Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 22

Ndihmoji studentët të bëhen dishepuj të pagëzuar

Ndihmoji studentët të bëhen dishepuj të pagëzuar

«Secili nga ju të pagëzohet.»​—VEP. 2:38.

KËNGA 72 Të shpërndajmë dritën e së vërtetës

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë nxitje i dhanë dishepujt e Jezuit një turme të madhe njerëzish?

NJË turmë e madhe me burra e gra nga shumë vende, që flitnin një larmi gjuhësh, ishin mbledhur në Jerusalem. Atë ditë ndodhi diçka e paharrueshme! Një grup judenjsh, njerëz të thjeshtë, befas filluan t’u flitnin në gjuhët e tyre amtare. Kjo i la gojëhapur vizitorët. Por akoma më të mahnitshme ishin fjalët që dëgjuan dhe ato që tha para të gjithëve apostulli Pjetër. Ato fjalë përcillnin mesazhin se mund të shpëtonin po të tregonin besim te Jezu Krishti. Turmën e vizitorëve e preku aq thellë ai mesazh, sa pyetën: «Çfarë të bëjmë?» Pjetri iu përgjigj: «Secili nga ju të pagëzohet.»—Vep. 2:37, 38.

Një vëlla, i shoqëruar nga gruaja, drejton studimin e Biblës me një të ri duke përdorur librin Gëzoje jetën përgjithmonë! (Shih paragrafin 2)

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Shih figurën e kopertinës.)

2 Pas kësaj ndodhi diçka mbresëlënëse. Rreth 3.000 veta u pagëzuan atë ditë dhe u bënë dishepuj të Krishtit. Ky ishte fillimi i veprës madhështore të bërjes së dishepujve—vepra që u ngarkoi Jezui dishepujve të tij. Ajo vazhdon sot e kësaj dite, në shekullin e 21-të. Ama sot një student nuk mund të përparojë drejt pagëzimit brenda pak orësh. Mund të duhen muaj ose edhe një vit a më shumë që ta arrijë këtë synim. Të bësh dishepuj, kërkon mund dhe përpjekje, siç mund ta dish mirë edhe vetë nëse po drejton një studim. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund ta ndihmosh studentin tënd që të bëhet dishepull i pagëzuar.

NDIHMOJE STUDENTIN TA ZBATOJË ATË QË MËSON

3. Siç tregon Mateu 28:19, 20, çfarë duhet të bëjë një student që të përparojë drejt pagëzimit?

3 Para se të pagëzohet, studenti duhet të jetojë sipas asaj që mëson Bibla. (Lexo Mateun 28:19, 20.) Kur e zbaton atë që mëson, studenti vepron si ‘njeriu i mençur’ në ilustrimin e Jezuit, që gërmoi thellë për ta ndërtuar shtëpinë në shkëmb. (Mat. 7:24, 25; Luka 6:47, 48) Si mund ta ndihmojmë studentin ta zbatojë atë që mëson? Le të shohim tri sugjerime.

4. Si mund ta ndihmojmë studentin të ecë pa u ndalur drejt pagëzimit? (Shih edhe kutinë « Ndihmoje studentin të vërë synime dhe t’i arrijë».)

4 Ndihmoje studentin të vërë synime. Pse është e nevojshme kjo? Mendo për këtë ilustrim: kur ke ndër mend të bësh një udhëtim të gjatë, ndoshta planifikon disa ndalesa në vende të bukura. Kështu rruga për te destinacioni nuk të duket edhe aq e gjatë dhe nuk lodhesh. Po njësoj, nëse studenti i Biblës vë dhe arrin synime afatshkurtra, atëherë do të kuptojë se pagëzimi është një synim i arritshëm. Te libri Gëzoje jetën përgjithmonë! përdor pjesën «Provo këtë» që ta ndihmosh studentin të përparojë. Në fund të çdo mësimi, diskutoni si lidhet synimi që sugjerohet aty me gjërat që sapo ka mësuar. Nëse ke në mendje ndonjë synim tjetër për studentin, shkruaje te hapësira që thotë «Tjetër». Përdore rregullisht këtë pjesë të mësimit për të diskutuar me studentin synimet afatshkurtra dhe afatgjata që mund të vërë.

5. Sipas fjalëve të Jezuit te Marku 10:17-22, çfarë duhej të bënte një i pasur, dhe pse?

5 Ndihmoje studentin të bëjë ndryshime në jetë. (Lexo Markun 10:17-22.) Jezui e dinte se një i pasur do ta kishte të vështirë të shiste gjithçka që zotëronte. (Mar. 10:23) Gjithsesi, i tha atij të riu të pasur ta bënte atë ndryshim të madh në jetë. Pse? Ngaqë ndjeu dashuri për të. Ndonjëherë, mbase hezitojmë ta inkurajojmë studentin ta zbatojë atë që po mëson, ngaqë mendojmë se nuk është gati të bëjë një ndryshim të nevojshëm. Dikujt mund t’i duhet kohë të heqë zakonet e vjetra dhe të veshë personalitetin e ri. (Kolos. 3:9, 10) Por sa më shpejt të diskutosh hapur për këtë me studentin, aq më shpejt mund të fillojë të bëjë ndryshime në jetë. Kur bën një bisedë të tillë, tregon se interesohesh nga zemra për të.—Psal. 141:5; Prov. 27:17.

6. Pse duhet të përdorim pyetje që e nxitin studentin të shprehet?

6 Është e rëndësishme të përdorësh pyetje që e nxitin studentin të shprehë si mendon a si ndihet për një argument. Pyetje të tilla të ndihmojnë të dallosh se çfarë kupton dhe çfarë beson studenti. Nëse e bën këtë rregullisht, do ta kesh më të lehtë të flasësh me të në të ardhmen për gjëra që mund ta ketë të vështirë t’i pranojë. Libri Gëzoje jetën përgjithmonë! përmban shumë pyetje që e nxitin studentin të shprehet. Për shembull, mësimi 4 bën pyetjen: «Si mendon se ndihet Jehovai kur i drejtohesh me emër?» Mësimi 9 pyet: «Për cilat gjëra ke dëshirë të lutesh?» Në fillim, studentit mund t’i duhet kohë që të mendojë si t’u përgjigjet pyetjeve të tilla. Mund ta ndihmosh duke e stërvitur të arsyetojë për shkrimet dhe figurat që lidhen me to.

7. Si mund t’i përdorësh historitë reale për ta ndihmuar studentin?

7 Pasi studenti të ketë kuptuar se çfarë duhet të bëjë, përdor histori reale që ta inkurajosh të veprojë. Për shembull, nëse studenti nuk i ndjek rregullisht mbledhjet, mund t’i tregosh videon Jehovai është interesuar për mua te pjesa «Eksploro» në mësimin 14. Në shumë mësime të librit Gëzoje jetën përgjithmonë! do të gjesh histori të tilla reale te pjesët «Shqyrto më tej» ose «Eksploro». * Bëj kujdes të mos e krahasosh studentin me dikë tjetër duke i thënë: «Nëse ia doli ai, edhe ti mund t’ia dalësh.» Lëre të arrijë vetë në atë përfundim. Më mirë ndalu te gjëra specifike që e ndihmuan personin në video të zbatonte mësimet nga Bibla. Ndoshta mund të përmendësh një shkrim të rëndësishëm ose diçka praktike nga videoja. Sa herë të jetë e mundur, thekso si e ndihmoi Jehovai atë person.

8. Si mund ta ndihmojmë studentin të ushqejë dashurinë për Jehovain?

8 Ndihmoje studentin të ushqejë dashurinë për Jehovain. Si mund ta bësh këtë? Gjej raste për t’ia drejtuar vëmendjen te cilësitë e Jehovait. Ndihmoje të kuptojë se Jehovai është një Perëndi i lumtur që u bëhet krah atyre që e duan. (1 Tim. 1:11; Hebr. 11:6) Theksoji studentit se do të nxjerrë dobi duke e zbatuar atë informacion dhe shpjegoji se ato dobi tregojnë sa shumë e do Jehovai. (Isa. 48:17, 18) Sa më shumë ta thellojë dashurinë për Jehovain, aq më i motivuar do të ndihet të bëjë ndryshimet e nevojshme.—1 Gjon. 5:3.

PREZANTOJE STUDENTIN ME DËSHMITARË TË TJERË

9. Siç tregon Marku 10:29, 30, çfarë mund ta ndihmojë një student të bëjë sakrifica që të përparojë drejt pagëzimit?

9 Që të përparojë drejt pagëzimit, studentit do t’i duhet të bëjë sakrifica. Ashtu si i pasuri që u përmend më sipër, disa studentëve mund t’u duhet të sakrifikojnë nga ana materiale. Nëse puna që bëjnë, shkel parimet e Biblës, mund t’u duhet të gjejnë një punë tjetër. Shumë studentëve mund t’u duhet të shkëputin lidhjet me miqtë që nuk e duan Jehovain. Disa të tjerë mund t’i braktisin pjesëtarët e familjes që i kanë zët Dëshmitarët e Jehovait. Jezui tha se disa mund ta kenë të vështirë të bëjnë sakrifica të tilla, ama premtoi se ata që bëhen dishepuj të tij, nuk do të zhgënjehen. Jehovai do t’i bekojë bujarisht duke u dhuruar një familje të dashur mes popullit të tij. (Lexo Markun 10:29, 30.) Si mund ta ndihmosh studentin tënd të nxjerrë dobi nga kjo dhuratë e bukur?

10. Çfarë të mëson ajo që thotë Manueli?

10 Bëhu mik me studentin tënd. Është e rëndësishme t’i tregosh studentit se interesohesh me gjithë zemër për të. Pse? Mendo për atë që thotë Manueli, që jeton në Meksikë. Ja ç’kujton ai nga koha kur ishte student: «Çdo herë para se të fillonim studimin, mësuesi im më pyeste si ia kisha kaluar. Më ndihmonte të ndihesha i çlirët dhe më jepte mundësi të flisja hapur me të edhe për gjëra të tjera. E ndieja se interesohej sinqerisht për mua.»

11. Si nxjerrin dobi studentët kur kalojmë kohë me ta?

11 Kalo kohë me studentët e tu, ashtu siç kalonte kohë Jezui me dishepujt. (Gjoni 3:22) Në rast se studenti po bën ndryshime në jetë, mund ta ftosh në shtëpi për një kafe, për një vakt ose për të parë një nga programet tona mujore, nëse e sheh të përshtatshme. Studenti mund të jetë mirënjohës për ftesën tënde sidomos në periudha festash kur ndoshta ndihet i vetmuar. Kazibue, një vëlla që jeton në Ugandë, thotë: «Duke kaluar kohë me mësuesin tim, mendoj se mësova për Jehovain po aq sa mësova nga studimi. Pashë sa shumë kujdeset Jehovai për shërbëtorët e tij e sa të lumtur janë. Këtë doja edhe unë në jetë.»

Kur fton në studim lajmëtarë të ndryshëm, studenti do ta ketë më të lehtë të vijë në mbledhje (Shih paragrafin 12) *

12. Pse duhet të ftojmë në studim lajmëtarë të ndryshëm?

12 Fto lajmëtarë të ndryshëm në studim. Ndonjëherë mund ta kemi më kollaj të shkojmë në studim vetëm ose me të njëjtin lajmëtar. Edhe pse kjo mund të jetë më e leverdisshme për ne, studenti do të nxjerrë më shumë dobi nëse herë pas here marrim me vete lajmëtarë të ndryshëm. Dimitri që jeton në Moldavi, thotë: «Çdo lajmëtar që vinte në studimin tim, m’i shpjegonte gjërat në një mënyrë unike. Kjo më ndihmonte të dalloja mënyra të ndryshme si mund ta zbatoja atë që po mësoja. Gjithashtu, kur shkova për herë të parë në mbledhje, nuk kisha edhe aq druajtje, ngaqë shumë vëllezër e motra i kisha takuar.»

13. Pse duhet ta ndihmojmë studentin të ndjekë mbledhjet?

13 Ndihmoje studentin të ndjekë mbledhjet. Pse? Sepse Jehovai i urdhëron adhuruesit e tij të mblidhen bashkë; kjo është pjesë e adhurimit tonë. (Hebr. 10:24, 25) Veç kësaj, vëllezërit e motrat në kongregacion janë familja jonë. Kur jemi në mbledhje me ta, është si të jemi së bashku rreth vatrës për të ngrënë një vakt të shijshëm. Kur e ndihmon studentin të ndjekë mbledhjet, e ndihmon të hedhë një nga hapat më të rëndësishëm drejt pagëzimit. Por ky mund të jetë një hap i vështirë për të. Si mund ta ndihmojë botimi Gëzoje jetën përgjithmonë! të kapërcejë ndonjë vështirësi që e pengon të ndjekë mbledhjet?

14. Si mund ta motivojmë studentin të ndjekë mbledhjet?

14 Për ta motivuar studentin, përdor mësimin 10 të librit Gëzoje jetën përgjithmonë! Para se të dilte ky libër, disa lajmëtarëve me përvojë iu kërkua ta përdornin këtë mësim me studentët e tyre. Ata thanë se ishte një ndihmë e madhe për t’i motivuar studentët të ndiqnin mbledhjet. Kuptohet, s’ka pse të presësh mësimin 10 për ta ftuar studentin në mbledhje. Ftoje sa më shpejt të jetë e mundur dhe vazhdo ta bësh këtë rregullisht. Çdo student has vështirësi unike. Prandaj vër re me kujdes çfarë i nevojitet studentit tënd dhe mundohu t’i japësh ndihmë praktike. Mos u shkurajo nëse ka nevojë për kohë që të ndjekë mbledhjet. Trego durim, por njëkohësisht vazhdo ta ftosh.

NDIHMOJE STUDENTIN TË MPOSHTË ÇDO FRIKË

15. Çfarë frike ose meraku mund të ketë studenti?

15 A kishe pak frikë ose merak në fillim të bëheshe Dëshmitar i Jehovait? Ndoshta mendoje se nuk do të ishe kurrë në gjendje t’u predikoje të tjerëve. A mbase kishe frikë se mos familjarët a miqtë të kundërviheshin. Nëse je ndier kështu, mund ta kuptosh si ndihet studenti yt. Jezui tha se mund të ndodhte që disa t’i frikësonin gjëra të tilla. Megjithatë, i nxiti dishepujt e tij të mos lejonin që frika t’i pengonte t’i shërbenin Jehovait. (Mat. 10:16, 17, 27, 28) Si i ndihmoi Jezui dishepujt të mposhtnin çdo frikë? Dhe si mund ta imitosh shembullin e tij?

16. Si mund ta stërvitim studentin të flasë me të tjerët për ato që po mëson?

16 Stërvite hap pas hapi studentin që të flasë me të tjerët për ato që po mëson. Dishepujt e Jezuit mund të jenë ndier në ankth kur ai i dërgoi të predikonin. Por Jezui i ndihmoi duke u treguar ku të predikonin dhe çfarë mesazhi të jepnin. (Mat. 10:5-7) Si mund ta imitosh Jezuin? Nxite studentin të mendojë se kujt mund t’i predikojë. Për shembull, pyete nëse njeh dikë që do të nxirrte dobi nga një e vërtetë specifike e Biblës. Pastaj ndihmoje të përgatitet duke i treguar një mënyrë të thjeshtë si të flasë për atë të vërtetë. Në një moment të përshtatshëm, mund të praktikoheni duke përdorur pjesët «Disa thonë» dhe «Dikush mund të pyesë» te libri Gëzoje jetën përgjithmonë! Gjatë këtyre provave, synimi yt duhet të jetë ta stërvitësh studentin të përdorë Biblën që të përgjigjet thjesht dhe me takt.

17. Si mund ta përdorim Mateun 10:19, 20, 29-31 për ta ndihmuar studentin të mbështetet te Jehovai?

17 Ndihmoje studentin të mbështetet te Jehovai. Jezui i siguroi dishepujt e tij që Jehovai do t’i ndihmonte ngaqë ishin të shtrenjtë për Të. (Lexo Mateun 10:19, 20, 29-31.) Siguroje studentin se Jehovai do ta ndihmojë edhe atë. Mund ta ndihmosh të mbështetet te Jehovai duke u lutur me të për synimet që ka. Françisheku, që jeton në Poloni, thotë: «Mësuesi i Biblës i përmendte shpesh në lutje synimet e mia. Kur pashë si u përgjigjej Jehovai lutjeve të mësuesit tim, fillova të lutesha pa vonesë. E provova ndihmën e Jehovait kur më duhej të kërkoja ditë pushimi në punën e re që të ndiqja mbledhjet dhe kongresin.»

18. Si ndihet Jehovai për punën e palodhur që bëjnë mësuesit e së vërtetës?

18 Jehovai ka shumë merak e dashuri për studentët e Biblës. Ai i vëren dhe i çmon gjithë përpjekjet që bëjnë mësuesit e së vërtetës për t’i ndihmuar të tjerët të afrohen me të. E kjo punë e palodhur i bën më të dashur për Jehovain. (Isa. 52:7) Nëse për momentin nuk po drejton një studim, prapë mund t’i ndihmosh studentët e Biblës të përparojnë drejt pagëzimit duke shoqëruar lajmëtarë të tjerë në studimet e tyre.

KËNGA 60 Lajmi i jetës

^ par. 5 Në këtë artikull do të shohim si i ndihmoi Jezui njerëzit të bëheshin dishepuj të tij dhe si mund ta imitojmë. Do të shohim edhe disa veçori të librit Gëzoje jetën përgjithmonë! Ai është bërë enkas për t’i ndihmuar studentët tanë të përparojnë drejt pagëzimit.

^ par. 7 Mund të gjesh histori reale edhe te (1) Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait te tema «Bibla», nëntema «Vlera praktike», e poshtë saj «‘Bibla të ndryshon jetën’ (rubrikë në Kullën e Rojës)» ose te (2) JW Library® te pjesa «Media», e brenda saj «Intervista dhe përvoja».

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla, i shoqëruar nga gruaja, studion me një të ri. Në raste të tjera, e shoqërojnë në studim vëllezër të ndryshëm.