Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 45

Si t’i ndihmosh të tjerët të zbatojnë urdhrat e Krishtit

Si t’i ndihmosh të tjerët të zbatojnë urdhrat e Krishtit

«Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» —MAT. 28:19, 20.

KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi

PËRMBLEDHJE *

1. Sipas Mateut 28:18-20, cilin urdhër dha Jezui?

PASI u ringjall, Jezui iu shfaq dishepujve të tij që ishin mbledhur në Galile. Kishte diçka të rëndësishme për t’u thënë. Çfarë? Fjalët e tij gjenden te Mateu 28:18-20.—Lexoje.

2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

2 Urdhri i Jezuit për të bërë dishepuj i drejtohet edhe secilit prej shërbëtorëve të Perëndisë sot. Prandaj, le të shqyrtojmë tri pyetje të lidhura me caktimin që na ka dhënë Jezui. Së pari, përveçse t’u mësojmë dishepujve të rinj kërkesat e Perëndisë, çfarë duhet të bëjmë tjetër? Së dyti, si mund të ndihmojnë të gjithë lajmëtarët në kongregacion që studentët e Biblës të përparojnë? Dhe së treti, si mund t’i ndihmojmë joaktivët të bashkohen prapë me ne në veprën e bërjes së dishepujve?

MËSOJI TË ZBATOJNË URDHRAT E KRISHTIT

3. Cilin udhëzim specifik përfshiu Jezui në urdhrin që dha?

3 Udhëzimet e Jezuit janë të qarta. Ne duhet t’u mësojmë njerëzve gjërat që urdhëroi ai. Ama nuk duhet të harrojmë një hollësi të rëndësishme. Jezui nuk tha: ‘Mësojuni të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.’ Ai tha: ‘Mësojini të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.’ Për t’iu bindur këtij udhëzimi specifik, duhet jo vetëm t’u mësojmë studentëve të Biblës çfarë të bëjnë, por edhe t’u shpjegojmë si ta bëjnë këtë. (Vep. 8:31) Pse është e nevojshme kjo?

4. Ilustroni ç’do të thotë t’i mësojmë dikujt si ta zbatojë një urdhër.

4 Për ta ilustruar si mund t’i mësojmë dikujt të zbatojë gjërat që urdhëroi Krishti, le të marrim një shembull. Si i mëson një instruktor autoshkolle nxënësit të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor? Së pari, instruktori mund t’u mësojë në klasë cilat janë rregullat e trafikut. Por, për t’i mësuar nxënësit si t’u binden këtyre rregullave, duhet të bëjë edhe diçka tjetër. Duhet t’i shoqërojë e t’u shpjegojë si të veprojnë ndërsa i japin makinës mes trafikut dhe përpiqen ta vënë në praktikë atë që mësuan. Çfarë kuptojmë nga ky shembull?

5. (a) Sipas Gjonit 14:15 dhe 1 Gjonit 2:3, çfarë duhet t’u mësojmë studentëve të bëjnë? (b) Jepni shembuj si t’i ndihmojmë studentët ta zbatojnë atë që mësojnë.

5 Kur studiojmë Biblën me dikë, i mësojmë çfarë kërkon Perëndia nga ne. Por duhet të bëjmë edhe diçka tjetër. Duhet t’i mësojmë studentit si ta zbatojë në jetën e përditshme atë që mëson. (Lexo Gjonin 14:15; 1 Gjonit 2:3.) Me shembullin tonë, mund t’i tregojmë si t’i zbatojë në shkollë, në punë ose në kohën e lirë parimet bazë të Shkrimeve. Mund t’i tregojmë një rast nga jeta jonë që nxjerr në pah se si ndjekja e drejtimit të Biblës na ka mbrojtur nga telashet ose na ka ndihmuar të marrim vendime të mençura. Kur jemi bashkë me studentin, mund t’i kërkojmë Jehovait në lutje që ta drejtojë me frymën e shenjtë.—Gjoni 16:13.

6. Çfarë duhet të bëjmë tjetër që t’i mësojmë studentët të zbatojnë urdhërimet e Jezuit?

6 Çfarë duhet të bëjmë tjetër që t’i mësojmë studentët të zbatojnë urdhërimet e Jezuit? Duhet t’i ndihmojmë të ushqejnë dëshirën për të bërë dishepuj. Disa studentë mund t’i trembë edhe vetëm mendimi që të marrin pjesë në veprën e predikimit. Prandaj duhet durim ndërsa i mësojmë, pasi duam t’i kuptojnë më thellë Shkrimet e t’u preket zemra. Kjo do t’i motivojë të veprojnë. Po si mund t’i ndihmojmë studentët të ushqejnë dëshirën që t’u flasin të tjerëve për lajmin e mirë?

7. Si mund ta ndihmosh studentin të ushqejë dëshirën që t’u japë të tjerëve lajmin e mirë?

7 Mund t’i bësh studentit pyetje të tilla: «Si është përmirësuar jeta jote pasi nise të zbatosh atë që thotë Bibla? A mendon se të tjerët kanë nevojë ta dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë? Çfarë mund të bësh për t’i ndihmuar?» (Prov. 3:27; Mat. 9:37, 38) Tregoji studentit fletushkat e Çantës së mjeteve mësimore dhe lëre të zgjedhë ato që mendon se do t’u ngjallin interes të afërmve, shokëve ose kolegëve të tij. Pastaj jepi disa nga këto fletushka. Bëni prova që të mësojë si të ofrojë me takt një fletushkë. E patjetër, pasi studenti të bëhet lajmëtar i papagëzuar, duam të jemi përkrah tij në shërbim për ta ndihmuar.—Ekl. 4:9, 10; Luka 6:40.

SI NDIHMON KONGREGACIONI QË STUDENTËT TË PËRPAROJNË

8. Pse është e rëndësishme që studentët të ushqejnë dashuri të thellë për Perëndinë e për të tjerët? (Shih edhe kutinë « Si ta ndihmosh të thellojë dashurinë për Perëndinë».)

8 Të mbajmë në mend se Jezui na udhëzoi t’i mësojmë njerëzit «të zbatojnë të gjitha gjërat» që urdhëroi ai. Patjetër që këtu futen edhe dy urdhrat më të mëdhenj—të duam Perëndinë dhe të duam të tjerët—të cilët lidhen ngushtë me predikimin dhe bërjen e dishepujve. (Mat. 22:37-39) Cila është lidhja? Një motiv i fortë pse marrim pjesë në veprën e predikimit është dashuria—për Perëndinë dhe për të tjerët. Natyrisht që disa studentë mund t’i frikësojë mendimi që të marrin pjesë në veprën e predikimit. Por mund t’i sigurojmë se me ndihmën e Jehovait do t’ia dalin ta mposhtin dalëngadalë frikën nga njeriu. (Psal. 18:1-3; Prov. 29:25) Kutia e këtij artikulli shpjegon hapat që mund të bëjmë për t’i ndihmuar studentët të forcojnë dashurinë për Perëndinë. Veç kësaj, si mund t’i ndihmojë kongregacioni dishepujt e rinj që të tregojnë gjithnjë e më shumë dashuri?

9. Si nxjerr mësime me vlerë një nxënës kur mëson makinën?

9 T’i kthehemi edhe një herë ilustrimit me nxënësin që mëson makinën. Në cilat mënyra mëson nxënësi ndërsa nget makinën mes trafikut me instruktorin përkrah? Duke ia vënë veshin instruktorit dhe duke vëzhguar shoferë të tjerë të kujdesshëm. Për shembull, instruktori mund t’i tregojë një shofer që, me mirësjellje, lejon një tjetër të parakalojë. Ose mund t’i drejtojë vëmendjen te një shofer që tregon konsideratë dhe i ul dritat e gjata për të mos verbuar shoferët e tjerë. Nga shembuj të tillë, nxënësi nxjerr mësime me vlerë që mund t’i zbatojë kur i jep vetë makinës.

10. Çfarë do ta ndihmojë një student të përparojë në të vërtetën?

10 Po njësoj, një student i Biblës që fillon të udhëtojë në rrugën e jetës mëson jo vetëm nga mësuesi i tij, por edhe nga shembujt e mirë të shërbëtorëve të tjerë të Jehovait. Cila është, pra, një ndihmë e madhe që studenti të përparojë? Ndjekja e mbledhjeve. Pse? Sepse arsimimi nga Shkrimet në mbledhje do ta ndihmojë të thellojë njohurinë, të rritë besimin dhe të forcojë dashurinë për Perëndinë. (Vep. 15:30-32) Veç kësaj, në mbledhje, mësuesi i Biblës mund ta prezantojë me vëllezër e motra me të cilët studenti ndoshta ka shumë gjëra të përbashkëta. E në kongregacion studenti do të shohë si shfaqet me vepra dashuria e krishterë. Le të shohim disa shembuj më poshtë.

11. Cilët shembuj mund të vërejë studenti në kongregacion, dhe si mund të ndikojnë tek ai?

11 Një studente e Biblës që është prind i vetëm sheh një motër në një situatë të ngjashme. Ajo preket në zemër kur vëren sa fort përpiqet motra të vijë në Sallën e Mbretërisë me fëmijët e vegjël. Një student që po përpiqet të lërë duhanin, njihet me një vëlla që bëri një luftë të ngjashme dhe ia doli mbanë. Vëllai i tregon studentit se si dashuria gjithnjë e më e fortë për Jehovain e nxiti t’u bindej urdhrave të tij. (2 Kor. 7:1; Filip. 4:13) Pasi i tregon historinë e vet, vëllai e siguron studentin: «Edhe ti mund ta lësh duhanin!» Studenti merr zemër dhe i forcohet besimi se mund t’ia dalë. Një vajzë që po studion Biblën sheh një motër të re që duket qartë se e gëzon jetën si Dëshmitare. Gëzimi që vëren tek ajo motër i ngjall dëshirën të mësojë më shumë për arsyen pse ajo është përherë e lumtur.

12. Pse mund të themi që secili në kongregacion luan një rol në përparimin e studentëve të Biblës?

12 Kur njihet me lajmëtarë të ndryshëm që kanë besim të fortë, studenti mëson nga shembulli i tyre se ç’do të thotë t’i bindesh urdhrit të Krishtit që të duash Perëndinë dhe të tjerët. (Gjoni 13:35; 1 Tim. 4:12) Gjithashtu, siç u përmend më sipër, studenti mund të mësojë nga lajmëtarët që përballojnë vështirësi të ngjashme me të tijat. Shembuj të tillë e sigurojnë se mund t’ia dalë t’i bëjë ndryshimet që nevojiten për të qenë dishepull i Krishtit. (Ligj. 30:11) Secili në kongregacion mund të luajë një rol në përparimin e studentëve të Biblës. (Mat. 5:16) Çfarë përpjekjesh bën ti për të inkurajuar studentët e Biblës që ndjekin mbledhjet?

NDIHMOJI JOAKTIVËT TË BASHKOHEN ME NE NË SHËRBIM

13-14. Si i trajtoi Jezui apostujt e shkurajuar?

13 Duam t’i ndihmojmë motrat e vëllezërit joaktivë të jenë sërish përkrah nesh ndërsa predikojmë e bëjmë dishepuj. Mënyra si i trajtoi Jezui apostujt e shkurajuar na tregon çfarë mund të bëjmë ne.

14 Në fund të shërbimit të Jezuit në tokë, kur ai ishte në prag të vdekjes, «të gjithë [apostujt] e braktisën dhe ia mbathën». (Mar. 14:50; Gjoni 16:32) Si i trajtoi Jezui apostujt që i kishte lëshuar zemra? Pak pasi u ringjall, ai u tha disa grave që ishin dishepulle të tij: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin [që u ringjalla] vëllezërve të mi.» (Mat. 28:10a) Jezui nuk u hoqi vizën apostujve. Edhe pse e kishin braktisur, prapë i quajti ‘vëllezërit e mi’. Sikurse Jehovai, Jezui ishte i mëshirshëm dhe i gatshëm të falte.—2 Mbret. 13:23.

15. Si ndihemi për ata që nuk janë më përkrah nesh në shërbim?

15 Po njësoj, ne merakosemi nga zemra për ata që s’janë më përkrah nesh në shërbim. I kemi vëllezër e motra dhe i duam me gjithë shpirt! Nuk e harrojmë gjithë punën e palodhur që bënë për Jehovain—disa ndoshta për dekada të tëra. (Hebr. 6:10) Na merr vërtet malli për ta! (Luka 15:4-7) Në cilat mënyra mund ta imitojmë Jezuin e t’ua shprehim se i kemi për zemër?

16. Si mund ta shprehim se i kemi për zemër motrat e vëllezërit joaktivë?

16 Ftoji me ngrohtësi në mbledhje. Një mënyrë si u dha zemër Jezui apostujve të shkurajuar ishte duke i ftuar në një mbledhje. (Mat. 28:10b; 1 Kor. 15:6) Po njësoj, ne mund t’i inkurajojmë joaktivët të vijnë në mbledhje. E kuptojmë se mund të jetë e nevojshme t’i ftojmë disa herë para se t’i përgjigjen ftesës. Jezui pa dyshim u gëzua kur dishepujt e pranuan ftesën e tij, dhe ne mund të provojmë të njëjtin gëzim.—Mat. 28:16; krahaso Lukën 15:6.

17. Si duhet të reagojmë kur një joaktiv vjen në mbledhje?

17 Mirëpriti krahëhapur. Jezui bëri që dishepujt e tij të ndiheshin të mirëpritur kur shkuan ta takonin; ai mori iniciativën t’u fliste. (Mat. 28:18) Po ne si do të reagojmë kur një joaktiv të vijë në Sallën e Mbretërisë? Duhet të marrim iniciativën që ta mirëpresim me ngrohtësi. Në fillim, mbase kemi merak se mos nuk do të dimë ç’të themi. Por, pa e vënë në siklet, thjesht mund t’i themi sa të lumtur jemi që po e shohim.

18. Si mund t’u japim zemër e siguri lajmëtarëve joaktivë?

18 Jepu zemër e siguri. Dishepujt e Jezuit ka të ngjarë të ndiheshin në ankth për shkak të detyrës kolosale që të predikonin në mbarë botën. Jezui u dha siguri me këto fjalë: «Unë jam me ju gjithë ditët.» (Mat. 28:20) A i ndihmoi kjo dishepujt? Pa diskutim. S’kaloi shumë e ata ‘po mësonin e po shpallnin lajmin e mirë’ plot zell. (Vep. 5:42) Po njësoj, lajmëtarët joaktivë kanë nevojë t’u japim zemër e siguri. Ndoshta u fut ankth mendimi që të dalin prapë në shërbim. Mund t’i sigurojmë se nuk do të jenë vetëm. E kur të jenë gati, mund t’i shoqërojmë në shërbim. Pa dyshim që do të jenë mirënjohës për mbështetjen tonë ndërsa fillojnë të predikojnë prapë lajmin e mirë. Kur i shohim dhe i trajtojmë joaktivët si motrat e vëllezërit tanë, mund të kemi rezultate që na gëzojnë zemrën.

DUAM TA ÇOJMË DERI NË FUND VEPRËN QË NA ËSHTË BESUAR

19. Cila është dëshira e zemrës sonë, dhe pse?

19 Deri kur do të vazhdojmë të predikojmë e të bëjmë dishepuj? Derisa të marrë fund ky sistem. (Mat. 28:20; shih «Përfundimi i sistemit» te Fjalorthi.) A do të arrijmë ta vazhdojmë veprën derisa të vijë ajo kohë? Pa diskutim! Dhe jemi të vendosur ta çojmë deri në fund këtë vepër! Ne japim me kënaqësi nga koha, energjitë e të ardhurat tona për të gjetur ata që janë «të prirur për jetën e përhershme». (Vep. 13:48) Në këtë mënyrë ndjekim shembullin e Jezuit, që tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.» (Gjoni 4:34; 17:4) Kjo është edhe dëshira e zemrës sonë: ta çojmë deri në fund veprën që na është besuar. (Gjoni 20:21) Gjithashtu duam që edhe të tjerët—duke përfshirë joaktivët—të tregojnë qëndrueshmëri e ta përfundojmë veprën së bashku.—Mat. 24:13.

20. Sipas Filipianëve 4:13, pse është e mundur ta çojmë deri në fund veprën që na caktoi Jezui?

20 Kuptohet, nuk është e lehtë ta përmbushim detyrën kolosale që na ka caktuar Jezui. Sidoqoftë, nuk jemi vetëm në këtë vepër. Jezui premtoi se do të ishte me ne. Teksa kryejmë caktimin tonë që të bëjmë dishepuj, jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» dhe shërbejmë «përkrah Krishtit». (1 Kor. 3:9; 2 Kor. 2:17) Prandaj është e mundur ta çojmë deri në fund veprën që na është besuar. Çfarë privilegji e kënaqësie është të përmbushim këtë caktim e të ndihmojmë edhe të tjerët t’ia dalin mbanë!—Lexo Filipianëve 4:13.

KËNGA 79 Ndihmoji të jenë të pathyeshëm

^ par. 5 Jezui i udhëzoi dishepujt e tij që të bënin dishepuj e t’i mësonin të zbatonin të gjitha gjërat që u kishte urdhëruar. Ky artikull shqyrton si mund t’i ndjekim udhëzimet e Jezuit. Informacioni bazohet pjesërisht te një artikull që doli në Kullën e Rojës të 1 korrikut 2004, faqet 14-19.

^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Motra që drejton studimin, i shpjegon studentes çfarë hapash duhet të bëjë që të thellojë dashurinë për Perëndinë. Më vonë, studentja zbaton tri sugjerimet që i dha mësuesja e Biblës.