Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 1

Qëndro i qetë dhe ki besim te Jehovai

Qëndro i qetë dhe ki besim te Jehovai

SHKRIMI I VITIT 2021: «Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.» —ISA. 30:15.

KËNGA 3 Siguria, forca dhe shpresa jonë

PËRMBLEDHJE *

1. Ashtu si mbreti David, cilën pyetje mund të bëjnë disa?

TË GJITHË duam një jetë të qetë e me paqe. Askujt nuk i pëlqen të ndihet në ankth. Por hera-herës ndoshta luftojmë me ndjenjat e ankthit. Ja pse disa shërbëtorë të Jehovait mund të bëjnë të njëjtën pyetje që i bëri mbreti David Jehovait: «Deri kur do të ma mbytë shpirtin ky ankth, kjo brengë që zemrën çdo ditë ma mundon?»—Psal. 13:2.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Edhe pse nuk mund të çlirohemi plotësisht nga ankthi, mund të bëjmë shumë për ta lehtësuar. Në këtë artikull do të shohim në fillim disa gjëra që mund të na shkaktojnë ankth. Pastaj do të ndalemi te gjashtë mënyra praktike si të qëndrojmë të qetë kur përballojmë probleme.

ÇFARË MUND TË NA SHKAKTOJË ANKTH?

3. Cilat probleme stresuese hasim, dhe a i kemi nën kontroll?

3 Ndoshta disa nga gjërat që na shkaktojnë ankth, i kemi pak ose aspak nën kontroll. Për shembull, nuk e kemi në dorë se sa do të rritet çdo vit kostoja e ushqimit, veshjeve dhe strehimit. Nuk kemi nën kontroll as qëndrimin e shokëve të punës a të shkollës që mund të na tundojnë të tregohemi të pandershëm ose të bëjmë imoralitet. Gjithashtu, nuk mund t’i ndalim krimet që ndodhin në zonën tonë. Këto probleme i hasim ngaqë jetojmë në një botë ku mënyra si mendon shumica, nuk bazohet te parimet e Biblës. Satanai, perëndia i këtij sistemi, e di mirë se disa njerëz do të lejojnë që «ankthet e kësaj bote» t’u bëhen pengesë për t’i shërbyer Jehovait. (Mat. 13:22; 1 Gjon. 5:19) Prandaj nuk habitemi që kjo botë është plot me probleme që janë burim ankthi!

4. Si mund të ndihemi për shkak të problemeve stresuese?

4 Si pasojë e streseve të jetës, mund të na mbytë ankthi. Për shembull, mund të shqetësohemi se mos nuk fitojmë dot aq pará sa të blejmë gjërat e nevojshme; ose mund të kemi frikë se mos sëmuremi dhe nuk shkojmë dot në punë, a madje mbetemi të papunë. Veç kësaj, mund të na stresojë mendimi se mos nuk do të qëndrojmë besnikë para tundimeve për të shkelur ligjet e Perëndisë. E së shpejti, Satanai do t’i shtyjë ata që ka nën kontroll, të sulmojnë popullin e Perëndisë, prandaj mund të jemi në merak si do të reagojmë ndaj atij sulmi. Mbase pyesim veten: «A është e gabuar të shqetësohem për gjëra të tilla?»

5. Ç’donte të thoshte Jezui me fjalët «mos jini më në ankth»?

5 Jezui u tha dishepujve të tij: «Mos jini më në ankth.» (Mat. 6:25) A do të thotë kjo se ai pret të mos ndiejmë fare ankth? Natyrisht që jo. E dimë se në të kaluarën, disa shërbëtorë besnikë të Jehovait luftonin me ndjenjat e ankthit, por prapë kishin miratimin e Jehovait. * (1 Mbret. 19:4; Psal. 6:3) Me fjalët që tha, Jezui donte të na qetësonte zemrën. Ai nuk do që të na pushtojë aq shumë ankthi për të siguruar gjërat e nevojshme, sa të lëmë pas dore shërbimin e Perëndisë. Cilat janë, pra, disa mënyra si mund ta mbajmë nën kontroll ankthin?—Shih kutinë «Si ta arrish».

GJASHTË GJËRA QË NA NDIHMOJNË TË RRIMË TË QETË

Shih paragrafin 6 *

6. Sipas Filipianëve 4:6, 7, çfarë mund të na qetësojë kur jemi në ankth?

6 (1) Lutu shpesh. Kur je në ankth, mund të gjesh lehtësim duke iu lutur me zjarr Jehovait. (1 Pjet. 5:7) Si përgjigje të lutjeve të tua, mund të marrësh ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim [njerëzor]’. (Lexo Filipianëve 4:6, 7.) Kur kemi mendime të ankthshme, Jehovai na qetëson me anë të frymës së tij të fuqishme.—Gal. 5:22.

7. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur i lutemi Perëndisë?

7 Zbrazja zemrën Jehovait në lutje. Ji specifik. Tregoji cili është problemi dhe shpjegoji si të bën të ndihesh. Nëse problemi mund të zgjidhet, kërkoji mençurinë që ta gjesh zgjidhjen dhe forcën që të veprosh. Nëse nuk ke gjë në dorë për ta zgjidhur problemin, kërkoji ndihmë Jehovait që ta mbash nën kontroll ankthin. Kur je specifik në lutje, me kohë do t’i dallosh më qartë përgjigjet e Jehovait. Nëse përgjigjja nuk vjen menjëherë pasi je lutur, mos u dorëzo. Jehovai do jo vetëm të jesh specifik, por edhe të lutesh me këmbëngulje.—Luka 11:8-10.

8. Çfarë duhet të përfshijmë në lutje?

8 Ndërsa e hedh ankthin mbi Jehovain, sigurohu që të përfshish në lutje edhe falënderime. Na bën mirë të përqendrohemi te bekimet edhe kur jemi të mbytur nga problemet. Nëse ndonjëherë nuk gjen dot fjalët për të shprehur ndjenjat që të mundojnë në shpirt, mos harro se Jehovai i përgjigjet edhe një lutjeje fare të thjeshtë si «më ndihmo, të lutem».—2 Kron. 18:31; Rom. 8:26.

Shih paragrafin 9 *

9. Çfarë duhet të bëjmë për të gjetur siguri të vërtetë?

9 (2) Mbështetu te mençuria e Jehovait, jo te mençuria jote. Në shekullin e tetë p.e.s., populli i Judës i trembej ndonjë sulmi nga asirianët. Në një përpjekje të dëshpëruar që të mos binin nën zgjedhën e Asirisë, i kërkuan ndihmë Egjiptit pagan. (Isa. 30:1, 2) Jehovai i paralajmëroi se udha e mbrapshtë që kishin zgjedhur, do të përfundonte në katastrofë. (Isa. 30:7, 12, 13) Nëpërmjet Isaisë, Jehovai i tregoi popullit si të gjente siguri të vërtetë. Isaia u tha: «Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj» te Jehovai.—Isa. 30:15b.

10. Cilat janë disa situata ku mund të tregojmë se kemi besim te Jehovai?

10 Si mund të tregojmë se kemi besim te Jehovai? Të marrim disa shembuj. Ta zëmë se të ofrohet një punë me rrogë më të mirë që do të të hajë goxha kohë dhe do të të pengojë të mbash një program të mirë për të adhuruar Jehovain. Ose ta zëmë se dikush në punë shpreh interes romantik për ty, por nuk është shërbëtor i pagëzuar i Jehovait. Ose imagjino sikur një pjesëtar i dashur i familjes të jep ultimatumin: «Zgjidh o mua, o Zotin!» Në secilën nga këto situata, gjendesh para një vendimi të vështirë, por Jehovai do të të japë drejtimin që të nevojitet në çdo rast. (Mat. 6:33; 10:37; 1 Kor. 7:39) Pyetja është: «A do të kesh aq besim te Jehovai, sa ta ndjekësh drejtimin e tij?»

Shih paragrafin 11 *

11. Cilat ngjarje nga Bibla mund të studiojmë që të qëndrojmë të qetë përballë kundërshtimit?

11 (3) Mëso nga shembujt e mirë e nga të këqijtë. Bibla është plot me ngjarje që theksojnë sa rëndësi ka të qëndrojmë të qetë e të kemi besim te Jehovai. Ndërsa studion këto histori, mendo çfarë i ndihmoi shërbëtorët e Perëndisë të rrinin të qetë përballë kundërshtimeve të egra. Për shembull, kur gjykata e lartë judaike u dha urdhër apostujve të mos predikonin më, ata nuk u frikësuan. Përkundrazi, thanë plot guxim: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.» (Vep. 5:29) Edhe pasi i rrahën, apostujt nuk i zuri paniku. Pse? Sepse e dinin që kishin përkrah Jehovain. Ai i shihte me buzëqeshje miratimi. Prandaj apostujt vazhduan të predikonin lajmin e mirë. (Vep. 5:40-42) Po njësoj, kur armiqtë po bëheshin gati ta vritnin dishepullin Stefan, ai kishte aq qetësi e paqe në zemër, sa fytyra e tij dukej «si fytyra e një engjëlli». (Vep. 6:12-15) Pse? Sepse ishte i sigurt që gëzonte miratimin e Jehovait.

12. Sipas 1 Pjetrit 3:14 dhe 4:14, pse mund të jemi të lumtur edhe kur na përndjekin?

12 Apostujt kishin prova të qarta se Jehovai ishte me ta. Ai u kishte dhënë fuqi të bënin mrekulli. (Vep. 5:12-16; 6:8) Sot Jehovai nuk na jep një fuqi të tillë. Megjithatë, nëpërmjet Fjalës së tij, na siguron me dashuri se kur vuajmë për hir të drejtësisë, kemi buzëqeshjen e tij miratuese dhe frymën e tij të shenjtë. (Lexo 1 Pjetrit 3:14; 4:14.) Prandaj, s’ka pse të shqetësohemi se si do të reagojmë nëse na përndjekin egërsisht në të ardhmen. Përkundrazi, të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë tani për të forcuar besimin tek aftësia e Jehovait që të na mbështetë e të na shpëtojë. Ashtu si ata dishepuj të hershëm, duhet të kemi besim te premtimi i Jezuit: «Unë do t’ju jap mençuri dhe fjalët e duhura, që gjithë kundërshtarët tuaj së bashku të mos jenë në gjendje t’ju kundërvihen ose t’ju kundërpërgjigjen.» Ai na dha garancinë: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.» (Luka 21:12-19) Të mos harrojmë kurrë se Jehovai ruan në kujtesë edhe hollësinë më të vogël për shërbëtorët e tij që vdesin besnikë. Ai i njeh thellë dhe do t’i ringjallë.

13. Si mund të nxjerrim dobi nga studimi i historisë së atyre që e humbën qetësinë dhe besimin te Jehovai?

13 Mund të mësojmë edhe nga ata që e humbën qetësinë dhe besimin te Jehovai. Studimi i këtyre shembujve të këqij do të na ndihmojë të mos biem në të njëjtat gabime. Për shembull, në fillimet e mbretërimit të tij, Asa, mbreti i Judës, u mbështet te Jehovai kur mësyu një ushtri e stërmadhe, dhe Jehovai e bekoi me fitore. (2 Kron. 14:9-12) Mirëpo, më vonë, kur e sulmoi ushtria shumë më e vogël e Bashës, mbretit të Izraelit, Asa nuk kërkoi shpëtim nga Jehovai si në të kaluarën, por pagoi sirianët për ndihmë ushtarake. (2 Kron. 16:1-3) Edhe nga fundi i jetës së tij kur u sëmur rëndë, prapë nuk u mbështet për ndihmë te Jehovai.—2 Kron. 16:12.

14. Çfarë mund të mësojmë nga gabimet e Asës?

14 Në fillim, Asa i mbante sytë te Jehovai kur haste vështirësi. Por më vonë nuk u mbështet për ndihmë te Perëndia dhe preferoi t’i zgjidhte vetë problemet. Në pamje të parë, plani i Asës që t’u kërkonte ndihmë sirianëve në luftën kundër Izraelit, mbase dukej mjaft praktik. Por suksesi i tij ishte jetëshkurtër. Nëpërmjet një profeti, Jehovai i tha: «Meqë u mbështete te mbreti i Sirisë dhe nuk u mbështete te Jehovai, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Sirisë të iku nga duart.» (2 Kron. 16:7) Duhet të bëjmë kujdes nga siguria e tepruar se mund t’i zgjidhim problemet vetë pa kërkuar drejtimin e Jehovait në Fjalën e tij. Edhe kur hasim ndonjë situatë urgjente, me qetësi duhet të mbështetemi te Jehovai, dhe ai do të na ndihmojë të marrim vendimin e duhur.

Shih paragrafin 15 *

15. Çfarë mund të bëjmë ndërsa lexojmë Biblën?

15 (4) Mëso përmendsh vargje nga Bibla. Gjatë leximit të Biblës do të gjesh vargje që tregojnë se kur rrimë të qetë dhe kemi besim te Jehovai, jemi të fortë. Përpiqu t’i fiksosh në kujtesë disa nga këto vargje. Për ta arritur këtë, mund t’i lexosh me zë ose mund t’i shkruash e t’u hedhësh një sy herë pas here. Jehovai e urdhëroi Josiun ta lexonte rregullisht nën zë librin e Ligjit, me qëllim që të vepronte me mençuri. Ajo që lexonte në Ligj, do ta ndihmonte edhe të mposhtte frikën që mund të ndiente në rrethanat ku gjendej. (Jos. 1:8, 9) Fjala e Perëndisë përmban shumë vargje që mund të të ndihmojnë ta kesh mendjen dhe zemrën të qetë në situata që zakonisht ngjallin ankth ose frikë.—Psal. 27:1-3; Prov. 3:25, 26.

Shih paragrafin 16 *

16. Si e përdor Jehovai kongregacionin për të na ndihmuar të rrimë të qetë dhe të kemi besim tek ai?

16 (5) Shoqërohu me popullin e Perëndisë. Jehovai i përdor vëllezërit e motrat për të na ndihmuar të rrimë të qetë dhe të kemi besim tek ai. Në mbledhje nxjerrim dobi nga fjalimet e pjesët e ndryshme, nga komentet dhe nga bisedat inkurajuese me vëllezërit e motrat. (Hebr. 10:24, 25) Mund të marrim shumë zemër edhe kur u hapemi për shqetësimet dhe ndjenjat tona miqve të besuar në kongregacion. «Një fjalë e mirë» nga një mik a një mike mund të na e lehtësojë goxha barrën e ankthit.—Prov. 12:25.

Shih paragrafin 17 *

17. Sipas Hebrenjve 6:19, si mund të na japë stabilitet shpresa e Mbretërisë edhe mes vështirësive?

17 (6) Mbaje të fortë shpresën. Shpresa e Mbretërisë është «si një spirancë për shpirtin», që na jep stabilitet pavarësisht nga rrethanat e vështira ose mendimet e ankthshme. (Lexo Hebrenjve 6:19.) Mendo për të ardhmen që premton Jehovai. Në atë kohë s’do të na shqetësojnë më mendimet e zymta. (Isa. 65:17) Përfytyroje veten në botën e re ku do të mbretërojë paqja dhe ku s’do të ketë më asgjë që na shkakton stres. (Mik. 4:4) Shpresa jote bëhet më e fortë edhe kur u flet të tjerëve për të. Përpiqu me gjithë shpirt në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Kështu mund ‘të jesh plotësisht i sigurt për shpresën tënde deri në fund’.—Hebr. 6:11.

18. Çfarë vështirësish mund të presim në të ardhmen, dhe si mund t’u bëjmë ballë?

18 Ndërsa këtij sistemi po i afrohet fundi, do të hasim më shumë vështirësi që mund të na futin ankth. Shkrimi i vitit për 2021-shin mund të na ndihmojë t’i përballojmë këto vështirësi dhe të qëndrojmë të qetë, jo falë forcave tona, por falë besimit te Jehovai. Gjatë vitit 2021, le të tregojmë me vepra se kemi besim te ky premtim i Jehovait: «Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.»Isa. 30:15.

KËNGA 8 Jehova, ti je streha jonë

^ par. 5 Shkrimi i vitit për 2021-shin thekson sa rëndësi ka të tregojmë besim te Jehovai përballë situatave stresuese sot dhe në të ardhmen. Në këtë artikull do të shohim mënyra praktike si ta zbatojmë këshillën që përmban shkrimi i vitit.

^ par. 5 Disa motra e vëllezër besnikë vuajnë nga ndonjë çrregullim ankthi a paniku. Ky është një problem shëndetësor serioz dhe nuk duhet ngatërruar me atë lloj ankthi për të cilin po fliste Jezui.

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (1) Një motër lutet me zjarr gjatë ditës për gjërat që i sjellin ankth.

^ par. 65 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (2) Gjatë pushimit të drekës, kërkon mençuri nga Fjala e Perëndisë.

^ par. 67 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (3) Mediton për shembujt e mirë e të këqij nga Bibla.

^ par. 69 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (4) Ajo vë te dera e frigoriferit një shkrim inkurajues që dëshiron ta mësojë përmendsh.

^ par. 71 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (5) Kënaqet në shoqërinë e një motre në shërbim.

^ par. 73 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (6) E bën më të fortë shpresën e saj duke menduar për të ardhmen.