Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 7

Kupto dhe respekto parimin e kryesisë në kongregacion

Kupto dhe respekto parimin e kryesisë në kongregacion

«Krishti është kreu i kongregacionit, shpëtimtari i këtij trupi.»—EFES. 5:23.

KËNGA 137 Gra besnike, motra të krishtere

PËRMBLEDHJE *

1. Cila është një arsye pse familja e Jehovait është e bashkuar?

SA TË LUMTUR jemi që bëjmë pjesë në familjen e Jehovait! Po pse gëzojmë kaq paqe e unitet në familjen tonë? Një arsye është se të gjithë bëjmë çmos të respektojmë parimin e kryesisë që ka vendosur Jehovai. Në fakt, sa më mirë e kuptojmë këtë parim, aq më shumë unitet ka mes nesh.

2. Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë si duhet zbatuar parimi i kryesisë në kongregacion. Ndër të tjera, do të marrin përgjigje këto pyetje: Çfarë roli luajnë motrat? A është çdo vëlla kreu i çdo motre? A kanë pleqtë mbi vëllezërit e motrat të njëjtin autoritet që ka një kryefamiljar mbi gruan e fëmijët? Së pari, le të shqyrtojmë si duhet t’i shohim motrat në kongregacion.

SI DUHET T’I SHOHIM MOTRAT NË KONGREGACION?

3. Si mund ta thellojmë çmueshmërinë për punën që bëjnë motrat?

3 I çmojmë motrat tona që punojnë pa u lodhur ndërsa kujdesen për familjen, predikojnë lajmin e mirë dhe mbështetin kongregacionin. Mund ta thellojmë çmueshmërinë për to duke shqyrtuar si i shohin Jehovai dhe Jezui. Gjithashtu do të nxjerrim dobi duke shqyrtuar si i trajtonte gratë apostulli Pavël.

4. Si e tregon Bibla se Jehovai i vlerëson njësoj gratë dhe burrat?

4 Shkrimet tregojnë se Jehovai i vlerëson njësoj gratë dhe burrat. Për shembull, ato tregojnë se në shekullin e parë, Jehovai u dha frymë të shenjtë edhe grave, edhe burrave që të bënin vepra të mrekullueshme, si të flitnin në gjuhë të ndryshme. (Vep. 2:1-4, 15-18) E Jehovai ka mirosur me frymë të shenjtë qoftë gra, qoftë burra që të qeverisin me Krishtin. (Gal. 3:26-29) Po ashtu, dhurata e jetës së pafund në tokë do t’u jepet edhe grave, edhe burrave. (Zbul. 7:9, 10, 13-15) Veç kësaj, si burrave, edhe grave u është ngarkuar detyra të predikojnë e të mësojnë lajmin e mirë. (Mat. 28:19, 20) Në fakt, në librin e Veprave vlerësohet puna e një motre që quhej Prishila. Ajo bashkë me të shoqin, Akuilën, ndihmoi për t’ia shpjeguar më saktë të vërtetën një burri të arsimuar, Apolit.—Vep. 18:24-26.

5. Si e tregon Luka 10:38, 39, 42 se Jezui i nderonte gratë?

5 Jezui i nderonte dhe i respektonte gratë. Ai nuk ndiqte zakonin e farisenjve që i përçmonin gratë, e madje nuk u flitnin në publik, e jo më të diskutonin me to për Shkrimet. Krejt ndryshe, Jezui diskutonte të vërteta të thella me gratë, ashtu siç bënte me dishepujt e tjerë. * (Lexo Lukën 10:38, 39, 42.) Gjithashtu u dha mundësi disa grave të udhëtonin me të në fushatat e predikimit. (Luka 8:1-3) E Jezui u dha grave edhe privilegjin të njoftonin apostujt se ishte kthyer në jetë.—Gjoni 20:16-18.

6. Si e tregoi apostulli Pavël se i respektonte gratë?

6 Apostulli Pavël e nxiti Timoteun t’i nderonte gratë. Pavli i tha t’i trajtonte «më të moshuarat si nëna» dhe t’i shihte «më të rejat si motra». (1 Tim. 5:1, 2) Ai e ndihmoi shumë Timoteun që të bëhej një i krishterë i pjekur, por e pranoi se të parat që i kishin mësuar Timoteut «shkrimet e shenjta», ishin nëna dhe gjyshja e tij. (2 Tim. 1:5; 3:14, 15) Veç kësaj, në letrën që u shkroi romakëve, Pavli përshëndeti me emër disa motra. Ai jo vetëm e vërente punën që bënin motrat, por edhe e shprehte çmueshmërinë për to si shërbëtore të lajmit të mirë.—Rom. 16:1-4, 6, 12; Filip. 4:3.

7. Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?

7 Siç e tregojnë paragrafët e mësipërm, Shkrimet nuk na japin asnjë arsye për të menduar se motrat janë inferiore karshi vëllezërve. Motrat tona të dashura e bujare janë një pasuri e vërtetë, dhe pleqtë mbështeten te ndihma e tyre për të nxitur paqen e unitetin në kongregacion. Por ka akoma disa pyetje që duan përgjigje. Për shembull: Meqë vetëm vëllezërit emërohen pleq dhe shërbëtorë kongregacioni, a do të thotë kjo se çdo vëlla është kreu i çdo motre në kongregacion? Pse kërkon Jehovai që një motër ta mbulojë kokën në disa raste?

A ËSHTË ÇDO VËLLA KREU I ÇDO MOTRE?

8. Sipas Efesianëve 5:23, a është çdo vëlla kreu i çdo motre? Shpjegoni.

8 Përgjigjja shkurt është: jo! Një vëlla nuk është kreu i çdo motre në kongregacion; kreu është Krishti. (Lexo Efesianëve 5:23.) Në familje, burri ka autoritet mbi gruan e vet. Ndërsa djali i pagëzuar nuk është kreu i nënës së tij. (Efes. 6:1, 2) E në kongregacion, autoriteti që kanë pleqtë mbi motrat e vëllezërit, ka kufij. (1 Sel. 5:12; Hebr. 13:17) Motrat beqare që nuk jetojnë më në një shtëpi me prindërit, vazhdojnë t’i respektojnë prindërit dhe pleqtë e kongregacionit. Megjithatë, njësoj si vëllezërit në kongregacion, ato kanë vetëm një krye, Jezuin.

Beqarët që nuk jetojnë më bashkë me prindërit, janë nën kryesinë e Jezuit (Shih paragrafin 8)

9. Pse në disa raste motrat duhet ta mbulojnë kokën?

9 Gjithsesi, është e vërtetë se Jehovai ka caktuar burrat të marrin drejtimin në kongregacion dhe nuk ua ka dhënë këtë autoritet grave. (1 Tim. 2:12) Pse? Për të njëjtën arsye që ka caktuar Jezuin si kreun e burrit—me qëllim që familja dhe kongregacioni të jenë të organizuara. Nëse për shkak të rrethanave, një motër duhet të përmbushë një rol që i takon një vëllai, atëherë Jehovai kërkon që ta mbulojë kokën. * (1 Kor. 11:4-7) Jehovai nuk e kërkon këtë për t’i ulur motrat, por për t’u dhënë mundësi të respektojnë parimin e kryesisë që ka vendosur ai. Duke mbajtur në mendje këto fakte, le t’i përgjigjemi tani pyetjes: deri ku shkon autoriteti i kryefamiljarëve dhe i pleqve?

ROLI I NJË KRYEFAMILJARI DHE ROLI I NJË PLAKU

10. Pse ndonjëherë një plak mund të dojë të vendosë rregulla për kongregacionin?

10 Pleqtë e duan Krishtin; i duan edhe «delet» që u kanë lënë nën kujdes Jehovai dhe Jezui. (Gjoni 21:15-17) I nisur nga e mira, një plak mund ta shohë veten si një baba për vëllezërit e motrat në kongregacion. Ai mund të mendojë se përderisa një kryefamiljar ka të drejtën të vendosë rregulla për të mbrojtur familjen, edhe një plak mund të vendosë rregulla që shpreson të mbrojnë delet e Perëndisë. E disa vëllezër e motra mund t’i inkurajojnë pleqtë të veprojnë si kreu i tyre, duke u kërkuar të marrin vendime për ta. Por a kanë pleqtë në kongregacion të njëjtin autoritet si kryefamiljarët?

Pleqtë i ndihmojnë vëllezërit e motrat të forcojnë miqësinë me Jehovain dhe kujdesen për nevojat e tyre emocionale. Jehovai u ka dhënë pleqve përgjegjësinë ta mbajnë të pastër nga ana morale kongregacionin (Shih paragrafët 11-12)

11. Ku ngjason roli i kryefamiljarëve me atë të pleqve?

11 Apostulli Pavël tregoi se ka disa ngjashmëri mes rolit të një kryefamiljari dhe atij të një plaku. (1 Tim. 3:4, 5) Për shembull, Jehovai do që pjesëtarët e familjes t’i binden kryefamiljarit. (Kolos. 3:20) Po ashtu, do që vëllezërit e motrat në kongregacion t’u binden pleqve. Jehovai pret që edhe kryefamiljarët, edhe pleqtë t’i ndihmojnë ata që kanë nën kujdes ta mbajnë të fortë miqësinë me Perëndinë, si edhe të kujdesen për nevojat e tyre emocionale. E njësoj si kryefamiljarët e mirë, pleqtë sigurohen që vëllezërit e motrat nën autoritetin e tyre, të marrin ndihmë në kohë të vështira. (Jak. 2:15-17) Përveç kësaj, Jehovai pret që pleqtë dhe kryefamiljarët të përkrahin standardet e tij dhe të mos ‘shkojnë përtej gjërave të shkruara’ në Bibël.—1 Kor. 4:6.

Kryefamiljarëve Jehovai u ka dhënë autoritetin të marrin drejtimin në familje. Një kryefamiljar i dashur këshillohet me të shoqen para se të marrë një vendim (Shih paragrafin 13)

12-13. Siç tregon Romakëve 7:2, ku ndryshon roli i kryefamiljarëve nga ai i pleqve?

12 Megjithatë, ka edhe ndryshime të rëndësishme mes rolit të një plaku dhe rolit të një kryefamiljari. Për shembull, Jehovai i ka caktuar pleqtë të veprojnë si gjykatës. U ka dhënë edhe përgjegjësinë të heqin nga kongregacioni mëkatarët e papenduar.—1 Kor. 5:11-13.

13 Në krahun tjetër, Jehovai u ka dhënë kryefamiljarëve një autoritet që nuk ua ka dhënë pleqve. Për shembull, u ka dhënë autoritetin të vënë rregulla për familjen e tyre dhe të sigurohen se ato po zbatohen. (Lexo Romakëve 7:2.) Kryefamiljari, për shembull, ka të drejtën të vendosë orarin kur duhet të kthehen në mbrëmje në shtëpi fëmijët e tij. Ka edhe autoritetin t’i disiplinojë fëmijët nëse nuk i binden këtij rregulli. (Efes. 6:1) Natyrisht, një kryefamiljar i dashur këshillohet me të shoqen para se të vendosë rregulla për familjen, sepse ata të dy janë «një mish i vetëm». *Mat. 19:6.

RESPEKTO KRISHTIN SI KREU I KONGREGACIONIT

Jezui, nën autoritetin e Jehovait, drejton kongregacionin (Shih paragrafin 14)

14. (a) Sipas asaj që thotë Marku 10:45, pse është me vend që Jehovai ka caktuar Jezuin si kreun e kongregacionit? (b) Cili është roli i Trupit Udhëheqës? (Shih kutinë « Roli i Trupit Udhëheqës».)

14 Me anë të shpërblesës, Jehovai ka blerë jetën e çdo individi në kongregacion. (Lexo Markun 10:45; Vep. 20:28; 1 Kor. 15:21, 22) Prandaj është me vend që ai caktoi si kreun e kongregacionit Jezuin—atë që sakrifikoi jetën për ne. Si kreu ynë, Jezui ka autoritetin të vendosë rregulla se si duhet të sillen individët, familjet dhe krejt kongregacioni, si edhe të sigurohet se po u bindemi këtyre rregullave. (Gal. 6:2) Megjithatë, Jezui jo vetëm vendos rregulla, por edhe «ushqen dhe përkujdeset» për secilin nga ne.—Efes. 5:29.

15-16. Çfarë mëson nga ajo që thonë Marli dhe Benxhamini?

15 Motrat tregojnë se e respektojnë Krishtin kur ndjekin drejtimin e dhënë nga burrat që Krishti i ka caktuar të kujdesen për to. Një motër që quhet Marli e që jeton në Shtetet e Bashkuara, shpreh mendimin e shumë motrave kur thotë: «E vlerësoj shumë rolin tim si bashkëshorte dhe si motër në kongregacion. Më duhet të përpiqem vazhdimisht për të respektuar autoritetin që i ka dhënë Jehovai burrit tim dhe pleqve. Por burri dhe vëllezërit në kongregacion ma kanë bërë më të lehtë këtë, sepse më respektojnë dhe e shprehin vlerësimin për punën që bëj.»

16 Vëllezërit tregojnë se e kuptojnë qartë parimin e kryesisë kur respektojnë dhe nderojnë motrat. Benxhamini, një vëlla që jeton në Angli, thotë: «Kam mësuar sa s’thuhet nga komentet e motrave në mbledhje dhe nga sugjerimet e tyre se si të studiojmë e si të jemi të efektshëm në shërbim. Puna që bëjnë ato, s’ka të çmuar.»

17. Pse duhet ta respektojmë parimin e kryesisë?

17 Kur të gjithë në kongregacion—burra, gra, kryefamiljarë dhe pleq—e kuptojnë dhe e respektojnë parimin e kryesisë, në kongregacion mbizotëron paqja. E ç’është më e rëndësishmja, i japim lavdi Atit tonë të dashur, Jehovait.—Psal. 150:6.

KËNGA 123 T’i qëndrojmë besnikë teokracisë

^ par. 5 Çfarë roli luajnë motrat në kongregacion? A është çdo vëlla kreu i çdo motre? A kanë pleqtë dhe kryefamiljarët të njëjtin autoritet? Në këtë artikull do t’i shqyrtojmë këto pyetje nën dritën e shembujve nga Fjala e Perëndisë.

^ par. 5 Shih paragrafin 6 të artikullit «T’u bëhemi krah motrave tona», botuar në Kullën e Rojës të shtatorit 2020.

^ par. 13 Shih artikullin «Respekto vendin e të tjerëve në kongregacionin e Jehovait», në Kullën e Rojës të gushtit 2020, paragrafët 17-19, ku shpjegohet se kush duhet të vendosë në cilin kongregacion do të shkojë familja.

^ par. 59 Për një shqyrtim më të hollësishëm të këtij argumenti, shih librin Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, f. 209-212.

^ par. 64 Për një shqyrtim më të hollësishëm të rolit të Trupit Udhëheqës, shih Kullën e Rojës, 15 korrik 2013, f. 20-25.