Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 47

A do të vazhdosh të ndreqesh?

A do të vazhdosh të ndreqesh?

«Së fundi, vëllezër, vazhdoni të gëzoni [dhe] të ndreqeni.»—2 KOR. 13:11.

KËNGA 54 «Kjo është udha»

PËRMBLEDHJE *

1. Sipas Mateut 7:13, 14, në ç’kuptim jemi në një udhëtim?

TË GJITHË jemi në një udhëtim. Destinacioni, ose synimi, ynë është të jetojmë në botën e re ku do të qeverisë me dashuri Jehovai. Çdo ditë përpiqemi të ecim në rrugën që çon në jetë. Por, siç tha Jezui, kjo rrugë është e ngushtë dhe hera-herës e kemi të vështirë ta ndjekim. (Lexo Mateun 7:13, 14.) E si të papërsosur mund të devijojmë kollaj prej saj.—Gal. 6:1.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Shih edhe kutinë « Përulësia na ndihmon të mos devijojmë nga rruga».)

2 Që të qëndrojmë në rrugën e ngushtë të jetës, duhet të jemi të gatshëm të ndreqim mënyrën si mendojmë, si veprojmë dhe qëndrimin tonë. Apostulli Pavël i nxiti të krishterët në Korint të vazhdonin ‘të ndreqeshin’. (2 Kor. 13:11) Kjo këshillë na drejtohet edhe neve. Në këtë artikull do të shohim si na ndihmon Bibla t’i bëjmë këto ndryshime dhe si mund të na ndihmojnë miqtë e pjekur të qëndrojmë në udhën e jetës. Gjithashtu do të shqyrtojmë çfarë mund të na e bëjë të vështirë të ndjekim drejtimin që jep organizata e Jehovait. Do të shohim si na ndihmon përulësia t’i bëjmë këto ndryshime pa e humbur gëzimin në shërbim të Jehovait.

LEJO FJALËN E PERËNDISË TË TË NDREQË

3. Si mund të të ndihmojë Fjala e Perëndisë?

3 Kur përpiqemi të shqyrtojmë mendimet dhe ndjenjat tona, hasim një vështirësi. Zemra jonë është e pabesë, pra shpesh nuk mund t’i zëmë besë drejtimit të saj. (Jer. 17:9) Fare kollaj mund të gënjejmë veten me «arsyetime të rreme». (Jak. 1:22) Ja pse duhet të përdorim Fjalën e Perëndisë për të shqyrtuar veten. Bibla zbulon si jemi thellë përbrenda, «mendimet dhe qëllimet» e zemrës. (Hebr. 4:12, 13) Ajo shërben, si të thuash, si një skaner, pasi na ndihmon të shohim thellë brenda vetes. Veçse, për të nxjerrë dobi prej këshillave që marrim nga Bibla ose nga përfaqësuesit e Perëndisë, na duhet përulësi.

4. Nga e kuptojmë se mbreti Saul u bë krenar?

4 Shembulli i mbretit Saul tregon ç’mund të ndodhë po të mos jemi të përulur. Sauli u bë aq krenar sa nuk ia pranonte as vetes se duhej të ndreqte mënyrën si mendonte dhe si sillej. (Psal. 36:1, 2; Hab. 2:4) Kjo doli në shesh kur Jehovai i dha një drejtim specifik se çfarë duhej të bënte pasi të mundte amalekitët. Sauli nuk iu bind Jehovait. Dhe kur profeti Samuel u ballafaqua me të, nuk e pranoi gabimin. Në vend të kësaj, u përpoq të justifikohej duke minimizuar pasojat e mosbindjes e duke ua hedhur fajin të tjerëve. (1 Sam. 15:13-24) Sauli kishte shfaqur edhe më parë një qëndrim të ngjashëm. (1 Sam. 13:10-14) Mjerisht, ai lejoi që zemra e tij të bëhej fodulle. Nuk e ndreqi mënyrën si mendonte, e si pasojë Jehovai e qortoi dhe e hodhi poshtë.

5. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Saulit?

5 Që të nxjerrim mësim nga shembulli i Saulit, bëjmë mirë të pyesim veten: «Kur lexoj këshilla nga Fjala e Perëndisë, a kam prirjen të justifikoj mënyrën si arsyetoj? A i minimizoj pasojat e mosbindjes? A ua hedh fajin të tjerëve për veprimet e mia?» Nëse i përgjigjemi «po» ndonjërës nga këto pyetje, duhet të ndreqim mënyrën si mendojmë dhe qëndrimin tonë. Përndryshe, zemra jonë mund të bëhet aq fodulle sa Jehovai do të na hedhë poshtë si mikun ose miken e tij.—Jak. 4:6.

6. Ku ndryshonte mbreti David nga mbreti Saul?

6 Vër re kontrastin mes mbretit Saul dhe pasuesit të tij, mbretit David, i cili e donte «ligjin e Jehovait». (Psal. 1:1-3) Davidi e dinte se Jehovai shpëton të përulurin, por i kundërvihet fodullit. (2 Sam. 22:28) Prandaj e lejoi ligjin e Perëndisë t’i ndreqte mënyrën si mendonte. Davidi shkroi: «Unë do të lëvdoj Jehovain që më këshillon; edhe natën mendimet e mia më të thella më ndreqin.»—Psal. 16:7.

FJALA E PERËNDISË

Fjala e Perëndisë na paralajmëron kur devijojmë nga rruga. Nëse jemi të përulur, do ta lejojmë Fjalën e Perëndisë të na ndreqë mendimet e gabuara (Shih paragrafin 7)

7. Çfarë do të bëjmë nëse jemi të përulur?

7 Nëse jemi të përulur, do të lejojmë që Fjala e Perëndisë të na i ndreqë mendimet e gabuara para se ato të kthehen në veprime të gabuara. Fjala e tij do të jetë si një zë që na thotë: «Kjo është udha. Ecni në të!» Ajo do të na paralajmërojë nëse po devijojmë nga udha—qoftë në të majtë, qoftë në të djathtë. (Isa. 30:21) Po t’ia vëmë veshin Jehovait, do të nxjerrim dobi në shumë mënyra. (Isa. 48:17) Për shembull, do të shmangim sikletin që vjen kur duhet të na ndreqë dikush tjetër. Veç kësaj, do të afrohemi më shumë me Jehovain, sepse e kuptojmë që ai po na trajton si një fëmijë të shtrenjtë.—Hebr. 12:7.

8. Si mund ta përdorim Fjalën e Perëndisë si pasqyrë, siç tregon Jakovi 1:22-25?

8 Fjala e Perëndisë mund të na shërbejë si pasqyrë. (Lexo Jakovin 1:22-25.) Zakonisht ne shihemi në pasqyrë çdo mëngjes para se të dalim nga shtëpia. Kështu mund të kuptojmë nëse duhet të ndreqim ndonjë gjë para se të na shohin të tjerët. Po njësoj, kur lexojmë Biblën çdo ditë, dallojmë si mund të ndreqim mënyrën si mendojmë dhe qëndrimin tonë. Shumë vetave u duket e dobishme të lexojnë shkrimin e ditës çdo mëngjes para se të dalin nga shtëpia. Pastaj e lejojnë atë që lexuan të ndikojë te mënyra si mendojnë. E gjatë gjithë ditës, kërkojnë mënyra si ta zbatojnë atë këshillë nga Bibla. Veç kësaj, duhet të kemi një program studimi ku përfshihet leximi dhe meditimi i përditshëm rreth Fjalës së Perëndisë. Mbase kjo duket si diçka elementare, por është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë për të qëndruar në rrugën e ngushtë të jetës.

VËRU VESHIN MIQVE TË PJEKUR

MIQTË E PJEKUR

Një bashkëbesimtar i pjekur mund të na paralajmërojë me dashuri. A i jemi mirënjohës shokut ose shoqes sonë që mori kurajën të fliste me ne? (Shih paragrafin 9)

9. Kur mund të jetë e nevojshme që një mik të të ndreqë?

9 A të ka ndodhur ndonjëherë të futesh në një shteg që po të largonte nga Jehovai? (Psal. 73:2, 3) Nëse një mik i pjekur mori kurajën të të ndreqte, a ia vure veshin dhe a e ndoqe këshillën e tij? Nëse po, u tregove i mençur. E pa dyshim i ishe mirënjohës mikut tënd që të paralajmëroi.—Prov. 1:5.

10. Si duhet të reagosh nëse një mik të ndreq?

10 Fjala e Perëndisë na kujton se «plagët që të hap një shok besnik» sjellin dobi. (Prov. 27:6) Ç’do të thotë kjo? Mendo për këtë ilustrim: imagjino sikur po pret të kalosh një rrugë me shumë trafik dhe të shpërqendron celulari. Fillon të ecësh në rrugë pa i ngritur sytë. Tamam atëherë, një shok të mbërthen nga krahu dhe të tërheq prapë në trotuar. Shtrëngimi i dorës së tij ishte aq i fortë sa t’u nxi krahu. Ama veprimi i tij i shpejtë të shpëtoi nga një aksident i rëndë. Edhe nëse ajo e nxirë të dhemb për disa ditë, a ndihesh i ofenduar që miku yt të kapi fort për krahu? S’do mend që jo! I je mirënjohës që të ndihmoi. Po njësoj, nëse një mik të paralajmëron se fjalët ose sjellja jote nuk janë në harmoni me normat e drejta të Perëndisë, kjo në fillim mund të të dhembë. Por mos u inatos e as mos u ofendo nga këshilla e tij, pasi kjo do të ishte marrëzi. (Ekl. 7:9) Përkundrazi, ji mirënjohës që miku yt mori kurajën të fliste me ty.

11. Për ç’arsye mund t’i hedhë poshtë dikush këshillat e mençura të një miku?

11 Çfarë mund ta shtyjë dikë t’i hedhë poshtë këshillat e mençura të një miku të dashur? Krenaria. Njerëzit krenarë kanë qejf «t’u gudulisin veshët» dhe ‘nuk e dëgjojnë më të vërtetën’. (2 Tim. 4:3, 4) Ata kanë vlerësim tepër të lartë për opinionin e tyre dhe u duket vetja shumë të rëndësishëm. Mirëpo, apostulli Pavël shkroi: «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë, mashtron veten.» (Gal. 6:3) Mbreti Solomon e përmblodhi bukur këtë me fjalët: «Është më mirë një djalë i varfër, por i mençur, se një mbret i moshuar, por i marrë, që nuk ka më aq mend sa t’ua vërë veshin këshillave.»—Ekl. 4:13.

12. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i apostullit Pjetër, që është dokumentuar te Galatasve 2:11-14?

12 Ia vlen të mendojmë për shembullin e apostullit Pjetër kur apostulli Pavël e qortoi përpara të gjithëve. (Lexo Galatasve 2:11-14.) Pjetri mund të ishte inatosur nga ajo që i tha Pavli po të përqendrohej te mënyra si i foli ose te fakti që e këshilloi në sy të të tjerëve. Por me mençuri e pranoi këshillën dhe nuk ushqeu mëri ndaj Pavlit. Madje, më vonë e quajti Pavlin ‘vëlla i dashur’.—2 Pjet. 3:15.

13. Për çfarë duhet të mendosh para se të japësh një këshillë?

13 Nëse ndonjëherë e sheh të nevojshme të këshillosh një shok, çfarë duhet të mbash në mendje? Para se të flasësh me të, pyet veten: «Mos po tregohem ‘tepër i drejtë’?» (Ekl. 7:16) Një njeri tepër i drejtë i gjykon të tjerët sipas standardeve të veta, jo sipas standardeve të Jehovait, dhe ka shumë mundësi të mos tregohet i mëshirshëm. Nëse e ke shqyrtuar mirë veten dhe prapë e sheh të nevojshme të flasësh me shokun tënd, thuaja qartë cili është problemi dhe përdor pyetje që e ndihmojnë të kuptojë gabimin e tij. Sigurohu se ajo që thua, bazohet te Shkrimet dhe ki parasysh se shoku yt mban përgjegjësi para Jehovait, jo para teje. (Rom. 14:10) Mbështetu te mençuria që përmban Fjala e Perëndisë dhe imito dhembshurinë e Jezuit kur këshillon dikë. (Prov. 3:5; Mat. 12:20) Pse? Sepse Jehovai do të na trajtojë njësoj siç trajtojmë të tjerët.—Jak. 2:13.

NDIQ DREJTIMIN QË JEP ORGANIZATA E PERËNDISË

ORGANIZATA E PERËNDISË

Organizata e Perëndisë siguron botime, video dhe mbledhje që na ndihmojnë t’i zbatojmë këshillat e Fjalës së Perëndisë. Trupi Udhëheqës bën herë pas here ndryshime në mënyrën si organizohet vepra (Shih paragrafin 14)

14. Çfarë na siguron organizata e Perëndisë?

14 Jehovai na prin në rrugën e jetës nëpërmjet pjesës tokësore të organizatës së tij, e cila siguron video, botime dhe mbledhje që na ndihmojnë të gjithëve t’i zbatojmë këshillat e Fjalës së Perëndisë. Ky informacion është i besueshëm, sepse bazohet te Shkrimet. Kur vendos se si mund të kryhet sa më mirë vepra e predikimit, Trupi Udhëheqës mbështetet te fryma e shenjtë. Megjithatë, Trupi Udhëheqës i rishikon rregullisht vendimet që ka marrë në lidhje me mënyrën si organizohet vepra. Pse? Sepse «skena e kësaj bote po ndryshon», dhe organizata e Perëndisë duhet të përshtatet me rrethanat e reja.—1 Kor. 7:31.

15. Çfarë vështirësie hasin disa lajmëtarë?

15 Kur organizata e Jehovait jep një shpjegim të ri për një mësim të Biblës ose një drejtim të bazuar në Shkrime për standardet morale, e pranojmë dhe e ndjekim me gatishmëri. Por, si reagojmë kur organizata e Perëndisë bën një ndryshim që ndikon në aspekte të tjera të jetës sonë? Për shembull, vitet e fundit kostoja për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e vendeve të adhurimit është rritur ndjeshëm. Prandaj Trupi Udhëheqës ka udhëzuar që një Sallë Mbretërie të përdoret nga sa më shumë kongregacione. Si rezultat i këtij ndryshimi, mjaft kongregacione janë bashkuar dhe disa Salla Mbretërie janë shitur. Fondet e kursyera po përdoren për të ndërtuar salla në zona ku ka më tepër nevojë. Nëse jeton në një zonë ku po shiten salla dhe po bashkohen kongregacione, mbase e ke të vështirë të përshtatesh me rrethanat e reja. Disa lajmëtarëve tani u duhet të bëjnë më shumë rrugë për të shkuar në mbledhje. E disa të tjerë që punuan me të gjitha forcat për të ndërtuar a mirëmbajtur një Sallë Mbretërie, mund të vrasin mendjen pse po shitet tani ajo sallë. Ndoshta ndihen sikur koha dhe përpjekjet e tyre shkuan dëm. Prapëseprapë, po bashkëpunojnë me këtë masë të re dhe meritojnë të lavdërohen.

16. Si do të na ndihmojë zbatimi i këshillës së Kolosianëve 3:23, 24 të ruajmë gëzimin?

16 Do ta ruajmë gëzimin nëse mbajmë në mendje se gjithë puna që bëjmë, është për Jehovain dhe se ai po i prin organizatës së tij. (Lexo Kolosianëve 3:23, 24.) Mbreti David na la një shembull të bukur kur dhuroi fonde për tempullin. Ai tha: «Kush jam unë e kush është populli im që të bëjmë blatime vullnetare si këto?! Çdo gjë vjen prej teje dhe ne të kemi dhënë atë që kemi marrë nga vetë dora jote.» (1 Kron. 29:14) Kur bëjmë dhurata vullnetare, edhe ne i japim Jehovait atë që kemi marrë nga dora e tij. Gjithsesi, Jehovai i çmon kohën, energjitë e të ardhurat që dhurojmë për të mbështetur veprën e tij.—2 Kor. 9:7.

QËNDRO NË RRUGËN E NGUSHTË

17. Pse nuk duhet të shkurajohesh nëse ke nevojë të bësh disa ndryshime?

17 Për të qëndruar në rrugën e ngushtë të jetës, të gjithë duhet të ndjekim me kujdes gjurmët e Jezuit. (1 Pjet. 2:21) Nëse vëren se ke nevojë të bësh disa ndryshime, mos u shkurajo. Kjo madje mund të jetë një shenjë e mirë që tregon se je i ndjeshëm ndaj drejtimit të Jehovait. Mos harro se—në gjendjen e papërsosur që jemi sot—Jehovai nuk pret nga ne ta imitojmë përsosmërisht shembullin e Jezuit.

18. Çfarë duhet të bëjmë që të arrijmë synimin tonë?

18 Le t’i përqendrojmë sytë tek e ardhmja dhe të jemi të gatshëm të ndreqim mënyrën si mendojmë, si veprojmë dhe qëndrimin tonë. (Prov. 4:25; Luka 9:62) Të vazhdojmë të jemi të përulur, sepse kjo do të na ndihmojë ‘të vazhdojmë të gëzojmë dhe të ndreqemi’. (2 Kor. 13:11) Atëherë, ‘Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ne’. E jo vetëm do të mbërrijmë në destinacionin tonë, por edhe do ta shijojmë udhëtimin.

KËNGA 34 Do të jetoj me integritet

^ par. 5 Ndoshta disa nga ne e kemi të vështirë të ndryshojmë mënyrën si mendojmë, si veprojmë dhe qëndrimin tonë. Ky artikull do të shpjegojë pse të gjithë kemi nevojë të ndreqemi dhe si mund ta ruajmë gëzimin ndërsa i bëjmë këto ndryshime.

^ par. 76 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa vëllai më i ri tregon çfarë i ndodhi pasi mori një vendim jo të mirë, vëllai më i madh (djathtas) e dëgjon me qetësi për të kuptuar nëse është e nevojshme t’i japë ndonjë këshillë.