Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një udhëzues i besueshëm për të ardhmen

Një udhëzues i besueshëm për të ardhmen

Siç u trajtua në artikujt e mëparshëm, shumë janë përpjekur të gjejnë një të ardhme më të mirë nëpërmjet gjërave të tilla, si fati, arsimimi, pasuria dhe duke qenë njerëz më të mirë. Megjithatë, të gjitha këto janë si një hartë e pasaktë për të mbërritur në një destinacion. A do të thotë kjo se nuk ka asnjë udhëzues të besueshëm për të ardhmen? Jo!

UDHËZIME NGA NJË BURIM SUPERIOR

Kur marrim vendime, zakonisht konsultohemi me dikë më të madh dhe më të mençur se ne. Po njësoj mund të gjejmë këshilla të besueshme për të ardhmen tonë nga një «Burim» që është shumë më i madh e më i mençur se ne. Ai na i ka vënë në dispozicion këto këshilla në një koleksion me shkrime të shenjta, që filloi të shkruhej rreth 3.500 vjet më parë dhe që quhet Bibël.

Pse mund t’i besosh Biblës? Sepse Autori i saj është Personi më i madh dhe më i mençur në univers. Ai përshkruhet si «i Lashti i Ditëve», i cili ekziston «nga përjetësia në përjetësi». (Danieli 7:9; Psalmi 90:2, shënimi) Ai është «Krijuesi i qiejve, Perëndia i vërtetë, Ai që formoi tokën». (Isaia 45:18) Ai na prezantohet me emrin e tij, Jehova.—Psalmi 83:18.

Bibla vjen nga Krijuesi i gjithë njerëzimit, ndaj nuk favorizon asnjë kulturë a racë në kurriz të tjetrës. Këshillat e saj nuk njohin kohë dhe u kanë sjellë dobi njerëzve nga çdo vend i botës. Ajo disponohet në më shumë gjuhë se çdo libër tjetër dhe është libri më i përhapur në botë. * Prandaj, kudo që ndodhen, njerëzit mund ta lexojnë fare lehtë dhe ta ndjekin drejtimin e saj. Këto fakte gjejnë mbështetje në pohimin e vetë Biblës:

«Perëndia nuk është i anshëm, por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht dhe që bën atë që është e drejtë.»—VEPRAT 10:34, 35.

Ashtu si një prind i dashur nuk i lë pa drejtim fëmijët e tij, Perëndia Jehova është një Atë i dashur që na jep ndihmë nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. (2 Timoteut 3:16) Mund të kesh besim te Fjala e tij, sepse fundja ai na ka krijuar dhe e di ç’është më e mira për ne.

Ç’duhet të bësh që të kesh këtë të ardhme? Të shohim artikullin vijues.

^ par. 6 Për hollësi rreth përkthimit dhe përhapjes së Biblës, shko te www.pr418.com dhe shih te MËSIME NGA BIBLA > HISTORIA DHE BIBLA.

^ par. 16 Për më shumë hollësi, shih kapitullin 9 të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet online në www.pr418.com. Shih te BIBLIOTEKË > LIBRA DHE BROSHURA.