Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 6

«Kreu i gruas është burri»

«Kreu i gruas është burri»

«Kreu i gruas është burri.»—1 KOR. 11:3.

KËNGA 13 Krishti është modeli ynë

PËRMBLEDHJE *

1. Cilat pyetje mund t’i bëjë vetes një motër beqare kur peshon mundësinë për t’u martuar me dikë?

TË GJITHË shërbëtorët e Perëndisë janë nën kryesinë e përsosur të Jezu Krishtit. Kurse një grua, pasi martohet, është nën kryesinë e një burri të papërsosur. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Prandaj, kur një motër beqare peshon mundësinë për t’u martuar me dikë, bën mirë të pyesë veten: «Çfarë provash kam se ky vëlla do të jetë kryefamiljar i mirë? A zënë vend kryesor në jetën e tij aktivitetet teokratike? Nëse jo, a do të arrijë të marrë drejtimin siç duhet në adhurimin e Jehovait pas martesës?» Ndërkohë ajo duhet edhe të pyesë veten: «Çfarë cilësish kam unë që do ta pasurojnë martesën? A jam e duruar dhe bujare? A kam një miqësi të fortë me Jehovain?» (Ekl. 4:9, 12) Se sa e suksesshme dhe e lumtur do të jetë martesa, do të varet deri diku nga vendimet që merr gruaja para martesës.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Miliona motra mes nesh janë një shembull i shkëlqyer nënshtrimi ndaj burrave të tyre. Ato meritojnë t’i lavdërojmë nga zemra! Është kënaqësi t’i shërbejmë Jehovait përkrah këtyre grave besnike! Në këtë artikull do të shqyrtojmë përgjigjet e tri pyetjeve: (1) Cilat janë disa vështirësi që hasin gratë? (2) Pse një grua zgjedh t’i nënshtrohet burrit të saj? (3) Çfarë mund të mësojnë burrat dhe gratë për nënshtrimin nga shembulli i Jezuit, i Abigailës dhe i Marisë, gruas së Jozefit dhe nënës së Jezuit?

ÇFARË VËSHTIRËSISH HAS NJË GRUA?

3. Pse nuk ka martesë të përsosur?

3 Martesa është një dhuratë e përsosur nga Perëndia, ama njerëzit janë të papërsosur. (1 Gjon. 1:8) Ja pse Fjala e Perëndisë i paralajmëron çiftet e martuara se do të hasin «vështirësi në jetë». (1 Kor. 7:28) Të shohim vetëm disa nga vështirësitë që mund të hasë një grua.

4. Pse gruas mund t’i duket sikur nënshtrimi ndaj burrit i ul dinjitetin?

4 Ndoshta për shkak të mënyrës si është rritur, një grua mund të mendojë se nënshtrimi ndaj burrit i ul dinjitetin. Marisoli, që jeton në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Atje ku u rrita unë, grave u mësohet se duhet të jenë të barabarta me burrat në gjithçka. E di se Jehovai ka caktuar burrin si kreun e familjes dhe se i ka dhënë gruas një rol modest por të nderuar. Prapëseprapë, e kam të vështirë të mbaj një pikëpamje të ekuilibruar për kryesinë në familje.»

5. Cilat pikëpamje që bien ndesh me Shkrimet, kanë disa për rolin e gruas?

5 Në krahun tjetër, një grua mund të jetë martuar me një burrë që i sheh gratë si inferiore. Një motër që quhet Ivona dhe që jeton në Amerikën e Jugut, thotë: «Në zonën tonë burrat hanë të parët, kurse gratë pas tyre. Nga një vajzë e vogël pritet të gatuajë e të pastrojë, kurse djalit i shërbejnë mamaja e motrat dhe e quajnë ‘mbreti i shtëpisë’.» Një motër që jeton në Azi, thotë: «Në gjuhën tonë ka një shprehje që jep idenë se gruaja s’ka nevojë të jetë e zgjuar ose të ketë ndonjë aftësi. Detyra e saj është të bëjë gjithë punët e shtëpisë, por nuk i lejohet t’i shprehë ndonjë mendim të shoqit.» Kur një burrë shfaq ndonjë nga këto qëndrime pa pikë dashurie që bien ndesh me Shkrimet, po ia bën të vështirë jetën gruas, nuk po imiton Jezuin dhe po i shkakton pakënaqësi Jehovait.—Efes. 5:28, 29; 1 Pjet. 3:7.

6. Çfarë duhet të bëjë një grua për ta forcuar miqësinë e saj me Jehovain?

6 Siç u përmend në artikullin e kaluar, Jehovai pret që burri ta ndihmojë familjen të mbajë një besim të fortë, si edhe të kujdeset për nevojat e tyre emocionale e materiale. (1 Tim. 5:8) Gjithsesi, motrat e martuara duhet të gjejnë kohë çdo ditë në programin e tyre të ngjeshur që të lexojnë Fjalën e Perëndisë, të meditojnë për të dhe t’ia zbrazin zemrën Jehovait në lutje. Kjo mund të jetë një sfidë. Gratë janë goxha të ngarkuara, prandaj mund të mendojnë se nuk kanë kohë a energji për këto gjëra. Por është jetësore ta gjejnë kohën. Pse? Sepse Jehovai do që secili nga ne të zhvillojë një marrëdhënie personale me të dhe ta ruajë këtë miqësi.—Vep. 17:27.

7. Çfarë do ta ndihmojë gruan të përmbushë rolin e saj?

7 Natyrisht, gruas mund t’i duhet të përpiqet shumë që t’i nënshtrohet burrit të saj të papërsosur. Megjithatë do ta ketë më të lehtë ta përmbushë këtë caktim nga Jehovai nëse i kupton dhe i pranon arsyet që japin Shkrimet se pse duhet t’i nënshtrohet të shoqit.

PSE ZGJEDH TË NËNSHTROHET NJË GRUA?

8. Siç tregon Efesianëve 5:22-24, për ç’arsye zgjedh t’i nënshtrohet të shoqit një grua?

8 Një grua zgjedh t’i nënshtrohet të shoqit sepse këtë kërkon Jehovai prej saj. (Lexo Efesianëve 5:22-24.) Ajo ka besim tek Ati i saj qiellor, se e di që ai motivohet gjithmonë nga dashuria dhe nuk kërkon kurrë diçka që s’është për të mirën e saj.—Ligj. 6:24; 1 Gjon. 5:3.

9. Çfarë ndodh kur një grua i bindet Jehovait duke respektuar autoritetin e burrit?

9 Bota i nxit gratë t’i shpërfillin standardet e Jehovait dhe ta shohin nënshtrimin si poshtërues. Natyrisht, ata që nxitin ide të tilla, nuk e njohin Perëndinë tonë të dashur. Jehovai nuk do t’u jepte kurrë bijave të tij të shtrenjta një urdhër që do t’i poshtëronte. Kur një motër përpiqet me të gjitha forcat të përmbushë rolin që i ka caktuar Jehovai, nxit paqen në familje. (Psal. 119:165) Kjo i sjell dobi burrit, asaj vetë dhe fëmijëve.

10. Çfarë mund të mësojmë nga ajo që thotë Karola?

10 Një grua që i nënshtrohet burrit të saj të papërsosur, tregon se do dhe respekton Jehovain—atë që ka vendosur parimin e kryesisë. Karola, që jeton në Amerikën e Jugut, thotë: «E di se burri im do të bëjë gabime. Di edhe se mënyra si reagoj ndaj gabimeve të tij tregon sa e vlerësoj miqësinë time me Jehovain. Prandaj bëj çmos të jem e nënshtruar, se dua ta kënaq Atin tim qiellor.»

11. Çfarë e ndihmon Anisën të jetë e gatshme të falë, dhe çfarë mund të mësojmë nga fjalët e saj?

11 Një grua mund ta ketë të vështirë ta respektojë e t’i nënshtrohet të shoqit nëse mendon se ai nuk i merr parasysh ndjenjat dhe shqetësimet e saj. Por të shohim çfarë bën në raste të tilla një motër e martuar që quhet Anisa. Ajo thotë: «Përpiqem të mos mbledh mllef në zemër. I kujtoj vetes se të gjithë bëjmë gabime. Synimi im është të fal bujarisht, siç fal Jehovai. Kur e bëj këtë, kam prapë paqe në zemër.» (Psal. 86:5) Një grua që është e gatshme të falë, zakonisht e ka më të lehtë t’i nënshtrohet autoritetit të të shoqit.

ÇFARË NA MËSOJNË SHEMBUJT NGA BIBLA?

12. Çfarë shembujsh gjejmë në Bibël?

12 Disa mund ta shohin si njeri të dobët dikë që nënshtrohet. Por është krejt e kundërta. Në Bibël gjejmë plot shembuj të burrave e grave të guximshëm e me forcë karakteri, që i nënshtroheshin autoritetit. Të shohim çfarë mund të mësojmë nga Jezui, nga Abigaila dhe nga Maria.

13. Pse i nënshtrohet autoritetit të Jehovait Jezui? Shpjegoni.

13 Jezui i nënshtrohet autoritetit të Jehovait. Por patjetër nuk e bën këtë ngaqë s’ka mjaft zgjuarsi ose aftësi. Vetëm një njeri tepër i zgjuar mund të mësonte aq thjesht dhe aq qartë sa Jezui. (Gjoni 7:45, 46) Jehovai i vlerësonte aq shumë aftësitë e Jezuit, sa e lejoi të punonte përkrah tij kur krijoi universin. (Prov. 8:30; Hebr. 1:2-4) Gjithashtu pas ringjalljes, Jehovai i dha Jezuit «çdo autoritet në qiell dhe në tokë». (Mat. 28:18) Edhe pse është shumë i talentuar, Jezui prapë mbështetet për drejtim te Jehovai. Pse? Sepse e do Atin e tij.—Gjoni 14:31.

14. Çfarë mund të mësojnë burrat nga (a) pikëpamja që ka Jehovai për gratë? (b) ajo që thuhet te Proverbat 31?

14 Çfarë mund të mësojnë burrat. Arsyeja pse e vendosi Jehovai parimin e kryesisë në familje nuk është se i sheh gratë si inferiore karshi burrave. Kjo duket qartë nga fakti që ai ka zgjedhur qoftë gra, qoftë burra për të mbretëruar me Jezuin. (Gal. 3:26-29) Jehovai ka treguar besim te Biri i tij duke i dhënë autoritet. Po njësoj, një burrë i mençur i jep gruas së vet njëfarë autoriteti. Duke përshkruar rolin e një gruaje të zonjë, Fjala e Perëndisë thotë se ajo mund të mbikëqyrë shtëpinë e saj, mund të blejë e të shesë tokë a prona dhe mund të bëjë biznes. (Lexo Proverbat 31:15, 16, 18.) Gruaja nuk është një skllave që s’ka të drejtë të shprehë mendimin e vet. Përkundrazi, i shoqi ka besim tek ajo dhe ua vë veshin mendimeve të saj. (Lexo Proverbat 31:11, 26, 27.) Kur burri tregon këtë lloj respekti për gruan, ajo do t’i nënshtrohet me kënaqësi.

Çfarë mund të mësojnë gratë e zonja nga nënshtrimi i Jezuit ndaj Jehovait? (Shih paragrafin 15)

15. Çfarë mund të mësojnë gratë nga shembulli i Jezuit?

15 Çfarë mund të mësojnë gratë. Pavarësisht nga gjërat madhështore që ka arritur, Jezuit nuk i duket poshtëruese t’i nënshtrohet autoritetit të Jehovait. (1 Kor. 15:28; Filip. 2:5, 6) Po njësoj, një gruaje të zonjë që imiton shembullin e Jezuit, nuk i duket poshtëruese t’i nënshtrohet autoritetit të të shoqit. Ajo e mbështet burrin jo vetëm nga dashuria për të, por para së gjithash nga dashuria e respekti për Jehovain.

Abigaila u ka sjellë ushqime Davidit dhe luftëtarëve të tij. Ajo i afrohet Davidit, përkulet para tij dhe i përgjërohet të mos bëhet me faj gjaku duke u hakmarrë (Shih paragrafin 16)

16. Sipas 1 Samuelit 25:3, 23-28, çfarë vështirësish hasi Abigaila? (Shih figurën e kopertinës.)

16 Abigaila ishte martuar me Nabalin, një burrë egoist, krenar dhe mosmirënjohës. Gjithsesi, ajo nuk sajoi marifete për t’i dhënë fund martesës. Abigaila mund ta kishte mbyllur gojën e të lejonte që Davidi dhe luftëtarët e tij ta vritnin Nabalin. Por në vend të kësaj, bëri hapa praktikë që ta mbronte të shoqin dhe familjen e tyre të madhe. Imagjino sa guxim iu desh Abigailës që të shkonte te 400 luftëtarë të armatosur e të arsyetonte me respekt me Davidin. Madje ajo u tregua e gatshme të merrte përsipër fajin për veprimet e të shoqit. (Lexo 1 Samuelit 25:3, 23-28.) Davidi e pranoi pa ngurrim se Jehovai po e përdorte atë grua të guximshme për t’i dhënë këshilla që e ndihmuan të mos bënte një gabim të rëndë.

17. Çfarë mund të mësojnë burrat nga tregimi për Davidin dhe Abigailën?

17 Çfarë mund të mësojnë burrat. Abigaila ishte një grua e matur, dhe Davidi u tregua i mençur që ua vuri veshin këshillave të saj. Kjo e ndihmoi të mos bëhej me faj gjaku. Po njësoj, një burrë i mençur i peshon me kujdes mendimet e gruas kur duhen marrë vendime të rëndësishme. Pikëpamja e saj ka të ngjarë ta ndihmojë të mos marrë një vendim të pamend.

18. Çfarë mund të mësojnë gratë nga shembulli i Abigailës?

18 Çfarë mund të mësojnë gratë. Një grua që e do dhe e respekton Jehovain mund të ndikojë për mirë te familja e saj, edhe nëse i shoqi nuk i shërben Jehovait ose nuk jeton sipas normave të Tij. Ajo nuk kërkon mënyra që bien ndesh me Shkrimet për t’i dhënë fund martesës. Përkundrazi, me respektin dhe nënshtrimin ndaj autoritetit në familje, përpiqet ta nxitë burrin që të mësojë për Jehovain. (1 Pjet. 3:1, 2) Por edhe nëse shembulli i saj i mirë nuk e nxit burrin t’i shërbejë Jehovait, një grua e nënshtruar po tregon besnikëri ndaj Jehovait, dhe Ai e çmon këtë.

19. Në cilat situata nuk do t’i bindet një grua burrit të saj?

19 Megjithatë, një grua e nënshtruar nuk do ta mbështetë të shoqin nëse ai i kërkon të shkelë ligjet ose parimet e Biblës. Për shembull, ta zëmë se burri i një motre, i cili nuk është Dëshmitar i Jehovait, i thotë asaj të gënjejë, të vjedhë ose të bëjë diçka tjetër që nuk i pëlqen Jehovait. Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, duke përfshirë edhe motrat e martuara, duhet t’i binden në radhë të parë Perëndisë Jehova. Nëse burri i kërkon të shkelë parimet e Biblës, ajo nuk duhet të pranojë, duke i shpjeguar me dashuri por edhe me vendosmëri pse nuk mund ta bëjë atë që i kërkon.—Vep. 5:29.

Shih paragrafin 20 *

20. Nga e dimë se Maria kishte një miqësi të ngushtë me Jehovain?

20 Maria kishte një miqësi të ngushtë me Jehovain. Ajo i njihte mirë Shkrimet. Gjatë një bisede me Elizabetën, nënën e Gjon Pagëzorit, Maria citoi mbi 20 herë nga Shkrimet Hebraike. (Luka 1:46-55) Të mendojmë edhe për këtë fakt: ndonëse Maria ishte e fejuar me Jozefin, engjëlli i Jehovait nuk iu shfaq atij të parit. Në fillim engjëlli foli drejtpërdrejt me Marinë dhe i tregoi se do të lindte Birin e Perëndisë. (Luka 1:26-33) Jehovai e njihte mirë Marinë dhe kishte besim se ajo do ta donte e do të përkujdesej për Birin i tij. E pa dyshim që Maria mbajti një marrëdhënie të fortë me Jehovain edhe pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit në qiell.—Vep. 1:14.

21. Çfarë mund të mësojnë burrat nga ajo që thotë Bibla për Marinë?

21 Çfarë mund të mësojnë burrat. Një burrë i mençur është i kënaqur kur gruaja e tij ka njohuri të thellë nga Shkrimet. Ai nuk ndihet i pasigurt ose i kërcënuar nga kjo. E kupton se një grua që e njeh mirë Biblën dhe parimet e saj, mund të jetë një pasuri e vërtetë për familjen. Patjetër që edhe nëse gruaja është më e arsimuar se burri, i takon atij përgjegjësia të marrë drejtimin në adhurimin familjar dhe në aktivitetet e tjera teokratike.—Efes. 6:4.

Çfarë mësojnë gratë për studimin dhe meditimin nga Maria, nëna e Jezuit? (Shih paragrafin 22) *

22. Çfarë mund të mësojnë gratë nga Maria?

22 Çfarë mund të mësojnë gratë. Ndërkohë që e pranon se i takon burrit të marrë drejtimin në adhurimin e Jehovait, gruaja prapëseprapë ka përgjegjësinë të mbajë të fortë besimin e saj. (Gal. 6:5) Që ta përmbushë këtë përgjegjësi, ajo duhet të lërë kohë për studimin personal e për të medituar. Kjo do ta ndihmojë të thellojë dashurinë dhe respektin për Jehovain e t’i nënshtrohet me kënaqësi burrit të saj.

23. Si i sjellin dobi vetes, familjes e kongregacionit gratë që u nënshtrohen burrave të tyre?

23 Gratë që u nënshtrohen burrave të tyre nga dashuria për Jehovain, janë më të lumtura e më të kënaqura se ato që e hedhin poshtë parimin e kryesisë të vendosur nga Jehovai. Gjithashtu janë një shembull i shkëlqyer për të rinjtë e të rejat. Ato ndihmojnë të krijohet një atmosferë e ngrohtë jo vetëm në familje, por edhe në kongregacion. (Titit 2:3-5) Sot, një pjesë e madhe e shërbëtorëve besnikë të Jehovait janë gra. (Psal. 68:11) Sidoqoftë, të gjithë ne, burra a gra qofshim, kemi një rol të rëndësishëm në kongregacion. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund ta përmbushë secili nga ne rolin e vet.

KËNGA 131 ‘Atë që Jehovai e ka bashkuar’

^ par. 5 Mënyra si e ka organizuar Jehovai familjen kërkon që gruaja t’i nënshtrohet autoritetit të burrit. Si mund ta respektojnë burrat dhe gratë parimin e kryesisë? Ata mund të mësojnë shumë për nënshtrimin nga shembulli i Jezuit dhe nga shembulli i disa grave për të cilat flet Bibla.

^ par. 68 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa bisedonte me Elizabetën, nënën e Gjon Pagëzorit, Maria citoi pjesë nga Shkrimet Hebraike që i kishte fiksuar në mendje.

^ par. 70 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një grua që adhuron Jehovain, lë kohë të studiojë Biblën për ta mbajtur besimin të fortë.