Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 3

Shumica e madhe e deleve të tjera lëvdon Perëndinë dhe Krishtin

Shumica e madhe e deleve të tjera lëvdon Perëndinë dhe Krishtin

«Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, që rri ulur në fron, dhe Qengjit.»—ZBUL. 7:10.

KËNGA 14 Të lëvdojmë Mbretin e ri të tokës

PËRMBLEDHJE *

1. Si ndikoi te një i ri një fjalim që u mbajt në kongresin e vitit 1935?

NË VITIN 1926 kur u pagëzua, ai ishte një djalosh 18-vjeçar. Prindërit e tij ishin Studentë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Ata kishin tre djem dhe dy vajza, që i rritën si shërbëtorë të Perëndisë Jehova dhe i mësuan të ecnin në gjurmët e Jezu Krishtit. Çdo vit ai i ri me besim të fortë merrte nga buka dhe nga vera në Darkën e Zotërisë, si të gjithë Studentët e Biblës në atë kohë. Por, pas fjalimit të paharruar me titull «Shumica e madhe», shpresa e tij për të ardhmen ndryshoi krejtësisht. Ai fjalim u mbajt më 1935 nga Xhozef Radhërfordi në një kongres në Uashington D.C., SHBA. Cila e vërtetë u qartësua në atë kongres?

2. Cila e vërtetë u qartësua në fjalimin e vëlla Radhërfordit?

2 Në fjalimin e tij, vëlla Radhërfordi qartësoi kush është ‘shumica e madhe’ e përmendur te Zbulesa 7:9. Deri atëherë, mendohej se ky grup ishte një klasë qiellore dytësore më pak besnike. Vëlla Radhërfordi përdori Shkrimet për të shpjeguar se pjesëtarët e shumicës së madhe nuk janë zgjedhur që të jetojnë në qiell. Ata janë dele të tjera * të Krishtit që do t’i mbijetojnë ‘shtrëngimit të madh’ dhe do të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Zbul. 7:14) Jezui premtoi: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe atyre do t’u prij, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (Gjoni 10:16) ‘Delet e tjera’ janë Dëshmitarë besnikë të Jehovait që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokën parajsore. (Mat. 25:31-33, 46) Le të shohim se si kjo vetëtimë drite ia ndryshoi jetën shumë shërbëtorëve të Jehovait, mes të cilëve edhe atij vëllai 18-vjeçar.—Psal. 97:11; Prov. 4:18.

DEL NË DRITË NJË E VËRTETË QË NDRYSHON MIJËRA JETË

3-4. Çfarë kuptuan mijëra veta për shpresën e tyre në kongresin e 1935-s, dhe pse?

3 Një moment emocionues në atë kongres ishte kur oratori iu drejtua auditorit: «Ju lutem, a mund të ngrihen në këmbë të gjithë ata që kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë?» Një vëlla që ishte atje, tregonte që më shumë se gjysma e rreth 20.000 të pranishmëve u ngrit në këmbë. Atëherë vëlla Radhërfordi thirri: «Ja, shumica e madhe!» Pas kësaj shpërthyen brohoritje e duartrokitje gjëmuese. Ata që u çuan në këmbë, e kuptuan qartë se Jehovai nuk i kishte zgjedhur për të jetuar në qiell dhe se nuk ishin mirosur me frymën e tij. Të nesërmen u pagëzuan 840 Dëshmitarë të rinj në atë kongres, shumica nga delet e tjera.

4 Pas fjalimit, i riu i përmendur më sipër dhe mijëra të tjerë nuk hëngrën më nga buka dhe nuk pinë më nga vera në Darkën e Zotërisë. Një vëlla i përulur pasqyroi ndjenjat e shumë vetave, kur tha: «Përkujtimi i vitit 1935 ishte hera e fundit që mora simbolet. Kuptova se Jehovai me frymën e tij të shenjtë nuk kishte zgjuar brenda meje shpresën qiellore; përkundrazi, kisha shpresën të jetoja në tokë dhe të punoja bashkë me të tjerët për ta kthyer në parajsë!» (Rom. 8:16, 17; 2 Kor. 1:21, 22) Qysh atëherë, shumica e madhe është rritur në numër, dhe pjesëtarët e saj kanë shërbyer krah për krah me mbetjen * e të mirosurve.

5. Çfarë mendon Jehovai për ata që nuk i marrin më simbolet në Përkujtim?

5 Si i sheh Jehovai ata që, pas vitit 1935, nuk i morën më simbolet e Përkujtimit? Dhe çfarë mendon ai për një Dëshmitar të pagëzuar sot që me sinqeritet merr nga buka e nga vera në Darkën e Zotërisë, por më vonë e kupton se nuk është vërtet i mirosur? (1 Kor. 11:28) Disa i kanë marrë simbolet ngaqë nuk e kishin kuptuar mirë se cila ishte shpresa e tyre. Por kur e pranojnë gabimin dhe nuk i marrin më simbolet e vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait, patjetër që ai i pranon mes deleve të tjera. Edhe pse nuk hanë më nga buka dhe nuk pinë më nga vera, ata vazhdojnë ta ndjekin Përkujtimin, se e çmojnë nga thellësia e zemrës atë që kanë bërë Jehovai dhe Jezui për ta.

NJË PERSPEKTIVË DRITHËRUESE

6. Çfarë urdhri u ka dhënë Jezui engjëjve?

6 Tani që shtrëngimin e madh e kemi në prag, është inkurajuese të shqyrtojmë çfarë thotë tjetër kapitulli 7 i Zbulesës për të krishterët e mirosur dhe për shumicën e madhe të deleve të tjera. Jezui i urdhëron engjëjt të vazhdojnë të mbajnë fort katër erërat e shkatërrimit. Engjëjt nuk duhet të lejojnë që ato erëra të fryjnë mbi tokë derisa të jenë vulosur të gjithë të mirosurit, pra derisa të kenë marrë miratimin përfundimtar nga Jehovai. (Zbul. 7:1-4) Si shpërblim për besnikërinë e tyre, vëllezërit e mirosur të Krishtit do të bëhen mbretër dhe priftërinj me të në qiell. (Zbul. 20:6) E gjithë pjesa qiellore e familjes së Perëndisë do të ndrijë nga gëzimi kur të shohë 144.000 të mirosurit të marrin shpërblimin qiellor.

Shumica e madhe me rroba të bardha të gjata e me degë palmash në duar, qëndron para fronit të shndritshëm të Perëndisë dhe para Qengjit (Shih paragrafin 7)

7. Siç tregon Zbulesa 7:9, 10, cilët pa Gjoni në vegim, dhe çfarë po bënin? (Shih figurën e kopertinës.)

7 Pasi flet për 144.000 mbretërit dhe priftërinjtë, Gjoni sheh diçka emocionuese—«një shumicë të madhe» që i mbijeton Armagedonit. Ndryshe nga grupi i parë, ky grup i dytë është shumë më i madh dhe s’mund të numërohet. (Lexo Zbulesën 7:9, 10.) Ata kanë «veshur rroba të bardha të gjata», çka tregon se kanë qëndruar «të panjollë» nga bota e Satanait dhe i kanë ndenjur besnikë Perëndisë dhe Krishtit. (Jak. 1:27) Ata thërrasin me zë të lartë se kanë shpëtuar falë shpërblesës që siguruan Jehovai dhe Jezui, Qengji i Perëndisë. Ndërkohë mbajnë në duar degë palmash, që tregon se e pranojnë me gëzim Jezuin si Mbreti që ka caktuar Jehovai.—Krahaso Gjonin 12:12, 13.

8. Çfarë na tregon Zbulesa 7:11, 12 për familjen qiellore të Jehovait?

8 Lexo Zbulesën 7:11, 12. Si reagojnë ata që janë në qiell? Gjoni sheh se tërë familjes qiellore të Jehovait i ngazëllon zemra kur shfaqet shumica e madhe që lëvdon Perëndinë. Familja qiellore e Jehovait do të hovë nga gëzimi kur të shohë të përmbushet ky vegim dhe shumica e madhe të dalë nga shtrëngimi i madh.

9. Sipas Zbulesës 7:13-15, çfarë bëjnë sot pjesëtarët e shumicës së madhe?

9 Lexo Zbulesën 7:13-15. Gjoni shkruan se pjesëtarët e shumicës së madhe i «kanë larë rrobat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». Kjo do të thotë se kanë ndërgjegje të pastër dhe janë të drejtë në sytë e Jehovait. (Isa. 1:18) Ata janë të krishterë të kushtuar e të pagëzuar, që tregojnë shumë besim te flijimi i Jezuit dhe që janë bërë miq me Jehovain. (Gjoni 3:36; 1 Pjet. 3:21) Prandaj janë të denjë të qëndrojnë para fronit të Perëndisë dhe t’i bëjnë «shërbim të shenjtë ditë e natë» në oborrin tokësor të tempullit të tij të madh. Qysh sot, ata po kryejnë me zell pjesën më të madhe të veprës së predikimit, duke vënë Mbretërinë e Perëndisë para interesave personale.—Mat. 6:33; 24:14; 28:19, 20.

Disa nga shumica e madhe e deleve të tjera dalin plot gëzim nga shtrëngimi i madh (Shih paragrafin 10)

10. Për çfarë është e sigurt shumica e madhe, dhe cilin premtim do të shohin të përmbushet?

10 Shumica e madhe që del nga shtrëngimi i madh, është e sigurt se Perëndia do të vazhdojë të kujdeset për ta, sepse «Ai që është ulur në fron, do të shtrijë tendën mbi ta». Delet e tjera do të shohin të përmbushet më në fund ky premtim, për të cilin u digjej zemra: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.»—Zbul. 21:3, 4.

11-12. (a) Siç tregon Zbulesa 7:16, 17, cilat bekime do të gëzojë shumica e madhe? (b) Çfarë mund të bëjnë delet e tjera në Përkujtim, dhe pse?

11 Lexo Zbulesën 7:16, 17. Sot, disa shërbëtorë të Jehovait vuajnë nga uria si pasojë e kushteve të rënda ekonomike ose e dëmeve që sjellin trazirat civile dhe luftërat. Të tjerë janë burgosur për shkak të besimit. Megjithatë, pjesëtarët e shumicës së madhe janë të lumtur se e dinë që, pasi të shpëtojnë nga shkatërrimi i këtij sistemi të lig, do të kenë përherë me bollëk ushqime të shijshme dhe arsimim nga Jehovai. Kur të shpërthejë stuhia shkatërrimtare kundër sistemit të Satanait, shumica e madhe do të jetë e mbrojtur nga «të nxehtët përvëlues», nga zemërimi që do të derdhë Jehovai mbi kombet. Pasi të mbarojë shtrëngimi i madh, Jezui do t’i drejtojë banorët e tokës për tek ‘ujërat e jetës’ së përhershme. Përfytyro çfarë perspektive drithëruese ka shumica e madhe: ndër miliarda njerëz që kanë jetuar mbi dhé, ata nuk do të vdesin kurrë!—Gjoni 11:26.

12 Delet e tjera kanë një shpresë të mrekullueshme, për të cilën i janë mirënjohës Jehovait dhe Jezuit. Edhe pse Jehovai nuk i ka zgjedhur për të jetuar në qiell, janë po aq të çmuar dhe të shtrenjtë për të sa të mirosurit. Të dyja grupet kanë arsye ta lëvdojnë Perëndinë dhe Krishtin. Një mënyrë si e bëjnë këtë, është duke qenë të pranishëm në Darkën e Zotërisë.

LËVDO NGA ZEMRA PERËNDINË DHE KRISHTIN NË PËRKUJTIM

Buka dhe vera që kalojmë në Përkujtim, na kujtojnë se Jezui vdiq në vendin tonë që të jetojmë pa fund (Shih paragrafët 13-15)

13-14. Pse çdo njeri duhet ta ndjekë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit?

13 Vitet e fundit, rreth 1 në 1.000 të pranishëm në Përkujtim kanë marrë simbolet. Shumica e kongregacioneve nuk kanë asnjë që ha nga buka dhe pi nga vera. Pjesa dërrmuese e atyre që ndjekin Përkujtimin, kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Atëherë, pse shkojnë në Darkën e Zotërisë? Për të njëjtën arsye pse shkojmë në dasmën e një miku: për të treguar se e duam dhe e mbështetim çiftin që po martohet. Kështu, delet e tjera shkojnë në Përkujtim për të treguar se i duan dhe i mbështetin Krishtin dhe të mirosurit. Gjithashtu marrin pjesë për të treguar mirënjohjen për flijimin që përkujtohet, falë të cilit kanë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në tokë.

14 Një arsye tjetër pse e ndjekin Përkujtimin delet e tjera, është që t’i binden urdhrit të Jezuit. Kur themeloi Përkujtimin me apostujt besnikë në një darkë speciale, Jezui i urdhëroi: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (1 Kor. 11:23-26) Ja pse delet e tjera vazhdojnë ta mbajnë Darkën e Zotërisë për sa kohë ka akoma të mirosur në tokë. Gjithashtu ftojnë çdo njeri të ndjekë Përkujtimin bashkë me ta.

15. Si mund t’i lëvdojmë Perëndinë dhe Krishtin në Përkujtim?

15 Në Përkujtim kemi mundësinë të lëvdojmë Perëndinë dhe Krishtin ndërsa këndojmë e lutemi së bashku. Fjalimi që do të mbahet këtë vit, ka temën «Ji mirënjohës për atë që ka bërë Perëndia dhe Krishti për ty!» Ai do të na thellojë mirënjohjen për Jehovain dhe Krishtin. Ndërsa simbolet kalojnë dorë më dorë, të pranishmëve do t’u vijë në mend çfarë simbolizojnë ato—trupin e Jezuit dhe gjakun e tij. Do të sjellim ndër mend se Jehovai lejoi që Biri i tij të vdiste në vendin tonë, me qëllim që të jetojmë pa fund. (Mat. 20:28) Çdo njeri që e do Atin qiellor dhe Birin e tij, do të dojë të marrë pjesë në Përkujtim.

FALËNDERO JEHOVAIN PËR SHPRESËN QË TË KA DHËNË

16. Në cilat drejtime janë njësoj të mirosurit dhe delet e tjera?

16 Ndryshimi mes të mirosurve dhe deleve të tjera nuk qëndron te vlera që kanë në sytë e Perëndisë. Jehovai i do njësoj të dyja grupet. Në fund të fundit, ai pagoi të njëjtin çmim—jetën e Birit të tij të shtrenjtë—si për të mirosurit, edhe për delet e tjera. Ndryshimi mes dy grupeve qëndron te shpresa që kanë. Të dyja grupet duhet t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë dhe Krishtit. (Psal. 31:23) Dhe të mos harrojmë se fryma e Perëndisë mund të veprojë me të njëjtën forcë te të gjithë ne. Kjo do të thotë se Jehovai i jep çdo njeriu frymë të shenjtë sipas nevojës.

17. Çfarë pret me zjarr mbetja e të mirosurve?

17 Të krishterët e mirosur nuk lindin me shpresën qiellore. Atë shpresë ua vë në zemër Perëndia. Ata mendojnë për shpresën e tyre, luten për të dhe mezi presin të marrin shpërblimin në qiell. Nuk e imagjinojnë dot si do të jetë trupi i tyre qiellor. (Filip. 3:20, 21; 1 Gjon. 3:2) Gjithsesi, digjen nga dëshira që të jenë me Jehovain, Jezuin, engjëjt dhe pjesën tjetër të të mirosurve. Dëshirojnë me zjarr të jenë bashkë me të mirosurit e tjerë në Mbretërinë qiellore.

18. Çfarë presin me zjarr delet e tjera?

18 Delet e tjera kanë një shpresë që është e natyrshme për njerëzit—të jetojnë përjetë në tokë. (Ekl. 3:11) Ata mezi e presin ditën kur do të ndihmojnë për ta kthyer mbarë planetin në parajsë. U digjet zemra për atë ditë kur mund të ndërtojnë shtëpitë e tyre, të mbjellin kopshte dhe t’i rritin fëmijët me shëndet të përsosur. (Isa. 65:21-23) Vlojnë nga dëshira që të eksplorojnë tokën—malet, pyjet dhe detet e saj—e të studiojnë krijimin e pasur të Jehovait. Mbi të gjitha, u gëzon zemra kur mendojnë se miqësia e tyre me Jehovain do të forcohet e do të thellohet gjatë gjithë përjetësisë.

19. Çfarë mundësie i jep Përkujtimi secilit prej nesh, dhe kur do të mbahet Përkujtimi këtë vit?

19 Jehovai i ka dhënë secilit prej shërbëtorëve të tij të kushtuar një shpresë të ndritur për të ardhmen. (Jer. 29:11) Përkujtimi i vdekjes së Krishtit na jep gjithsecilit mundësinë e shkëlqyer ta lëvdojmë Perëndinë dhe Krishtin për shpërblesën, falë së cilës mund të gëzojmë jetën pa fund. Përkujtimi është pa diskutim mbledhja më e rëndësishme e vitit për të krishterët e vërtetë. Këtë vit do të mbahet të shtunën, më 27 mars 2021, pas perëndimit të diellit. Shumë veta jetojnë në vende ku janë të lirë të marrin pjesë në këtë rast të rëndësishëm. Të tjerë do të jenë të pranishëm megjithëse përballojnë kundërshtime. E disa do ta mbajnë Përkujtimin në burg. Ndërsa Jehovai, Jezui dhe pjesa qiellore e familjes së Perëndisë i mbajnë sytë mbi ne, çdo kongregacion, grup e individ gëzoftë një Përkujtim të mrekullueshëm!

KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim

^ par. 5 Për Dëshmitarët e Jehovait, 27 marsi 2021 është një ditë speciale. Atë mbrëmje do të mbajmë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Shumica e të pranishmëve do të jenë pjesë e grupit që Jezui e quajti ‘delet e tjera’. Cila e vërtetë emocionuese për këtë grup doli në dritë në vitin 1935? Cilën perspektivë drithëruese do të kenë delet e tjera pas shtrëngimit të madh? E ndërsa ndjekin Përkujtimin, si mund t’i lëvdojnë delet e tjera Perëndinë dhe Krishtin?

^ par. 2 SHPJEGIMI I SHPREHJEVE: Delet e tjera janë ata që ndjekin gjurmët e Krishtit dhe që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Disa prej tyre filluan ta adhurojnë Jehovain gjatë ditëve të fundit. Shumica e madhe janë ata pjesëtarë të deleve të tjera që do të jenë gjallë kur Krishti të gjykojë njerëzimin gjatë shtrëngimit të madh; ata do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh.

^ par. 4 SHPJEGIMI I FJALËS: Fjala «mbetje» nënkupton të krishterët e mirosur që kanë mbetur në tokë dhe që marrin nga buka e nga vera në Darkën e Zotërisë.