JETËSHKRIM
Mësuam të mos i themi kurrë «jo» Jehovait
PAS një tajfuni, lumi u turbullua dhe merrte para me vrull gurë të mëdhenj. Duhej të kalonim në bregun tjetër, por ujërat e rrëmbyera e kishin shkatërruar urën. Bashkë me tim shoq, Harvin, dhe përkthyesin tonë të gjuhës amise ndiheshim të frikësuar e të pafuqishëm. Nisëm ta kalonim lumin ndërsa vëllezërit në anën tjetër na shihnin plot ankth. Makinën tonë të vogël e kishim vënë në karrocerinë e një kamionçine. Ajo filloi të ecte avash-avash përmes rrymës ndërkohë që makina nuk ishte siguruar me litarë a zinxhirë. Dukej sikur nuk do t’ia dilnim kurrë, megjithatë arritëm shëndoshë e mirë në anën tjetër, duke iu përgjëruar gjithë kohës Jehovait në lutje. Kjo ndodhi në vitin 1971. Ishim në bregun lindor të Tajvanit, pra të dy ndodheshim mijëra kilometra larg vendlindjes. Më lejoni t’ju tregoj historinë tonë.
MËSOJMË TË DUAM JEHOVAIN
Harvi ishte më i madhi nga katër vëllezërit. Familja e tij e mori të vërtetën në Midland-Xhankshën, në Australinë Perëndimore, gjatë krizës ekonomike të viteve 30. Harvi ushqeu dashuri për Jehovain që i vogël dhe u pagëzua në moshën 14-vjeçare. Shpejt mësoi të mos u thoshte «jo» caktimeve teokratike. Një herë, kur ishte adoleshent, nuk pranoi të ishte lexues i Kullës së Rojës në mbledhje, ngaqë mendonte se nuk ishte i kualifikuar. Por vëllai që po fliste me të, e ndihmoi t’i shihte gjërat me sy tjetër. Ai i tha: «Kur dikush në organizatën e Jehovait të kërkon të bësh diçka, ai mendon se je i kualifikuar!»—2 Kor. 3:5.
Unë e përqafova të vërtetën në Angli bashkë me mamanë dhe motrën e madhe. Babai e pranoi të vërtetën shumë kohë më vonë. Në fillim ai na kundërshtonte. Por edhe pse babai nuk donte, u pagëzova pak para se të mbushja 10 vjeç. Vura si synim të bëhesha pioniere e më pas misionare. Babai nuk do të më lejonte të bëhesha pioniere derisa të mbushja 21 vjeç, por unë s’kisha
ndër mend të prisja aq gjatë. Prandaj kur isha vetëm 16 vjeçe, me pëlqimin e tij shkova të jetoja në Australi me motrën e madhe, e cila kishte emigruar atje. Si përfundim, në moshën 18-vjeçare, fillova shërbimin si pioniere.Në Australi u njoha me Harvin. Të dy kishim dëshirë të shërbenim si misionarë. Në vitin 1951, u martuam dhe shërbyem së bashku si pionierë për dy vjet. Pas kësaj na ftuan të shërbenim në veprën qarkore. Qarku ynë përfshinte një pjesë të madhe të Australisë Perëndimore, prandaj shpesh na duhej të udhëtonim me makinë përmes hapësirave të shkreta e të paana.
ËNDRRA JONË BËHET REALITET
Në 1954-n, morëm ftesën për të ndjekur klasën e 25-të të Galadit. Së shpejti, ëndrra jonë që të ishim misionarë, do të bëhej realitet! Mbërritëm në Nju-Jork me anije dhe më pas filluam një kurs intensiv të studimit të Biblës. Gjatë kursit duhej të studionim edhe spanjisht, e kjo ishte një sfidë për Harvin, ngaqë e kishte të vështirë të shqiptonte shkronjën rr në atë gjuhë.
Në shkollë, instruktorët na njoftuan se ata që kishin dëshirë të shërbenin në Japoni, mund të regjistroheshin në klasën e gjuhës japoneze. Mirëpo, ne vendosëm që caktimin tonë t’ia linim në dorë organizatës së Jehovait. Pak pas kësaj, Albert Shroderi, një nga instruktorët e Galadit, mori vesh se nuk ishim regjistruar në klasën e gjuhës japoneze. Ai na tha: «Mendojeni edhe një herë.» Ne po ngurronim të regjistroheshim, prandaj më vonë na tha: «Unë dhe instruktorët e tjerë ju kemi regjistruar në gjuhën japoneze. Përpiquni t’ia merrni dorën.» Harvi e pati më të lehtë ta mësonte japonishten.
Mbërritëm në Japoni në vitin 1955, kur kishte vetëm 500 lajmëtarë në mbarë vendin. Harvi ishte 26 vjeç, kurse unë 24. U caktuam në qytetin-port të Kobes, ku shërbyem për katër vjet. Më vonë, u kënaqëm tej mase kur na ftuan të shërbenim sërish në veprën udhëtuese. Shërbyem pranë qytetit të Nagojës dhe na pëlqente gjithçka në atë caktim—vëllezërit, gatimet, peizazhi. Megjithatë, pas pak do të na jepej një mundësi tjetër për të mos i thënë «jo» Jehovait.
CAKTIM I RI, SFIDA TË REJA
Pas tre vjetësh në veprën udhëtuese, dega e Japonisë na pyeti nëse ishim të gatshëm * E donim shumë caktimin tonë në Japoni, prandaj ky ishte një vendim i vështirë. Por Harvi kishte mësuar të mos i thoshte kurrë «jo» një caktimi, kështu që ramë dakord të shkonim.
të shkonim në Tajvan që t’i predikonim popullsisë indigjene amise. Disa vëllezër amisë ishin bërë apostatë, prandaj dega e Tajvanit kishte nevojë për një vëlla që fliste rrjedhshëm japonisht, me qëllim që të ndihmonte t’i vihej pritë atij problemi.Mbërritëm në Tajvan në nëntor të vitit 1962. Atje kishte 2.271 lajmëtarë, shumica prej fisit amis. Por në fillim na duhej të mësonim gjuhën kineze. Kishim vetëm një libër gjuhe dhe një mësuese që nuk fliste anglisht, e megjithatë ia dolëm ta mësonim.
Pak pasi mbërritëm në Tajvan, Harvi u caktua si shërbëtor dege. Dega ishte e vogël, kështu që ai mund të kujdesej për përgjegjësitë e tij në zyrë, e njëkohësisht të shërbente me vëllezërit amisë deri në tri javë në muaj. Ai shërbente edhe si mbikëqyrës krahinor herë pas here, pra duhej të mbante edhe fjalime në asamble. Harvi mund t’i mbante fjalimet në japonisht, dhe vëllezërit amisë do ta kuptonin. Mirëpo, qeveria lejonte që mbledhjet fetare të mbaheshin vetëm në gjuhën kineze. Kështu, edhe pse kishte akoma vështirësi me gjuhën, Harvi i mbante fjalimet në gjuhën kineze, dhe vëllezërit i përkthenin në gjuhën amise.
Në atë kohë, Tajvani ishte nën kontrollin e ushtrisë, prandaj vëllezërit duhej të merrnin leje për të mbajtur asamble. Kjo nuk ishte e lehtë, dhe shpesh policia i jepte me vonesë lejet. Nëse vëllezërit nuk e e kishin marrë lejen deri javën e asamblesë, Harvi zinte një vend e rrinte ulur te rajoni i policisë derisa ia jepnin lejen. Policët viheshin në siklet që një i huaj priste në rajonin e tyre, prandaj kjo taktikë funksiononte për bukuri.
NGJITJA E PARË NË MAL
Gjatë javëve që kalonim me vëllezërit, shpesh ecnim orë të tëra në shërbim përpjetë maleve e përmes lumenjve. Kujtoj herën e parë që u ngjita në mal. Pasi hëngrëm mëngjes shpejt e shpejt, kapëm autobusin e orës 5 e gjysmë që shkonte në një fshat të largët. Më pas kaluam shtratin e një lumi dhe u ngjitëm me mund në një shpat mali. Ishte aq rrëpirë, sa shihja vetëm këmbët e vëllait që ecte para meje.
Atë mëngjes, Harvi doli në shërbim me disa vëllezër vendës, kurse unë predikova vetëm në një fshat të vogël ku banorët flitnin japonisht. Rreth orës një, gati po më binte të fikët, ngaqë kisha orë të tëra pa ngrënë. Më në fund takova Harvin, i cili ishte ndarë nga vëllezërit. Ai kishte shkëmbyer disa revista me tri vezë të freskëta pule. Donte të më tregonte si ta pija një vezë, prandaj mori njërën, i bëri një vrimë të vogël në të dyja anët dhe e piu. M’u duk disi e shpifur, por e provova një. Po vezën e tretë, kush do ta pinte? Harvi ma dha mua, se po të më
binte të fikët, nuk ishte në gjendje të më zbriste nga mali.NJË DUSH I PAZAKONTË
Në një asamble qarkore, u gjenda në një situatë të pazakontë. Po rrinim te shtëpia e një vëllai ngjitur me Sallën e Mbretërisë. Meqë për amisët është shumë e rëndësishme të lahesh, gruaja e mbikëqyrësit qarkor na përgatiti gjithçka që të bënim një dush. Harvi ishte i zënë, prandaj më tha të shkoja unë e para. Pashë se ajo kishte bërë gati tri enë: një kovë me ujë të ftohtë, një me ujë të ngrohtë dhe një legen bosh. Por për habinë time, i kishte vënë jashtë, mu përballë Sallës së Mbretërisë ku vëllezërit po punonin për asamblenë. I kërkova ndonjë gjë që mund ta përdorja si perde, kur ajo më solli një mushama transparente! Mendova një herë të shkoja mbrapa shtëpisë, por atje kishte ca pata që zgjasnin kokën përmes gardhit, gati për të kafshuar këdo që afrohej. Thashë me vete: «Vëllezërit janë aq të zënë, sa nuk do ta vënë re që po bëj dush. E nëse nuk lahem, ata do të ofendohen. Hajt, po e provoj njëherë!» Dhe e bëra atë dush të pazakontë.
LITERATURË NË GJUHËN AMISE
Harvi vuri re se vëllezërit amisë mezi po bënin përparim, ngaqë shumë nuk dinin të lexonin dhe nuk kishin literaturë në gjuhën e tyre. Gjuha amise kishte nisur të shkruhej nga pak kohë me shkronja latine, prandaj na u duk praktike t’i mësonim vëllezërit të lexonin në gjuhën amtare. Kjo ishte një punë marramendëse, por me kalimin e kohës, ia dolën të studionin në gjuhën e tyre. Botimet tona në gjuhën amise filluan të dilnin nga fundi i viteve 60, dhe në vitin 1968, filloi të botohej edhe Kulla e Rojës.
Megjithatë, qeveria nuk lejonte të shpërndanim literaturë që nuk ishte në gjuhën kineze. Për të shmangur problemet, Kulla e Rojës në gjuhën amise botohej në forma të ndryshme. Për shembull, për ca kohë përdornim revistën Kulla e Rojës që ishte në dy gjuhë—kinezisht dhe amise. Nëse dikush pyeste me kureshtje, revista krijonte përshtypjen se po u mësonim njerëzve gjuhën kineze. Që atëherë, organizata e Jehovait ka prodhuar shumë literaturë në gjuhën amise për të ndihmuar këta njerëz të mirë të mësojnë të vërtetat e Biblës.—Vep. 10:34, 35.
NJË PERIUDHË PASTRIMI
Gjatë viteve 60 dhe 70, shumë vëllezër amisë nuk po jetonin sipas normave të Perëndisë. Ngaqë nuk i kuptonin qartë parimet e Biblës, disa bënin jetë imorale, deheshin ose përdornin duhan dhe arrë beteli. Harvi vizitoi shumë kongregacione për t’i ndihmuar vëllezërit të kuptonin pikëpamjen e Jehovait për këto gjëra. Në një nga ato udhëtime kapërcyem lumin e rrëmbyer që përmenda në fillim.
Vëllezërit e përulur ishin të gatshëm të bënin ndryshime, por mjerisht kishte shumë të tjerë që nuk donin. Gjatë një periudhe prej 20 vjetësh, numri i lajmëtarëve në Tajvan ra nga mbi 2.450 në afro 900. Kjo ishte shumë shkurajuese. Megjithatë, e dinim se Jehovai nuk do ta bekonte kurrë një organizatë të papastër. (2 Kor. 7:1) Me kalimin e kohës, kongregacioni u pastrua nga çdo praktikë e gabuar dhe, falë bekimit të Jehovait, sot në Tajvan ka mbi 11.000 lajmëtarë.
Që nga vitet 80 e më tej, pamë si u bë gjithnjë e më i fortë besimi i vëllezërve e motrave në kongregacionet amise. Tani Harvi mund të kalonte më shumë kohë në fushën e gjuhës kineze. Ndihmoi mjaft burra të motrave të bëheshin besimtarë, dhe kjo i jepte shumë kënaqësi. Kujtoj një rast që më tha sa i lumtur ishte kur një prej atyre burrave iu lut Jehovait për herë të parë. Edhe mua më gëzon zemra që kam pasur mundësi të mësoj shumë njerëz të sinqertë si t’i afrohen Jehovait. Madje kam pasur kënaqësinë të shërbeja në degën e Tajvanit bashkë me djalin e vajzën e një motre që kishte studiuar me mua.
NJË HUMBJE E TRISHTË
Tani nuk e kam më shokun e jetës. Pas pothuajse 59 vitesh martesë, më 1 janar 2010, Harvi im i shtrenjtë vdiq pasi kishte luftuar me kancerin. Ai kishte shërbyer në kohë të plotë për gati gjashtë dekada! Akoma më mungon sa s’thuhet. Por jam shumë e lumtur që e kam mbështetur në fillimet e veprës në dy vende të mrekullueshme! Mësuam të flisnim—dhe Harvi edhe të shkruante—dy gjuhë të vështira aziatike.
Ca vite më vonë, Trupi Udhëheqës vendosi që, për shkak të moshës sime të shkuar, të kthehesha në Australi. Mendimi i parë që më kaloi nëpër mend ishte: «Nuk dua të iki nga Tajvani.» Por Harvi më kishte mësuar të mos i thosha kurrë «jo» organizatës së Jehovait, prandaj as që bëhej fjalë të thosha «jo». Më vonë, kuptova sa i mençur ishte ai vendim.
Sot shërbej në degën e Australazisë gjatë javës dhe në fundjavë predikoj me një kongregacion vendës. Kënaqem ndërsa e vë në punë japonishten dhe kinezishten për vizitat e Bethelit. Megjithatë, mezi po pres ditën e premtuar të ringjalljes, se e di që Harvi—i cili mësoi të mos i thoshte kurrë «jo» Jehovait—është i sigurt në kujtesën e Tij.—Gjoni 5:28, 29.
^ par. 14 Edhe pse tani gjuha zyrtare e Tajvanit është gjuha kineze, për shumë dekada ishte gjuha japoneze. Ja pse shumë grupe etnike në Tajvan e flisnin edhe gjuhën japoneze.