17:3) Jehovai përdori kongregacionin e shekullit të parë për të arsimuar adhuruesit e tij. (Lexo Kolosianëve 1:9, 10.) Edhe fryma e shenjtë—«ndihmësi» që kishte premtuar Jezui—luajti një rol të rëndësishëm. (Gjoni 14:16) Ajo i ndihmoi dishepujt ta kuptonin më qartë Fjalën e Perëndisë dhe u solli në mendje gjërat e shumta që tha e bëri Jezui, e që më vonë u shkruan tek Ungjijtë. Kjo njohuri u forcoi të krishterëve të hershëm besimin, si edhe dashurinë për Perëndinë, për Birin e tij e për njëri-tjetrin.

15. Në cilat mënyra po e plotëson Jehovai premtimin e tij që gjendet tek Isaia 2:2, 3?

15 Në ditët tona: Jehovai paratha se «në ditët e fundit», njerëz nga të gjitha kombet do të vërshonin drejt malit të tij të figurshëm, që të mësonin udhët e tij. (Lexo Isainë 2:2, 3.) Ne po e shohim me sytë tanë si po përmbushet kjo profeci. Adhurimi i vërtetë qëndron shumë më lart se çdo formë adhurimi të papastër. E çfarë gostie na shtron Jehovai! (Isa. 25:6) Ushqimi që na jep me anë të ‘skllavit besnik dhe të mençur’, është jo vetëm i bollshëm, por edhe me një larmi marramendëse, që nga artikujt e fjalimet deri te filmat vizatimorë e videot. (Mat. 24:45) Ne ndihemi si miku i Jobit, Elihu, që me plot gojën tha: ‘E ku ka mësues si Perëndia?!’—Jobi 36:22.

Rrënjose në zemër të vërtetën dhe jeto sipas saj (Shih paragrafin 16) *

16. Si mund të nxjerrësh dobi nga arsimimi që jep Jehovai?

16 Çfarë mund të bësh ti: Fryma e Perëndisë do të të ndihmojë ta zbatosh në jetë atë që lexon dhe studion në Fjalën e tij. Lutu si psalmisti, që tha: «Mësomë udhën tënde, o Jehova, sepse do të eci sipas së vërtetës sate. Më jep një zemër të vetme që të nderoj thellësisht emrin tënd.» (Psal. 86:11) Pra, vazhdo të marrësh forcë nga ushqimi që siguron Jehovai nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së Tij. Natyrisht, synimi yt nuk është thjesht të marrësh njohuri. Duhet ta rrënjosësh në zemër të vërtetën dhe të jetosh në harmoni me të. Për këtë mund të të ndihmojë fryma e Jehovait. Gjithashtu, ti do që t’u japësh zemër vëllezërve e motrave. (Hebr. 10:24, 25) Pse? Sepse janë familja jote. Lutu që fryma e Perëndisë të të ndihmojë të bësh komente nga zemra në mbledhje dhe të japësh më të mirën kur ke pjesë në program. Në këto mënyra i tregon Jehovait dhe Birit të tij se i do «delet» e tyre të shtrenjta.—Gjoni 21:15-17.

17. Në cilat mënyra mund të tregosh se e mbështet me besnikëri organizatën e Jehovait?

17 Së shpejti, në tokë do të mbetet vetëm një organizatë—ajo që udhëhiqet nga fryma e Perëndisë. Prandaj bashkëpuno plot zell me organizatën e Jehovait. Imito dashurinë e paanshme të Perëndisë për njerëzit, duke ua predikuar lajmin e mirë të gjithëve pa dallim. Pasqyro dashurinë e tij për paqen dhe organizimin, duke nxitur unitetin në kongregacion. Vërja veshin Mësuesit tënd të Madh, duke përfituar plotësisht nga gostia që na shtron. Kështu, ndërsa bota e Satanait shkon drejt shkatërrimit, ti s’do të kesh pse të frikësohesh. Përkundrazi, plot guxim, do të qëndrosh mes atyre që po shërbejnë besnikërisht me organizatën e Jehovait.

KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri

^ par. 5 A je i bindur se Jehovai po i prin sot organizatës së tij? Në këtë artikull do të shqyrtojmë si e drejtoi Jehovai kongregacionin e krishterë të shekullit të parë dhe si vazhdon ta drejtojë popullin e tij sot.

^ par. 1 SHPJEGIMI I FJALËS: Organizata universale e Jehovait ka një pjesë qiellore dhe një pjesë tokësore. Në këtë artikull, fjala «organizatë» nënkupton pjesën tokësore.

^ par. 52 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi sheh video për vëllezër e motra që shërbejnë në vende ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë, një pioniere motivohet të ndjekë shembullin e tyre. Si përfundim, e arrin synimin që të shërbejë atje ku ka më shumë nevojë.