Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të marrë fund kjo botë?

A do të marrë fund kjo botë?

Ndoshta e di se Bibla flet për fundin e botës. (1 Gjonit 2:17) A bëhet fjalë për fundin e njerëzimit? A do të shndërrohet Toka në një shkretëtirë të pajetë apo do të shkatërrohet krejt?

PËRGJIGJJA E BIBLËS PËR TË DYJA KËTO PYETJE ËSHTË JO!

Çfarë nuk do të marrë fund?

NJERËZIMI

Bibla thotë: Perëndia «nuk e krijoi [tokën] pa një qëllim, por e formoi që të banohej».—ISAIA 45:18.

PLANETI TOKË

Bibla thotë: «Një brez shkon, një brez vjen, por toka qëndron përjetë.»—EKLISIASTIU 1:4.

Ç’DO TË THOTË: Sipas Biblës, toka nuk do të shkatërrohet kurrë, por do të banohet përgjithmonë. Prandaj, çfarë nënkupton fundi i botës?

SHQYRTO: Bibla e krahason fundin e kësaj bote me atë që ndodhi në ditët e Noesë. Në atë kohë, toka ishte «plot dhunë». (Zanafilla 6:13) Megjithatë, Noeja ishte i drejtë. Ja pse Perëndia e ruajti gjallë Noenë dhe familjen e tij, por të ligjtë i shkatërroi me një përmbytje. Kur flet për atë ngjarje, Bibla thotë: «Bota e asaj kohe u shkatërrua kur u përmbyt.» (2 Pjetrit 3:6) Ky ishte fundi i asaj bote. Atëherë, çfarë u shkatërrua? Jo toka, por njerëzit e ligj. Prandaj, kur flet për fundin e botës, Bibla nuk i referohet shkatërrimit të planetit. Përkundrazi, e ka fjalën për fundin e njerëzve të ligj që jetojnë në tokë dhe të sistemit që kanë krijuar.

Çfarë do të marrë fund?

PROBLEMET DHE LIGËSIA

Bibla thotë: «Edhe pak dhe të ligjtë nuk do të jenë më; do të shohësh vendin ku ishin dikur, por ata nuk do të jenë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do t’u kënaqet shpirti me paqen e pafund.»—PSALMI 37:10, 11.

Ç’DO TË THOTË: Përmbytja në ditët e Noesë nuk e fshiu nga faqja e dheut ligësinë. Pas Përmbytjes, të ligjtë filluan prapë t’ua nxinin jetën të tjerëve. Mirëpo, shumë shpejt, Perëndia do t’i japë fund njëherë e mirë gjithë ligësisë. Ashtu si tha psalmisti: «Të ligjtë nuk do të jenë më.» Perëndia do ta eliminojë ligësinë me anë të Mbretërisë së tij—një qeverie mbarëbotërore që do të qeverisë nga qielli njerëzit e drejtë.

SHQYRTO: A do ta presin krahëhapur Mbretërinë e Perëndisë qeveritarët e sotëm? Bibla thotë se jo. Ata do t’i kundërvihen Mbretërisë së Perëndisë si të marrë. (Psalmi 2:2) Me ç’rezultat? Mbretëria e Perëndisë do t’i zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore dhe «vetëm ajo do të qëndrojë përgjithmonë». (Danieli 2:44) Por, pse duhet të marrë fund qeverisja njerëzore?

Fundi i qeverive njerëzore—NJË DOMOSDOSHMËRI

Bibla thotë: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e tij.»—JEREMIA 10:23.

Ç’DO TË THOTË: Njerëzit nuk u krijuan për t’u vetëqeverisur. Ja pse qeverisja e tyre dhe zgjidhja që u japin problemeve, lënë shumë për të dëshiruar.

SHQYRTO: Britannica Academic thotë se asnjë qeveri më vete nuk është në gjendje «t’u japë fund armiqve universalë, si: varfërisë, urisë, sëmundjeve, katastrofave natyrore, luftës dhe formave të tjera të dhunës». Më tej shton: «Disa besojnë se vetëm një qeveri botërore mund t’u japë zgjidhje një herë e mirë këtyre problemeve.» Megjithatë, edhe sikur të gjitha qeveritë njerëzore të bashkoheshin, prapëseprapë bota do të qeverisej nga njerëz të papërsosur, të cilët nuk janë në gjendje t’i kapërcejnë vështirësitë e lartpërmendura. Mbretëria e Perëndisë është e vetmja qeveri që ka fuqi të zgjidhë përfundimisht të gjitha problemet e botës.

Prandaj, sipas Biblës, njerëzit e mirë nuk kanë pse t’i frikësohen fundit të botës, fundit të këtij sistemi të lig. Përkundrazi, ky është një lajm i mirë, sepse kësaj bote të vjetër e të rrënuar do t’ia zërë vendin bota e re e mrekullueshme e Perëndisë.

Kur do të ndodhë kjo? Artikulli tjetër na jep përgjigjen e Biblës.