Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë të bësh që të jetosh në botën e re?

Çfarë të bësh që të jetosh në botën e re?

Artikujt e mëparshëm shpjeguan se Zoti së shpejti do t’i japë fund shoqërisë së ligë njerëzore, si dhe gjithë problemeve të saj. Jemi të bindur që kjo do të ndodhë. Pse? Sepse këtë e premton Fjala e Perëndisë, Bibla.

«Bota po kalon.»—1 GJONIT 2:17.

Jemi të sigurt se do të ketë të mbijetuar, sepse vargu i mësipërm thotë edhe:

«Ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet në jetë të jetëve.»

Prandaj, nëse duam që të mbijetojmë, duhet të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Që të dimë cili është vullneti i Perëndisë, fillimisht duhet ta njohim Atë.

‘NJIH PERËNDINË’ QË T’I MBIJETOSH FUNDIT

Jezui tha: «Që të gëzojnë jetën e përhershme, duhet të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.» (Gjoni 17:3) Që t’i mbijetojmë fundit dhe të jetojmë përgjithmonë, ‘duhet të njohim’ Perëndinë. Kjo përfshin më shumë sesa thjesht të pranojmë se Zoti ekziston ose të dimë disa gjëra rreth tij. Duhet të jemi miq me të. Dhe, si në çdo miqësi, duhet të kalojmë kohë me njëri-tjetrin që të lidhemi ngushtë. E njëjta gjë vlen edhe për miqësinë me Perëndinë. Shqyrto disa të vërteta të rëndësishme që na mëson Bibla, të cilat na ndihmojnë ta zhvillojmë e ta ruajmë miqësinë me Perëndinë.

LEXOJE ÇDO DITË FJALËN E PERËNDISË, BIBLËN

Mund t’i mbijetosh fundit të botës duke iu lutur Perëndisë për ndihmë dhe duke bërë vullnetin e tij

Kemi nevojë të hamë rregullisht që të jetojmë. Ama Jezui tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.»—Mateu 4:4.

Sot fjalët e Jehovait i gjejmë në faqet e Biblës. Ndërsa e studion këtë libër të shenjtë, do të mësosh çfarë ka bërë, çfarë po bën dhe çfarë do të bëjë Perëndia.

LUTJU PERËNDISË PËR NDIHMË

Ç’mund të bësh nëse do që t’i bindesh Perëndisë por e ke të vështirë të mos bësh më gjërat që ai thotë se janë të gabuara? Në këtë rast, do të të ndihmonte shumë ta njihje mirë Perëndinë.

Një grua, që do ta quajmë Sandra, bënte jetë imorale. Kur nisi të studionte Biblën, mësoi se Perëndia urdhëron: «Ikni nga imoraliteti seksual!» (1 Korintasve 6:18) Sandra iu lut Perëndisë për forcë dhe ia doli të hiqte dorë nga ky zakon. Por akoma duhet të luftojë me tundimin. «Nëse më vijnë në mendje mendime imorale,—thotë ajo,—i shprehem hapur Jehovait në lutje, ngaqë e di se nuk e fitoj dot e vetme këtë luftë. Fuqia e lutjes më ka afruar më shumë me Jehovain.» Ashtu si Sandra, edhe miliona të tjerë po e njohin Perëndinë. Ai po u jep forcën e nevojshme që të bëjnë ndryshime në jetën e tyre dhe të jetojnë ashtu si i pëlqen Atij.—Filipianëve 4:13.

Sa më mirë ta njohësh Perëndinë, aq më shumë ‘do të të pranojë’ si mikun e tij të çmuar. (Galatasve 4:9, shënimi; Psalmi 25:14) Kështu kualifikohesh të hysh në botën e re të Perëndisë. Por, si do të jetë bota e re? Artikulli i radhës do ta shpjegojë.

a Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.