Pyetje nga lexuesit
Pse duhet të bëjmë kujdes kur përdorim aplikacione a programe për dërgimin e mesazheve?
Disa Dëshmitarë përdorin teknologjinë për të komunikuar me familjarët ose me bashkëbesimtarët. Ndërkohë, një i krishterë i pjekur mban parasysh këtë këshillë: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.»—Prov. 27:12.
E dimë pse Jehovai dëshiron të na mbrojë. Ja pse nuk shoqërohemi me ata që shkaktojnë përçarje, që janë të përjashtuar ose që përhapin ide të gabuara. (Rom. 16:17; 1 Kor. 5:11; 2 Gjon. 10, 11) Edhe disa vëllezër ose të tjerë që shoqërohen me kongregacionin, mund të mos sillen në mënyrë dinjitoze. (2 Tim. 2:20, 21) Ndaj e mbajmë parasysh këtë kur zgjedhim miqtë. Por mund të jetë e vështirë t’i zgjedhim miqtë me mençuri nëse komunikojmë me ta nëpërmjet aplikacioneve për dërgimin e mesazheve.
Nëse po shqyrton mundësinë të bësh pjesë në një grup të madh që shkëmbejnë mesazhe, duhet të mendosh mirë se me cilët po shoqërohesh. Disa Dëshmitarë që janë futur në grupe të tilla, kanë korrur pasoja të këqija. Si mund të tregojë kujdesin e duhur një vëlla a motër nëse grupi ka qindra a mijëra pjesëtarë?! Është e pamundur të kuptojë kush është realisht secili pjesëtar i grupit dhe nëse ka një besim të fortë. Psalmi 26:4 dhe shënimi thotë: «Nuk rri me mashtruesit dhe nuk përzihem me njerëzit që e fshehin se ç’janë.» A nuk tregon ky varg se është e mençur t’i përdorësh aplikacionet që të shkëmbesh mesazhe vetëm me ata që njeh personalisht?
Edhe kur është fjala për një grup të vogël, duhet të shqyrtojmë sa kohë na marrin mesazhet dhe çfarë bisedash bëhen në grup. Nuk duhet të ndihemi të detyruar t’i përgjigjemi çdo mesazhi, pa marrë parasysh se për çfarë flasin pjesëtarët e grupit ose se sa kohë na marrin bisedat. Pavli e paralajmëroi Timoteun për disa individë që ‘merreshin me thashetheme e i futnin hundët në punët e të tjerëve’. (1 Tim. 5:13) Sot ekziston rreziku që të bëjmë njësoj përmes pajisjeve elektronike.
Asnjë Dëshmitar i pjekur nuk bën e as do që të dëgjojë komente kritike ose informacione konfidenciale për bashkadhuruesit. (Psal. 15:3; Prov. 20:19) Veç kësaj, i shmang informacionet e bujshme ose të pavërtetuara. (Efes. 4:25) Falë sitit tonë jw.org dhe programeve mujore në JW Broadcasting® marrim me bollëk ushqim besimforcues dhe informacione të besueshme.
Disa Dëshmitarë i përdorin aplikacionet për dërgimin e mesazheve që të shesin, të blejnë a të reklamojnë produkte ose që të ofrojnë punë. Këto janë çështje biznesi dhe s’kanë lidhje fare me adhurimin e Jehovait. Ata që s’duan të kenë «lakmi për pará», nuk i shfrytëzojnë kurrë vëllezërit për përfitime materiale.—Hebr. 13:5.
Po a mund t’i përdorim këto aplikacione që të mbledhim fonde për bashkëbesimtarët në vështirësi ose për raste katastrofash? Ne i duam vëllezërit dhe merakosemi për ta, ndaj shpesh e mbështetim dhe e inkurajojmë njëri-tjetrin. (Jak. 2:15, 16) Mirëpo kur përpiqemi ta bëjmë këtë në një grup të madh që shkëmbejnë mesazhe, mund t’ia bëjmë më të vështirë zyrës së degës ose pleqve të kongregacionit të sigurojnë ndihmën e duhur. (1 Tim. 5:3, 4, 9, 10, 16) E asnjë nga ne nuk do të donte të jepte idenë sikur ka një caktim unik që të kujdeset për delet e Perëndisë.
Dëshira jonë është që t’i japim lavdi Perëndisë në gjithçka që bëjmë. (1 Kor. 10:31) Pra, nëse përdor një aplikacion a program për të dërguar mesazhe, shqyrto rreziqet e mundshme dhe trego kujdes.