Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund të përgatitesh qysh tani për një botë më të mirë që do të vijë së shpejti

Bota e re parajsore është afër

Bota e re parajsore është afër

Perëndia e krijoi tokën që njerëzit e drejtë të jetonin përgjithmonë në të. (Psalmi 37:29) Ai e vuri çiftin e parë, Adamin dhe Evën, në kopshtin e bukur të Edenit. Atyre dhe pasardhësve u dha detyrën që ta kultivonin e të kujdeseshin për tokën.—Zanafilla 1:28; 2:15.

Bota sot është shumë larg parajsës që kishte ndër mend Perëndia. Megjithatë ai nuk ka ndryshuar mendje. Si do ta bëjë tokën parajsë Perëndia? Siç tregonin artikujt e mëparshëm, Zoti nuk do ta shkatërrojë aspak tokën. Përkundrazi do të lejojë që njerëzit besnikë të jetojnë në të. Si do të jenë kushtet në tokë kur Zoti të plotësojë premtimet e tij?

Qeveri globale

Së shpejti, kur qeveria qiellore e Perëndisë të ushtrojë autoritetin e saj mbi gjithë njerëzit, toka do të mbushet me njerëz të lumtur që do të jetojnë në paqe dhe do të bëjnë punë të kënaqshme. Perëndia ka caktuar Jezu Krishtin që të qeverisë tokën. Ndryshe nga mjaft qeveritarë sot, Jezui do t’i ketë shumë për zemër interesat e nënshtetasve të tij. Qeverisja e tij do të motivohet nga dashuria dhe ai do të jetë një Mbret zemërmirë, i mëshirshëm dhe i drejtë.—Isaia 11:4.

Unitet ndërkombëtar

Njerëzit nuk do të jenë të ndarë në kombësi ose etni. Ata do të jenë një popull i bashkuar. (Zbulesa 7:9, 10) Të gjithë njerëzit që do të jetojnë në tokë, do të duan Perëndinë dhe të tjerët, si dhe do të punojnë së bashku në paqe, për të plotësuar qëllimin fillestar të Perëndisë: të kujdesen për shtëpinë e tyre, tokën.—Psalmi 115:16.

Në paqe me natyrën

Kur Mbretëria e Perëndisë të qeverisë tokën, Krijuesi do ta kontrollojë plotësisht klimën, duke e mbajtur në një ekuilibër të përsosur. (Psalmi 24:1, 2) Kur Jezui ishte në tokë, tregoi paraprakisht fuqinë që i kishte dhënë Perëndia kur qetësoi një stuhi të frikshme, pa kurrfarë vështirësie. (Marku 4:39, 41) Nën qeverisjen e Krishtit, asnjë nuk ka pse t’u frikësohet fatkeqësive natyrore. Gjithashtu, nën Mbretërinë e Perëndisë do të jetojmë në paqe me kafshët dhe nuk do ta shkatërrojmë më natyrën.—Hozea 2:18.

Shëndet të përsosur dhe ushqim me bollëk

Të gjithë pa përjashtim do të kenë shëndet të përsosur. Asnjë nuk do të sëmuret, të plaket dhe të vdesë. (Isaia 35:5, 6) Njerëzit do të shijojnë një mjedis të bukur e të pastër si ai që gëzonte çifti i parë në kopshtin e Edenit. Ashtu siç ishte në Eden, në botën e re toka do të japë ushqim me bollëk dhe për të gjithë. (Zanafilla 2:9) Kushdo në parajsë ‘do të hajë sa të ngopet’, njësoj si ndodhi me izraelitët, popullin e lashtë të Perëndisë.—Levitiku 26:4, 5.

Paqe dhe siguri të vërtetë

Nën qeverisjen globale të Perëndisë, të gjithë njerëzit do të gëzojnë paqe dhe do ta trajtojnë njëri-tjetrin me përzemërsi dhe drejtësi. Nuk do të ketë luftëra, abuzim me pushtetin dhe stërmundim për të siguruar nevojat bazë të jetës. Bibla premton: «Secili do të ulet nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.»—Mikea 4:3, 4.

Shtëpi dhe punë që të kënaqin shpirtin

Çdo familje do të ketë shtëpinë e vet, pa frikën se mos e humbasim, dhe do t’ia ndiejmë lezetin çdo pune. Bibla thotë se ata që do të jetojnë në botën e re të Perëndisë, «nuk do të robtohen më kot».—Isaia 65:21-23.

Arsimimi më i mirë

Fjala e Zotit premton: «Njohuria për Jehovain do të vërshojë në tokën mbarë.» (Isaia 11:9) Njerëzit që do të jetojnë nën Mbretërinë e Perëndisë, do të mësojnë për mençurinë e pafundme të Krijuesit, Jehovait, dhe për gjërat e bukura që ka krijuar. Nuk do ta përdorin njohurinë për të ndërtuar armë ose për të dëmtuar të tjerë. (Isaia 2:4) Por do të mësojnë si të jetojnë në paqe me të tjerët dhe si të kujdesen për tokën.—Psalmi 37:11.

Jetë pa fund

Perëndia e përgatiti tokën me merak që çdo ditë ta gëzojmë jetën plotësisht. Ai ka në plan që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Psalmi 37:29; Isaia 45:18) Që të realizojë qëllimin fillestar, Zoti «do ta përpijë vdekjen një herë e mirë». (Isaia 25:8) Bibla premton: «Nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.» (Zbulesa 21:4) Perëndia do t’u japë mundësi të gjithë njerëzve—atyre që do të shpëtojë kur të shkatërrojë këtë botë të ligë dhe të vdekurve të panumërt që do të ringjallë në botën e ardhshme të re—të jetojnë përgjithmonë në tokë.—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

Edhe tani, miliona njerëz në mbarë botën po përgatiten për fillimin e ri të njerëzimit, i cili është në prag. Ndonëse të papërsosur, tashmë po përpiqen të jenë lloji i njerëzve që Perëndia do në botën e tij të re. Si? Duke mësuar për Perëndinë Jehova dhe për atë që dërgoi, Jezu Krishtin.—Gjoni 17:3.

Mëso më shumë çfarë duhet të bësh që t’i mbijetosh fundit dhe që të jetosh në një botë më të mirë që do të vijë së shpejti. Mëso falas për Biblën nëpërmjet një kursi interaktiv me një Dëshmitar të Jehovait, duke përdorur librin Gëzoje jetën përgjithmonë.